OpEd

Një nder i madh helvetik për Republikën e Kosovës dhe për mërgatën në Zvicër

Mbi vizitën shtetërore të presidentes së Kosovës në Zvicër.

Vizita shtetërore është nderi më i lartë që Zvicra ia bën një shteti dhe një populli tjetër. Sivjet ky nder ishte i rezervuar për Kosovën dhe presidenten e saj. Ftesa helvetike ishte edhe një gjest vlerësimi që qeveria zvicerane ia bëri mërgatës së madhe shqiptare në Zvicër. Larg mbi 200 mijë njerëz me rrënjë nga Kosova jetojnë në Zvicër.

Vizita shtetërore është një lloj feste publike gjatë së cilës kremtohet afërsia ose miqësia mes dy shteteve. Për politikën flitet vetëm sipërfaqësisht. Kjo është e kuptueshme sepse zakonisht presidentët nuk qeverisin direkt. Vizita mbizotërohet nga pritja me nderime ushtarake, nga kolona veturash, qilima të kuq mbi asfalt e trotuare, fluturime nga një pikë në tjetrën me helikopter e avion të qeverisë, në disa raste edhe tren special, takime, fjalime (nganjëherë patetike, nganjëherë mbresëlënëse), biseda.

Pika kulmore është banketi shtetëror, i cili shtrohet në mbrëmjen e ditës së parë të vizitës në hapësirat e Ministrisë së Financave në Bern, në kryeqytetin e Zvicrës. Deri para 100 vitesh kjo godinë ka qenë hotel dhe quhet ende Bernerhof. Me ftesë të qeverisë zvicerane pata nderin e madh të marrë pjesë, javën që shkoi, në banketin shtetëror në Bern. Ishte një rast i mirë për të takuar shumë figura të larta të politikës zvicerane, përfshirë edhe 7 ministrat e qeverisë, sekretarë shteti, ambasadorë, oficerë si dhe disa pjesëtarë të suksesshëm të mërgatës kosovare, të cilët nuk kam pasur mundësinë t’i njoh personalisht deri më tani. 

Edhe në këtë mbrëmje Zvicra u prezantua me modesti, pa pompozitet. Asgjë nuk i ishte lënë rastësisë, edhe buqetat me lule dhe qirinjtë e ndezur përputheshin në mënyrë të harmonishme me perdet dhe muret. Para banketit, brigada e kamerierëve ushtron për shfaqjen e madhe. Njëkohësisht, siç më tregoi një koleg zviceran me përvojë të gjatë raportimi nga Berni, policia kantonale me qentë e saj inspekton sallën në kërkim të ndonjë mjeti eksploziv. Asgjë s’i lihet rastësisë.

Një sharm të veçantë kësaj mbrëmjeje ia dha futbollisti Xherdan Shaqiri, momentalisht kosovari më i famshëm mes Liqenit të Konstancës dhe Liqenit të Gjenevës. Me vetëbesimin e tij, me sjelljet dhe fjalët e shpenguara, me origjinalitetin e tij, Xherdan Shaqiri ka motivuar shumë kosovarë për t’u identifikuar me atdheun e ri, Zvicrën. Sa i përket integrimit: përkundër sukseseve të pamohueshme, mërgatës nga Kosova ende i mbetet shumë, shumë punë për të gjetur vendin e duhur në shoqërinë zvicerane. Ndoshta kjo vizitë shërben edhe si shtysë.

Në vijim, për merakli detajesh, disa të dhëna mbi historinë e vizitave shtetërore në Zvicër.

1.

Në romanin e tij “Maçorri i madh”, shkrimtari zviceran Thomas Hürlimann shkruan për vizitën shtetërore nga Spanja në vitin 1979. Maçorri i madh, i cili është personazhi kryesor i romanit, të kujton presidentin e atëhershëm të Zvicrës Hans Hürlimann. Ai ishte babai i shkrimtarit Thomas Hürlimann. Në vijim një detaj nga romani: “Një kor tradicional (Jodelchor) kishte kënduar tepër gjatë, një vajtim i rëndë, sy që shikojnë shtrembër, ndërkohë që malet bëheshin ngjyrëvjollcë dhe qielli i kuqërremtë, ikje drejt veturave, eskortat që ulërijnë, kthimi në Bernë, ndërrim rrobash dhe darkë, biseda të lehta dhe buzëqeshje, për miqësinë, për Spanjën, për Zvicrën, salud!

Herët në mëngjes kishte vizituar trupat bashkë me mbretin, në dhjetë një fabrikë të orëve, në njëmbëdhjetë një fabrikë çokollate, ndërsa Marie dhe mbretëresha, të brohoritura nga punëtoret e huaja spanjolle, kishin shëtitur me orë të tëra nëpër ndërmarrje të klasës së mesme, gjithmonë duke përshëndetur e buzëqeshur, duke lavdëruar e përshëndetur”.

2.

Qytetarët zviceranë i përcjellin me vëmendje vizitat shtetërore. Në vitin 1929 në Bern u ftua për vizitë shtetërore Mbreti i Egjiptit Fuadi I. Ai ishte me origjinë shqiptare. Para se monarku nga Nili të mbërrinte në tokën helvetike, presidenti i Zvicrës mori një letër nga një grua, e cila u prezantua si “zonjusha Sattler nga Baar”, një qytet në Zvicrën qendrore. Ajo shkruante: 
„I nderuar zoti president i Konfederatës (Robert) Haab!

Nga një gazetë mësova se Madhëria e Tij Fuadi I, Mbret i Egjiptit, do të mbërrijë së shpejti në Bern. Në rast se organizohet një drekë zyrtare në nder të Madhërisë së Tij, e di se ai, me këshillën e mjekut të vet, pi vetëm ujë Evian. Shishet duhet të jenë të mbyllura me kapsulë, kurrsesi me tapë. Ai pëlqen të tymosë puro Havana me ngjyrë të çelët. Kam punuar disa vite si amvisë në një shtëpi aristokratësh në Kajro, në kohën kur Madhëria e Tij ishte ende princ dhe shpesh ishte i ftuar për darkë. Madhëria e Tij ka shumë simpati për zviceranët. Me respekt të lartë, ju përshëndet zonjusha Carolina Sattler, Baar, Zug“.

3.

Sipas listës zyrtare të vizitave shtetërore në Zvicër, Kosova është vendi i parë nga Ballkani që merr një ftesë të tillë. Në Zvicër nuk ka qëndruar zyrtarisht apo në vizitë shtetërore as Josip Broz Tito, i njohur si autokrati ndoshta më bredharak i shekullit të 20-të. Sipas historianit Thomas Bürgisser, i cili ka shkruar një disertacion shumë informativ mbi raportet mes Zvicrës dhe Jugosllavisë gjatë Luftës së Ftohtë, në arkivat zvicerane nuk është dokumentuar asnjë përpjekje e qeverisë zvicerane për të ftuar Titon për vizitë. Diplomati i parë nga Kosova, i dërguar në Zvicër nga Ministria e Jashtme e Jugosllavisë socialiste, sipas të gjitha gjasave ka qenë Rexhep Xhiha. Qeveria e Zvicrës e akreditoi atë si konsull të përgjithshëm të Jugosllavisë në Zürich në fillim të nëntorit të vitit 1967. 

Më 1982 ambasador i Jugosllavisë në Bern u emërua ish-gazetari dhe politikani komunist Sulejman Rexhepagiqi, i lindur në Plavë të Malit të Zi. Bazuar në emër, mbiemër dhe në vendlindje, Rexhepagiqi duhet të jetë me origjinë shqiptare, por për këtë duhet një hulumtim më i thelluar. 

Në hierarkinë komuniste jugosllave bëri karrierë edhe një politikan me origjinë zvicerane: Alesh Bebler. Gjyshi i tij ishte nga kantoni i Glarusit në Zvicër. Alesh Bebler, i doktoruar për drejtësi në Paris, ishte zëvendësministër i punëve të jashtme të Jugosllavisë dhe ambasador në Paris. I biri i Alesh Beblerit është Anton Bebler, profesor i shkencave politike në Universitetin e Lubjanës dhe njëri prej akademikëve më të njohur të rajonit. Anton Bebler ka qenë me vite të tëra kritik i ashpër i represionit serb në Kosovë dhe përkrahës i mëvetësisë së Kosovës. Ai është 88-vjeçar. Nga viti 1992 deri më 1997 ka qenë ambasador i Sllovenisë në selinë e OKB-së në Gjenevë. Kështu ky politolog u kthye në vendin prej nga kishin emigruar paraardhësit e tij.

4.

Në historinë e re të Zvicrës një vizitë shtetërore është shoqëruar me një skandal. Më 25 mars 1999, një ditë pasi NATO filloi bombardimin e Jugosllavisë së atëhershme, në Zvicër erdhi për vizitë presidenti i Kinës, Xhiang Zëmin. Në Sheshin e Konfederatës në Bern atë po e prisnin të gjithë ministrat e qeverisë, garda e nderit e ushtrisë, fotografët, gazetarët, qytetarët. Zëmin nuk u shfaq, sepse mbi ndërtesën e një banke ishin ngjitur aktivistë nga Tibeti të cilët mbanin balona me shënimet “Dialog” dhe “Tibet”. Lideri kinez kaloi pranë ministrave pa i përshëndetur fare dhe hyri në parlamentin zviceran. Kur presidentja e Zvicrës Ruth Dreifuss gjatë fjalimit të saj përmendi gjendjen e popullsisë tibetiane në Kinë, Zëmin reagoi duke thënë: “Ju keni humbur një mik të mirë”. Situatën e shpëtoi një ministër zviceran, i cili nxori nga xhepi një kristal alpin dhe ia dhuroi sundimtarit kinez.

5.

Pjesë e traditës është që pas vizitës shtetërore, presidenti apo presidentja e ftuar t’i dërgojë qeverisë zvicerane një letër falënderimi. Perandori i Etiopisë Haile Selasie e dërgoi letrën tek 3 muaj pas vizitës! Protokolli zviceran e interpretoi këtë si një hakmarrje të perandorit për shkak se Zvicra kishte pranuar sundimin italian mbi Etiopinë më 1935. Njëkohësisht Selasie kërkoi atëbotë azil në Zvicër, por u refuzua.