Cilido të jetë vendimi i krerëve të partive politike, le të vijë sa më shpejt. Kosova është shumë, shumë më e rëndësishme sesa cilado sedër e përfaqësuar në Kuvend. Telashet nuk hiqen vetvetiu. Ato thuajse shtohen vetvetiu. Dhe po e bëjnë jetën në Kosovë shumë të rëndë
Një vendim i keq politik, e jo juridik, i miratuar para 11 vjetësh, tash bëhet bazë për zvarritjen e pafund, dëshmitarë të së cilës jemi qe thuajse një muaj.
Aktgjykimi i Kushtetueses që u miratua për ta akomoduar PDK-në në pushtet edhe pas zgjedhjeve të 2014-s, tash ka gjetur hapësirë për t’u keqpërdorur për shkak të zbrazëtirave që i ka lënë pas, dhe mundësisë së shumëllojtë të interpretimit që i bëhet, varësisht nga interesi partiak.
Insistimi disajavor i VV-së se i ka numrat për Qeverinë, numra të cislët nuk përktheheshin, megjithatë, në të mjaftueshëm për ta zgjedhur kryeparlamentaren, doli të mos ishte i vërtetë.
Javën e kaluar, në një letër që më shumë ishte ftesë kundër sesa ftesë për formim të koalicionit qeveritar, dërguar nga kryetari i VV-së te kryetari i LDK-së, e dëshmoi atë që prej fillimit shihej shumë qartë: që VV nuk i ka votat për ta krijuar qeverinë e re, për pasojë, as votat për ta zgjedhur Haxhiun kryeparlamentare.
* * *
Kur kushedi pas sa vazhdimesh seance dikujt iu kujtua ta ndryshonte taktikën, e që të shkohej me votim të fshehtë për ta zgjedhur Haxhiun, u bë edhe më evidente se krejt çka po ndodh këto ditë është humbje, apo fitim kohe, varësisht se nga cili kënd e shikon. Qëllimi: për të ardhur deri te pika në të cilën edhe do të mund të konstituohej Kuvendi, i cili i ka gjasat të jetë më jetëshkurtri që kemi pasur në demokracinë tonë të re parlamentare.
I gjithë kalkulimi po sillet tash rreth dy teorive të mundshme: një, që të llogariten ditët deri nga fundi i korrikut apo fillimi i gushtit që të mbahen zgjedhjet parlamentare, derisa në Kosovë mund të llogaritet në praninë shumë më të madhe të diasporës që potencialisht do të votonte këtu e jo me postë, ose që të afrohet data e zgjedhjeve komunale e që të dy palë zgjedhjet të mbaheshin të njëjtën ditë.
Pra, nëse vendimi është që të shkohej në zgjedhje, më ekonomikja për buxhetin tonë të shkretë është që të njëjtën ditë të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, komunale dhe për kryetarë komunash. Por duke e pasur parasysh që njerëzve që tash i udhëheqin partitë politike dhe që janë të ulur në karriget e Kuvendit ama bash nuk ua bën për asgjë pos për vetveten, shumë lehtë do të mund të na ndodhë që të dalim në zgjedhje dy herë brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Kjo, natyrisht, nëse e kemi vullnetin për të dalë e për të votuar. Për shkak se nuk e kemi asnjë garanci të vetme që cirku që është duke ndodhur tash, nuk do të përsëritej pas disa muajsh.
* * *
Nuk themi asgjë të re po qe se konstatojmë se politika në Kosovë nuk bëhet me program politik, por bëhet me inate dhe me akuza të pafund për tradhti, hajni, mashtrim e çka mos jo.
E nëse ka mbetur një fije dyshimi për saktësinë e konstatimit më lart, dëshmia më e mirë është turpi i cili është duke ndodhur në Kuvendin e Kosovës.
Për më tepër, aq është bërë e bajatshme e gjithë kjo, sa ka nisur t’u ngjasojë sekuencave të para të filmit “Groundhog day” me Bill Murrayn. Për ata që nuk e kanë shikuar filmin, vlen të tregohet që në fillim të filmit, Murray e jeton ditën e njëjtë disa ditë me radhë (ia vlen të shikohet i gjithë filmi, megjithatë).
Ne po e jetojmë ditën e njëjtë mbi një duzinë herësh, duke e përjetuar këtë si një përçmim të jashtëzakonshëm dhe ofendim të inteligjencës individuale të secilit.
Përpjekja këmbëngulëse dhe fort irracionale e VV-së që ta shtyjë përpara kandidaten, “për shkak se Aktgjykimi ia jep partisë fituese të drejtën e propozimit të kryetarit/es të Kuvendit” me argumente absolutiste që nuk durojnë kundërshtim, është bërë tepër e bezdisshme. Dhe do të jenë kryesisht tre deputetë që do të merren me shpjegimin e kësaj: Basha, Murati dhe Gërvalla. Aq shpesh janë duke e përsëritur, sa krijohet përshtypja se kështu po duan ta bindin edhe veten për këtë që po e thonë.
LDK-ja këmbëngulëse për të mbetur në opozitë, po e mban ritmin nëpërmjet shefes së Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, e cila pardje e deponoi kallëzimin penal ndaj deputetëve që ende mbajnë poste ministrore, ani që në dorëheqje. Kjo si pasojë e drejtpërdrejtë e një zbrazëtie kushtetuese dhe një ligji mbase jo mirë të përkufizuar – ani pse i gjithë konflikti nuk e merr parasysh një fakt: se shteti nuk mund të mbetet pa ekzekutiv, qoftë ai edhe në dorëheqje.
AAK-ja komunikon kryesisht nëpërmjet Time Kadrijajt e ndonjëherë edhe vetë Haradinajt, kurse për NISMËN përherë prononcohet Fatmir Limaj. Dhe, për të dy subjektet, lajmi më i keq do të ishte shkruaja në zgjedhje të reja, sidomos nëse në të nuk hyjnë sërish së bashku. Limaj vetëm nuk mund ta kalojë pragun, sikurse as Haradinaj pa Limajn.
I vetmi i cili është duke e mbajtur “frontin” dhe duke e përfaqësuar partinë e tij me maturi dhe me respekt ndaj opinionit është Memli Krasniqi, i PDK-së. Pas një fushate të mirë zgjedhore, ku i lëshoi rrugë Bedri Hamzës si bartës liste, pas zgjedhjeve ka qenë i vetmi kryetar partie që është prononcuar me konsistencë para gazetarëve; i vetmi që pranoi të takohej me Kurtin; i vetmi i cili thotë se duhet ulur për të biseduar dhe gjetur një zgjidhje; i vetmi i cili thotë se mund ta votojnë një kandidat/e tjetër të VV-së, pa caktuar emra, për ta kapërcyer këtë bllokadë.
* * *
Topi është gjithsesi në fushën e VV-së.
Ftesën dërguar Abdixhikut nuk mund ta marrë si arsyetim se ja, VV-ja ofroi zgjidhje, por LDK-ja refuzoi. Për shkak se me ftesën nuk e pati seriozisht. Ashtu qysh në përgjigjen e vet, nuk e pati as Abdixhiku. Krijimi i qeverisë gjithëpërfshirëse deri në zgjedhjen e kryetarit të shtetit është ftesë për zgjedhje të reja, veç disa muaj më vonë. Dhe, fitim, a humbje kohe, varësisht nga cili kënd e shikon.
Nëse VV-ja tashmë e ka prerë mendjen të shkohet në zgjedhjet e reja, le ta caktojë një kandidat/e të re për kryetar/e Kuvendi, për shkak se moskonstituimi i tij më së shumti dëm po na bën neve qytetarëve. Nëse për asgjë tjetër, Kuvendi do të duhej të konstituohej për ta ratifikuar marrëveshjen me BE-në e që të mos na humbin ato 800 e kusur milionë të premtuara.
Deputetët e kanë lehtë, se rrogat i kanë të sigurta. Çfarë t’i bësh popullit që varet nga, kryesisht sektori privat i ekonomisë, i cili nga 1 qershori do të penalizohet me çmime marramendëse të rrymës për kompanitë private me qarkullim mbi 10 milionë euro apo mbi 50 punëtorë. Çmimet astronomike të rrymës pa siguruar më shumë të hyra për këtë sektor, nënkupton largimin e punëtorëve nga puna, për shkak se firmat nuk do të kenë para për t’i paguar. Edhe ashtu tash e kanë shumë vështirë t’i përmbushin obligimet. Pavarësisht që qeveria krekoset me rritjen ekonomike.
Ajo, në praktikë, është e padukshme.
Dhe deputetët do të vazhdojnë ta kenë lehtë, sepse pavarësisht faktit se Kuvendi do të mund të shpërndahej brenda një kohe shumë të shkurtër, ata do të vazhdonin të paguheshin. Për ta krejt njësoj.
Numrat tregojnë se një qeveri stabile që mund ta çojë mandatin deri në fund, mund ta krijojnë VV-PDK-komunitetet, pa Listën Serbe. Ky koalicion mbase utopik, mund ta bëjë edhe zgjedhjen e kryetarit/es të shtetit pa asnjë telashe.
Numrat gjithashtu tregojnë se një qeveri PDK-LDK-AAK/NISMA plus komunitetet pa Listën Serbe, mund t’i sigurojë 62 vota. Pa komunitetet, e vetmja mundësi mbetet futja eventuale e Listës Serbe në koalicion qeverisës. Në këto kushte, dhe më 2025, ky opsion do të ishte vetëvrasje politike për partitë shqiptare sidomos.
Numrat na tregojnë se zgjedhjet janë të pashmangshme. Edhe nëse do të ndodhte ndonjë magji në javët që vijnë, e të krijohej qeveria, gjasat janë shumë të mëdha se zgjedhjet do të ndodhnin në pranverën e ardhshme.
* * *
Cilido të jetë vendimi i krerëve të partive politike, le të vijë sa më shpejt.
Kosova është shumë, shumë më e rëndësishme sesa cilado sedër e përfaqësuar në Kuvend. Telashet nuk hiqen vetvetiu. Ato thuajse shtohen vetvetiu.
Dhe po e bëjnë jetën në Kosovë shumë të rëndë.