Po dreqi e marrtë, më 1990 kemi jetuar në gjendje të jashtëzakonshme që na e imponoi dikush që na urrente. Qysh bëhet që 35 vjet më vonë, ata që thonë se na duan, të na e imponojnë gjendjen e jashtëzakonshme, veç pse lufta për pushtet është më e rëndësishme se ne, populli humbës, që ka mbetur pa gojë e edhe pa veprim
Kah e mërkura do ta kuptojmë nëse zgjedhjet e javës së kaluar ishin vetëm pjesa e dytë e zgjedhjeve që mund ta marrë epilogun me edhe pjesën e tretë të zgjedhjeve të reja parlamentare para fundi të vitit.
Komunalet përfunduan sa i përket votimit, por jo edhe numërimit dhe certifikimit të rezultateve. Na është bërë zakon që pa na dalë diçka rrugës, në cilat do zgjedhje që mbahen, nuk e lë. Kësaj radhe ishin “gabimet teknike” të fletëvotimeve. U bë bujë e madhe sepse fletët kishin ose nuk kishin numra serikë dhe se u gjendën në Mitrovicë: në komunën e cila kësaj radhe mori epitetin e Jerusalemit (ani pse kjo nuk u tha shprehimisht kështu). Krejt lufta për vota duket se u reduktua te kjo komunë, që s’e kam fort të qartë se për çfarë arsye u bë shumë më e rëndësishme se Prishtina për Lëvizjen Vetëvendosje.
Sidoqoftë, doli më pas se këso fletëvotimesh kishte pasur thuajse në të gjithë Kosovën dhe se numri i tyre kishte qenë, megjithatë shpërfillës, krahasuar me numrin e përgjithshëm të votave të përgatitura për balotazh.
Kompania sllovene që tradicionalisht merret me këtë detyrë tha se problemi kishte qenë te printeri (vini re, deri vonë, ato shtypeshin me makina shtypshkronjash, kurse tash kanë kaluar në makina më të shpejta, shtypës, mbase pak më të sofistikuar), dhe se kjo nuk do të duhej të ndikonte në rezultatin final.
Sido që të jetë, PZAP-ja e refuzoi kërkesën e PDK-së që votimi të përsëritej. Tash i mbetet Supremes që të merret me këtë punë, ndërkohë që thuajse gjysma e votave nga diaspora nuk janë marrë fare parasysh, thuhet për shkak të dokumentacionit të parregullt.
* * *
Shpallja e rezultateve do të duhej të përfundonte shpejt, e me të edhe certifikimi i tyre. E kjo do të duhej të shpinte drejt betimit të kuvendeve të reja komunale dhe të kryetarëve të komunave.
Eh tash, këtu do të mund të shfaqej problemi sidomos në 10 komunat në të cilat fitimtare doli Lista Serbe. Betimin duhet dhënë para simboleve shtetërore të Kosovës si dhe në bazë të neneve 35 (për këshilltarët komunalë) dhe 57 (për kryetarët e komunës) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Neni 57 thotë: “Me rastin e zgjedhjes, kryetari e jep betimin ose deklaratën solemne para anëtarëve të Kuvendit të komunës. Teksti i betimit është si në vijim: “Betohem (ose deklaroj solemnisht) që do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetar i komunës së … me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë.”
Nëse ky betim nuk jepet brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kryetari e humbë mandatin.
Se cilat do të jenë instruksionet që do t’i marrin kryetarët e zgjedhur nga Beogradi mbetet të shihet. Nëse vendosin që t’i injorojnë simbolet e shtetit pjesë e të cilit janë komunat që do t’i udhëheqin, nuk kam shumë dyshime se MAPL-ja do të ndërhyjë për ta certifikuar shkeljen e ligjit, si mbikëqyrëse ligjore e punës së komunave që është.
Nga ana tjetër, nuk kam shumë dyshime se përfaqësuesit ndërkombëtarë do ta kenë vëmendjen e kthyer nga pranim-dorëzimi i detyrave, sidomos në katër komunat e veriut që ende janë nën udhëheqjen e partive shqiptare, pas dorëheqjes se kryetarëve serbë dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme të para dy vjetësh.
Dhe para kokëfortësisë eventuale të politikanëve lokalë serbë që t’i betohen “shtetit të tyre” do të reagojnë me trysni nga MAPL-ja që të lëshojë pe, për hir të “depërshkallëzimit të situatës”. E kjo do të ishte gabim, njësoj si ishte gabim insistimi që policia të tërhiqej nga veriu pas trazirave të përgjakshme që u shkaktuan nga bandat e sojit të Radoiçiqit në maj të 2023-s. Të mos harrojmë se për këtë, ende jemi nën sanksione të BE-së.
Të shohim se si do të rrjedhë edhe kjo copëz telenovele zgjedhore.
* * *
Me t’u kryer balotazhi, krejt e shpallën fitoren: VV-ja se i fitoi edhe tri komuna më shumë; LDK-ja se e mbajti Prishtinën, AAK-ja pse i mbajti komunat “e veta” dhe PDK-ja pse kumulativisht ka mbledhur më së shumti vota në të gjithë Kosovën.
Për LDK-në, pa dyshim se fitorja e Ramës në Prishtinë ishte e madhe. Dhe pavarësisht se thuhej që PDK-ja, AAK-ja e NISMA kishin angazhuar militantët e tyre që t’ia hidhnin votën Ramës dhe se gjatë gjithë fushatës u krijua bindja se VV-ja kishte hequr dorë nga fitorja në Prishtinë për shkak se e zgjodhi një kandidat, i cili linte përshtypje se më shumë do të gëzohej nëse nuk do të fitonte, Rama fitoi me nja 2-3 mijë vota më shumë.
Pra e merr mandatin e dytë, ani pse në mandatin e parë më shumë ka krijuar telashe sesa ka zgjidhur probleme.
Siç e pata shkruar në një kolumne aty nga pranvera e sivjetme, Prishtina ka merituar më mirë. Pa dyshim. Prishtinës, më shumë se kurrë, i është dashur një kryetar që shkel mbi tokë dhe i kupton problemet që i ka qyteti dhe iu gjen zgjidhje. E nëse duhet mbështetur në katër vitet e kaluara, Rama përfundimisht nuk është njeri që i ka tiparet e përshkruara më lart.
Zgjedhjet ku të gjithë fituan e sollën edhe dorëheqjen e parë partiake: Memli Krasniqi u tërhoq nga kryesimi i PDK-së, duke marrë mbi vete edhe përgjegjësinë për humbjen e Drenasit dhe të Mitrovicës. S’do mend se mund të ketë edhe arsye të tjera që do ta kenë shtyrë Krasniqin që të tërhiqej dhe të hapte rrugë për zgjedhjen e një lideri të ri partiak. Ato nuk u bënë publike, por arsyet që mund të jenë probleme, do t’i trashëgojë fituesi i garës mes Bedri Hamzës dhe Enver Hoxhajt (të vetmit që deri tash e kanë shpallë kandidaturën për postin) të hënën.
Krasniqi do të mbahet mend si njeriu që e mori kryesimin e partisë disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 2021-s dhe e mbajti deri para disa ditësh. Gjatë gjithë kohës së krizës së sivjetme politike mbajti qëndrim parimor; nuk e refuzoi bashkëbisedimin me Kurtin; qe i vetmi kryetar që komunikonte me gazetarë pas çdo vazhdimi seance të dështuar të Kuvendit dhe u tërhoq kur e vlerësoi se partisë së tij i duhet një figurë unifikuese, duke treguar se rrymimet brenda partisë nuk janë aq të dobëta sa për t’i injoruar.
VV-ja nga ana tjetër, doli euforike pas fitores së Pecit në Mitrovicë. Festimi ishte sikur i një fitoreje në zgjedhjet e përgjithshme. Mbase shumë më tepër për shkak të simbolikës që e bart kjo fitore: kjo qeveri megjithatë e ka sjellë ndryshimin në veri, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë.
Fitorja e VV-së në Mitrovicë thuajse është porosi se veriu nuk do të lëshohet nga duart, për asnjë motiv, për asnjë shkak a presion. E megjithatë suksesi i qeverisjes së Pecit në Mitrovicë do të varet shumë edhe nga përkrahja financiare që do të marrë nga buxheti qendror.
E shumëçka nga kjo do të varet nëse do të kemi qeveri Konjufca javën që vjen, nëse për asgjë tjetër, atëherë për ta votuar zgjatimin e buxhetit.
* * *
Përfundimisht, është absolutisht i pakuptimtë qëndrimi i partive deri dje opozitare, që nuk do ta votojnë qeverinë, ashtu që të mundësohet themelimi i komisioneve parlamentare, dhe të votohen gjërat më urgjente të cilat mund të shtyhen edhe nga Qeveria në detyrë.
Është e pabesueshme që të gjitha partitë politike, pa përjashtim, më parë do të shkonin në zgjedhje të përgjithshme, sesa që do të uleshin të merreshin vesh bile njëherë në këta pesë vjet, e ta votonin një zgjatim buxheti.
Thuajse nuk janë të vetëdijshëm që mosveprimi i tyre do ta lërë shëndetësinë, arsimin, policinë, FSK-në... dhe administratën publike pa të ardhura personale dhe pa para për të shpenzuar për çfarëdo.
Logjika nuk ma kap se si nuk po duan të kuptojnë që pa para nuk ka barna esenciale (nejse, nuk është që ka barna edhe kur ka para, porse këtu do të mbeteshim pa to, plotësisht), që shkollat do të mund të mbylleshin për punë greve sindikale ashtu si edhe krejt institucionet që ofrojnë shërbime.
Po dreqi e marrtë, më 1990 kemi jetuar në gjendje të jashtëzakonshme që na e imponoi dikush që na urrente. Qysh bëhet që 35 vjet më vonë, ata që thonë se na duan, të na e imponojnë gjendjen e jashtëzakonshme, veç pse lufta për pushtet është më e rëndësishme se ne, populli humbës, që ka mbetur pa gojë e edhe pa veprim.
Përderisa ne lejojmë që një grusht burrash (kryesisht) ta bullizojnë krejt një popull, nuk kemi kë ta fajësojmë pos veten: një, pse marrim pjesë në zgjedhje dhe dy, pse biem në apati, për shkak se krejt skenarët e tyre i dimë hala pa u zbatuar, e nuk bëjmë gjë për t’i ndalur.
Amerikanët e kanë një fjalë për të na përshkruar: losers.
Lluzera pra!