OpEd

Tu pa, tu bo!

Anglosaksonët e kanë maksimën "learning by doing" (të mësuarit duke bërë). Kjo i referohet një teorie të arsimit të shpjeguar nga ana e filozofit amerikan, John Dewey. Është një qasje praktike për mësimin ku studentët duhet të bashkëveprojnë me rrethinën/ambientin, në mënyrë që të adaptohen dhe të mësojnë. Dewey e implementoi këtë ide duke e ngritur laboratorin shkollor në kuadër të Universitetit të Chicagos. Për dallim nga qasja e Deweyt, e cila në vete e ngërthen mësimin gjatë punës, qasja e teorisë sime diplomatike tu pa, tu bo jo medoemos të vendosë në pozitën ku ti duhesh të mësosh diçka. Ajo më shumë ka të bëjë me aftësinë e vrojtimit, evoluimit të një situate të caktuar para ndërmarrjes së një veprimi vetjak

Është ky numri jubilar i 100-të i Ditarit tim. Njëqind javë përshkrime ngjarjesh, kabllogramesh, situatash dhe një rrugëtim i përbashkët diplomatik. Isha në kërkim të ndonjë teme të caktuar për të shënuar këtë numër jubilar, ndonjë temë sadopak më të hareshme dhe mundësisht jashtë ngjarjeve politike të përditshmërisë sonë. Jo, nuk mund ta gjeja një të tillë, në fakt ende nuk e kam të qartë se çfarë teme do të trajtoj në Ditarin tim jubilar. Do të jetë në atë stilin e dëshmuar pellazg, tu pa, tu bo. Janë ca gjëra ndaj të cilave edhe të qenët diplomat nuk të bënë imun ndaj tyre. Tu pa, tu bo, është njëra nga to. Në fakt, derisa po i shkruaj këta rreshta ashtu më kaploi edhe ajo ideja që unë si diplomat i regjur të marr iniciativën për publikimin e një doracaku diplomatik kosovar/shqiptar me temën, tu pa, tu bo, mendoj se do të ishte një shtjellim i hatashëm filozofik i kësaj qasjeje jetike pellazge me një dozë shakespeariane, e cila do të linte gjurmë të thella në diplomacinë moderne botërore.

Anglosaksonët e kanë maksimën "learning by doing" (të mësuarit duke bërë). Kjo i referohet një teorie të arsimit të shpjeguar nga ana e filozofit amerikan, John Dewey. Është një qasje praktike për mësimin ku studentët duhet të bashkëveprojnë me rrethinën/ambientin, në mënyrë që të adaptohen dhe të mësojnë. Dewey e implementoi këtë ide duke e ngritur laboratorin shkollor në kuadër të Universitetit të Chicagos. Për dallim nga qasja e Deweyt, e cila në vete e ngërthen mësimin gjatë punës, qasja e teorisë sime diplomatike "tu pa, tu bo" jo medoemos të vendosë në pozitën ku ti duhesh të mësosh diçka. Ajo më shumë ka të bëjë me aftësinë e vrojtimit, evoluimit të një situate të caktuar para ndërmarrjes së një veprimi vetjak. Ashtu si edhe të gjitha punimet shkencore, të cilat duhen të jenë të bazuara në shembuj të matshëm empirikë, ashtu edhe teoria ime "tu pa, tu bo" do të ishte e mbështetur me dhjetëra të tilla. Në fakt, Universi është paksa i çuditshëm në mënyrën se si funksionon. Përderisa isha duke i shkruar këta rreshta sapo mu kujtua që mbrëmë përderisa po e shikoja Fidanin dhe mysafirin e tij në studio, arkitektin Visar Geci, i cili e trajtoi edhe zhvillimin e arkitekturës si ajo ka ndodhur tek ne me qasjen "tu pa, tu bo". Mund të jetë që ndërdija ime e ka kapur këtë maksimë pellazge dhe atë moment, dhe ka vendosur që ta shtrijë atë në rrafshin diplomatik për numrin jubilar të Ditarit tim.

Nga këndvështrimi diplomatik, Kosova gjendet në udhëkryqin e saj pranë sfidave të cilat e presin. Njëra ndër kryesoret, të cilat po e presin janë sfidat për bisedimet me Serbinë. Këtu jemi dëshmitarë të një ngutje të establishmentit tonë politik, jo-medoemos duke përcjellë interesin e vendit dhe vullnetin e popullit, por duke e shtyrë një agjendë të huaj për një qëllim tjetër më specifik.

Shtytësin kryesor të kësaj agjende të bisedimeve në Kosovë e kemi presidentin Thaçi. Tash kësaj valleje i është kyçur edhe qeveria vartëse e tij, e cila kinse edhe na krekoset aty duke kërkuar edhe ajo një copë protagonizmi nga kjo mesele. Flitet me aq lehtësi se si marrëveshja finale me Serbinë do t’ia sigurojë Kosovës ulësen në OKB, si dhe njohjen nga 5 vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës. Sa më përket mua, për aq sa unë e lexoj dhe e kuptoj diplomacinë, Kosova do ta fitojë ulësen në Kombet e Bashkuara po aq lehtë sa e fituam edhe liberalizimin e vizave. Ne jemi dëshmitarë se si liberalizimin e vizave e kemi fituar së paku nja 5 herë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ndërsa numri i bisedimeve në Bruksel dhe lëshimeve, të cilat Kosova (lexo Thaçi) i ka bërë në to, mbeten të panumërta.

Sot agjenda e Richard Grenellit, emisarit të posaçëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe asaj të Hashim Thaçit, presidentit të Kosovës, zateten me një pikë të përbashkët. Grenellit i duhet një storie suksesi mbi tavolinën e shefit të tij, i cili do t'ia prezantonte popullit amerikan para zgjedhjeve të reja në muajin nëntor për president të SHBA-së dhe Hashimit, i cili një Zot e di se çfarë lëshimesh është i gatshëm që të bëjë ndaj Vuçiqit e vetëm të fitojë ndonjë garanci personale për ta shpëtuar emrin e vet nga akuzat e Gjykatës Speciale për krime të luftës. E kam thënë edhe më parë, kësaj administrate amerikane dhe këtij presidenti amerikan aq i bën se cili do të jetë përfundimi dhe epilogu i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aq i kanë bërë atij edhe qindra situata në vendin e vet e sidomos jemi dëshmitarë të ngjarjeve të fundit se sa i pa takt dhe përçarës është ai në raport me popullin amerikan. Nga maksima diplomatike pellazge "kur s'je për veti nuk je as për ngjeti", e kam shumë të qartë se çfarë të mire mund t’i sjellin ai dhe emisari i vet Kosovës. Në vazhdën e lojës së përçarësve, edhe presidenti Thaçi atë rol e luan për mrekulli. Paraqitjet e tij televizive me kërcënimet për aktorë të ndryshëm politikë nuk kanë të ndalur. Por ai veçse është duke e irrituar masën e popullit çdo ditë e më shumë. Ndoshta kjo pikërisht është edhe qëllimi i tij!

Kjo situatë dhe momentum politik mund të merren si një shembull tipik i një situate diplomatike, kur ne do të kishim mund ta aplikonim qasjen "tu pa, tu bo". Me një situatë ideale, Kosova do të duhej që të shkonte në zgjedhje, Kosova do të duhej që të fitonte në kohë. Përveç fitimit në kohë, edhe partitë politike në raport me popullin do te merrnin një legjitimitet të plotë për qasjen në lidhje me bisedimet me Serbinë dhe "pa lojëra të pista në prapaskenë", gjithashtu edhe Gjykata Kushtetuese do të mbrohej prej një kompromitimi të cilin ajo ia shkaktoi vetes me aktvendimin absurd, të cilin ajo e mori në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri të Qeverisë Hoti. Unë mbes i mendimit se ky vendim e ka lënduar rëndësinë dhe peshën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe vetëm ka hapur rrugë për lojëra dhe kalkulime edhe më të pista politike në të ardhmen.

Qasja "tu pa, tu bo" në një rrethanë të caktuar mund ta sillte edhe rezultatin e kundërt, mirëpo që ajo të ndodhte presidenti Trump do të duhej që t’i fitonte zgjedhjet e pas tyre t’i "hakmerrej" Kosovës, e cila nuk i ndihmoi në përmirësimin e imazhit të tij gjatë rrugëtimit të fitores së tij. Por, kështu qysh Kosova i është qasur kësaj pune, është jo se ka hyrë në mal pa sakicë, por ka hyrë në mal me një pishtar në dorë, dhe është duke fryrë murlani. Gjasat që flaka t’i hyjë këtij mali anë e përtej janë të mëdha.

Shpresoj që të gjitha këto prognoza të mia diplomatike të jenë të gabuara dhe aspak nuk do të ndiej inat po që se do të vijë ajo ditë dhe dikush, kushdo qoftë ai apo ajo të më demantojë duke më thënë "a po e sheh se sa gabim e ke pasur, a po e sheh se sa shumë fitoi Kosova nga bisedimet, a po e sheh se e fituam edhe njohjen nga Serbia, edhe njohjen nga 5 vendet jonjohëse të BE-së e edhe e fituam ulësen në OKB, dhe nga tani çdo gjë është aq e bukur edhe aq e kollajshme për vazhdimin e zhvillimit të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës". E të gjitha këto edhe duke ia bashkangjitur Kosovës, Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën e duke mos e dhënë as edhe një milimetër të territorit të Kosovës, këto sipas fjalëve të rrencit patologjik, Hashim Thaçi, i cili është ai rasti më eklatant bindës i asaj maksimës tjetër pellazge "kur të premtojnë shumë dredhëza në mal, merre koshin e vogël". Sa për rastin e Hashimit, mos e merr koshin fare, sepse dredhëza as që do të ketë. Ti do ta gjesh veten në një skëterrë dhe do ta kuptosh që as në mal nuk je, por në një oazë hajnash, mashtruesish, hienash dhe mercenarësh mediatikë.

P.S. Kryeministër aktual Thaçi. Mesazhi im për ty është mos ja ndaj zullumin këtij populli, sepse i ke gjetë edhe po të ecë. Grahi babo, mos gabo me u ndalë!