Provincializmi dhe mediokritetit i etabluar në partitë politike për shkakun e njohur tani klishe, rrethanat historike, duket të jetë pengesa kryesore në ndryshimin e mentalitetit patriarkal.
Fatkeqësisht një frymë e tillë është bartur edhe në të gjitha funksionet e shtetit gati dy dekada.
Gjuha dhe qasja e politikanëve burra drejtuar grave në politikë nuk dallon nga një patriark, i cili disiplinon dhe kontrollon përditshmërinë e grave dhe vajzave në familje. Ekziston një dallim i vogël në mes familjes shqiptare dhe partisë. Gratë për ta mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e tyre janë të detyruara t`i bëjnë publike rrëfimet e tyre. Tanimë, jemi familjarizuar me raste të shumta. Për të marrë në konsideratë gjykata jetën e një gruaja, ajo është e detyruar me dosjen e saj t`i përvjelë mangët nëpër debatet e kronikat televizive vetëm e vetëm për të legjitimuar ekzistencën e jetës së saj!
Po të njëjtën gjendje e kemi edhe në partitë politike. Gojën plotë me konceptet e barazisë gjinore në oda e salla të tymosura duhani, gruaja shndërrohet pothuajse në një ideal kombëtar. Të vetëdijshëm për rolin e saj, nënkuptohet në familje. Baballarët ofrojnë mundësi për zhvillim. Por, kjo periudhë fushate nuk zgjatë shumë. Realiteti i kërkon gratë përtej të jashtëzakonshmes, një subjekt të padefinuar, që përcakton pozitën e saj lokomotiva e rrjeteve sociale, opinion krijuesit që gulçojnë e përjargën për të thënën e të pathënën, e fare pak (dallojnë) nga ky mentalitet.
E tash, a na duhet një situatë, që një grua në politikë t`i përvishet debateve për t`u rrëfyer që “familja parti”, po e ndalon, e zëri i saj nuk po dëgjohet? Vështirë që ne duam ta njohim një meta gjendje të tillë që gratë e fuqishme të transformohen në viktima të dhunës simbolike të patriarkëve të tyre. Andaj, nëse mendohet të “mbrohet” gruaja, e cila është legjitimuar e ‘fuqishme’ nga vota, çdo përpjekje për të paraqitur si të “dobët” është vazhdimësia e perceptimit se si ne duam ta shohim. Sigurisht, Gerda Lerner një situatë të tillë do të interpretonte se me trajtimin e grave si viktima të shtypjes, ato vihen në kornizën konceptuale mashkullore: të shtypura, të viktimizuara me standarde dhe vlera të vëna nga burrat. Sipas Lerner, historia e vërtetë e grave është histori e një funksionimi të vazhdueshëm në botën mashkullore, në mënyrën e tyre.
Prandaj, ideja e konceptualizimit të subjektit të gruas përtej viktimës do të mundësojë njohjen e individualitetit dhe rrjedhimisht fuqinë e saj, në të kundërtën do të nënvlerësohet edhe vota!
Besoj në fuqinë e saj!