Tash të gjithë e pranojnë se Kosova ka pasoja, sidomos që lidhen me buxhetin. Këto janë pasoja të taktizimeve të tyre. Dhe taktika e re është që për pasojat faji t’u bartet të tjerëve. Dhe siç ndodh në politikë, nuk është e rëndësishme se kush ka të drejtë, por kujt i besojnë qytetarët. E ata në zgjedhje do t’ua japin faturën për ta paguar atyre që mendojnë se nuk e kanë merituar votën e tyre
Asgjë të jashtëzakonshme nuk ka në faktin se në Kosovë më 28 dhjetor do të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në fakt shumica e zgjedhjeve në Kosovë kanë qenë të jashtëzakonshme, pasi janë zhvilluar para se të përfundonte ndonjë qeveri një mandat të plotë katërvjeçar. Dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë pjesë e zakonshme e demokracisë. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme as në faktin se ato zhvillohen më 28 dhjetor, në mes të dy festave të fundvitit, Kërshëndellave dhe Vitit të Ri. Data 28 dhjetor është një e diel sikurse cilado e diel tjetër. Deri në atë datë do të kenë përfunduar festat e Kërshëndellave dhe do të kenë mbetur disa ditë para Vitit të Ri. Vetëm data 25 dhjetor dhe data 1 janar në botën normale janë ditë feste. Më 2 janar, nëse nuk do të jetë ditë e fundjavës, normalisht punohet në Evropë sikur secilën ditë tjetër. Vetëm në Kosovë dhe në disa vende të tjera të rajonit të Ballkanit bëhen festa edhe për natën e parë, natën e dytë apo natën e tretë të vitit të ri. Shumë njerëz vendosin që të marrin ditë pushimi mes festave dhe t’i lidhin ato. Por kjo është më shumë çështje personale dhe e kompanive ku ata punojnë nëse dëshirojnë apo jo, siç thuhet, “t’i bashkojnë festat“.
Ajo që është specifike në këtë rast në Kosovë është se këto zgjedhje po zhvillohen si rezultat i dështimit të partive politike që të formojnë qeverinë pas zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan para dhjetë muajsh. Dhe ky dështim nuk ishte pa pasoja serioze për Kosovën. Nuk ka buxhet për vitin e ardhshëm, nuk ka mjete për rrogat e punonjësve për transmetuesin publik RTK, pa para mbetet edhe kryeqyteti ku kërcënohet ndërprerja e transportit publik. Në skenën ndërkombëtare Kosova është harruar, me masa ndëshkuese nga BE-ja që nuk do të hiqen, pa progres në dialog për normalizimin e raporteve me Serbinë, pa hapa drejt integrimit në BE, dështim për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, pa mundësi për të përfituar nga pakoja e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Krejt kjo është një situatë të cilën me vetëdije dhe me qëllim e kanë krijuar partitë politike të Kosovës. Dhe ka qenë e qartë se kështu do të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit nëse Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve, dhe partitë e tjera të shqiptarëve të Kosovës mbajnë qëndrim përjashtues ndaj njëra tjetrës. Sepse VV nuk i kishte votat, dhe doli në shesh blofi i saj në fund se nuk i kishin votat edhe kur thoshin se i kanë, ndërkohë që as të tjerët nuk i kishin votat për ta bërë shumicën në Parlament.
As para zgjedhjeve të fundit, as gjatë tyre e as pas tyre nuk janë ndalur taktizimet e partive politike. Dhe ato vazhdojnë edhe tash, prej llogarive se a ia vlen të hyjnë në ndonjë koalicion parazgjedhore e deri te llogaritë se kujt do t’i konvenojë moti i ftohtë, dita e shkurtër e kujt ardhja e diasporës për shkak të festave. Kujt do t’i dalë hesapi i mirë do të shohim me 28 dhjetor.
Tash të gjithë e pranojnë se Kosova ka pasoja, sidomos që lidhen me buxhetin. Këto janë pasoja të taktizimeve të tyre. Dhe taktika e re është që për pasojat faji t’u bartet të tjerëve. VV tashmë ka nisur të drejtoj gishtin nga partitë tjera si fajtorë pse në Kosovë njerëzit mund të mbeten pa rroga dhe shteti pa buxhet, pa mjete nga paketa e rritjes dhe me sanksione nga BE. Partitë e tjera, për të mos i quajtur opozitë, drejtojnë gishtin nga VV për këtë kaos. Dhe siç ndodh në politikë nuk është e rëndësishme se kush ka të drejtë, por kujt i besojnë qytetarët. E ata në zgjedhjet do t’ua japin faturën për ta paguar atyre që mendojnë se nuk e kanë merituar votën e tyre. Por edhe këtu qytetarët fajtorin do ta kërkojnë në radhët e atyre për të cilët nuk do të votojnë.
Kosovën e pret vazhdimi i ankthit zgjedhorë me një fushatë irracionale. Nuk kanë mbetur shumë ide që mund t’u bien ndërmend politikanëve për përdorim në fushatë pasi shumë prej tyre janë shterur gjatë zgjedhjeve të shkurtit dhe atyre lokale që sapo i përmbyllën. Ankthi nuk do të përfundojë as me 28 dhjetor, sepse pastaj do të kemi numërimin e votave, rinumërimin e tyre, ankesat dhe shqyrtimin e tyre. E më pastaj edhe konstituimin e Kuvendit dhe tentimet për krijimin e qeverisë. E gjithë kjo mund ta çojë Kosovën pa qeveri deri në pranverë. Dhe këtu vijmë te problemi kryesor. Pse u desh të pritej dhjetë muaj për këtë. Kanë mundur të gjitha partitë qysh në pranverë të dëshmojnë se askush nuk i ka votat për të formuar qeverinë. Nëse atëherë ka qenë “ose VV kundër të gjithëve ose të gjithë kundër VV-së“, siç është edhe sot, nuk është dashur të pritet aq shumë dhe të ketë pasoja kaq të mëdha. Kanë mundur zgjedhjet të zhvilloheshin para gjashtë muajsh dhe sot me pak më shumë qetësi kosovarët të presin Vitin e Ri.