Pse një deputet zviceran e quajti “pulë” një ish-ministre? Mbi “artin” e sharjeve dhe shfryrjeve në politikën zvicerane, gjermane dhe austriake
Ekziston një mendim (jo aq i pjekur, mbase arrogant) perëndimor, sipas të cilit dallimi mes Evropës (së civilizuar) perëndimore dhe Ballkanit (të prapambetur) postosman më së shumti vërehet te gjuha që përdoret në debatet publike. Për debatet e kafehaneve nuk duhet humbur shumë kohë, ndonëse kohëve të fundit s’po dihet a është niveli i debatit më i lartë në kafehane apo në kutinë (televizive). Nejse.
Qe disa shembuj që tregojnë se sa i përket gjuhës robuste edhe Perëndimi nuk qëndron larg Ballkanit. Le ta nisim këtë udhëtim tonin kolumnatik me Zvicrën, një vend të shumëlavdëruar për kulturën e kompromisit, debatit me argumente dhe gatishmërisë për të dëgjuar mendimin e tjetrit.
Një deputet i partisë më të madhe e krahasoi së fundi një ish-ministre me një pulë. “Pula mbetet pulë edhe pas dorëheqjes”, tha ai. Po cila qe arsyeja që përfaqësuesi i popullit humbi nervat? Ish-ministrja (kur ishte ministre) ndaloi ndërtimin e centraleve të reja bërthamore. Ky vendim nuk i pëlqen deputetit. Ish-ministrja i bëri thirrje deputetit të kërkojë falje, ndryshe, tha ajo, ata do të takoheshin në sallën e gjyqit. Deputeti u kritikua edhe nga disa lexues (ose “user” në gjuhën e re shqipe dhe gjermane), por qortimet vetëm e acaruan atë edhe më shumë. Deputeti shkroi: “Nuk dua të nënvlerësoj punën e pulave. Ato të paktën janë produktive dhe bëjnë vezë rregullisht”. Hopa! Le t’ua lëmë feministeve të kualifikuara të tregojnë nëse kjo deklaratë është seksiste. Gjithsesi është një shfryrje e vrazhdë. Dhe kjo nuk është një rrëshqitje e izoluar, siç na tregon gazeta “Neue Zürcher Zeitung”, një kroniste besnike e përditshmërisë zvicerane dhe globale që nga viti i themelimit (1780).
Ish-ministri Ueli Maurer e quajti “majmun” një kameraman të televizionit publik zviceran, kur ai iu afrua tepër me kamerë para një debati në Parlament. “Lopë budallaqe” – kështu e ofenduan një politikane të re socialdemokrate dy politikanë të forumit rinor të partisë më të madhe politike të Zvicrës. Ka politikane e politikanë (kryesisht socialistë) të cilët një politikan matanë Atlantikut e quajnë “idioti i portokalltë”. Kjo nuk është as fyerje origjinale, tingëllon e harxhuar. Ka shembuj të tjerë: një politikan zviceran i një partie me agjendë të gjelbër-liberale e përshkroi një ministre me këto fjalë: “Nuk është qiriri më i shndritshëm mbi tortë”. Dikush që nuk bën dritë, nuk mund të quhet patjetër e mençur. Secila gjuhë ka frazeologjinë e vet. Politikani që e bëri konstatimin me qiri shpejt u pendua dhe kërkoi falje. Veprim i mençur!
Në kantonin e madh të Zvicrës, në Gjermani, niveli i shfryrjeve është pak më i lartë. E paharrueshme është sharja që deputeti i ri, Joschka Fischer, ia bëri kryetarit të Parlamentit gjerman më 1984. Parlamenti po debatonte mbi dyshimet se një industrialist armësh kishte korruptuar Qeverinë. Fischer iu drejtua kryetarit të Parlamentit me këto fjalë: “Zoti president, me gjithë respektin, por ju jeni një zuzar”, (ndoshta “zuzar” nuk është përkthim bash i saktë, andaj po e sjellim këtu edhe në origjinal në gjermanisht “Arschloch” dhe në anglisht “asshole”).
Fischer ka qenë politikan gjuhëbrisk. Fyerjen e tij ndaj kryetarit të Parlamentit ai e paketoi edhe me fjalë elegante (me gjithë respektin) dhe e ruajti distancën duke iu drejtuar kundërshtarit politik me «ju» (jo me ti).
Herbert Wehner, deputet i Partisë Socialdemokrate në Parlamentin gjerman dhe shef i grupit parlamentar (1969–1983), ka hyrë në histori si politikani mbase me retorikën më tërbuese. Në vijim një koleksion i fyerjeve që Wehner i ka bërë kryesisht në Parlament dhe kryesisht kundër rivalëve politikë: “sorrë e ligë”, “servil”, “rrugaç”, “gnom” (krijesë e vogël e shëmtuar), “turmë rrugaçësh nihilistë”, “budalla”, “kokëbosh”, “plak parazit i mykur”, “përhapës pisllëqesh”, “xhuxh kopshti” (figurë qesharake), “sharlatan”, “dështak”.
Wehner ishte i pamëshirshëm edhe ndaj kolegëve të partisë së tij. Deputeti Franz Josef Zebisch u ankua një ditë për renditjen alfabetike të vendeve në Parlament. Meqë mbiemri i tij fillonte me shkronjën Z, ai duhej të ulej diku nga fundi i sallës së Parlamentit. Wehner i rekomandoi të ndryshonte mbiemrin në “Shoku Arschloch”. Shkronja A edhe në gjermanisht është e para e alfabetit.
Nuk dihet nëse Herbert Wehner ka kërkuar falje ndonjëherë për gjuhën e tij, e cila shpesh ishte edhe argëtuese. Joschka Fischer, ndërkaq, u pendua ditën tjetër dhe i kërkoi falje kryetarit të Parlamentit gjerman.
Në Austri madje është botuar një libër me titullin “Fjalori parlamentar i sharjeve në Austri: Lapsuse dhe shkëndija mendore nga përfaqësuesit e popullit”. Austria sa u përket retorikës, ironisë, cinizmit, humorit të thartë është një botë më vete, andaj këtu, në fund të kësaj kolumne, po sjellim vetëm këtë margaritar. Politikani socialdemokrat Anton Leikam ia përplasi në fytyrë këto fjalë një kundërshtari politik: “Ajo që sapo na ofruat këtu mund të vlerësohet vetëm kështu: se ju, ndonëse keni gojën e një dobermani, keni vetëm trurin e një pudllice”.