OpEd

Mësime të rëndësishme nga trazirat në Washington

Amerika u turpërua, u sulmua, por nuk humbi. Në pushtet në fund to të jetë ai që i mori shumicën e votave. Por këto ngjarje do të kenë edhe efekt pozitiv. Amerika do ta çmojë edhe më shumë demokracinë, dhe në vende të tjera të botës do të luftojë edhe më shumë kundër dezinformatave dhe manipulimit të masave. Do të promovojë forcat demokratike e jo njerëzit e korruptuar, vetëm pse e ka më lehtë të bashkëpunojë me ta

Nxitësit e trazirave kanë shpesh një karakter të përbashkët. Janë qyqarë, frikacakë. Presidenti Donald Trump, i biri i tij, po ashtu, si dhe avokati i tij, Rudi Guliani, nxitën në mënyrë direkte turmat që të sulmonin Kongresin Amerikan. Por ata nuk ishin në krye të këtyre sulmeve. Nuk ishin fare me turmat që i nxitën. Dhe, kur dikush ua sqaroi se mund të jenë përgjegjës edhe penalisht, edhe për gjakderdhje dhe vrasje, e jo vetëm për sulme ndaj demokracisë, ata nisën të distancohen. Thirrjet e tyre për “paqe” dhe “tërheqje” ishin më shumë përgatitje e dosjes për mbrojtje para gjyqit sesa dëshira për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

Për fat të keq 5 jetë të njerëzve, kryesisht të rinj, janë humbur në këto trazira. Ato janë të pakthyeshme. Daja i viktimës së parë, një vajzë 35 vjeçe, kështu i shpjegonte arsyet pse mbesa e tij kishte vendosur të merrte pjesë në ato trazira; “Ajo e donte aq shumë presidentin, saqë donte të siguronte që ai të mbetej në pushtet. Ajo besonte se në këtë mënyrë do të siguronte që Trumpi të mbetej president”. Shumë tragjike.

Por zhvillimet në Washington shërbejnë edhe për të nxjerrë shumë mësime. Asgjë nuk mund të merret si e garantuar përgjithmonë. As demokracia amerikane. As ndarja e pushteteve. As liria e votës e as barazia. Na rikujtoi edhe një herë se sa lehtë është që të manipulohet masa. Sa lehtë është që t’i bindësh njerëzit të besojnë gjëra të pabesueshme dhe të pavërteta. Ashtu siç i kishte bindur Hitleri shumicën e gjermanëve se prapa secilës të keqe në botë qëndrojë hebrenjtë. Me çfarë teorish të konspiracionit ua kishte mbushur kokën Trumpi miliona ithtarëve të tij në Amerikë, saqë të besojnë se “liria e tyre është e rrezikuar”, se “Bideni është komunist”, dhe se prapa rrëzimit të Trumpit qëndrojnë “forcat e errëta sataniste, pedofilë, të kuq etj.”.

Se Trumpi nuk është serioz ka qenë e ditur moti. Për katër vjet disi edhe Amerika, edhe bota e mbijetoi disi mandatin e tij. Madje edhe Kosova, pak a shumë, kaloi pa pasoja të mëdha. Por ai për katër vjet arriti të shkatërrojë gjithçka për çfarë Amerika ishte e njohur në botë. Më së miri efektin e katër vjetëve të Trumpit, kulminacioni i të cilit ndoshta edhe u desh të ishin trazirat në Uashington, e ka sqaruar ish-ministri i Mbrojtjes, Cohen.

Ai tha se presidenti i Rusisë, Putin, si dhe kundërshtarët e tjerë të Amerikës nuk kanë mundur të mendojnë skenar më të mirë. Rikujtoj sesi Trumpi e dëmtoi shumë NATO-n, dëmtoi raportet me BE-në, vuri në dyshim edhe funksionimin e demokracisë amerikane, ku e shenjtë është vota e lirë.

NATO-ja pa udhëheqjen amerikane është sikur një tigër prej letre. Nuk u vërejt këta katër vjet. Dhe angazhimi amerikan nëpër botë, me filozofinë “Amerika së pari”, la hapësirë të zbrazët për ta mbushur të tjerët. Roli amerikan në botë asnjëherë nuk ishte aq i zbehtë sa në periudhën e Trumpit. Amerika nuk ishte faktor i rëndësishëm për asgjë. Trumpi vetëm tërhiqte amerikanë nga nismat e përbashkëta me aleatë.

Amerika u turpërua, u sulmua, por nuk humbi. Në pushtet në fund do të jetë ai që i mori shumicën e votave. Por këto ngjarje do të kenë edhe efekt pozitiv. Amerika do ta çmojë edhe më shumë demokracinë, dhe në vende të tjera të botës do të luftojë edhe më shumë kundër dezinformatave dhe manipulimit të masave. Do të promovojë forcat demokratike e jo njerëzit e korruptuar vetëm pse e ka më lehtë të bashkëpunojë me ta.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, nuk do ta ketë të lehtë që t’i pajtojë amerikanët. Sepse fara e urrejtjes dhe e ndasive është mbjellë shumë thellë. Suksesi i tij do të varet edhe nga kthimi i arsyes në radhët e republikanëve. Sepse ata janë në test të madh dhe në një masë edhe bashkëpërgjegjës për fenomenin Trump. Ndoshta trazirat në Washington, duke mos harruar pasojat me humbjen e 5 jetëve, do t’ua lehtësojnë republikanëve që të lënë anash interesat e ngushta personale dhe partiake e të punojnë në interes të Amerikës dhe botës. Sepse pa një Amerikë të fortë, normale, demokratike, e tërë bota e lirë është në rrezik. Përkundër angazhimit të madh që duhet ta ketë në shtëpi, administrata e Bidenit duhet të punojë për ta kthyer ndikimin pozitiv amerikan edhe nëpër botë. Edhe neve në Kosovë na duhet një Amerikë si shembull.

Trumpi mund t’ua ketë lakmi diktatorëve të vërtetë. Ai nuk arriri të bëhej i tillë. Sepse, në fund të fundit, amerikanët nuk ia lejuan. Por Trumpa të tjerë ka shumë nëpër botë, dhe ata nuk janë në shoqëritë e zhvilluara, të cilat do të kenë forcën t’i ndalin. Në vende autoritare njerëzit si Trumpi nuk i humbin asnjëherë zgjedhjet. Prandaj, përkundër shumë krahasimeve që bëhen tani pas ngjarjeve tragjike në Capitol, demokracia amerikane, sado e lënduar dhe e turpëruar, është ende gjallë.