Fjalimi i fundit i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për “gjendjen e unionit” ishte me përmbajtje të pritur. Fjalim i mirë, i përgatitur deri në detajet e fundit nga stafi i Komisionit Evropian, por që në fund nuk do të ndryshojë asgjë në rolin e BE-së
Para dhjetë vjetësh ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, nisi traditën e mbajtjes së fjalimit vjetor për “gjendjen e unionit“ (State of Union). Ideja ishte që kjo t’u ngjante fjalimeve vjetore për “gjendjen e kombit“ (State of the Nation) që para Kongresit Amerikan i mbajnë tradicionalisht presidentët amerikanë. Siç ndodh zakonisht, kopjet asnjëherë nuk janë sikur origjinali. Dhe fjalimet vjetore për gjendjen e BE-së nuk kanë arritur as për së afërmi të kenë efektin e fjalimeve të presidentëve amerikanë e as të tërheqin vëmendjen jashtë rrethit të brendshëm të Brukselit, e sidomos jo jashtë BE-së. Përderisa fjalimet e presidentëve amerikanë i transmetojnë direkt të gjitha televizionet ndërkombëtare dhe për to zhvillohen debate para dhe pas fjalimit, adresimet e presidentëve të Komisionit Evropian nuk i transmeton askush dhe ato të nesërmen edhe harrohen. Por me gjithë faktin se nuk i afrohen rëndësisë që kanë fjalimet e presidentit amerikan, megjithatë edhe adresimet e shefave të Komisionit nuk janë të parëndësishëm. Ato japin diagnozën e mirë të asaj se si është situata në BE dhe cilat plane i ka ekzekutivi i BE-së për të ardhmen.
Por problemi kryesor me këto fjalime është se ato janë tepër të balancuara për t’ua bërë qejfin grupimeve të ndryshme partiake në Parlamentin Evropian dhe në fund ato nuk e kënaqin askënd. Pos kësaj kryetarët e Komisionit Evropian nuk e kanë fuqinë reale. Atyre pa të drejtë u jepet epiteti “lider i BE-së”, që nuk është i saktë. Për shkak se presidenti apo presidentja e Komisionit Evropian, për dallim nga presidenti amerikan, nuk janë të zgjedhur direkt nga populli. Dhe shefi i Komisionit u përgjigjet edhe vendeve anëtare.
Fjalimi i fundit i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte me përmbajtje të pritur. Fjalim i mirë, i përgatitur deri në detajet e fundit nga stafi i Komisionit Evropian, por që në fund nuk do të ndryshojë asgjë.
Realiteti i “gjendjes së unionit” është jo i mirë. Në ditën kur Von der Leyen fliste për fuqinë e BE-së u rrëzua qeveria e Francës, ndërsa në rrugët e qyteteve të këtij shteti nisi kaosi nga protestat. Në Poloni ranë dronët nga Rusia, që në numër të madh kishin shkelur hapësirën ajrore të këtij shteti anëtar të BE-së. Tragjedia në Gazë vazhdoi e me këtë edhe ndasitë mes shteteve të BE-së rreth asaj se çfarë duhet bërë. Ajo që foli presidentja e Komisionit Evropian, për të gjitha këto probleme, ka tingëlluar mirë. Sidomos porosia se “situata në Gazë është e papranueshme” apo ajo se “Rusia duhet t’i kthejë të gjithë fëmijët e kidnapuar në Ukrainë“. Realiteti është se BE-ja nuk ishte e pranishme në përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë dhe se në rastin e Gazës nuk ka asnjë ndikim. Ndërsa ndasitë e BE-së rreth planeve për ta sanksionuar Izraelin kanë dalë në sipërfaqe pasi shumë vende kanë nisur të vendosin masa individuale, në pamundësi që të veprohet përmes BE-së. Këto ndasi do të dalin edhe më shumë në sipërfaqe së shpejti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, gjatë së cilës disa vende të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se do ta njohin shtetin e Palestinës.
Krejt çka ka bërë Komisioni Evropian, përpos thirrjeve për paqe dhe gatishmërisë për të dhënë ndihmë humanitare, ka qenë propozimi që Izraeli të përjashtohet nga pjesëmarrja në një program të BE-së për hulumtime shkencore. Një masë e tillë nuk do të kishte kurrfarë efekti, por së paku do të dërgonte sinjal se BE-ja mund të bëjë diçka simbolike. Dhe as për këtë propozim të Komisionit nuk ka shumicë të duhur në Këshillin e BE-së aty ku fuqia e BE-së edhe ndodhet e jo në Komisionin Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Parlamentit Evropian bëri thirrje edhe për atë që ajo e quajti “ribashkimin e Evropës” përmes përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë në BE. Ajo ka thënë se ideja e Evropës së lirë, të fortë dhe të pavarur, nënkupton Evropën e bashkuar në të cilën Perëndimi dhe Lindja bëhen bashkë.
“Për këtë arsye po i sjellim vendet e ardhshme anëtare më afër unionit. Duke investuar, duke mbështetur reformat, duke i integruar në tregun unik. Ne duhet të mbajmë këtë shpejtësi përmes procesit të bazuar në merita”, ka thënë Von der Leyen.
“Sepse vetëm një Evropë e bashkuar dhe e ribashkuar mund të jetë një Evropë e pavarur. Një union më i madh dhe më i fortë është një garantues i sigurisë për të gjithë ne. Sepse për Ukrainën, për Moldavinë dhe për Ballkanin Perëndimor, e ardhmja e tyre është në union. Ta bëjmë të mundur që ribashkimi i ardhshëm i Evropës të ndodhë”, ka thënë ajo.
Por, edhe këtu Komisioni Evropian është vetëm një vegël në proces dhe nuk e ka fuqinë për të shtyrë përpara gjërat. Ukraina ka mbetur e bllokuar në nisjen e hapjes së kapitujve pasi Hungaria po e mban të bllokuar. Nën bllokadë tash e 20 vjet ndodhet Maqedonia e Veriut, dikur e bllokuar nga Greqia e tash nga Bullgaria. Kosova ka mbetur e bllokuar e besa edhe nën sanksione të BE-së, pa status kandidati. Me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi, asnjë shtet nuk ka bërë ndonjë lëvizje në procesin e integrimit në BE. Dhe, bazuar në dinamikën e tashme, vështirë që do të realizohen së shpejti paralajmërimet dhe pritjet që BE vërtet të zgjerohet, me gjithë fjalët e mira të shefes së Komisionit Evropian.
Përderisa në proces, siç janë politika e jashtme dhe zgjerimit, të ekzistojë e drejta e vetos për secilin shtet të BE-së, në këto politika do të jetë e pafuqishme. Dhe, për shkak të pafuqisë që të flasë me një zë, do të mbetet në fakt pa zë fare. Dhe si e tillë jorelevante në skenën globale. Dhe fjalimet e shefave të Komisionit Evropian për “gjendjen e unionit” nuk do të jehojnë jashtë korridoreve të institucioneve në Bruksel dhe disa qarqeve të kufizuara diplomatike dhe burokratike.