Kosova si më 1989, kur ra Muri i Berlinit, mund të zgjedhë vetëm një ide nga menyja e botës multipolare, atë të shtratit të vet të natyrshëm euroatlantik, të vetmit që avancon identitetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të saj
1.
Ka diçka të ‘89-shit këto ditë, dhe kjo puna e ‘89-shit i bie viti 1989, viti kur ra Muri i Berlinit. Atëbotë jetonim në Kosovë dy drama paralele. Njëra e brendshme, e konfrontimit me Serbinë, deri në pikën kur ajo vendosi që të përshkallëzonte përdorimin e forcës e të aneksonte Kosovën me pezullimin e rendit kushtetues të Kosovës duke përdorur forca ushtarake e paraushtarake policore. Tjetra ishte çarja e botës komuniste, fakti që po shembej një rend botëror çfarë kishim njohur dhe fillimi i vendosjes së një rendi botëror ende të panjohur.
Në përmbajtje çdo gjë është ndryshe, natyrisht. Për dallim prej vitit 1989 dhe hyrjen në dhjetëvjetëshin në të cilin do të vihet në sprovë e drejta jonë e ekzistencës nga ideologjia supremaciste serbomadhe sot jetojmë në shtetin tonë demokratik; për më tepër, jetojmë më mirë se kurdo në historinë e kësaj treve. Dhe, për dallim prej vitit 1989, ndryshimet tektonike që po ndodhin nuk po bëhen në fqinjësinë tonë të afërt. Operacioni Maduro, ngritja e popullit kundër teokracisë iraniane e madje edhe vija e mundshme e armëpushimit mes Ukrainës e Rusisë – që të gjitha pa dyshim shenja të vogla të proceseve më të thella të rirregullimit botëror - jo domosdo i afrohen ortekut të shembjes së komunizmit që merrte me vete pushtete e gjeopolitikë prej Moskës deri në Tiranë.
E, megjithatë, do lexuar hyrjen në çerekun e dytë të shekullit XXI me kujdesin me të cilin e lexuam ‘89-shin, për më tepër me përvojën e fituar të asaj kohe.
2.
Së pari, forma. Pra, jemi në një konflikt të papërfunduar me Serbinë që po ashtu prodhoi si zgjatim kontestimin çerekshekullor të shtetësisë sonë nga ana e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare (prej Moskës në Madrid e në Managua). Ky konflikt i papërfunduar tash hyn në një rirregullim botëror. Përpjekja e suksesshme e popullit të Kosovës, e shpënë në rezultatin e vet të vendosjes së shtetit demokratik si projekt i botës atlanticiste (me përkrahje të Turqisë, Japonisë, Australisë, vendeve aziatike, afrikane ) ndodhi në momentin unipolar, ku superfuqia e vetme ishte SHBA-ja. Konflikti i papërfunduar me Serbinë, kontestimi i pjesshëm ndërkombëtar dhe mungesa e identitetit të plotë euroatlantik të Kosovës (integrim në NATO dhe BE) po ndodhin në momentin kur tashmë kemi kaluar në botën multipolare, me një gjendje ende të pasqaruar se si do të krijohet balanca e re mes poleve dhe në bazë të çfarë sistemi rregullash.
Më 1989 forma kishte një lloj ngjashmërie, ngase ishim në konflikt me Serbinë dhe ndodhte rirregullimi botëror në të cilin nuk dinim se çfarë do të ishte balanca e fuqive e në bazë të çfarë sistemi rregullash. Përcaktimi ynë në atë kohë nuk ishte shumë i zakontë - zgjodhëm demokracinë, rezistencën e padhunshme dhe një formë evolutive drejt shtetësisë e pavarësisë së Kosovës. Përzgjedhja bëhej në kohë okupimi klasik dhe të zhbërjes së ish-Jugosllavisë në luftëra të armatosura, gjë që bënte gjasat e kësaj politike shumë të largëta.
Në analizën gjeopolitike zhbërja e Jugosllavisë ishte një akt i tolerueshëm përderisa luftërat zhvilloheshin brenda kufijve të saj e perspektiva për demokraci dhe ndonjë zhvillim mund të kishin Sllovenia e Kroacia - për të tjerët ishte “perspektiva (e largët) perëndimore”.
3.
Sfida e këtij rirregullimi të tanishëm drejt botës multipolare është se po i vë në pyetje boshtet tradicionale në të cilat jemi mbështetur deri më sot. Orientimi perëndimor që zgjodhëm më 1989 - i cili ishte përzgjedhje e vetëdijshme të të vetmit opsion që ruan dhe avancon identitetin e popullit shumicë në Kosovë - përbëhej jo vetëm prej idesë së Perëndimit, por edhe të institucionalizimit të kësaj ideje me NATO-n dhe BE-në. Ideja e Perëndimit, NATO-ja dhe BE-ja nuk janë më të pakontestueshme brenda botës euroatlantike; mënyra se si do të ndërtohet ripozicionimi i SHBA-së me partnerët e kundërshtarët gjithandej botës do të ketë ndikim mbi mënyrën se si funksionon boshti euroatlantik. Një mikroilustrim për këtë mund të jetë mënyra se si (dhe kur ) mund të arrihet armëpushimi i qëndrueshëm në Ukrainë, që me vete bart rivendosje të baraspeshës ushtarake e politike mes Euroazisë dhe Evropës apo botës euroatlantike.
Për një Kosovë të vogël apo një Ballkan Perëndimor të një rëndësie shumë më të vogël gjeopolitike kjo mund të thotë nevojë që të identifikohet momenti historik, si më 1989. Kosova atëbotë zgjodhi demokracinë e Perëndimin, Serbia zgjodhi shpresën se bota nuk do të ndryshojë, gjegjësisht se Bashkimi Sovjetik a Rusia do të jenë garantues të interesave të Serbisë, posaçërisht në procesin e çintegrimit të Jugosllavisë.
Një gjë e tillë mund të duket të ndodhë edhe sot, por përzgjedhja në këtë rirregullim nuk duket në binarë, Perëndim-Lindje. Aty nuk është më një Perëndim homogjen (SHBA dhe BE janë më larg njëra- tjetrës se ndonjëherë) , pastaj nuk ekziston as ideja e një Evrope homogjene (ndërkohë nga ajo doli Mbretëria e Bashkuar), pastaj nuk është një Lindje homogjene, ngase Kina është superfuqi e krahasueshme me SHBA-në e Rusia është një fuqi e mesme ekonomike me tepri force ushtarake. Dhe pastaj është “Jugu global”, që po ashtu ka shtete të ndryshme si India apo Brazili, apo Afrika Jugore. Apo vendet e Gjirit arabik, që po përjetojnë një revolucion të vërtetë teknologjik, kulturor e ekonomik.
Menyja gjeopolitike është më e pasur se kurdoherë, por për Kosovën mbetet e njëjta si më 1989. Çfarëdo që të jetë duke ndodhur në rirregullimin gjeopolitik, ardhmëria e Kosovës në çerekun e dytë të këtij shekulli duhet të jetë realizimi i plotë i identitetit të saj euroatlantik, çfarëdo që të jetë evolucioni i mëtejmë i idesë evropiane dhe i Aleancës Veriatlantike. Arsyeja është e thjeshtë: identiteti evropian dhe euroatlantik i Kosovës është shtrati i natyrshëm i identitetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve të saj. Dhe, për më tepër, ky identitet dhe kjo përzgjedhje nuk varet fare me atë se çfarë do të zgjedhë Serbia. Nëse Serbia vazhdon rrugën e tanishme të një zgjatimi të interesave ruse në regjion, Kosova evropiane do të duhej të jetonte me këtë, së bashku me botën euroatlantike. Nëse Serbia në një të ardhme të afërt zgjedh rrugën euroatlantike, aq më mirë për Kosovën, regjionin dhe tërë Evropën.
4.
Më 1989 dukej utopik përcaktimi ynë për një Kosovë euroatlantike, shtet të pavarur e demokratik, prodhim i një konsensusi të plotë shoqëror, utopik ngase ishim zhveshur nga shtetësia. Sot mund të tingëllojë utopike që të përcaktohemi për idetë e asaj që tingëllon si e kaluar - bota euroatlantike. Por, lëvizjet politike si ajo e Kosovës atëherë dhe sot kanë nevojë për dozën motivuese të utopive. Më 1989 utopia mobilizoi shoqërinë drejt një caku, Kosovës euroatlantike dhe prodhoi një Kosovë të pavarur të nisur në rrugën euroatlantike. Më 2026 diçka që nuk është më utopi mobilizon shoqërinë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE – me gjithë pengesat nga shtetet mosnjohëse - dhe do të mund të prodhojë një Kosovë që sado utopike të duket sot brenda më pak se një dhjetëvjetëshi, është pjesë e Ballkanit Perëndimor që është në paqe me veten, që nuk bën garë armatimi, që fillon procesin e zhveshjes të faqeve të urrejtjes të ndërtuara një mbi një, vit pas viti e shekull pas shekulli; një regjioni të gatshëm për çfarëdo evoluimi në thellësi e gjerësi të botës që deri dje e njihnim si botë euroatlantike.