OpEd

Shteti me “sponsor”, por pa ambasador: Ironia strategjike e Kosovës

Fadil Maloku

(Në sociologjinë politike ekziston një konstatim i pashkruar që “qarkullon përherë online” nëpër korridoret diplomatike, ku thuhet që; në veprimet diplomatike nuk është përherë e rëndësishme vetëm ajo që thuhet në takime kortuazie, por, shumë më tepër, ajo që nuk thuhet – sidomos kur nuk përmendet në qendrat globale të vendimmarrjes, siç është rasti me DASH-in, që ende nuk ka emëruar një ambasador të vetin në Prishtinë)

Fadil Maloku

1.    Shikuar me një dioptri më të thelluar, shkaqet e kësaj vonese mund të gjurmohen në shumë plane. Mund të supozohet se kemi të bëjmë me një “aksident diplomatik”, një “akt të heshtur mosbesimi” (siç e kishte akuzuar dikur opozita qeverinë Kurti), një “timeout strategjik” që Uashingtoni ia ka dhënë Prishtinës për të reflektuar, për të korrigjuar kursin dhe për të rifituar vëmendjen që dikur ishte e pakushtëzuar. Apo ndoshta kemi të bëjmë me një “infantilitet diplomatik” të diplomacisë së re kosovare, i cili shihet si pengesë në raportet e partneritetit të thellë transatlantik. Ose thjesht me një sinjal diplomatik për një ftohje të heshtur strategjike? Kjo mungesë e ambasadorit amerikan në Kosovë mund të lexohet edhe përmes një logjike “kissingjeriane”, që pohon se Amerika nuk ka miq apo armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme. Dhe interesat aktualisht janë të përqendruara në zona të tjera gjeopolitike shumë më kritike: Ukraina, Rusia, Gaza, Izraeli dhe, sidomos së fundi, Irani – qoftë në Lindjen e Mesme apo në Indo-Paqësor. Kjo e bën më të kuptueshme mungesën e një vëmendjeje të drejtpërdrejtë ndaj Prishtinës. 

2.    Megjithatë, nuk është vetëm kjo. Në mesin e të gjithë këtyre faktorëve, duhet theksuar edhe një sërë elementesh të tjera. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një vakum protokollar, apo një ngarkesë burokratike të administratës amerikane. Kjo vonesë ngjan të jetë pasojë e një reflektimi të thellë, ndoshta tashmë të shndërruar në bindje strategjike, mbi dilemën taktike që Uashingtoni e ka në raport me Qeverinë aktuale të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë situata bëhet vërtet shqetësuese. Nga këndvështrimi i sociologjisë politike, vonesa në emërimin e një ambasadori të ri nuk mund të interpretohet vetëm përmes “prizmit” të një distancimi të butë (soft distancing), që SHBA-ja zakonisht e ushtron ndaj aktorëve politikë që nuk rezonojnë me pritjet e saj strategjike e të sigurisë. Qeveria aktuale e Kosovës, me veçantinë e retorikës së stërtheksuar të sovranitetit, shpesh perceptohet dhe tingëllon edhe si mosmirënjohëse dhe e pakoordinuar në raport me interesat gjeopolitike të SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse SHBA-ja e mbështet integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës – duke qenë edhe “kumbari” kryesor i pavarësisë – nuk e ka fshehur as irritimin, as indiferencën ndaj disa vendimeve të qeverisë Kurti: qoftë për dinarin serb, qoftë për zhvillimet në veri, apo refuzimin për të zbatuar rekomandimet e aleatëve në kohë krize. Ky irritim, nëse i lexojmë me kujdes deklaratat diplomatike, nuk është artikuluar asnjëherë me gjuhë të ashpër, por përkundrazi, është manifestuar përmes heshtjes institucionale dhe ngrirjes së disa kanaleve të nivelit të lartë – si p.sh. shmangia e vizitave të drejtpërdrejta në zyrën e presidentes apo përfaqësuesve të lartë të Qeverisë. 

3.    Mungesa e ambasadorit si mesazh i heshtur. Mungesa e emërimit të një ambasadori të ri nuk është pa domethënie. Ajo është një “selam diplomatik” i pakënaqësisë, një mesazh i qëllimshëm që nuk mund të reduktohet vetëm në një çështje procedurale. Sepse nga praktika diplomatike amerikane dihet se ambasadorët nuk dërgohen rastësisht, por me mesazhe të qarta politike, me mision për të avancuar interesa, për të ruajtur ekuilibra dhe për të ndikuar në rrjedhat politike të vendeve pritëse. Nëse kjo hipotezë qëndron, atëherë mungesa e emërimit të ambasadorit në Kosovë tregon qartë se ende nuk ekziston një përkufizim i qartë strategjik i qëndrimit të SHBA-së ndaj qeverisë aktuale në Prishtinë. Andaj, çdo vonesë në marrjen e përgjegjësive shtetërore – sidomos në periudha si kjo që po kalojmë – duhet të shihet edhe si mosnjohje e pjekurisë sonë politike (për të mos thënë; edhe një “skizofrenie politike”!) për të kuptuar rreziqet e izolimit të butë (soft insulation) që është duke na ndodhur… Kjo tematikë, si çështje ekzistenciale, mendoj unë duhet të jetë prioritet i çdo qeverie të ardhshme – cilado qoftë ajo në formë apo përbërje të re apo të vjetër. Ngase, në këto kohëra të përshkallëzimeve të shpejta, çdo mosveprim në kohë, çdo moskuptim i “heshtjes strategjike”, mund të na kushtojë shumë – jo vetëm në planin shtetëror, por edhe atë kombëtar! Kosovës i duhet një diplomaci ofensive, pragmatike dhe e përulur, që dëgjon me kujdes dhe flet me mençuri, që kupton realitetet e reja të rendit ndërkombëtar dhe që e rikthen besimin e humbur, sidomos atje ku dikur gëzonte përkrahje të pakushtëzuar….