OpEd

Pesë të vërteta në sektorin e energjisë dhe pse është koha të ballafaqohemi me to

Ardian Berisha

Sektori i energjisë në Kosovë është përfshirë në një debat të gjerë publik, shpesh të shoqëruar nga keqkuptime të thella për funksionimin dhe drejtimin e tij. Disa prej këtyre keqkuptimeve përhapin ide që bien ndesh me të vërtetat ekonomike, juridike dhe rregullatore të sektorit. Në vijim po i paraqes pesë prej tyre dhe po shpjegoj se pse është me rëndësi të ballafaqohemi me to.

Subvencionet indirekte po i pengojnë investimet në kapacitete të reja të energjisë

Ka një perceptim të gjerë se shteti duhet të ndërtojë dhe zotërojë kapacitetet prodhuese të energjisë. Në realitet, me nënshkrimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë në vitin 2006, Kosova, si edhe vendet e tjera nënshkruese, ka pranuar - me apo pa vetëdije - modelin e zhvillimit të sektorit në bazë të nevojave të tregut të lirë, ku kapacitetet energjetike zhvillohen nga pjesëmarrësit e tregut, në bazë të sinjaleve të çmimeve dhe jo nga vetë shteti. Sipas modelit evropian të tregut të energjisë, shtetet nuk kanë nevojë të marrin masa për ndërtim të kapaciteteve të energjisë pasi që këtë punë e kryen vetë tregu kur çmimet rriten mjaftueshëm për të nxitur investime të reja. Por ky model bazohet në supozimin se rritjet e çmimeve janë të pranueshme dhe të tolerueshme për shoqëritë, gjë që u dëshmua e pamundur gjatë krizës së vitit 2022, kur edhe shtetet më të përkushtuara ndaj tregut të lirë ndërhynë në mënyrë arbitrare për të frenuar rritjen e çmimeve, duke minuar besimin e investitorëve. Në Evropë po vazhdon debati nëse ky model i tregut ka rezultuar në zhvillim të sektorit të energjisë në interes të konsumatorëve dhe ky debat vështirë se do të përfundojë në ndonjë epilog të qartë në një të ardhme të afërt. Megjithatë, në dy dekadat e fundit, deri në krizën e energjisë elektrike, Evropa ka jetuar me iluzionin se tregu i energjisë pa intervenime mund të sjellë investime të reja në gjenerim. E vërteta është se shumica dërrmuese e investimeve në kapacitete gjeneruese në Evropë janë realizuar përmes kontratave afatgjata, me çmime të garantuara të përkrahura nga shteti. Këtu nuk bën përjashtim as Kosova, politikat sektoriale të së cilës janë në harmoni me ato të BE-së. Mbase ka ardhur koha që Kosova të rishqyrtojë qasjen e saj, duke vendosur sigurinë e furnizimit mbi besimin e verbër në aftësinë e tregut për të gjeneruar investime. Por në Kosovë, dhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërtimi i kapaciteteve të reja është penguar edhe nga shtrembërimet e çmimeve në treg, të shkaktuara nga shitja e energjisë nga kapacitetet shtetërore me çmime artificialisht të ulëta, që nuk reflektojnë ato të tregut të lirë. Kosova duhet t’ia japë një mundësi tregut, duke zgjidhur hutinë dydekadëshe lidhur me rolin dhe misionin e saj në cilësinë e hisedarit në KEK. Shteti duhet të vendosë nëse roli i tyre është rritja e vlerës së aksionarëve të kompanisë, pra taksapaguesve të Kosovës, përmes shitjes së energjisë së KEK-ut me çmime që reflektojnë çmimet e tregut; apo nëse Shteti do të vazhdojë të shtrembërojë çmimet në tregun e energjisë, që dekurajojnë investimet e reja, duke e përdorur KEK-un si mjet për ruajtjen e paqes sociale përmes tarifave artificialisht të ulëta, një mision fisnik por i paqëndrueshëm, deri në shuarjen e KEK-ut. Dhe kjo na lidh me të vërtetën e dytë, dhe më të vështirë për sektorin e energjisë, që tarifat e energjisë nuk reflektojnë çmimet e tregut.

Kosova ka tarifat më të ulëta të energjisë në Evropë dhe ky është problem

Tarifat për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike në Kosovë janë më të ulëtat në Evropë, me përjashtim të Turqisë, dhe ky është problemi më serioz me të cilën ballafaqohet sektori i energjisë. Kostoja e ulët e energjisë në Kosovë nuk është rezultat i ndonjë efikasiteti operativ të ndërmarrjeve të Kosovës krahasuar me ato evropiane, por i faktit që konsumatorët furnizohen me energjinë e prodhuar nga KEK-u me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut. Konsumatorëve të rregulluar të energjisë në Kosovë energjia e KEK u ofrohet me çmim të vendosur në vlerë prej 29.5 euro/MWh, ndërkaq vlera e kësaj energjie, po të shitej me çmime reale të tregut, do të mund të arrinte në nivel nga 51 euro/MWh në 2018 deri në 288 euro/MWh në vitin 2022. Kjo reflektohet në tarifa artificialisht të ulëta për konsumatorët, përmes subvencionit indirekt, vlera e të cilit, në bazë të një raporti të OECD-së të publikuar javën që shkoi, ka arritur vlerën 2.2 miliardë euro në periudhën në mes të 2018-2023. Ky nivel i subvencionimit sjell konsum të paqëndrueshëm të energjisë elektrike dhe dekurajon investimet në prodhim të energjisë. 
Kjo praktikë, e lehtë për t’u shitur politikisht pasi që “mbron konsumatorët”, por e rëndë për t’u bartur nga sektori, vazhdon të ndiqet pothuajse si normë në gjithë Ballkanin Perëndimor, me përjashtim të Malit të Zi. Përdoret si vegël e “mbrojtjes” përmes tarifave që nuk mundësojnë zhvillimin e investimeve dhe efektivisht koston e këtij zhvillimi ua bartin brezave të ardhshëm. Ka ardhur koha që kjo praktikë e paqëndrueshme e përkrahjes së konsumatorëve, pa marrë parasysh nëse ata kanë nevojë për këtë përkrahje, të ndërpritet. Pavarësisht se është kompani në pronësi të shtetit, KEK-u do të duhej të operonte sipas parimeve të tregut dhe të shiste energjinë në treg me çmime që gradualisht u afrohen atyre të tregut. Përfitimet që KEK-u mund të realizojë në treg mund të transferohen në buxhetin e shtetit, i cili më pas mund t’i përdorë ato për të mbështetur vetëm grupet që kanë nevojë për mbështetje, apo konsumatorët në varfëri energjetike. Në fund të fundit, shteti mund të vendosë që të gjithë vlerën e përfituar nga KEK ta rikthejë në sektor në formë të subvencioneve. Por është e rëndësishme të kuptohet se tarifat janë artificialisht të ulëta dhe që ato subvencionohen nga humbja e mundësisë së fitimit të KEK-ut, që në këto vite ishte €2.2 miliardë, nga të cilat do të mund të përfitonin kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë sonë: mësuesit, pensionistët, punonjësit publikë apo taksapaguesit e tjerë, të cilët e financojnë këtë subvencionim.

Siguria e furnizimit kërkon çmime që e reflektojnë vlerën e energjisë në treg

Në treg të liberalizuar të energjisë elektrike kapacitetet energjetike nuk u takojnë shteteve në të cilat ato janë ndërtuar, por shteteve dhe konsumatorëve të cilat kanë aftësi për t’i paguar ato. Rrjedhimisht siguria e furnizimit nuk nënkupton medoemos pronësi fizike të kapaciteteve prodhuese, por aftësi për t’i siguruar kontraktualisht dhe për të paguar ato kapacitete, pavarësisht se ku ndodhen ato. 
Siguria e furnizimit të energjisë elektrike në Kosovë rritet atëherë kur tarifat e energjisë reflektojnë vlerën reale të energjisë në treg, pasi që me këto tarifa mund të sigurohet energjia pavarësisht burimit gjeografik të saj. Ky parim është në thelb të reformës në sektor: kapacitetet i takojnë tregut, jo shteteve, dhe energjia u shitet palëve që janë në gjendje të paguajë koston më të lartë për të. Natyrisht që në këto vendime duhet të merren në konsideratë edhe rrethanat politike në Ballkan dhe më gjerë.

Siguria e furnizimit kërkon rregullator të parashikueshëm

Roli i Zyrës së Rregullatorit për Energji është kyç për krijimin e një mjedisi tërheqës për rritjen e investimeve në funksion të sigurisë së furnizimit. ZRrE siguron efikasitet ekonomik në sektor, duke garantuar që të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e furnizimit kompensohen për shërbimet që i ofrojnë. Përcaktimi i tarifave që e reflektojnë koston është obligim ligjor të cilin ZRrE e ka implementuar në mënyrë konsistente dhe sistematike që prej themelimit të saj. Parashikueshmëria e këtij procesi është qenësore për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të sektorit dhe mirëmbajtur paanshmërinë e rregullatorit.

Rregullatorët duhet të ruajnë bilancin mes interesave të akterëve të ndryshëm, shpesh duke i lënë të gjithë njësoj të pakënaqur dhe kjo e bën punën e tyre një ndër detyrat më të vështira të shërbimit publik. Për t’u siguruar që zëri i akterëve dëgjohet, rregullatorët zhvillojnë konsultime teknike me të gjitha palët e interesit, duke u mundësuar atyre të sfidojnë supozimet dhe të dhënat që përdoren në procesin e vendimmarrjes tarifore. Për fat të keq, në rastin e Kosovës, mundësia për këtë angazhim konstruktiv u zëvendësua me sulme dhe kërcënime - si publike, ashtu edhe private - ndaj zyrtarëve të ZRrE-së, duke penguar aftësinë e tyre për të përmbushur mandatin ligjor. Kur vendimet e rregullatorit kundërshtohen për arsye politike, apo për promovime personale me tema popullore, dhe jo përmes mekanizmave institucional, krijohet përshtypja se rregullimi në sektor është i paqëndrueshëm, i politizuar dhe i paparashikueshëm, gjë që dekurajon investimet. Për më tepër, perceptimi i rrezikut rregullator përkthehet në norma më të larta të financimit në sektor, duke e bërë ndërtimin e kapaciteteve të reja më të kushtueshëm. Si me ironi, kundërshtimet e pabazuara me motive populiste e politike, me arsyetim mbrojtjen e konsumatorit, zbërthehen në kosto më të lartë afatgjate për konsumatorët. Ky mësim është mësuar tashmë nga vende si Polonia, që shkarkoi kryesuesin e rregullatorit pas liberalizimit të tregut në vitin 2008, Moldavia, me ndërhyrjet politike në vitin 2013 dhe Bullgaria që shkarkoi pesë kryetarë të bordit të rregullatorit brenda të njëjtit vit.

Përmes tarifave të ulëta, koston e zhvillimit të sektorit po ua bartim brezave të rinj

Siguria e furnizimit arrihet vetëm atëherë kur tarifat e energjisë përcaktohen në nivel që reflektojnë çmimet në tregun e integruar. Që nga konsensusi i Uashingtonit, gur themeli i reformave në sektorin e energjisë i nënshkruar në vitet ‘90, shtete nga Kili deri në Mongoli kanë punuar për reformimin e sektorëve përmes liberalizimit të tregut, pjesëmarrjes së kapitalit privat dhe formimit të rregullatorëve të pavarur. Në masë të madhe, reforma është zbatuar me sukses në shtetet e zhvilluara. Në vendet në zhvillim, reforma ka dhënë rezultate vetëm kur ndërgjegjësimi shoqëror është rritur si pasojë e përkeqësimit të furnizimit, i shkaktuar nga vonesat në ndërmarrjen e reformës tarifore. 

Tarifat e energjisë elektrike në Kosovë janë të mjaftueshme vetëm sa për të mbajtur nivelin ekzistues të furnizimit me energji, deri në shuarjen e ngadaltë të kapaciteteve edhe ashtu të brishta të KEK-ut. Kosova nuk do të përjashtohet nga procesi i dhimbshëm i ballafaqimit me faktin se çmimet e ulëta të energjisë, nga të cilat përfitojmë ne sot, do të jenë barrë për zhvillim të sektorit për brezat e fëmijëve tanë nesër. Është koha që mitet të zëvendësohen me politika të bazuara në fakte e me debat të mirinformuar që i shërben interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

(Autori ka 17 vjet përvojë pune në çështjet e tarifimit dhe reformave të energjisë dhe ka këshilluar qeveri dhe rregullatorë në mbi 20 shtete të Evropës, Azisë, Lindjes së Mesme dhe Afrikës)