OpEd

Ngrohtë, nxehtë dhe shumë nxehtë?

Zeqir Veselaj

Disa nga ndikimet më të prekshme nga ndryshimet klimatike besoj se nuk ka njeri që nuk i ndien sot. Por, ajo që po na pret nuk është aspak optimiste, sepse abuzimi ynë me natyrën është duke i tejkaluar ato që njihen si “kufij planetarë”. Mos harroni se krejt këto nxehtësi, thatësi, uragane, vërshime janë pasojë e asaj që njihet si +1.5oC mbi mesataren globale të temperaturave për afro 800 mijë vjet. Larg pesimizmit, por tashmë edhe në Kosovën e vogël duhet të fillojmë të adaptohemi në kushtet klimatike me të cilat nuk jemi përballur asnjëherë më parë

Zeqir Veselaj

Për ata që merren me shkencën e ndryshimeve klimatike tashmë është kthyer në rutinë t’i lexojnë raportet e institucioneve lidere të meteorologjisë në botë (WMO, NOAA, Copernicus etj.). Ky vit ishte më i nxehti në historinë e matjeve, dekada e kaluar shënoi rekorde për nga temperaturat e larta. 

Raporti CLAC 2024 për Kosovën, bazuar mbi të dhënat e institucioneve meteorologjike dhe monitoruese, konstaton se që nga gjysma e shekullit XX temperaturat mesatare vjetore në Kosovë janë rritur për 2-3°C, dhe 2021-ta u shënua si viti më i nxehtë në histori të matjeve në Kosovë. 

Për më tepër, valët e të nxehtit janë bërë çdo vit e më të shpeshta në frekuenca dhe më të fuqishme në pasoja. Në të ardhmen, temperaturat mesatare vjetore pritet të vazhdojnë të rriten me afërsisht 0.5-1°C çdo dekadë, në varësi të përpjekjeve globale për t’i kufizuar emetimet e gazeve serrë. Kjo do të thotë se temperaturat mesatare ka të ngjarë të rriten me +4°C të tjera deri në fundin e këtij shekulli.

Raporti i NATO-s për Ndryshimet Klimatike 2023 lidhur me ngrohjen globale në Kosovë ishte alarmues për ata që dinë diçka rreth këtij problemi, por duket se nuk ua prishi fort terezinë institucioneve përgjegjëse. Modelimet e raportit parashikojnë që gjatë periudhës 2020-2040, numri i ditëve me nxehtësi ekstreme (kur temperaturat maksimale janë mbi 35oC) të jetë 4.4 ditë gjatë vitit. Ky numër i ditëve u tejkalua për dyfish vetëm në muajin qershor të vitit 2025, pra pa hyrë në muajt e nxehtë verorë - korrik dhe gusht. Temperaturat kanë pësuar anomali dhe janë duke u rritur përtej çdo modelimi shkencërisht të mbështetur. Për vitet 2040-2080, numri i ditëve me mbi 35oC parashikohet të jetë 21, ndërsa pas vitit 2080 ky numër parashikohet të jetë 39. 

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) parashikon që “nëse nuk ka ulje drastike të shkarkimeve të gazeve me efektin serrë, numri i qyteteve me temperaturë mesatare mbi 35oC deri me 2050 në botë do të rritet në 1.000, apo trefish më shumë sesa është aktualisht”.

Ndikimi në shëndet

“Shumë nxehtë po bëhet, e bleva një klimë për banesë se nuk mund ta përballojmë më”, dëgjova një bisedë që bënin dy të moshuar në karriget përpara meje në autobusin urban A3. Kondicionerët, apo klimat si i themi ne, tashmë po bëhen pjesë e dekorit të shtëpive tona. 

Para dy dekadash, kush ka pasur kondicioner në shtëpi, e të tillë ka pasur shumë rrallë, është kategorizuar si njeri i kamur, ndërsa sot jo nga luksi, por nga zori, ato po bëhen pjesë edhe e familjeve mesatare. Përveç ndihmës në përballimin e të nxehtit, ato i sjellin edhe ndikimet e veta negative në mjedis dhe në shëndet. Shpesh dëgjojmë kur ftohemi, na zihen hundët dhe fyti, se “më ka vra klima e shtëpisë apo veturës”. Dhe ka të vërtetë këtu, sidomos në rastet kur ekstremet e temperaturës mes hapësirës së klimatizuar dhe asaj të jashtme janë gati dyfishe (p.sh. kur jashtë është 36oC, ndërsa ju e ulni temperaturën e kondicionerit në 19oC). 

Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë që të mos e ulni temperaturën e klimës nën 22-23oC. Pra, duroni pak nxehtësi, më mirë se me pasojat shëndetësore, por edhe ekonomike. 

Goditjet e të nxehtit, dehidratimi, pengesat në frymëmarrje, përkeqësimi i sëmundjeve kronike janë vetëm disa nga pasojat e nxehtësisë ekstreme. Vetëm Spanja informoi për mbi 2.000 vdekje nga nxehtësia në dy muajt e fundit.

Ndikimi në shkolla

Fëmijët kanë më së paku faj për abuzimin e mjedisit që e bëjnë të rriturit, mirëpo predispozitat janë që ata më së shumti i bartin pasojat e tyre. Duke u “munduar” për të ardhmen e tyre, ne jemi në fakt duke e rrezikuar atë. Fundi i vitit shkollor në Kosovë po pritet gjithnjë e më me shqetësim nga shkollat dhe nga prindërit për shkak se nxehtësia ekstreme po fillon me hyrjen e qershorit, kur fëmijët janë ende në shkolla. Duke mos pasur sisteme të klimatizimit dhe të ajrimit, shumica e shkollave duhet të bëjnë modifikime që disi t’i kursejnë fëmijët nga të nxehtit ekstrem. Kjo vlen sidomos në ndërrimet e pasdites, kur arrihet edhe piku i temperaturave (ndërmjet orës 12:00-17:00). Situata është më e rënduar te shkollat e zonave të ngarkuara urbane, ku temperaturat janë zakonisht për 2-3oC më të larta se te zonat rurale. Kjo ndodh për shkak të mungesës së gjelbërimit, infrastrukturës rrethuese e përbërë nga bllok-beton-asfalt, termoizolimit joefikas dhe joefiçient, si dhe numrit zakonisht të lartë të nxënësve nëpër klasa. Pak shkolla kanë filluar të bëjnë investime në sistemet e klimatizimit, por shumica janë larg këtyre mundësive për shkak të kushteve të tjera të dobëta infrastrukturore që i kanë. Shkencërisht tashmë konfirmohet një korrelacion ndërmjet rritjes së temperaturës dhe të nxënit të fëmijëve. 

Si masë urgjente do të ishte që secila shkollë të vendosë brezin e gjelbër rreth oborrit të vet e që do të kishte përfitime të shumëfishta: ulje temperaturash, pastrim ajri, zvogëlim zhurmash, pamje estetike. Nuk është se kjo gjë kërkon shpenzime ekstreme buxhetore që komunat nuk mund t’i përballojnë.

Ndikimi në ekonomi

“Krejt mundi i një viti pune me familjen m’u dogj për 30 minuta”, po ankohen bujqit gjatë javëve plot zjarre të pamëshirshme në të gjithë territorin e Kosovës. Mbi 300 vatra ishin vetëm brenda javës së parë të korrikut 2025. Zjarret në pyje e fusha, të shkaktuara nga faktori njeri në 90% të rasteve, sipas institucioneve përgjegjëse, po përhapen më shpejt dhe më lehtë nga temperaturat e larta, mungesa e reshjeve dhe kushtet e tjera klimatike. Djegia e pyjeve shkatërron habitate të rëndësishme të qenieve të gjalla, shkatërron lëndën drunore dhe jodrunore, zvogëlon sipërfaqen absorbuese të dyoksidit të karbonit (CO2) dhe sipërfaqen prodhuese të oksigjenit. Shkatërrimi i pyjeve prish ciklin e reshjeve, që po na sjell më pak reshje. Djegiet e fushave bujqësore janë duke e cenuar ndjeshëm sigurinë ushqimore të Kosovës: po digjen fushat me grurë të gatshme për t’u korrur, me tonelata drithëra aq të nevojshme për bukën e gojës. Po ashtu, djegia e fushave e shkatërron mikroflorën bakteriale dhe të mikroorganizmave të tjerë aq të nevojshme për mbjelljet në vitin pasardhës.

Në ekonominë familjare, ndikimi i ndryshimeve klimatike fillon qysh kur blini kondicionerë me çmime që janë mjaft të larta për standardin jetësor të kosovarëve. Por ky është vetëm fillimi, pasi puna e një kondicioneri kërkon shumë energji për ftohje, e cila do t’ua “rëndojë” edhe më faturën mujore të energjisë elektrike të konsumuar. Si pasojë, më shumë nxehtësi kërkon më shumë klima për ftohje. Më shumë klima kërkojnë më shumë energji për operim, energji që në rastin tonë vjen nga qymyri. Qymyri është derivati më antiklimë që digjet për energji, pasi shkarkimin e CO2 në atmosferë e ka më të lartin në raport me fosilet e tjera: nafta, gazi natyror etj.

Ndikimi në biznese

“Gjatë ditëve të nxehta po më duhet t’i lëshoj punëtorët në pushim, pasi shumë nxehtë dhe nuk po punohet dot me pllaka betoni”, më tha miku im që ka një kompani të tillë. Sikurse ky, edhe shumica e kompanive ndërtimore po planifikojnë reduktimin e punëve gjatë sezonit të të nxehtit ekstrem, në kuptimin e ndërprerjes së punës ditore gjatë pikut të të nxehtit, por edhe ndërprerje javore gjatë verës. Kjo e ka anën e vet pozitive dhe negative. Ana pozitive është se mbrohet shëndeti i punëtorëve, duke i shpëtuar ata nga goditjet e nxehtësisë dhe pasojat shëndetësore që dinë të jenë edhe fatale. Ana negative nënkupton shtyrje të afateve për përfundimin e punimeve, që është problematike për kompanitë dhe biznesin e tyre në njërën anë, e në anën tjetër më pak të ardhura për punëtorët, pasi duke njohur praktikat e bizneseve private në Kosovë ata paguhen vetëm ditëve kur punojnë. Dihet tashmë se produktiviteti në punë gjithashtu ulet sa më e lartë të jetë temperatura. Megjithatë është situatë që duhet përballuar disi.

Përshtatja, tashmë e detyruar

Janë këto vetëm disa nga ndikimet më të prekshme nga ndryshimet klimatike që besoj se nuk ka njeri që nuk i ndien sot. Por ajo që po na pret nuk është aspak optimiste, sepse abuzimi ynë me natyrën është duke i tejkaluar ato që njihen si “kufij planetarë”. Mos harroni se krejt këto nxehtësi, thatësi, uragane, vërshime janë pasojë e asaj që njihet si +1.5oC mbi mesataren globale të temperaturave për afro 800 mijë vjet. Larg pesimizmit, por tashmë edhe në Kosovën e vogël duhet të fillojmë të adaptohemi në kushtet klimatike me të cilat nuk jemi përballur asnjëherë më parë.  

(Autori është profesor i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)