Të gjithë ata që u gëzohen ditëve të zeza të LDK-së duhet të kenë parasysh që LDK-ja edhe në humbjen e saj është standard i paarritshëm demokratik për habitatin tonë politik. LDK-ja është e vetmja parti në skenën tonë politike e cila nuk është pronë e një personi dhe e vetmja parti ku një i ri i talentuar mund të hyjë dhe me meritë personale të arrijë majat e një partie. Këtë standard ende nuk ka arritur të përmbushë asnjë parti tjetër në Kosovë
Ky ishte momenti i vetëm kur presidenti Kennedy kishte qarë. Ishte mëngjesi i hershëm i ditës së mërkurë, 19 prill 1961. Kennedy sapo kishte kuptuar që pushtimi i Kubës kishte dështuar. Fiasko në Kubë mori mbi 100 viktima dhe mbi 1000 të zënë. Kjo ishte pika më e ulët e karrierës së tij politike. Dështimi në Kubë vuri në pikëpyetje kredibilitetin ndërkombëtar dhe kompetencën ushtarake të SHBA-së. Kennedy u sulmua nga të gjitha anë. Konservatorët e sulmuan Kennedyn duke e akuzuar për dobësi dhe pavendosmëri. Liberalët e akuzuan për imperializëm dhe shkelje të rendit ndërkombëtar. Ndërsa mediat iu bashkuan kësaj kryqëzate duke rrënuar kështu imazhin e presidencës së re, optimiste dhe idealiste të Kennedyt. Thënë ndryshe Kennedy ishte braktisur nga të gjithë.
Dyzetetetë orë pas fiaskos në Kuba, Kennedy do të mbajë konferencën ikonike për media në auditoriumin e Departamentit të Shtetit. Kur u pyet për përgjegjësi lidhur me dështimin në Kuba, Kennedy tha: “Ekziston një shprehje e vjetër: Suksesi ka njëqind prindër, por humbja është jetime... Unë mbaj përgjegjësi për këtë dështim".
Por pas kësaj konference për media diçka e çuditshme ndodhi. Disponimi publik u kthye në favor të Kennedyt. Ky momentum “jetimi” i Kennedyt dhe marrja e përgjegjësisë riktheu besimin e publikut te Kennedy. Pak ditë pas mbajtjes së konferencës për media mbështetja qytetare për Kennedyn arriti rekordin e saj prej 83%.
Isha duke menduar për këtë episod të jetës së Kennedyt deri sa isha duke shikuar sulmet ndaj Lumir Abdixhikut këto ditë. Nën udhëheqjen e tij LDK-ja pësoi fiasko në zgjedhjet e fundit. Abdixhiku u sulmua nga të gjitha anët. Edhe nga ata që mendonin se LDK-ja ka qenë shumë e afërt me VV-në, edhe nga ata që mendonin se LDK-ja ka qenë shumë e afërt me PDK-në. Edhe media iu bashkua kësaj kryqëzate. Nga partia e vet askush nuk doli ta mbrojë. Abdixhiku ishte i vetmuar. Thënë ndryshe Abdixhiku ishte në këpucët e Kennedyt. Por ndryshe nga Kennedy, Abdixhiku nuk mori përgjegjësi për humbjen e LDK-së. Mbrëmjen e 28 dhjetorit ai doli në konferencë për media që zgjati 5 minuta dhe shkroi një status në Facebook prej 268 fjalëve, por askund nuk tha asnjë fjalë për përgjegjësinë e tij për humbjen e LDK-së, ndonëse premtoi se me “kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha”.
Është dashur të presim edhe katërmbëdhjetë ditë të tjera që Abdixhiku të ketë një qëndrim - çfarëdo qëndrimi, por së paku të ketë një qëndrim. Pas katërmbëdhjetë ditëve Abdixhiku zhvilloi një takim “joformal, konsultativ me nënkryetarët e LDK-së” dhe mbajti një konferencë për media që zgjati 7 minuta dhe shkroi një status në Facebook prej 346 fjalëve, por prapë asnjë fjalë për përgjegjësinë e tij për humbjen e LDK-së. Maksimumi që Abdixhiku arriti të bëjë është premtimi se do t’ia “ofroj dorëheqjen time anëtarësisë së LDK-së, përkatësisht Kuvendit tonë”. Pra, pas gjithë kësaj kohe Abdixhiku as nuk mori përgjegjësi për rezultatin zgjedhor, por as nuk mori guximin që të japë dorëheqje nga LDK-ja. Mungesën e lidershipit personal Abdixhiku e kamufloi me fizkulturat dhe burokracitë e LDK-së.
Por është kurioze se si kjo nuk i erdhi befasi askujt. Siç duket çdokush ka pritur pikërisht këtë lloj sjelljeje “lul bashiane” nga Abdixhiku. Thënë ndryshe ai që nuk tregoi lidership në pesë vjetët e fundit të LDK-së, patjetër se nuk do të tregojë lidership as në aktin më moral politik – atë të dorëheqjes.
Dhe kështu arrijmë te problemi kryesor i Abdixhikut. Thonë se më mirë sesa të dish për çfarë je në këtë jetë është të dish për çfarë nuk je. Lumir Abdixhiku është për çdo gjë në këtë jetë, përveç të qenit lider. Të jesh lider është shkathtësi të cilën ose e ke, ose nuk e ke. Nuk është diçka që mësohet. Abdixhiku nuk ka qenë kurrë lider. As nuk do të jetë. Nuk dua të keqkuptohem - Abdixhiku është politikan i shkëlqyer dhe aset i vendit tonë që do t’i bëjë nder institucioneve tona në të gjitha pozitat e mundshme institucionale, përveç atyre që kërkojnë lidership. Thënë ndryshe Abdixhiku është person i duhur, në vendin e gabuar. Së fundmi këtë na dëshmoi edhe në paaftësinë e tij që të pranojë përgjegjësinë për fiaskon e 28 dhjetorit.
Por të gjithë ata që u gëzohen ditëve të zeza të LDK-së duhet të kenë parasysh që LDK-ja edhe në humbjen e saj më të rëndë është standard i paarritshëm demokratik për habitatin tonë politik. LDK-ja është e vetmja parti në skenën tonë politike e cila nuk është pronë e një personi dhe e vetmja parti ku një i ri i talentuar mund të hyjë dhe me meritë personale të arrijë majat e një partie. Këtë standard ende nuk ka arritur ta përmbushë asnjë parti tjetër në Kosovë.
Siç besoj e bëra të qartë në këto rreshta, patjetër se nuk mendoj që Abdixhiku duhet të vazhdojë si kryetar i LDK-së për të mirën e tij dhe të partisë, por LDK-ja duhet të kuptojë se fiasko e saj nuk është përgjegjësi vetëm e Abdixhikut, ashtu siç edhe disa media dëshirojnë të portretizojnë. Siç ka shkruar së fundmi bukur edhe Elmazi, fiasko e LDK-së nuk është rrëfim i historive individuale, por pasojë e qëndrimeve të gabuara politike. Nga aksionet në veri, masat e BE-së dhe ligji për produktet bazë, e deri te buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare dhe reformat në drejtësi LDK-ja ka marrë pozicionet e gabuara politike. Thënë ndryshe, duke shikuar përpara LDK-ja nuk duhet të ketë vetëm prioritet zgjedhjen e një kryetari të ri, por dhe rikalibrimin e pozicioneve të veta politike. Nëse një mësim duhet nxjerrë LDK-ja nga rezultati i 28 dhjetorit ai është se ajo çfarë qytetari pret nga LDK-ja nuk është luftë revanshuese dhe miopike ndaj Kurtit, por opozitarizëm progresiv dhe frymëzues për qytetarin.