Një epokë e re e energjisë është afër – një epokë ku energjia e lirë, e pastër dhe e bollshme e fuqizon një botë të pasur me mundësi ekonomike, ku kombet e kanë sigurinë e autonomisë energjetike dhe ku dhurata e energjisë elektrike është dhuratë për të gjithë. Ky është momenti ynë i mundësisë për ta nxitur ndryshimin global në shkallën më të lartë. Le ta shfrytëzojmë këtë moment!
António Guterres
Energjia e ka formësuar rrugën e njerëzimit – nga zotërimi i zjarrit, shfrytëzimi i avullit dhe ndarja e atomit.
Sot, jemi në agun e një epoke të re. Dielli po lind në një epokë të energjisë së pastër.
Vitin e kaluar, pothuajse i tërë kapaciteti i ri i energjisë ka ardhur nga burimet e ripërtërishme.
Investimet në energjinë e pastër janë rritur në 2 trilionë dollarë – 800 miliardë dollarë më shumë se në lëndët djegëse fosile.
Energjia diellore dhe e erës tani janë burimet më të lira të energjisë në Tokë, ndërsa sektorët e energjisë së pastër po krijojnë vende të punës, duke i dhënë shtysë rritjes dhe duke e fuqizuar progresin – pavarësisht se për lëndët djegëse fosile ende jepen subvencione shumë më të mëdha.
Vendet që mbështeten në lëndët djegëse fosile nuk po i mbrojnë ekonomitë e tyre, por po i sabotojnë ato – duke e minuar aftësinë konkurruese dhe duke e humbur mundësinë më të madhe ekonomike të shekullit XXI.
Energjia e pastër gjithashtu ofron sovranitet dhe siguri energjetike. Tregjet e lëndëve djegëse fosile janë në mëshirën e tronditjeve të çmimeve, ndërprerjeve të furnizimit dhe trazirave gjeopolitike, siç e pamë kur Rusia e pushtoi Ukrainën. Por, nuk ka rritje të çmimeve për dritën e diellit, nuk ka embargo për erën dhe pothuajse çdo komb ka burime të ripërtërishme të mjaftueshme për të qenë i vetëmjaftueshëm në aspektin energjetik.
Më në fund, energjia e pastër i jep hov zhvillimit. Ajo mund të arrijë qindra miliona njerëz që ende jetojnë pa energji elektrike – shpejt, me çmim të përballueshëm dhe në mënyrë të qëndrueshme, veçanërisht përmes teknologjive diellore jashtë rrjetit dhe në shkallë të vogël.
E gjithë kjo e bën epokën e energjisë së pastër të pandalshme. Por, tranzicioni nuk është ende mjaft i shpejtë ose i drejtë. Vendet në zhvillim po lihen pas. Lëndët djegëse fosile ende i dominojnë sistemet e energjisë, ndërsa emetimet janë ende në rritje, kur ato duhet të bien për ta shmangur më të keqen e krizës klimatike. Për ta rregulluar këtë, na duhen veprime në gjashtë fronte.
Së pari, qeveritë duhet të zotohen plotësisht për të ardhmen e energjisë së pastër. Në muajt në vijim, çdo vend është zotuar të dorëzojë plane të reja kombëtare për klimën – që njihen si kontribute të përcaktuara kombëtarisht – me objektiva për dekadën e ardhshme. Këto plane duhet të përputhen me kufizimin e rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë celsius, t’i mbulojnë të gjitha emetimet dhe sektorët dhe ta përcaktojnë një rrugë të qartë drejt energjisë së pastër. Vendet e G20-tës, përgjegjëse për rreth 80 për qind të emetimeve globale, duhet të udhëheqin.
Së dyti, ne duhet të ndërtojmë sisteme energjetike të shekullit XXI. Pa rrjete dhe ruajtje moderne të energjisë, energjia e ripërtërishme nuk mund ta përmbushë potencialin e saj. Por, për çdo dollar të investuar në energji të ripërtërishme, vetëm 60 centë shkojnë për rrjete dhe ruajtje. Ky raport duhet të jetë një me një.
Së treti, qeveritë duhet të synojnë ta përmbushin kërkesën në rritje për energji në botë me burime të ripërtërishme. Kompanitë e mëdha të teknologjisë duhet gjithashtu ta luajnë rolin e tyre. Deri në vitin 2030, qendrat e të dhënave mund të konsumojnë po aq energji elektrike sa konsumon Japonia sot. Kompanitë duhet të zotohen që t'i furnizojnë ato me energji të ripërtërishme.
Së katërti, ne duhet ta integrojmë drejtësinë në tranzicionin energjetik. Kjo e nënkupton mbështetjen e komuniteteve që ende varen nga lëndët djegëse fosile për t'u përgatitur për të ardhmen e energjisë së pastër. Dhe kjo e nënkupton reformimin e zinxhirëve tejet të rëndësishëm me minerale. Sot, ato janë të mbushura me abuzime të të drejtave dhe shkatërrim të mjedisit, ndërsa vendet në zhvillim janë të ngujuara në fund të zinxhirëve të vlerës. Kjo duhet të marrë fund.
Së pesti, ne duhet ta bëjmë tregtinë mjet për transformimin energjetik. Zinxhirët e furnizimit me energji të pastër janë shumë të koncentruar, ndërsa tregtia globale po fragmentohet. Vendet e përkushtuara ndaj epokës energjetike të re duhet të punojnë për t’i diversifikuar furnizimet, për t’i ulur tarifat për mallrat e energjisë së pastër dhe për t’i modernizuar traktatet e investimeve, në mënyrë që ato ta mbështesin tranzicionin.
Së gjashti dhe së fundi, ne duhet ta orientojmë financimin kah vendet në zhvillim. Afrika ka përfituar vetëm nga dy për qind e investimeve në burimet e ripërtëritshme vitin e kaluar, ndonëse i ka pasur 60 për qind të burimeve diellore më të mira në botë. Ne kemi nevojë për veprim ndërkombëtar – për të parandaluar që shlyerja e borxheve t’i thajë buxhetet e vendeve në zhvillim dhe për t'ua mundësuar bankave shumëpalëshe për zhvillim që t’i rrisin ndjeshëm kapacitetet e tyre për kredidhënie dhe që ta shfrytëzojnë shumë më shumë financimin privat. Ne gjithashtu kemi nevojë për agjenci të vlerësimit të kredive dhe për investitorë për t’i modernizuar vlerësimet e riskut, për ta marrë parasysh premtimin për energji të pastër, koston e kaosit klimatik, si dhe rrezikun nga asetet e karburanteve fosile të bllokuara.
Një epokë e re e energjisë është afër – një epokë ku energjia e lirë, e pastër dhe e bollshme e fuqizon një botë të pasur me mundësi ekonomike, ku kombet e kanë sigurinë e autonomisë energjetike dhe ku dhurata e energjisë elektrike është dhuratë për të gjithë. Ky është momenti ynë i mundësisë për ta nxitur ndryshimin global në shkallën më të lartë. Le ta shfrytëzojmë këtë moment!
(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara)