OpEd

Kosovarët duan liberalizim vizash, sepse u ngopën me “lajme të mira”

Nga fundi i javës pritet që Komisioni Evropian të japë më në fund vlerësimin se Kosova e ka përmbushur edhe kushtin e fundit për liberalizim vizash. Kjo me siguri do të pasohet me deklarata patetike të politikanëve kosovarë si një “sukses i madh” dhe si “lajm i mirë”, por në praktikë nuk do të thotë asgjë. Tash ka pak rëndësi a del këtë javë apo në shtator ky vlerësim, sepse procesi u vonua edhe për gjashtë maj të tjerë. Kosovarët janë ngopur tash e tetë vjet duke dëgjuar “lajme të mira”, por vizat nuk janë hequr e as që do të hiqen shpejt pas këtij “lajmi të mirë”. Sepse në BE nuk ekziston vullneti i sinqertë që të hiqen vizat e politikanët e Kosovës e dinë këtë, por manipulojnë. Ata për vete dhe familjarët e tyre i sigurojnë vizat, ose sigurojnë pasaporta të Shqipërisë

Si gjithçka në proceset e Bashkimit Evropian, ashtu edhe ai i liberalizimit të vizave dëshmon se sa më shumë që vonoheni në proces aq më të vështirë e keni për ta përmbyllur atë. Kjo është parë në procesin e zgjerimit. Kroacia e kishte shumë më të vështirë të bëhej anëtare sesa shtetet që u anëtarësuan para saj. Shtetet e tjera të rajonit po e kanë tash edhe më të vështirë sesa që e kishte Kroacia.

Kështu, edhe në procesin e liberalizimit të vizave Kosova po e ndien në lëkurën e qytetarëve të saj se, për shkak të vonesave, heqja e vizave është bërë edhe më e vështirë. Politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës tash e sa vjet premtojnë se vizat do të hiqen “deri në fund të këtij viti”. Dhe vitet po kalojnë e vizat nuk janë hequr.

Për të mos i lënë vetëm në deklarimet e tyre manipuluese politikanët e Kosovës, po përkujdesen edhe disa zyrtarë të BE-së, kryesisht ata të cilët edhe nuk e kanë fuqinë e marrjes së vendimeve, duke premtuar se “vizat hiqen së shpejti” ose se “Kosova po ecën hapat e fundit në këtë proces”, ose se “Së shpejti do të ketë lajme të mira për kosovarët”.

Nga fundi i javës pritet që Komisioni Evropian të japë më në fund vlerësimin se Kosova e ka përmbushur edhe kushtin e fundit për liberalizim vizash. Kjo me siguri do të pasohet me deklarata patetike të politikanëve kosovarë si një “sukses i madh” dhe si “lajm i mirë”, por në praktikë nuk do të thotë asgjë.

Tash ka pak rëndësi a del këtë javë apo në shtator ky vlerësim, sepse procesi u vonua edhe për gjashtë maj të tjerë. Kosovarët janë ngopur tash e tetë vjet duke dëgjuar “lajme të mira”, por vizat nuk janë hequr e as që do të hiqen shpejt pas këtij “lajmi të mirë”. Sepse në BE nuk ekziston vullneti i sinqertë që të hiqen vizat e politikanët e Kosovës e dinë këtë, por manipulojnë. Ata për vete dhe familjarët e tyre i sigurojnë vizat ose sigurojnë pasaporta të Shqipërisë.

Kosovarët tashmë janë ngopur me “lajme të mira” në proces dhe duan liberalizim vizash e jo vetëm “lajme të mira”. Sa për rikujtim Komisioni Evropian qëllimisht e ka vonuar dhënien e vlerësimit të vet për liberalizim vizash.

Qytetarët duhet me kujdes të bëjnë dallimin mes “vlerësimit për përmbushjen e kushtit” dhe “vendimit për liberalizim vizash”, sepse këtë javë do të ndodhë vetëm vlerësimi, si hap drejt liberalizimit e jo liberalizimi.

Pritej që sapo Kosova ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Komisioni të konfirmojë përmbushjen e kushteve dhe procedura në Parlamentin Evropian dhe në Këshill të fillonte. Sipas këtyre pritjeve, pra, nëse kjo do të kishte ndodhur në pranverë, atëherë do të ishte reale heqja e vizave deri në fund të këtij viti.

Por Komisioni, duke luajtur lojën e pasinqertë të disa shteteve anëtare, qëllimisht vonoi. Së pari vendosi kinse të dërgojë një “ekip teknik” në Kosovë. Pastaj të bënte raportin.

Kur e pamë se me këtë ide do të ngadalësohet qëllimisht procesi, na thanë se “kjo është vetëm teknike dhe kryhet shpejt”. Pastaj nuk deshën të dilnin me vlerësim para Raportit të Progresit. Pastaj nuk donin të dilnin para zhvillimit të Samitit të Sofjes për Ballkanin. Pastaj nuk donin para takimit të ministrave të brendshëm të BE-së.

E vërteta është se Komisioni qëllimisht nuk donte të dilte me vlerësim para datës 10 korrik për të evituar që në Komisionin e Parlamentit Evropian të votohej dhënia e mandatit për negociata me Këshillin. Prandaj, pikërisht për shkak të mungesës së vlerësimit nga Komisioni Evropian, nga rendi i ditës u hoq tema e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Dhe në vend që të shprehin zhgënjim për këtë, politikanët e Kosovës paralajmëruan se “do të ketë lajme të mira për vizat javën që vjen”. Tash, kur nuk ka më mundësi të votohet në Parlamentin Evropian deri nga mesi i shtatorit, është krejt e parëndësishme a del raporti i Komisionit këtë javë apo pas dy apo katër javësh. Dhe kur të dalë raporti i Komisionit Evropian, do të jetë ai vetëm një hap në një rrugë e cila do të vazhdojë të jetë e gjatë për Kosovën.

Përderisa të mos krijohet vullneti politik tek shtetet kryesore të BE-së, e pse të mos i përmendim sidomos Francën, Holandën, Belgjikën dhe Danimarkën, nuk do të mundet askush të parashikojë se kur do të hiqen vërtet vizat. Por sa më shumë që do të zgjasë procesi, sa më shumë që të ketë vonesa, aq më shumë do të ketë mundësi për të plasuar “lajme të mira”.

Shpesh në BE nuk mund të parashihet me saktësi se kur do të ndodhë diçka, por mund të parashihet se kur nuk do të ndodhë, dhe me siguri të madhe mund të parashihet se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë këtë vit. A do të ndodhë dhe kur do të ndodhë, vitin që vjen është një pikëpyetje e madhe. Nuk janë krejt fajet tek Kosova.

Është e vërtetë se diplomatët e disa shteteve anëtare nuk u besojnë as vlerësimeve të Komisionit Evropian, por thonë se nga zyrat e tyre diplomatike në Kosovë u vijnë raporte se “kriminelët janë të lirë e jo në burgje” dhe se “organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë nuk janë të sinqerta në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Dhe këtë mund ta përdorin për të vonuar edhe më shumë liberalizimin e vizave.

Por nuk janë qytetarët ata të cilët janë përgjegjës për politizimin e Prokurorisë dhe të gjykatave. Qytetarët e jo kriminelët e politikanët do ta paguajnë dhe janë duke e paguar tashmë çmimin. Procedura për të kërkuar vizë në Prishtinë zgjat shumë dhe kushton më shumë sesa një biletë avioni për një shtet të BE-së. Por e vërteta është se edhe disa shtete të BE-së po i dënojnë qytetarët e Kosovës për arsye se ata që tashmë kanë liberalizim vizash, sidomos nga Shqipëria, Gjeorgjia, Ukraina apo Serbia, masivisht po e keqpërdorin.

Një diplomat i BE-së para disa ditësh tha se “sikur të kishim mundësi më parë do të rivendosnim regjimin e vizave për Shqipërinë dhe Serbinë sesa t’i hiqnim për Kosovën”.

Për Shqipërinë, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve, ndërsa për Serbisë për shkak se ai shtet po i heq vizat për shtetas të Iranit dhe disa shteteve tjera të treta, e ata pastaj nga Serbia po hyjnë në BE. Por e dinë se është më lehtë t’i mbajnë kosovarët të izoluar sesa të rikthejnë regjimin e vizave për disa shtete, të cilat tashmë kanë harruar se kur ka ndodhur liberalizimi.

Ndërkohë le të kënaqen gjatë verës qytetarët e Kosovës me lajme të mira” dhe të presin ditën kur vërtet lajm i mirë do të thotë se janë hequr vizat edhe për ta.