OpEd

Nga përjashtimi në udhëheqje

Jeton Zulfaj

Politika rajonale dhe qëndrimi parimor i Kosovës për vlerat e BE-së kanë qenë forcë demokratike, që ka nxitur integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Jeton Zulfaj

Për më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova mbeti kryesisht e përjashtuar nga strukturat rajonale të cilat duhet të përgatitin Ballkanin Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në marrëveshjen kryesore të tregtisë rajonale – CEFTA, Kosova vazhdoi të përfaqësohej nga UNMIK-u, e privuar nga e drejta për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë dhe për të shtyrë interesat e saj, ndërkohë që tekstet në marrëveshjet dhe deklaratat e përbashkëta rajonale shpesh përfshinin formulime që mohonin shtetësinë e Kosovës, të shtyra sigurisht nga Serbia.

Ky realitet filloi të ndryshojë në vitin 2021 me ardhjen e Qeverisë Kurti. Në vend të reagimeve dhe ankesave, të cilat më shumë e nxirrnin Kosovën të pafuqishme, Kosova filloi të jetë proaktive dhe të ofrojë ide të reja, të ndërtuara mbi vlera evropiane. Kjo ishte një qasje e re shtetërore, që e trajtonte Kosovën jo si problem, por si pjesë të zgjidhjes për të ardhmen demokratike të rajonit.

SEFTA - Një fillim i fuqishëm me një alternativë të guximshme ndaj agjendave përçarëse

Në Samitin e parë të Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6) në Tiranë, qershor 2021, kryeministri Kurti propozoi një kornizë të re për bashkëpunimin rajonal në fushën e tregtisë: Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore – SEFTA, e modeluar sipas marrëdhënieve EFTA/EEA. Në thelb, propozimi i SEFTA-s nuk ishte vetëm një kundërpërgjigje ndaj idesë së Novi-Sadit, Minishengen, që një muaj më vonë u shndërrua në Ballkanin e Hapur, por një qëndrim gjeopolitik për të mbajtur rajonin larg ndikimit të Rusisë dhe Kinës, të cilat në Ballkanin Perëndimor veprojnë kryesisht përmes Serbisë. SEFTA ishte propozim për një marrëveshje tregtare rajonale gjithëpërfshirëse, e bazuar në rregulla dhe e orientuar drejt BE-së.

Serbia e kundërshtoi këtë propozim, pasi nuk dëshironte që Kosova të ishte anëtare e barabartë në organizatat rajonale. Por hapi tashmë ishte bërë dhe Kosova kishte artikuluar vizionin e saj për bashkëpunimin rajonal. Me propozimin për SEFTA, kryeministri e riformatoi diskursin. Pas këtij propozimi, Kosova nuk do të fliste thjesht për kundërshtimin e idesë së Novi-Sadit, por do të promovonte idenë dhe vizionin e saj për rajonin. Më e rëndësishmja, ky hap mundësoi që Kosova të shtynte politikën e saj për barazi në bashkëpunim rajonal dhe për angazhim mbi vlerat e BE-së. Motoja e vazhdueshme e kryeministrit Kurti në çdo samit të WB6-s ishte e qartë: nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa vlerat e BE-së.

Në heshtje, ky vizion ka triumfuar. SEFTA ishte propozim për Bashkimin Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, prandaj edhe bazohej në modelin EFTA/EAA. Sot elementet themelore të SEFTA-s janë përfshirë në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, i cili u ofron vendeve të rajonit qasje të hershme në tregun unik nëse përmbushin standardet evropiane, kurse shtylla tre dhe katër e Planit të Rritjes kushtëzon fondet me vlerat. Qasja në tregun unik të BE-së është baza kryesore e modelit EFTA/EEA, që ishte edhe baza kryesore e propozimit të SEFTA-s.

CEFTA: Nga përjashtimi në përfaqësim dhe udhëheqje 

Një nga fitoret më domethënëse të Kosovës në çështjet rajonale erdhi në vitin 2024, kur u sigurua përfaqësimi i drejtpërdrejtë në CEFTA. Për tre vjet pati shumë presion që Kosova të hiqte dorë nga kjo kërkesë. Pati shumë sulme, madje edhe publike, por që në fund, rezultati erdhi si pasojë e qëndrueshmërisë institucionale, diplomacisë parimore dhe angazhimit aktiv. Trembëdhjetë vjet pas pavarësisë kishte shumë ankesa për prezencën e UNMIK-ut në CEFTA, por nuk ishin ndërmarrë hapa seriozë për largimin e tij. Me një politikë aktive rajonale u dëshmua që kjo kishte qenë e mundur. Rëndësia e largimit të UNMIK-ut nga CEFTA qëndron edhe në faktin se për të larguar UNMIK-un nga CEFTA, Serbia është dashur që në mënyrë aktive, nga një përfaqësues shtetëror, në organin më të lartë të vendimmarrjes në CEFTA, të votojë për largimin e UNMIK-ut.

Këtë vit Kosova ka marrë presidencën e CEFTA-s, ku vetëm brenda gjysmës së mandatit ka arritur të zhbllokojë vendime që kishin mbetur pezull për vite me radhë, sikurse zgjedhja e drejtorit të ri të CEFTA-s. Nga moszgjedhja e drejtorit rrezikoheshin miliona euro për CEFTA-n nga BE-ja. Drejtori u zgjodh nën udhëheqjen e Kosovës duke arritur konsensus nga të gjitha palët në një proces të pavarur, fer e parimor të monitoruar nga Bashkimi Evropian, dëshmi e qartë se Kosova është jo vetëm aktor aktiv a konstruktiv, por forcë progresive demokratike që zgjidh probleme.

Rikthimi i Procesit të Berlinit: Fitorja e vlerave evropiane 

Kur Serbia po thellonte projektin e Minishengenit me Ballkanin e Hapur dhe po forconte dhe zgjeronte lidhjet me Rusinë e Kinën, Kosova refuzoi të bëhej pjesë e një platforme që nuk bazohej në vlerat evropiane dhe që përjashtonte Kosovën si të barabartë. Në vend të kësaj, Kosova kërkoi rikthimin e Procesit të Berlinit si platforma e vetme legjitime për bashkëpunim rajonal.

Pas një pune aktive me Berlinin, nën udhëheqjen e kancelarit Olaf Scholz, Procesi i Berlinit u riaktivizua me intensitet të ri dhe Kosova u bë një nga mbrojtësit dhe shtytësit më aktivë të këtij procesi. Si rezultat, në vitin 2022 u nënshkruan tri marrëveshje për lëvizjen e lirë me letërnjoftim, njohjen reciproke të diplomave dhe njohjen e kualifikimeve profesionale. Në vitet 2023 dhe 2024 u shtuan edhe dy marrëveshje të reja, ajo për profesionet dhe për qasje në studime duke e çuar në pesë numrin e marrëveshjeve brenda tre vjetëve.

Sot, Ballkani i Hapur është i mbyllur, i shndërruar në një panair të verës në Beograd, ndërsa Procesi i Berlinit është bërë platforma kryesore për bashkëpunim rajonal dhe mekanizmi kryesor për afrimin e rajonit me BE-në. Gjuha e dokumenteve rajonale është përmirësuar. Formulimet dhe termat që kishin për qëllim mohimin e shtetësisë së Kosovës janë larguar. Kjo mund të duket semantike, por në diplomaci fjalët formësojnë pushtetin. Me ditë dhe javë të tëra shpenzoheshin për të ardhur deri te një deklaratë e përbashkët, kryesisht për shkak të insistimit të Serbisë në gjuhë që mohonte shtetësinë e Kosovës. Me një politikë aktive rajonale, Kosova ia doli jo vetëm të jetë pjesëmarrëse, por të respektohet dhe të udhëheqë.

Ruajtja dhe promovimi i vlerave evropiane në një rajon me tendenca autoritare

Në një rajon ku Serbia po mban lidhje të ngushta me Moskën, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ua hap tregun investimeve kineze, Kosova ka pozicion të qartë në mbrojtjen dhe promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe rreshtimin me BE-në dhe SHBA-në. Sigurisht, rreshtimi ndaj aleancës transatlantike ka qenë çdoherë i theksuar nga Kosova, por ajo që ka munguar është që këtë orientim ta shtyjë si politikë rajonale. Kjo është e rëndësishme pasi vendi ynë është i rrethuar nga shtete që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe nëse Kosova nuk do të kishte një rol aktiv, politika rajonale do të dominohej nga Serbia, e cila, duke qenë e lidhur ngushtë me Moskën dhe Pekinin, punon hapur që të frenojë edhe anëtarësimin në NATO dhe në BE të të gjithë rajonit. Në këtë drejtim, insistimi i kryeministrit Kurti në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave evropiane nuk ishte më thjesht politikë e jashtme, por akt i rezistencës gjeopolitike për të mbrojtur kredibilitetin e BE-së në rajon dhe përfundimisht për të mbrojtur rajonin nga ndikimi rus.

Arritjet në CEFTA, ringjallja e Procesit të Berlinit, promovimi i Tregut të Përbashkët Rajonal dhe kontributi ynë në agjendën rajonale kanë dëshmuar se Kosova nuk po lufton për veten e saj, por po lufton dhe mbron vlerat evropiane në rajon, duke siguruar që as Kina e as Rusia të mos mund ta përdorin Ballkanin Perëndimor si sferë të tyre të ndikimit dhe as të frenojnë integrimin e rajonit në NATO dhe BE.

Londra 2025: Një moment mundësie

Këtë vjeshtë, Samiti i Procesit të Berlinit do të kthehet në Londër pas shtatë vjetësh. Samiti në Londër vjen në një moment tensionesh të reja gjeopolitike dhe nevojës urgjente për zgjerim të BE-së. Për Mbretërinë e Bashkuar, ky është më shumë se një aktivitet ceremonial. Është një mundësi për të rikthyer ndikimin e saj në Evropë, veçanërisht në një rajon që është njëkohësisht i brishtë, por dhe vendimtar për sigurinë e Evropës. Londra mund të ndihmojë në konkretizimin e arritjeve të katër vjetëve të fundit, duke shtyrë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe duke promovuar angazhime të reja që nxisin pajtimin dhe rrisin sigurinë.

Autori është këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti