Për një udhëtim të shpejtë aty ku synojmë kaherë, thyerjen e përbetimit, besimin në politikanë-hoxhallarë dhe ëndrra integrimi, për shijen e çokollatës, disa shënime të parëndësishme dhe për tangon e largët
Isha përbetuar tri herë – sapo aeroplani u shkëput nga toka e stjuardesat sorollaten të bëhen gati të demonstrojnë për të satën herë instruksionet e lidhjes së rripit të sigurisë, të reagimeve në raste emergjencash e protokolle të ngjashme – se nuk do të merrja me vete asgjë, as kujtime a shënime prej atje. Pos shijes, mbase edhe aromës, së çokollatës belge. Mbase edhe ndonjë foto të cilat përherë përfundojnë diku nëpër skuta memoriesh të telefonit, pa ndonjë peshë reale kujtimesh.
Prej agjendës e paragjykova si një tufë takimesh protokollare, me ca takime joformale, në të cilat një grup gazetarësh nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ftohet në Bruksel, i flitet për integrimet evropiane, rregullat, se sa larg a afër BE-së jemi, e prej tyre, gjysma s’i kuptojnë as integrimet, rregullat jo se jo, përfshirë edhe mua. Shënimet që mbajta në takime qenë më shumë shtirje për ta aktruar përqendrimin dhe ngulmim për të mos ia thyer vetes përbetimin e trefishtë, që prej atje të mos merrja asgjë me vete. Në cep të fletës së bllokut të shënimeve, fjalës “tango” ia kisha vënë një “X” para numrit 3, si për ta shumëzuar trefish.
* * *
Tre prej gjashtë folësve kryesorë në takime, në dukje me peshë, në esencë sipërfaqësorë, por të domosdoshëm për t’ia bërë “tik”, do ta përmendnin theksueshëm klishenë e famshme: ”Për tango duhen dy”. Nëse qytetarë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të zotë të luajnë tango, nuk ka fort nevojë që matjet të bëhen me soj “Barometri të Ballkanit”, prezantimi i të cilit qe sebep edhe për udhëtimin e grupit të gazetarëve, financuar me fonde të BE-së, i përmbyllur me cakërrim gotash, urime të parakohshme festash, shoqëruar me ushqim ballkanik si shenjë respekti për ne, ballkanasit, ku flija – së cilës i është ngulitur rrëmojësja me flamurin e vockël të BE-së – pa ceremoni, por në muhabet e sipër, shpallet misi i tavolinës. Kur njëri prej nesh, ballkanasve, ngulmon se na bashkon bakllavaja, gazetarët ftohen tash për një takim tjetër joformal, me një tjetër zyrtar, edhe ky i lartë i BE-së, që edhe një herë t’ua shpjegojë të dhënat e “Barometrit...”. Dhe takimi nis me një lloj paralajmërimi se statistikat, përqindjet, grafikonët..., janë vetëm maja e Icebergut. Se prezantimi që kishim parë është thjesht dydimensional. Se ai merr kuptim kur analizohet. Në konfidencë thotë gjëra jo fort me peshë, tregon se me matjet e bazuara në anketimin e 6 mijë e kusur respondentëve, rrafsh 68 për qind e të anketuarve u besojnë më fort institucioneve religjioze – hoxhallarëve e priftërinjve – sesa mediave. Godet mediat sociale, jep një grimë shpresë se besimi në to po bie, ua këput shpresat mediave përnjëmend për përkrahje me fonde të BE-së dhe takimi përfundon me riformulimin e definicionit për tangon, tash në formën se krejt ky raport – i yni me BE-në – është “një tango dhe jo solo”.
Tangoja është e largët për vendet e Ballkanit. Gjashtë të atij perëndimor, valle të përbashkët kanë të famshmen tre hapa para, dy prapa. Edhe në raport me BE-në.
“Barometri...” na thotë se 26 për qind e qytetarëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor shpresojnë se do t’i bashkohen BE-së në vitin 2030, e 25 për qind shpresojnë që kjo të ngjajë më 2035. Serbët janë në fund të tabelës me 15 për qind – zyrtarët e BE-së shqetësohen – dhe sikur harrojnë se janë po këta që jo se nuk shpresojnë, por nuk duan. Dhe këtu merr kuptim edhe besimi në institucione religjioze, te politikanët e kishës.
Në tabelë prijnë shtetasit e Shqipërisë me 43 për qind, pasohen prej atyre të Kosovës me katër për qind më pak. Dhe këtu merr sërish kuptim besimi tek “institucionet” religjioze, te politikanët-hoxhallarë që xhenetin e premtojnë në tokë, jo në botën e përtejme. Sepse fushatat zgjedhore, premtimet e zëshme, më fort u ngjajnë hytbeve.
Njëri prej panelistëve, ballkanas, thotë atë që ka qejf ta dëgjojë BE-ja, se “ka kaluar kohë e gjatë prej luftërave dhe duhet gjetur mënyra për të bashkëpunuar”. Gazetari nga Sarajeva, pyet si pa zë, “Me kë?” dhe ne, shqiptarëve na tregon se ende ka në trup copa granatash. I kthen të qeshurat me një barsoletë aty për aty dhe ia heq bakllavasë rrëmojësen me flamurin e vockël të BE-së.
* * *
Zyrtari i tretë, i lartë, i BE-së, tangon e përmend që në krye të fjalimit të shkruar, flet mirë njërën prej gjuhëve ballkanike dhe në dukje kjo i krijon një soj afërsie me njërin krah të panelistëve, përfaqësues organizatash rinore nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Barometri i Ballkanit” thotë se 68 për qind e të rinjve të anketuar duan të dalin jashtë vendeve të tyre për punë ose banim: 34 për qind përhershëm. Po aq përkohësisht. “Vetëm 29 për qind preferojnë të qëndrojnë në vendet e tyre”, është statistika që përmendet rrëshqitazi. Zyrtari sërish merr fjalën, duket i shqetësuar, sikur mendon një grimë, panelistët presin komentin.
“Derisa po flisje, hetova se jashtë kishte rënë nata”, thotë rrufeshëm dhe uron festat e fundvitit.
* * *
Është natë e kthjelltë në Bruksel dhe për dikë që vjen nga një vend ku sheshi “George Bush” në zemër të qytetit bëhet përshesh politikash, kacafytjesh e shkeljesh ligji, spektakli me drita në “Tregun e Madh” – me vulë gotike e baroke, i shpallur trashëgimi botërore qysh më 1998 – është një lloj ikjeje nga realiteti i përditshëm.
Me Gerin energjik nga Shqipëria, vendosim me çdo kusht ta gjejmë rrugicave me kalldrëm simbolin e Kryeqytetit të Evropës, “Manneken Pisin” e famshëm, të skulpturuar edhe në suvenire gjithandej. “Takimi” me skulpturën dypëllëmbëshe, s’është aq mbresëlënës por mjaftueshëm për ta kujtuar se çdo 28 Nëntor, “Djaloshit që pshurret”, në shenjë nderimi për ne shqiptarët, i vishen tirqit. Ose për ta theksuar a riformuluar kërkesën që një anketë si puna e “Barometrit...” duhet të bëhet edhe në vendet e BE-së, mbase me pyetjen e vetme për ta, se si na shohin ne, ballkanasve. Për ta marrë një përgjigje për ne, shqiptarët.
“Shqiptarët janë me origjinë të pastër evropiane. Ata janë burra të gjatë, shpatullgjerë, me fytyra të bukura dhe nuk ngjajnë me asnjë nga pjesëtarët e përkatësive tjera...”, do të shkruante gazetari anglez, Frederic Moore nja 120 a kusur vjet, në kohën kur “shqiptari është mësuar të dyshojë se çdo evropian është spiun!” Ose të tillë që gjithmonë “u kanë rezistuar reformave, pasi me zbatimin e tyre njëherësh do të ndërhyhej në privilegjet e tyre”.
* * *
Përbetimin për të mos marrë asgjë prej atje – as kujtime a shënime pos shijes, mbase edhe aromës së çokollatës belge – e kisha shkelur tashmë, kur nga lart shiheshin dritat e Prishtinës, e piloti përsëriste kërkesën që të mos hiqen rripat e sigurisë. Tek kur aterruam, m’u kujtua se çokollatën s’e kisha shijuar. Dhe nuk më mbetej merak.
Qe natë e kthjellët. Mjaftueshëm për të refuzuar kategorikisht që të shndërrohemi në shifra përqindjesh të njerëzve që duan të ikin prej këtij vendi. Sepse ky vend mund dhe duhet të bëhet. Për ne dhe fëmijët tanë.
Gëzuar për një vit të cilin vazhdojmë ta ëndërrojmë! Pa e harruar realitetin!