OpEd

Kapërcimi i hendekut kushtetues: Pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të shpallë pranimin e juridiksionit në rastin e bllokadës parlamentare

Besfort Rrecaj

Kosova është aktualisht e zhytur në një krizë të thellë kushtetuese. Që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, më shumë se katërmbëdhjetë përpjekje radhazi për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit kanë dështuar. Secila prej këtyre seancave, të mbajtura në intervale 48-orëshe, ka rezultuar e kotë pasi partia fituese vazhdimisht propozon të njëjtin kandidat, por dështon të sigurojë shumicën e nevojshme për shkak të rezistencës së opozitës. Kjo bllokadë e vazhdueshme ka paralizuar pushtetin legjislativ, duke e lënë Kuvendin të pakonstituuar dhe duke ngrirë formimin e një qeverie të re. Asnjë ligj nuk mund të miratohet, asnjë mbikëqyrje të ushtrohet, dhe asnjë drejtim i ri politik të ndërmerret.

Pyetja që shtrohet, pra, është nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka juridiksion për të ndërhyrë në këtë vakum politik e juridik. Neni 113 i Kushtetutës i jep Gjykatës juridiksion për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit. Por çfarë ndodh nëse nuk ekziston asnjë vendim për t’u shqyrtuar? Po sikur mosveprimi dhe pengesa të bëhen në vetvete një “vendim” efektiv që paralizon procesin demokratik?

Gjykata Kushtetuese ka si autoritetin, ashtu edhe detyrimin për të shpallur se ka juridiksionin në këtë kontekst. Duke u mbështetur në jurisprudencën kushtetuese krahasuese, në parimet e shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike, në doktrinën e mosveprimit dhe neglizhencës, si dhe në jurisprudencën relevante të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dhe të TPNJ-së, bëhet e qartë se Gjykata nuk mund të qëndrojë pasive. Kur normat ligjore heshtin dhe rendi kushtetues është në rrezik, gjyqësori duhet të ndërhyjë—jo për të legjislatuar, por për të mbrojtur demokracinë.

Korniza kushtetuese dhe vakumi aktual ligjor në perspektivë krahasuese

Sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e ligjeve, vendimeve të Kuvendit dhe kërkesave të paraqitura nga të paktën dhjetë deputetë. Këto dispozita presupozojnë ekzistencën e një akti formal legjislativ ose parlamentar.

Megjithatë, kriza aktuale nuk karakterizohet nga një vendim i paligjshëm—por nga një dështim absolut për të vepruar. Kuvendi nuk e ka zgjedhur kryetarin; nuk ka avancuar fare në punimet e tij.
Kjo krijon një boshllëk ligjor, një hendek në kornizën kushtetuese ku teksti nuk ofron udhëzim të qartë se si të trajtohet një bllokadë e qëllimshme dhe e zgjatur politike. Në demokracitë e pjekura, heshtja kushtetuese në momente dështimi sistemik shpesh plotësohet përmes interpretimit gjyqësor të mbështetur në vlera kushtetuese. Mungesa e një vendimi mund të shihet vetë si një ngjarje juridikisht e rëndësishme, veçanërisht kur paraliza institucionale minon rendin kushtetues.

Një interpretim teleologjik i Kushtetutës është i nevojshëm nën dritën e koncepti të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike. Nëse ligji interpretohet ngushtë dhe formalisht, institucionet demokratike mund të bëhen peng i ngërçit politik. Por nëse Kushtetuta lexohet si një dokument i gjallë, atëherë qëllimet e saj të përgjithshme—funksionaliteti, vazhdimësia demokratike dhe ekuilibri institucional—duhet të mbizotërojnë.

Duke parë përtej kufijve, shumë gjykata anembanë botës kanë trajtuar boshllëqe ligjore duke shpallur juridiksion për të ruajtur funksionimin e demokracisë kushtetuese. Në rastin “Lüth”, BVerfGE 7, 198 në Gjermani, Gjykata Kushtetuese gjermane vendosi që të drejtat themelore të zbatohen në mënyrë të tërthortë edhe ndaj aktorëve privatë, duke plotësuar një boshllëk legjislativ dhe duke siguruar zbatueshmërinë e normave kushtetuese. Në një shtet tjetër në Indi në rastin “Kesavananda Bharati kundër Shtetit të Keralës”, 1973, kur u përball me mundësinë e ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti që rrezikonin thelbin demokratik të kushtetutës, Gjykata e Lartë artikuloi Doktrinën e Strukturës Themelore. 

Nëse analizojmë praktikën e gjykatave ndërkombëtare na tërheqin vëmendje dy raste të rëndësishme nga jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dhe ajo e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë. Në rastin Rosneft, C-71/15 në GJED, megjithëse politika e jashtme dhe e sigurisë e BE-së parashikonte kufizime të rishikimit gjyqësor, Gjykata vendosi që aktet me ndikim të drejtpërdrejtë ndaj individëve duhet t’i nënshtrohen mbikëqyrjes ligjore. Ndërsa në rastin “Prokurori kundër Tadić”, 1995, TPNJ, pavarësisht shqetësimeve për legjitimitetin, TPNJ interpretoi Rezolutën themeluese që i jepte juridiksion të gjerë, duke theksuar nevojën për llogaridhënie dhe paqe.

Këto raste tregojnë një gatishmëri të vazhdueshme gjyqësore për të zgjidhur bllokadat duke thirrur vlerat kushtetuese përballë tekstit të ngurtë.

Shteti i së drejtës dhe siguria juridike si bazë e juridiksionit

Shteti i së drejtës dhe siguria juridike janë thelbësore për identitetin kushtetues të Kosovës. Neni 7 sanksionon në mënyrë eksplicite Republikën si shtet i së drejtës. Por një rend juridik funksional nuk përcaktohet vetëm nga ekzistenca e teksteve ligjore; ai kërkon që këto tekste të zbatohen dhe që institucionet të përmbushin funksionet e tyre kushtetuese.

Dështimi për ta zgjedhur kryetarin pas dymbëdhjetë përpjekjesh krijon një vakum të qëndrueshëm juridik, duke e bërë Kuvendin jofunksional dhe duke bllokuar procesin demokratik. Siguria juridike zhduket kur qytetarët nuk mund të parashikojnë se si ose kur institucionet e tyre do të funksionojnë. Votuesit presin që zgjedhjet të sjellin një legjislativ funksional. Mosveprimi i zgjatur e minon këtë kontratë demokratike.

Gjykata Kushtetuese nuk duhet të mbrohet pas kufizimeve formaliste të juridiksionit. Kur aktorët politikë paralizojnë institucionet kushtetuese në mënyrë të qëllimshme apo neglizhuese, gjyqësori ka për detyrë të mbrojë arkitekturën e qeverisjes. Kjo përfshin mbrojtjen e të drejtës së elektoratit për përfaqësim funksional dhe në kohë.

Gjykata duhet ta interpretojë këtë bllokadë në mënyrë funksionale dhe teleologjike. Edhe pse nuk është marrë ndonjë vendim formal, mungesa e veprimit është vetë një ngjarje kushtetuese. Dështimi i përsëritur për ta zgjedhur kryetarin përbën një shkelje të detyrës nga shumica legjislative, sidomos kur partia fituese refuzon të propozojë kandidatë alternativë përkundër refuzimit të qartë dhe të përsëritur.

Këtu është me vend të përmendet doktrina e neglizhencës në të drejtën civile. Neglizhenca lind kur një palë dështon të veprojë me kujdes të arsyeshëm në rrethana ku ka detyrim ta bëjë këtë, dhe kjo shkakton dëm. E aplikuar në të drejtën kushtetuese, kjo mbështet idenë që mosveprimi politik, kur detyrimet institucionale janë të qarta dhe pasojat të parashikueshme, mund të përbëjë një mosveprim kushtetues të rëndësishëm.

Këmbëngulja e partisë fituese për të propozuar të njëjtin kandidat për dymbëdhjetë seanca—pa përshtatur strategjinë apo kërkuar konsensus—mund të interpretohet në mënyrë të arsyeshme si akt politikisht neglizhues. Kjo tregon një mospërfillje të rrezikshme ndaj funksionimit kushtetues dhe pengon vetë qëllimin e zgjedhjeve. Në thelb, ky mosveprim bëhet një vendim konstruktiv që duhet të bjerë në juridiksionin e Gjykatës.

Jurisprudenca krahasuese mbështet gjithashtu këtë qasje. Për shembull, në rastin Doctors for Life në Afrikën e Jugut (CCT 12/05), Gjykata Kushtetuese vendosi që dështimi i Parlamentit për të zhvilluar konsultim publik të mjaftueshëm ishte një shkelje e detyrimeve kushtetuese—edhe pse nuk ishte një “vendim” formal.

Zgjidhjet e mundshme dhe garancitë institucionale

Nëse Gjykata Kushtetuese shpall juridiksionin, ajo mund të marrë masa të përshtatura për të rivendosur rendin kushtetues. Këto mund të përfshijnë:

•    Shpalljen si antikushtetues të dështimit të vazhdueshëm të Kuvendit për ta zgjedhur kryetarin, duke njohur se mosveprimi ka pasoja ligjore;

•    Vendosjen e një afati gjyqësor të detyrueshëm brenda të cilit duhet të zgjidhet kryetari i ri, ose të shpërndahet Kuvendi;

•    Sqarimin e përgjegjësive ligjore të aktorëve politikë, përfshirë nëse propozimet e përsëritura të të njëjtit kandidat përbëjnë abuzim të procedurës ose pengesë ndaj detyrimeve kushtetuese;

•    Rekomandimin e reformave institucionale, si pragje procedurale ose mekanizma zëvendësues për konstituimin e Kuvendit kur mungon konsensusi.

Qëllimi nuk është të uzurpohet prerogativa legjislative, por të detyrohet Kuvendi të përmbushë rolin e tij kushtetues. Duke vepruar kështu, Gjykata do të ruajë ndarjen e pushteteve dhe legjitimitetin demokratik.

Për fund, ngërçi kushtetues aktual në Kosovë nuk mund të trajtohet si politikë e zakonshme. Ai përbën një krizë sistemike që rrezikon shtetin e së drejtës, vonon qeverisjen dhe gërryen besimin publik në institucionet demokratike. Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë.

Heshtja ose mosveprimi i gjyqësorit do të përbënte një formë bashkëfajësie në erozionin kushtetues. Duke shpallur juridiksion— vënë në mungesë të një vendimi formal—Gjykata do të rikonfirmonte funksionin e saj thelbësor si garantuese e demokracisë kushtetuese.

Jurisprudenca krahasuese, doktrina e neglizhencës dhe parimet themelore të shtetit të së drejtës e mbështesin këtë veprim. Demokracia e re e Kosovës nuk mund të përballojë një paralizë të zgjatur kushtetuese. Gjykata duhet tani të kapërcejë hendekun juridik—dhe të rikthejë sistemin në jetë.