Në të njëjtën ditë kur SHBA-ja njofton se mund të vendosë tarifa 100% për çdo blerës të naftës ruse, një masë që përfshin secondary sanctions për vendet që e vazhdojnë bashkëpunimin me Moskën, Serbia, Rusia dhe Hungaria e firmosin një marrëveshje të re për ndërtimin e një tubacioni nafte që lidh Beogradin me rrjetin hungarez. Kjo nuk është rastësi. Është një kundërlëvizje e menduar mirë nga Moska dhe një akt i vetëdijshëm i përfshirjes strategjike serbe në boshtin energjetik ruso-hungarez.
1. Nga sanksionet drejt kanaleve paralele
Më 10 janar 2025, Zyra e Thesarit Amerikan (OFAC) vendosi sanksione ndaj kompanisë NIS (Naftna Industrija Srbije), me mbi 56% të aksioneve të kontrolluara nga Gazprom Neft dhe Gazprom. Megjithatë, për ta shmangur kolapsin e menjëhershëm të furnizimit të brendshëm në Serbi, SHBA-ja i ka dhënë disa shtyrje të përkohshme (deri më 29 korrik 2025) për ta lejuar një tranzicion nga furnizimi rus drejt alternativave. Por Serbia nuk e braktisi furnizimin me naftë ruse, përkundrazi, e ndryshoi rrugën dhe instrumentin e transportit.
2. Tubacioni i ri: jo vetëm teknik, por politik dhe gjeostrategjik
Tubacioni që do ta lidhë Serbinë me sistemin hungarez të furnizimit nuk është projekt neutral. Ai përfaqëson:
• Shmangie të pikave të kontrollit të BE-së dhe SHBA-së, duke kaluar përmes një shteti (Hungaria) që është tashmë aleat strategjik i Moskës.
• Vendosjen e një rruge të sigurt për Moskën për ta futur naftën në Evropën Juglindore, përmes Serbisë si territor tampon dhe mik.
• Rritje të pavarësisë së Rusisë nga rrjetet tradicionale të shpërndarjes, duke ndihmuar në bypass-in e rrugëve të rrezikuara ose të sanksionuara.
Ky tubacion është aks energjetik i qartë Moska–Budapest–Beograd, ku Serbia e luan rolin e nyjës strategjike të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.
3. Serbia si mundësues i fuqizimit rus në Ballkan
Pavarësisht narrativës nganjëherë “pro-perëndimore” që Beogradi përpiqet ta mbajë me Perëndimin dhe shitjes së litiumit, në praktikë Serbia po e luan rolin më kritik në përçimin e interesave ruse në rajon, duke shërbyer si:
• Kanali logjistik i furnizimit rus në një periudhë të izolimit ndërkombëtar.
• Partner i heshtur i Hungarisë në krijimin e një blloku energjetik pseudo-neutral, por realisht pro Kremlinit.
• Zgjatim funksional i influencës ruse në Evropën Qendrore dhe Juglindore, përmes infrastrukturës dhe kapaciteteve energjetike.
4. “Ristrukturim teknik” me efekt të kundërt
Ajo që në pamje të parë mund të duket si përshtatje teknike (ndryshim i tubacionit), në realitet është një fortifikim i pozitës ruse në rajon, sepse:
• Rusia e minimizon ekspozimin ndaj rrjeteve të kontrolluara nga aktorë perëndimorë, si Greqia, Kroacia apo Turqia.
• Serbia e rrit varësinë nga Rusia, jo vetëm në furnizim, por edhe në infrastrukturë.
• NIS-i, edhe pse formalisht nën sanksione, funksionon përmes kanaleve të reja me mbështetje politike nga qeveria serbe dhe lehtësim teknik nga hungarezët.
Ballkani si zgjatim i betejës energjetike globale
Nëse SHBA-ja po përpiqet ta izolojë Rusinë nga tregjet globale të energjisë përmes tarifave ndëshkuese ndaj blerësve, Serbia dhe Hungaria po krijojnë kanale të reja për ta mbajtur Rusinë të lidhur me Evropën. Në thelb, kjo është një betejë e re energjetike e fshehur brenda një tubacioni, ku Beogradi po e pozicionon veten si portë hyrëse për interesat strategjike të Kremlinit në Ballkan.
(Autori është hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride ‘OTCOPUS’ dhe profesor në Kolegjin Universum)