OpEd

Politizimi i strukturave të sigurisë shkon në dëm të sigurisë së Kosovës

Aranzhimet mes Kosovës dhe NATO-s për mënyrën e (mos)dërgimit të FSK-së në veri kanë qenë që nga fillimi politizim. Kërkesa e Serbisë për “garanci të tilla“ ka qenë me motive politike po ashtu. Tash edhe nga Kosova politizohet sa herë që shkon ndonjë njësi e FSK-së në atë pjesë dhe kjo u bën dëm edhe FSK-së, edhe sigurisë në Kosovë

Një fatkeqësi bëri që përsëri në opinionin e Kosovës dhe më gjerë të kthehet si temë prania e FSK-së në veri të Kosovës. Në një mjedis ku diskursi publik është i kontaminuar tej mase, e kështu është në Kosovë, u harrua viktima dhe nisi debati për FSK-në. E në këtë debat, sikur në shumë debate të tjera, e vërteta ka pak rëndësi. Sepse argumentet përdoren sipas nevojës. Nuk ka pasur nevojë të politizohet ardhja e disa profesionistëve të FSK-së për të nxjerrë trupin e pajetë të një të riu nga liqeni, e sidomos të paraqitet si ndonjë trimëri e madhe. Fundi i fundit, fakt është se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri të vendit pa pëlqimin e NATO-s dhe, nëse shkon pa një pëlqim të tillë, kjo do të thoshte konfrontim i autoriteteve të Kosovës me vendet kryesore të kësaj Aleance, atyre që çliruan Kosovën, ndihmuan rindërtimin e saj dhe njohën e promovuan Pavarësinë.

Por, duhet rikujtuar se si erdhi deri te një situatë në të cilën FSK-ja nuk mund të shkojë në veri të vendit pa lejen e NATO-s.

Aranzhimet mes Kosovës dhe NATO-s për mënyrën e (mos)dërgimit të FSK-së në veri kanë qenë që nga fillimi politizim. Kërkesa e Serbisë për “garanci të tilla“ ka qenë me motive politike po ashtu. Tash edhe nga Kosova politizohet sa herë që shkon ndonjë njësi e FSK-së në atë pjesë. 

Prapa kësaj ka qëndruar qëllimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës. Serbia për këtë ka punuar gjithmonë, në disa raste duke thënë publikisht e në raste të tjera duke krijuar “realitet në terren“ për të forcuar argumentet në procesin e dialogut. Qëllimi gjithmonë ka qenë që “veriu të trajtohet ndryshe“, të ketë një “status special“ apo “trajtim të veçantë“, apo “autonomi“. Kjo është thënë shpesh në takime që gazetarët në Bruksel kanë pasur me zyrtarë evropianë dhe amerikanë. NATO-ja nuk ka qenë pjesë e këtyre diskutimeve, por ka qenë gjithmonë e informuar pasi të gjitha këto diskutime kanë ndikim në sigurinë e Kosovës, e siguria është kompetencë e NATO-s.

Kur palët ranë dakord në vitin 2013 për Marrëveshjen e parë në kuadër të dialogut, Beogradi kërkoi një pauzë. Donin garanci edhe nga NATO-ja, edhe pse kjo Aleancë nuk ishte pjesë e dialogut. Serbia donte garanci që njësitë e FSK-së të mos shkonin në veri. Për më tepër, donin që të ketë garanci që as njësitë speciale të Policisë së Kosovës të mos mund të dislokoheshin në veri. NATO-ja u përgjigj se nuk kanë kompetenca sa i përket Policisë, por pasi kanë rol në krijimin dhe trajnimin e FSK-së (e cila në atë kohë nuk ishte ushtri) mund të ndihmojnë në aranzhime për të koordinuar shkuarjen apo mosshkuarjen e FSK-së në veri. Kjo u bë me shkëmbimin e letrave mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Nuk bëhet fjalë për ndalesë të shkuarjes së FSK-së në veri, por për koordinim dhe marrjen e pëlqimit nga komandanti i KFOR-it në rast se dërgohen. “Koha Ditore” kishte shkruar menjëherë për atë letër dhe kishte botuar përmbajtjen e saj. Prandaj ajo nuk ka qenë, së paku për opinionin, ndonjë “sekret“. Këto aranzhime janë respektuar deri më tash. Është mirë që janë respektuar, sepse Kosova dhe NATO-ja vazhdojnë të bashkëpunojnë me mirëbesim.

Por, Serbia insistonte që këto aranzhime të vlejnë edhe për njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Në këtë Beogradit i ndihmuan edhe disa zyrtarë të papërgjegjshëm të BE-së. Shpesh jo zyrtarisht nga BE-ja thoshin se “njësitë speciale të Policisë nuk mund të shkojnë në veri“, dhe e paraqisnin këtë sikur diçka që ishte rezultat i dialogut. Por, kur kërkuam nga BE-ja që publikisht dhe zyrtarisht të përgjigjen në pyetjen se “A ka pranuar ndokush nga Kosova në kuadër të dialogut që të mos dërgohen njësitë speciale të policisë në veri“, morëm këtë përgjigje: “Ndonëse nuk ekziston një obligim i tillë formal nga dialogu - është bërë praktikë e zakonshme që njësitë speciale të mos dërgohen në veri“. Pra e pranuan se nuk ka obligim formal, por në një mënyrë i  legjitimuan sjelljen dhe propagandën e Beogradit. Kjo përshkallëzoi aq shumë, saqë Beogradi me fjalorin e tij nxiti sulme ndaj njësive speciale të Policisë së Kosovës. Nga zyrtarët më të lartë të Serbisë me vite dëgjoheshin thirrje se “Çizmja shqiptare s’ka çka të kërkojë në veri“ apo edhe “Falangat fashiste të Prishtinës nuk kanë çka të kërkojnë në veri“.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë në konferenca për shtyp mbante në dorë një letër, të cilën e paraqiste si “dëshmi” se “Prishtina nuk mund të dërgojë bandat e saja në veri”, duke menduar në njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Por, duket se fjala ishte për letrën të cilën ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia kishte dërguar sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.

Madje edhe kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën presionin ndërkombëtar shprehu keqardhje për vrasjen e policit Agim Bunjaku në Banjskë, nuk u durua pa thënë se “Ai s’ka pasur çfarë të kërkonte në veri“.

Nuk ka pasur asnjë arsye logjike, as nga aspekti i sigurisë, për të kufizuar dërgimin e FSK-së në veri. Për më tepër, këto aranzhime janë bërë në kohën kur FSK-ja nuk ka qenë ushtri, por vetëm një formacion për mbrojtje civile. Nëse FSK-ja duhet të jetë njësi shumetnike, në përbërjen e së cilës do të duhej të ishin të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë, nëse Kosova është territor i pandashëm, pse atëherë është dashur që të vendoseshin kufizime për aktivitetet e saj në ndonjë pjesë të Kosovës. Se “popullata lokale ka frikë“, është një argument shumë subjektiv. Qëllimet kanë qenë krejtësisht politike. Por, pa marrë parasysh këtë, Kosova duhet të respektojë obligimet që i ka marrë, sikurse që duhet të respektojë edhe obligimet e tjera, pa marrë parasysh se kush i ka marrë në emër të Kosovës dhe a janë të mira apo jo. Keqpërdorimi i FSK-së, Policisë, Prokurorisë, gjykatave apo cilitdo subjekti të pavarur dhe jopolitik për qëllime politike i bën shumë dëm Kosovës. Ndërsa nëse secili aktivitet i FSK-së në veri paraqitet si triumf dhe politizohet, kjo mund të ndikojë që në të ardhmen NATO-ja të hezitojë të japë pëlqimin për aktivitete në veri, për të parandaluar keqpërdorimet politike. Por edhe NATO-ja, edhe BE-ja, edhe diplomatët në Prishtinë duhet të evitojnë politizimin e çështjeve të sigurisë, sepse kjo shkon në dëm të sigurisë po ashtu.   

 

...