OpEd

“Të mësosh nga Ukraina do të thotë të jesh i patrembur dhe trim - ndoshta edhe të mësosh të fitosh”

Kundër frikës, kundër fashizmit të Putinit, për Europën dhe Ukrainën e lirë: Fjala e historianit gjerman Karl Schlögel në Frankfurt me rastin e pranimit të Çmimit të Paqes, një nga mirënjohjet më të larta në Gjermani.

Autor: Karl Schlögel

 

Historiani gjerman Karl Schlögel është nderuar me Çmimin e Paqes të Shoqatës së Shitësve të Librit Gjerman. Kjo është mirënjohja më e lartë në Gjermani për intelektualë.

Fjalën për nder të Karl Schlögel në ceremoninë në Kishën e Palit (Paulskirche) në Frankfurt e mbajti autorja dhe publicistja me origjinë nga Ukraina, Katja Petrovskaja. Në fjalimin e tij të falënderimit, historiani Schlögel kritikoi politikën gjermane ndaj Rusisë gjatë dekadave të fundit dhe u bëri thirrje gjermanëve të nxjerrin mësime.

Çmimin i Paqes e Shoqatës së Shitësve të Librit Gjerman është ndër vlerësimet më të rëndësishme në Gjermani. Që nga viti 1950 janë nderuar më shumë se 75 shkrimtarë, filozofe, shkencëtarë dhe politikane, ndër ta Albert Schweitzer, Václav Havel, Astrid Lindgren dhe Salman Rushdie. Vitin e kaluar çmimi iu dha publicistes Anne Applebaum.

Në vijim fjala e Karl Schlögel.


 

(...)

Për mua ka rëndësi të veçantë që me këtë vlerësim më jepet mundësia të flas në këtë vend aq të rëndësishëm historikisht - dhe këtë ta bëj jo vetëm në vitin e 75-të kalendarik pas themelimit të Çmimit të Paqes, por në një çast kur, përballë çrregullimit të ri të botës, kufijtë e gjykimit tonë na bëhen të vetëdijshëm në mënyrën më të dhimbshme. Po ndodh diçka e paimagjinueshme: nën sytë tanë qytetet ukrainase bombardohen ditë e natë nga raketat ruse, dhe Europa duket se nuk është në gjendje ose nuk ka vullnet t’i mbrojë. Ne ishim të tronditur si dëshmitarë të pogromit vrasës të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe të shndërrimit të Gazës në një fushëbetejë me dhjetëra mijëra viktima mes civilëve. Bota mezi vë re skenarët apokaliptikë të luftës civile në Sudan.

Por ku, nëse jo këtu, në Kishën e Palit të Frankfurtit, është vendi për të folur rreth rrugëve për të dalë nga lufta dhe për ta marrë seriozisht thënien e Walter Benjaminit: «Por kush do paqen, le të flasë për luftën.» Ose në një version më të vjetër: «Si vis pacem, para bellum.»

Kush hedh vështrim pas mbi dhënien e Çmimit të Paqes - gjë që mund të bëhet lehtësisht me një klikim në uebfaqen e tij - mund të fitojë që në shikim të parë përshtypjen se për temën e luftës dhe paqes është thënë gjithçka. Fjalimet lexohen si një kronikë e situatës shpirtërore të Gjermanisë së pasluftës: në fillim, në vitet e para, gjithçka qëndron ende në hijen e Luftës së Dytë Botërore sapo të përfunduar dhe të katastrofës që Gjermania i solli botës; edhe vetë vendi i dhënies së çmimit sapo kishte ringritur nga rrënojat. Me vështrim prapa bëhet e qartë se dekadat pasuese nuk ishin aspak një kohë idilike e koeksistencës paqësore, por Luftë e Ftohtë, një kohë e ekuilibrit të tmerrit, e fundosjes së mundshme në çdo çast në vetë-shkatërrim bërthamor. Rënia e Perdes së Hekurt dhe fundi i Luftës së Ftohtë nuk sollën në Europë fundin e historisë, por një kohë kur, me shuarjen e antagonizmit të sistemeve, edhe arsyet për konfliktin e madh ushtarak mes dy superfuqive dukeshin të pavlefshme, ndërkohë që luftërat e Jugosllavisë - të perceptuara shumë mirë nga vëzhguesit e vëmendshëm - tashmë tregonin drejt fundit të periudhës së pasluftës, që me pushtimin rus të Krimesë në pranverën e vitit 2014 dhe - përfundimisht - me pushtimin nga trupat ruse më 24 shkurt 2022 erdhi në fund dhe hapi portën për një kohë të re para-lufte.

Studimi i origjinave të luftërave dhe i rrugëve të ndërlikuara drejt paqes - të bësh armët të heshtin, të ndalosh vrasjet, të zhveshësh agresorin nga pushteti, ndoshta të arrish një traktat paqeje pas të cilit pastaj do të pasojë pajtimi - ofron një material të pashtershëm pamor për atë që diplomacia mund dhe që nuk mund të bëjë, por nuk jep receta të zbatueshme përherë, sepse historia nuk përsëritet. Dhe atëherë e gjen veten, pavarësisht gjithë dijes, pavarësisht gjithë përvojës së brezave të mëparshëm, sërish duke u nisur nga e para, dhe se në hutim të thellë të mungojnë fjalët për të përshkruar atë që po ndodh para syve tanë. Termat me të cilët do të doje të përftoje marrëdhëniet e reja nuk u përshtaten atyre. Të merret goja për atë që po ndodh. Kjo është më shumë se sa mungesë e termave ose e talentit letrar; është shembja e një horizonti përvoje ku je rritur dhe ku gjithçka që ke mbledhur gjatë jetës vihet në pikëpyetje, zhvlerësohet, madje shtrihet në rrënoja.

S’munda ta përfytyroja që Rusia do të rrëshqiste sërish pas në kohëra që në shumëçka u ngjajnë praktikave të stalinizmit, studimit të të cilit i kam kushtuar vite të jetës; s’munda ta përfytyroja një Amerikë - atë që njoha si student - ku një ditë do të përhapej frika nga një regjim autoritar. I huaj për mua ishte edhe mendimi që edhe në Republikën Federale të Gjermanisë gjërat do të shkonin drejt shembjes. Mbi të gjitha: që lufta - për mua diçka që e njihja vetëm nga televizioni ose nga filmat dokumentarë - të bëhej diçka reale në fqinjësinë e afërt. Por pikërisht kjo ndodhi. Dhe më duket sikur ne - po flas në njëjësin kolektiv - tani jemi brezi i mësuar me një kohë paqeje të dukshme dhe i përkëdhelur nga paqja, që na ka ardhur radha të rimendojmë gjithçka nga fillimi, një lloj bilanci dhe provimi të një brezi që pati një fat të pabesueshëm, e që tani e ka tepër të vështirë t’i thotë lamtumirë kësaj epoke dhe të përshtatet me luftën në Europë dhe me gjithçka që lidhet me të.

Sa çliruese ishte ndjenja për të dalë nga ngushtësia e botës së ndarë të Luftës së Ftohtë dhe për të kaluar përtej vijës së demarkacionit tërhequr mes Lindjes dhe Perëndimit apo poshtë Perdes së Hekurt. Për mua, një njeri pa lidhje familjare me Europën Lindore - megjithëse im atë, që prej 1 shtatorit 1939, ishte në luftë, shumicën e kohës në frontin lindor dhe në Ukrainë - kjo ndodhi shumë herët. Shumë herët mësova se përtej ndarjes së Europës në Lindje dhe Perëndim, në socializëm dhe kapitalizëm, kishte diçka tjetër, një të tretë, që nuk ishte identike me to: qendra e humbur e Europës. Kështu nisi një udhëtim zbulues drejt një rajoni, për të cilin në Gjermaninë Perëndimore të pasluftës interesoheshin pak, ose kryesisht nën prizmin e vëzhgimit të armikut. Si zakonisht, rastësitë biografike luajnë rolin vendimtar: mësimi i rusishtes në një shkollë bavareze me konvikt, atmosfera e “shkrirjes” dhe e koeksistencës paqësore të viteve 1960 - së pari poema Babi Jar e Jevgenij Jevtushenkos dhe romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut, por mbi të gjitha, përshtypjet e pashlyeshme nga udhëtimet e hershme në Pragë dhe në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm. Falë atyre udhëtimeve, Europa Qendrore dhe Lindore nuk ishin vetëm çështje leximesh të librave, formimi akademik, por kishin të bënin me njerëzit, peizazhet dhe skenat e historisë me të cilat duhej të merresha në studime, shumë përpara eseut të famshëm të Milan Kunderas të vitit 1983 “Un Occident kidnappé ou La tragédie de l'Europe centrale” (Perëndimi i kidnapuar apo Tragjedia e Europës qendrore): atmosfera e Pranverës së Pragës, takimi dhe miqësia me disidentët dhe emigrantët, dhe ideja se lëvizjet opozitare në Lindje dhe Perëndim duhej të bashkoheshin përtej murit, ndoshta madje si një urë mes intelektualëve dhe punëtorëve. Harta mendore e Europës ishte zhvendosur tashmë përpara rënies së kufirit të madh. Në rrethet e disidentëve në Budapest, Varshavë, Berlin dhe në kuzhinat e Moskës diskutohej ajo që shpejt pas kësaj do të përhapej në revolucionet në Europën Lindore. Ishte një kohë ngazëlluese komploti përtej kufirit, e leximeve të reja dhe e zbulimit të lidhjeve që krijuan një hapësirë të re kulturore, përtej dikotomisë së botës së ndarë. U hap hapësira historike e një shumëllojshmërie të jashtëzakonshme gjuhësore dhe kulturore, e fundosur në luftë, gjenocid dhe dëbime. Ishim gjithnjë duke lëvizur në zonën vdekjeprurëse mes perandorisë së Hitlerit dhe asaj të Stalinit; lëviznim gjithnjë në hapësirën e një përvoje të dyfishtë, ku, si mund të mësohej, nuk kishte shpëtim, as mundësi arratie - një vend i dorëzimit total.

Pas eksplorimit të kësaj hapësire dhe risjelljes në kujtesë të historisë së saj erdhi shpejt transformimi i hartës politike, që me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik nuk u ndal as para kufijve të perandorisë së fundit shumetnike. Por rruga drejt arritjes së pavarësisë dhe lirisë së plotë të Ukrainës ishte ende e gjatë. U desh revolucioni i Majdanit dhe një luftë që Ukraina të dilte përfundimisht nga skaji i një perceptimi të ngushtë të përqendruar në Perëndim. Ajo pushoi së qeni terra incognita, një njollë e bardhë. Përmes ekraneve, raportimeve, refugjatëve që erdhën tek ne, Ukraina na u bë e tashme: një vend i madh e i bukur, një Europë në miniaturë, i lidhur me botën me dhjetëra mijëra fije: Kievi mijëvjeçar, Harkivi - metropol i modernitetit europian, Odesa, prej shkallëve të saj të mëdha poshtë drejt portit mund të shihje gjithë shekullin XX, Lviv, Leopolis, Lwów, Lwow, Lemberg - më shumë se sa “Vjena e vogël”, një burim kulturor për tërë kontinentin. Ukraina si prizëm i gjithë përvojave europiane në “shekullin e ekstremeve”: skenë revolucionesh, lufte civile dhe luftërash botërore, Holodomor dhe Holokaust, dhe pas një lufte shumëvjeçare, më në fund pavarësi dhe liri.

Pastaj erdhi pushtimi i Krimesë nga Rusia. Më shumë se dhjetë vjet më parë, i kthyer nga Harkivi, Donjecku, Mariupoli dhe Odesa, kisha shkruar: «Nuk dimë se si do të përfundojë lufta për Ukrainën; nëse ajo do t’i bëjë ballë agresionit rus apo do të gjunjëzohet; nëse europianët, Perëndimi, do ta mbrojnë apo do ta dorëzojnë; nëse Bashkimi Europian do të qëndrojë i bashkuar apo do të shpërbëhet. Vetëm kaq është e sigurt: Ukraina nuk do të zhduket më nga harta në mendjet tona».

Rusia e Putinit është e vendosur ta fshijë nga harta e Europës Ukrainën e pavarur dhe të lirë. Putini e ka shpallur hapur dhe prej atëherë e dëshmon ditë për ditë se e ka seriozisht. Asnjë fjalë nuk i afrohet imazheve të shkatërrimit. Nuk ka mizori që trupat e tij të mos kenë kryer. Asgjë dhe askush që të mos jetë bërë shënjestër e dronëve dhe raketave: sheshe tregu, lagje banimi, muze, spitale, infrastrukturë portuale, stacione treni. Qytete që sapo po vinin në formë - me aeroporte të reja, rrugë, hotele - po bombardohen përsëri. Qytetet kthehen në terren ku bëhet gjueti njerëzish me dronë. Pas goditjes së saktë të raketës vjen goditja e saktë mbi ekipet e shpëtimit. Gjigantët industrialë të ndërtimit socialist shndërrohen po ashtu në rrënoja, ashtu si kishat, manastiret apo sanatoriumet. Ajo që dikur ishte Ruhri ukrainas (Ruhr, krahinë gjermane me industri të madhe, v.j.) nuk ekziston më. Nëse vendi nuk mund të pushtohet, së paku duhet të shkatërrohet, të bëhet i pabanueshëm. Po qarkullon një term i ri: urbicid. Shkretime të shekullit XXI, diga dhe ura të hedhura në erë, peizazhe të përmbytura, fushat e tokës së zezë të djegura dhe të ndotura për breza, pastrim etnik dhe rrëmbim dhjetëra mijëra fëmijësh, zonat e pushtuara si një kamp i madh nën regjinë e lordëve të luftës dhe kriminelëve. E keqja që Rusia e Putinit i ka sjellë Ukrainës ka shumë emra: imperializëm, revizionizëm, shtet mafioz, fashizëm, rashizëm (kombinim i fjalëve fashizëm dhe Rusi, v.j.). Krimet e tij janë dokumentuar dhe ruajtur në kohë reale në një numër të pafund imazhesh, emrat e autorëve - qoftë në front, në bodrumet e torturës, në shtabet e propagandës dhe komandës - me siguri do të zbulohen.

Është e habitshme sa shumë zgjati në Gjermani derisa u bë e qartë se me çfarë kemi të bëjmë kur është fjala për Rusinë e Putinit. Çfarëdo që të ketë qenë në lojë - varësi nga rruga historike (gjermane), afinitete kulturore, nostalgji e sentimentalitet, interesa ekonomike, edhe korrupsion - është një fushë e gjerë për sqarim historik dhe për një përballje kritike që nuk kursen askënd. Patëm shumë “kuptues të Rusisë”, por shumë pak që kuptonin diçka prej saj. Përndryshe do të na kishin shpjeguar se ç’na priste dhe se kategoritë me të cilat synohej të përfytyrohej perandoria e Putinit ishin më shumë rezultat dëshirimesh dhe besëtytnish, në vend që të pranohej se nuk i bënim dot ballë kësaj shfaqjeje të së keqes -  apo çfarëdo termi tjetër që mund të shpiket për të. Sa më e lehtë dhe e rehatshme ishte të fajësohej NATO-ja apo edhe Perëndimi kolektiv: deri më sot kërkimi për një kuptim më të thellë të politikës së Putinit nuk është shuar. Përmenden: poshtërimi i dikurshëm i superfuqisë, frika nga rrethimi, nevoja për siguri, luftë për njohje. Kjo shoqërohet me idenë se me të mund të sqarohen keqkuptime dhe të negociohen marrëveshje në një diskurs argumentues. Por idenë se Putini do t’u përmbahej argumenteve apo madje rregullave të procedurës, ai e hodhi poshtë që në fillim. Ai e përmbysi tavolinën ku duhej të bëheshin biseda dhe negociata sipas rregullave të caktuara dhe, me mjeshtëri, e shpalli shkeljen e rregullave si sistem, shumë përpara se termi “disrupsion” të hynte në qarkullim. Ai ishte dhe mbetet mjeshtër i dominimit të eskalimit, i ashpërsimit të mirëmenduar të konflikteve, përfshirë edhe thyerjen e llogaritur të tabusë bërthamore. Frika është arma e tij kryesore, dhe administrimi i frikës është talenti i tij i vërtetë. Ai e imagjinon veten deri sot të paprekshëm si zot i veprimit.

Por jo gjithçka duhet të shkojë sipas planit të tij - blickrigu (lufta e beftë, v.j.) kundër Ukrainës, marrja e kryeqytetit, parada e fitores në rrugën Hreshatyk në Kiev, rrethimi i Harkivit. Doli ndryshe. Pavarësisht qindra mijëra të vrarëve dhe të plagosurve në front, ai ka bërë pak përparim dhe tani i është kthyer popullsisë civile të pambrojtur. Parulla e tij është e thjeshtë: do t’ju shkatërrojmë kudo që të jeni, nuk keni asnjë shans veç kapitullimit. Diplomacia është vetëm instrument për të fituar kohë, për të cilën ai beson se punon për të. Ideologët përreth tij e thonë haptazi: do t’ju thyejmë shtyllën kurrizore juve europianëve.

A është kjo që po them “rusofobi”? Është pjesë e repertorit të retorikës së frikësimit që kritika ndaj regjimit të Putinit të shpallet shpifje ndaj Rusisë. Kjo nuk mund të më prekë mua, si dikë që prej rinisë ka rënë në dashuri me kulturën ruse dhe është përpjekur gjithë jetën për ta ndërmjetësuar atë. Më dhemb shumë kur sot miq e kolegë janë në rrezik dhe detyrohen të ikin në mërgim. Instrumentalizimi i prestigjit të kulturës ruse luan me siguri një rol të madh në imponimin e ambicieve perandorake të Putinit - Russkij Mir, bota ruse që s’njeh kufij, si “soft power”. Në retorikën e frikësimit dhe shantazhit moral bën pjesë, natyrisht, edhe shpallja e udhëheqjes ukrainase si naziste dhe vënia e gjermanëve nën dyshim për nazizëm. Ushtria gjermane damkoset si pasardhëse e Wehrmachtit (ushtrisë naziste), ndërsa lufta ruse kundër Ukrainës kualifikohet me rrena si vazhdim i Luftës së Madhe Patriotike (ruse) kundër fashizmit. Të gjitha krimet për të cilat Rusia është fajtore u vihen shpejt e shpejt në kurriz ukrainasve - nga rrëzimi i avionit MH17 e deri te të vrarët në rrugët e Buçës.

Sado absurde të duket kjo propagandë, ajo nuk është pa efekt, veçanërisht në Gjermani, e cila për arsye të njohura ende nuk është e sigurt në vetëvete dhe për këtë arsye është e cenueshme. Krahasuar me këtë, propaganda e kohëve sovjetike duket e vjetruar dhe gati-gati e padëmshme. Nuk bëhet më fjalë për kontrastin bardh e zi, për dallimin e së vërtetës nga gënjeshtra, por për shpërbërjen e vetë dallimit mes së vërtetës dhe rrenës sipas parimit: gjithçka është po aq e vërtetë, gjithçka është po aq e gabuar - pra shkatërrimi i bazës së çdo formimi gjykimi. Kjo propagandë ruse synon publikun vendas, ndërtimin e imazheve të armikut dhe frikës nga rrethimi, por po aq edhe publikun jashtë botës ruse. Nuk ka asnjë mjet që nuk mund të përdoret për të minuar besueshmërinë dhe vetëbesimin e shoqërive perëndimore. Nuk është vështirë të zbulosh se ku janë shoqëritë e hapura më të cenueshme dhe më lehtë të goditshme - dhe ku janë forcat prej të cilave mund të përfitosh. Madje aftësia për autokritikë dhe vetëdyshim, kjo arritje më e madhe e shoqërive të hapura, shfrytëzohet për të minuar stabilitetin dhe vetëbesimin. Rusia prezanton veten si strehë e një civilizimi krejt të vetin dhe në çdo drejtim superior. Europa dhe Perëndimi, ose çfarë është kuptuar me to, përqeshën si të dobëta e dekadente; thuhet se koha e tyre ka mbaruar. Kjo merr jehonë jo të vogël në një situatë ku leximet e Spenglerit, Rënia e Perëndimit, po përjetojnë ringjallje. Të marra së bashku, të gjitha bëjnë efekt. Lufta që Rusia e ktheu sërish në Europë nuk zhvillohet vetëm me mjete ushtarake, por si luftë për mendjet, me gjendje shpirtërore, me frikësime, me mllefe, me nostalgji, apo si ofertë joshëse për t’u kthyer te business as usual.

Është e vështirë të përshtatesh me situatën e re, me rigrupimin e forcave dhe aleancave në botë. Do të thotë të shkëputesh me lamtumirë nga një botë që ka nisur të shpërbëhet. Ka ikur siguria për t’u mbështetur te Amerika, siç e njihnim që prej Alexis de Tocquevilleit, “De la démocratie en Amérique”, ose nga letërsia e madhe amerikane - një vend të cilin prej vizitës sime të parë e mbaja mend si vendi i lirisë prej frikës dhe i fjalës së lirë. Thuhet se kjo Amerikë nuk vlen më. Europa tani nuk përballet vetëm me fenomenin e putinizmit, por edhe me një president amerikan që hedh poshtë të gjitha mendimet mbi funksionimin e heshtur të checks and balances (balansimit dhe kontrollit të pushtetit, v.j.) dhe të aleancave, duke na detyruar të rimendojmë nga e para të gjitha koordinatat që i shihnim si të sigurta. Një Europë e lënë vetëm dhe krejtësisht e varur nga vetja e saj, në një situatë ku gjithçka është e hapur.

Në këtë situatë fillova të rilexoj tekstet e vjetra ku, në vitet 1930, mendjet më të kthjellta përpiqeshin të kuptonin se çfarë po zihej në Europën Qendrore. U ktheva sërish te analizat dhe shkrimet e bëra në mërgim, qoftë në Paris, New York apo “Weimar në Pacifik” (veprat e autorëve gjermanë të shkruara në Amerikë pas ikjes nga Gjermania e Adolf Hitlerit, v.j.): “Doppelstaat” (shteti i dyfishtë) i Ernst Fraenkel, “Behemoth” i Franz Neumann-it, “Dialektika e iluminizmit” e Theodor W. Adornos dhe Max Horkheimerit, ose më vonë, tashmë me stalinizmin përpara syve, “Elemente und Ursprünge totaler Herrschaft” (në shqip: Origjinat e totalitarizimit) të Hannah Arendtit. Por sado parashikuese dhe të sakta të kenë qenë këto analiza, tani duhet të nisemi vetë, në kohën tonë kthesë, për të përftuar me fjalët tona rrezikshmërinë dhe rininë e situatës së sotme. Marrja në konsideratë e mësimeve ukrainase është e dobishme për këtë, madje e domosdoshme.

Askush nuk është më i interesuar për paqen sesa ukrainasit. Ata e dinë se një agresor i gatshëm për gjithçka nuk ndalet me fjalë. Ata janë realistë që nuk mund të lejojnë iluzione. Për shkak se nuk duan të jenë viktima, ata mbrohen. Janë të përgatitur për gjithçka. Luftojnë për fëmijët e tyre, për familjet, për shtetin e tyre, janë të gatshëm madje të vdesin për vendin. Ajo që gjetiu është vetëm pamje televizive, për ta është përvojë e drejtpërdrejtë. Mbrojtja në front nuk do të vlente asgjë pa ushtrinë e vullnetarëve pas saj. E përballuan dimrin dhe për javë, madje muaj, sfiduan terrorin e përnatshëm të dronëve dhe raketave. Dje mund të kenë qenë ekspertë të IT-së, sot drejtojnë dronë. Veshja festive që gratë veshin kur shkojnë në teatër ose koncert demonstron qëndrim krenarie - diçka që nuk ua heq as gjendja e jashtëzakonshme - dhe klubi është vendi ku të rinjtë marrin forcë për të vijuar rezistencën. Në një botë të bërë post-heroike, ata janë heronj pa bërë zhurmë për këtë. E mbajnë në këmbë rrjetin e transportit dhe kështu mbajnë të bashkuar vendin e tyre. Ulërima e sirenave është zhurmë sfondi në përditshmërinë e tyre, jo thjesht alarm prove. Kanë mësuar të dallojnë mes goditjeve të dronëve dhe atyre të raketave balistike. Na ndihmojnë të përgatitemi për kohën pas “kohës së kthesës”. Na mësojnë se mbrojtja e vendit nuk ka të bëjë me militarizmin. Ushtarët, e sidomos ushtaret, respektohen sepse të gjithë e dinë se ata po bëjnë detyrën dhe për çfarë janë të gatshëm. Qytetarët e Ukrainës na mësojnë se ajo që po ndodh nuk quhet “konflikti ukrainas”, por luftë. Na ndihmojnë të kuptojmë me kë kemi të bëjmë: me një regjim që do të shkatërrojë Ukrainën si shtet të pavarur dhe që e urren Europën. Na tregojnë se t’i dalësh përpara agresorit vetëm sa i shton atij oreksin për më shumë dhe se pajtimi i verbër nuk sjell paqe, por hap rrugën drejt luftës. Sepse qëndrojnë në vijën e parë, dinë më shumë se ne, që jemi ende në prapavijë të sigurt. Meqë gjenden përballë një armiku superior, duhet të jenë më të shpejtë dhe më inteligjentë se ai. Ukrainasit, që shpesh vihen nën dyshimin e nacionalizmit, na tregojnë se patriotizmi as në shekullin XXI nuk është i tejkaluar. Ata janë përpara nesh teknikisht në fushën ushtarake, sepse u detyruan të luftojnë në një kohë kur ne ende mund t’ia lejonim vetes të debatonim rreth paqes së përjetshme. Kanë zhvilluar vetë armë që u janë mohuar nga hezitimi ose frika. Janë pasqyra në të cilën shohim veten dhe që na kujton se për çfarë ka qëndruar dikur Europa dhe pse ia vlen ta mbrojmë atë. Ata na bëjnë thirrje: Mos kini frikë - jo sepse ata nuk kanë frikë, por sepse e kanë mundur frikën. Shkrimtarët e tyre japin maksimumin për të shprehur me fjalë atë për të cilën të tjerëve, larg skenës, u mungojnë fjalët. E kanë sjellë gjuhën ukrainase në botë dhe kanë krijuar një mrekulli prej letërsie. Poetët e tyre flasin me seriozitet vdekjeprurës; disa madje e kanë paguar me jetë. Presidenti i tyre është një njeri që ua thotë bashkatdhetarëve të vërtetën, edhe kur e di sa e hidhur është. Ata njohin mësimet e sjelljes gjatë rezistencës dhe i mësojnë europianët se çfarë i pret, nëse nuk fillojnë më në fund të përgatiten për rastin e rëndë. Kanë përjetuar se në rrethana kërcënimi, vendimet merren brenda natës - vendime që në kohë të qeta shtyhen për ndonjë ditë tjetër që s’agon kurrë. Qetësia stoike është për ta një luks që do të mund t’ia lejojnë vetes vetëm pasi lufta të ketë përfunduar. Të qëndrosh, të durosh, pavarësisht lodhjes së patregueshme - ky është revolucioni i pinjitetit në përhershmëri. Pikërisht atyre u detyrojmë paqen tonë dhe ata paguajnë çmimin që nuk mund të llogaritet me numra.

Janë ata, dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilëve, para së gjithash, u takojnë falënderimet. Dhe te ata duhet të shkojë përshëndetja nga ky vend - nga Kisha e Palit në Frankfurt, vendi i lëvizjes gjermane për unitet dhe liri, një vatër e pranverës së dikurshme të popujve në Europë. Është një përshëndetje për mbrojtësit e një Ukraine të lirë, për burrat dhe gratë që, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë punën e tyre, që i çojnë fëmijët në mësim pavarësisht grumbujve të dronëve, për banorët e Kievit që qëndrojnë në stacionet e metrosë, për lokomotivistët që i çojnë trenat e tyre në orar nga Ivano-Frankivsk në Harkiv.

Neve europianëve na mbetet, sado e pabesueshme të tingëllojë kjo: Të mësosh nga Ukraina do të thotë të jesh i patrembur dhe trim - ndoshta edhe të mësosh të fitosh.