OpEd

Kosova duhet ta hajë atë që është gatuar në dialog deri tash

Në dialog dhe rreth tij, Kosova ka bërë shumë gabime dhe dëme. Ato më nuk mund të zhbëhen. Qeveria e re nuk mund t’i anulojë obligimet që në emër të Kosovës i kanë bërë paraardhësit. Krejt çka mund të bëjë është të evitojë gabimet e reja dhe marrjen e obligimeve të reja. Opozita, sidomos PDK-ja, që më së shumti mban përgjegjësinë për qëndrimet e Kosovës në dialog, nuk mund të sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë në 10 vjetët e shkuar

Për opozitën në Kosovë duket se dialogu me Serbinë do të jetë tema ku e presin më së shumti qeverinë për ta goditur. Duket në shikim të parë një pozitë mjaft e mirë për opozitën. Një situatë ku çfarëdo të bëjë qeveria, do t’i japë argumente opozitës për kritika. Është një “win-win”, situatë për opozitën. Nëse qeveria pranon të zbatojë gjithçka që në emër të Kosovës qeveritë e mëparshme kanë pranuar, do të akuzohet se po e “shet Kosovën”, se “nuk po i mbron interesat e Kosovës” etj. Por nëse qeveria qëndron e fortë, refuzon të zbatojë marrëveshjet dhe obligimet e dëmshme për Kosovën, do të akuzohet se “po na prish me miqtë tanë ndërkombëtarë”. Kjo qeveri, pa bërë ende asnjë hap formal rreth dialogut, tashmë ka pasur shumë kritika. Mund të paramendojmë se çfarë do të ndodhë kur dialogu të rifillojë, apo rifilloi, apo vazhdojë në Bruksel.

Në dialog dhe rreth tij Kosova ka bërë shumë gabime dhe dëme. Ato më nuk mund të zhbëhen. Qeveria e re nuk mund t’i anulojë obligimet që në emër të Kosovës i kanë bërë paraardhësit. Krejt çka mund të bëjë është të evitojë gabimet e reja dhe marrjen e obligimeve të reja. Opozita, sidomos PDK-ja që më së shumti mban përgjegjësinë për qëndrimet e Kosovës në dialog, nuk mund të sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë në 10 vjetët e shkuar.

Qasja e deritashme e kryeministrit Kurti rreth dialogut ka qenë e duhur. Ka bërë mirë që nuk ka pranuar të paraqitet në takimin e caktuar nga presidenti i Serbisë dhe Përfaqësuesi i lartë Borrell, çka edhe në Bruksel ka dërguar porosinë se Kosova më nuk do të pranojë të trajtohet në atë mënyrë, që Brukseli me Serbinë, dhe sipas nevojave të Serbisë, të caktojë edhe datat e takimeve, edhe kushtet, edhe agjendën.

Pasi Kosova është marrë me vetveten gati një vit, Serbia nuk ka pushuar. Ka përgatitur terrenin, edhe me ndihmën e Brukselit, që në tavolinë sapo të nisë dialogu të fusë çështjet e tjera ku nga Kosova do të priteshin kompromise. Krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe merret si çështje e kryer, nga e cila Kosova nuk do të mund të largohet dhe do të kërkohet tash një rritje e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Në kohën kur Patriarku i ri i kësaj kishe thotë se “kurrë nuk do të ndodhë njohja e Kosovës”, për këtë kishë në Kosovë do të kërkohet një status eksterritorial dhe një mbrojtje e cila do t’i bënte ato jo vetëm si “shtet në shtet”, por si një pjesë e një shteti në një shtet tjetër. Vetë gatishmëria e BE-së që të përmendet edhe mundësia e diskutimit të kësaj teme, dëshmon se dialogu nuk është për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por është për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Kosova duhet të kërkojë që, nëse ekzistojnë shqetësime për sigurinë e këtyre objekteve dhe klerit, kjo të diskutohet në Kosovë, duke përfshirë edhe policinë, edhe KFOR-in e EULEX-in, po jo që të diskutohet për këtë në Bruksel.

Para Kosovës janë sfida të mëdha në dialog. Dhe me këto sfida do të ishte shumë më e lehtë që Kosova të përballet nëse ka unitet të brendshëm.

Ndonëse ekziston vullneti, në anën e tyre për Lëvizjen Vetëvendosje dhe qeverinë e re nuk do të jetë lehtë të sigurojnë mbështetjen e opozitës sa i përket dialogut. E një mbështetje e tillë është elementi kryesor i krijimit të një mbështetjeje gjithëpërfshirëse. Gabojnë edhe në BE kur mendojnë se qeveria, duke i fituar mbi 50 për qind të votave, mbi 60 për qind të votave të shqiptarëve të Kosovës, mund të bëjë çfarë të dojë në dialog. Gabon shumë edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, nëse mendon se Kurti në Kosovë është po aq “i fortë” sa Vuçiqi në Serbi. Fundi i fundit, Kosova ka një skenë dinamike, shpesh ndoshta edhe kaotike, politike, ndërsa Serbia nuk ka. Serbia ka një pushtet i cili nuk sfidohet dhe nuk pritet të sfidohet nga asnjë opozitë serioze, nga media të pavarura dhe nga ndonjë shoqëri civile aktive.

Në anën tjetër, kompromiset me Serbinë nuk do të shihen mirë as nga vetë elektorati i Vetëvendosjes, sepse një pjesë të madhe të imazhit dhe mbështetjes kjo lëvizje e fitoi pikërisht duke kundërshtuar dialogun dhe marrëveshjet në të, në të shumtën e rasteve me të drejtë. Dhe tash presionin do ta ketë edhe nga vetë ky elektorat, por edhe nga opozita.

Opozita e Kosovës duhet të jetë më e përgjegjshme ndaj dialogut. Nuk bën të sillet në stilin; “hajt t’ju shohim tash juve” dhe “ju mbështesim që të mos e hani atë që ne kemi gatuar”. Do të jetë në dëm të Kosovës një sjellje e tillë. Është për t’u përshëndetur gatishmëria e liderit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të biseduar me kryeministrin rreth dialogut. LDK-ja duhet të ndihmojë që të krijohet një balancë mes bashkëpunimit me miqtë e Kosovës (sidomos SHBA-në e Gjermaninë) dhe interesave të Kosovës, qoftë edhe nëse në ndonjë moment vjen deri te mospajtimet edhe me miqtë e Kosovës. Miqtë janë të tillë, sepse ata mund edhe t’i bindë nëse diçka nuk mund të pranosh.

Është për t’u përshëndetur edhe gatishmëria e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për takim me Kurtin rreth dialogut. Kontributi i Haradinajt mund të jetë shumë më i madh në këtë çështje, sesa që është forca e votave që ka marrë kjo parti në zgjedhje. Sepse Haradinaj, pa marrë parasysh kritikat që i dërgohen sidomos nga Brukseli, por edhe nga disa qarqe në Kosovë për kinse “izolim të Kosovës”, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, madje edhe vendimtar, për të parandaluar realizimin e idesë për ndarjen e Kosovës, apo shkëmbimin e territoreve. Është naive të bëhemi tash kinse një ide e tillë nuk ka ekzistuar, sepse ajo ka ekzistuar e me të edhe rreziku.

“I ke votat dhe bëje” është një qasje ndaj qeverisë Kurti edhe nga Brukseli, edhe nga opozita. Por e njëjta opozitë e kritikon qeverinë për atë që tashmë në Kosovë po quhet “arrogance e numrave”.

Nuk ka dyshim se janë bërë shumë gabime në dialog dhe Kosova ka marrë obligime të cilat nuk është dashur t’i ketë marrë. Pa marrë parasysh presionin ndërkombëtar. Ka qenë gabim i rëndë shkëmbimi i letrave me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ku Kosova ka pranuar që të mos dërgojë në veri njësi të FSK-së pa pajtimin paraprak të Komandantit të KFOR-it. Jo që do të kishte mundur të bëjë diçka të madhe FSK-ja atje. Në atë kohë kur u shkëmbyen këto letra, ky formacion pothuajse nuk kishte fare armë. Por vetë ideja ishte që edhe në këtë mënyrë të ndihmohet krijimi i “realitetit në terren”, se veriu “është ndryshe” dhe një ditë ose të ndahet, ose të ketë autonomi.

Se cili ka qenë qëllimi i Serbisë kur kryeministri i atëhershëm i këtij shteti Ivica Daçiq, me Aleksandar Vuçiqin, shkuan në NATO për të kërkuar “garanci” e dëshmojnë më së miri fjalët e tyre: “Çizmja shqiptare të mos shkelë në veri”.

Kosova në asnjë mënyrë nuk është dashur të pranojë që FSK-ja ta ketë pothuajse të pamundur të shkojë në një pjesë të territorit të Kosovës. “Frika e popullatës lokale nga uniformat e FSK-së” ka qenë një kurth në të cilin ka rënë edhe NATO-ja. Por, pa marrë parasysh se sa i dëmshëm ishte ky shkëmbim letrash, që u shndërruan në obligim të Kosovës, NATO tash nuk do të heqë dorë nga kërkesa që kjo marrëveshje të respektohet. Edhe tash, kur kryeministri Kurti ka paralajmëruar se do ta çojë në Gjykatë këtë obligim, nga NATO thonë se “presin që kjo marrëveshje të vazhdojë të respektohet nga Kosova”. Fakti që ato marrëveshje janë të dëmshme për Kosovën, nuk mjaftojnë që Kosova të heqë dorë nga zbatimi i tyre. Fakti që Kosova do të jetë e obliguar t’i zbatojë, nuk i bën ato marrëveshje të mira.

Një shtet serioz, e i tillë duhet të jetë edhe Kosova, nuk mund t’u ikë obligimeve ndërkombëtare vetëm pse është ndërruar qeveria. Por, kur i bëhet presion që të zbatojë obligimet që të tjerët i kanë marrë në emër të Kosovës, qeveria ka po ashtu të drejtë të kërkojë edhe nga BE-ja, edhe nga shtetet mike, që t’i bëjnë presion edhe Serbisë që të angazhohet vërtetë në normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e jo të inkurajohet që të kërkojë ndryshime në rregullimin e brendshëm të Kosovës.