OpEd

Ja pse mund të (dështojnë) triumfojnë ftesat e presidentes Vjosa Osmani

Fadil Maloku

 

FTESAT e presidentes së Kosovës drejtuar partive politike për të diskutuar rreth bllokadës parlamentare përveçqë janë një akt obligimi institucional, janë edhe me peshë në kuptimin e qëllimit që mund të arrihet, por që edhe mund të jenë me pritje hipotetike, ngase krejt “konsultimet” varen nga vullneti politik i palëve;

(Analizë sociologjike hipotetike)

Pikat më të DOBËTA të ftesave, sipas një vëzhgimi ad hoc sociologjik që mund ta shtyjë të dështojë presidentja në përpjekjen e saj për të zhbllokuar Parlamentin:

1. Kompetencat kushtetuese të kufizuara: Presidentja mund të thërrasë takime nga më të ndryshmet e të inkurajojë e iniciojë dialog ndërpartiak, sidomos në situatën e tanishme të acarimit, stigmatizimeve e paragjykimeve, por ajo si ndërmjetësuese nuk posedon fuqi ligjore për të detyruar miratimin e ligjeve apo ndryshimin e rendit.

2. Mungesa e pushtetit mbi agjendën parlamentare: Pavarësisht ftesave, vendimi për të hapur seanca, vendosur kuorumin apo nxjerrë çështje për votim mbetet edhe më tej nën kontrollin e kryetarit të Kuvendit dhe grupeve parlamentare. Ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit.

3. Polarizimi politik i thellë ndërmjet “kampeve” politike: Konfrontimi midis “kampit” VV–Guxo- Alternative dhe atij PDK–LDK- AAK- Nisma, që tashmë ka marrë edhe primesat e një rivaliteti identitar, iniciativën institucionale të presidentes mund ta keqinterpretojnë, keqkuptojnë e perceptojnë “sytë” e tyre si mbështetje për njërin apo tjetrin “kamp”. Gjë që do ta minonte e lëndonte si besueshmërinë ashtu edhe qëllimin e ftesave.

4. Mungesa e besimit institucional: Partitë me kokëfortësinë dhe kalkulimet e tyre “jo milimetrike” duket që e kanë humbur besimin në njëra–tjetrën dhe më shumë besojnë te negociatat prapa skenave, sesa te dialogu publik . Së këndejmi, fitohet përshtypja se ftesat e hapura rrallëherë mund të sjellin kompromisin e nevojshëm.

5. Rezistenca ndaj presionit të brendshëm: Liderët politikë dhe “kampet” e tyre shpesh kanë shkallë enorme të ndjeshmërisë ndaj bazës elektorale dhe shumë rrallë marrin guximin që të dalin publikisht para votuesve dhe të pranojnë kushtet e “kompromisit”. Shqetësimi gjithnjë mbetet te dyshimi, se “kompromisi” mund të perceptohet si dobësi e lidershipit.

6. Presioni i pamjaftueshëm ndërkombëtar: Pa sinjale të forta dhe pa një (soft apo hard) presion të ardhur qoftë nga Brukseli apo më shumë nga Uashingtoni, subjektet politike e kanë vështirë ta kapërdijnë “kompromisin” eventual që mund të iniciohet nga presidentja (si ndërmjetësuese). Kjo ndodh kështu edhe për shkakun se partitë tona pa një “shtrëngesë” nga jashtë e kanë tejet problem të zhvillojnë bisedime serioze.

7. Instrumentalizimi medial: Çdo reagim apo shmangie e ftesave mund të përdoret për propagandë nga ana e dy “kampeve”. “Kampi” i ish qeveritarëve mund të deklarojë se: “ish opozita s’po dëshiron dialog e kompromis”, ndërkaq “kampi” i ish- opozitarëve mund të deklarojë publikisht  se “ish- qeveria e “kap” Presidencën”. Kjo premisë bën që çdo nismë të dështojë para se të fillojë: Pq          

 

PIKAT E FORTA të ftesave, sipas një vëzhgimi ad hoc sociologjik që mund t'i adresohen;

1. Rolit simbolik të unifikimit institucional: që presidentja e vendit, si figurë unifikuese e arkitekturës shtetërore të Kosovës, mund ta përdorë jo vetëm si autoritet kushtetues, por edhe si autoritet moral për ta "instaluar" sado-kudo një klimë të re relaksuese dhe shumë më optimale të bashkëpunimit dhe të respektit ndaj rendit të institucioneve dhe përgjithësisht rendit kushtetues.

2. Legjitimitetit publik dhe presionit moral mbi partitë:  ku ftesat e presidentes mund të krijojnë një presion të fortë publik mbi subjektet politike që e refuzuan dialogun dhe vullnetin e mirë për të gjetur një kompromis eventual për dalje nga "skizofrenia politike që po vazhdon tash e tre muaj pas zgjedhjeve.

3. Nxitjes dhe aktivizimit të faktorit ndërkombëtar: ku presidentja, në koordinim me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, mund të krijojë një platformë të re dialogu më të fuqishme dhe më të balancuar për kompromise dhe koalicione të reja midis subjekteve që nuk e refuzojnë (durojnë!) kompromisin politik.

4. Mbrojtjes së rendit kushtetues dhe përcaktimin e "vijave të kuqe": si obligim kushtetues, ku ftesat do duhej të përqendroheshin ekskluzivisht në çështjet pragmatike e praktike të funksionalitetit të institucioneve e jo në përfitimet eventuale politike të subjekteve pjesëmarrëse. Takimi nuk guxon të lërë përshtypje të animeve, simpative apo (in)tolerancës partiake apo asaj ideologjike. Ai duhet të "mirëmbahet" tërësisht si mbipartiak dhe të ”promovohet” si i pranueshëm për të gjitha palët.

5. Krizës afatgjate: që duhet t'i obligojë palët të reflektojnë sa më pozitivisht dhe të jenë sa më të gatshme për kompromise, koalicione, etj. Partitë politike në këtë takim duhet ta kuptojnë se bllokimi afatgjatë i Kuvendit dëmton imazhin e tyre dhe i penalizon ato në zgjedhjet e jashtëzakonshme eventuale...

6. Një platformë neutrale pa humbje politike për asnjërin subjekt politik. Pjesëmarrja në takimin e thirrur nga presidentja nuk duhet assesi të shihet si “dorëzim politik” i njërit apo “kampit” tjetër, por shumë më tepër si një akt mirëkuptimi e obligimi kushtetues, që u mundëson partive të hyjnë në debat pa u kompromentuar qëndrimet e tyre paraprake që i “promovuan” para qytetareve pas të gjitha seancave të dështuara.

7. Aftësisë së presidentes për të ndërtuar marrëdhënie ndërpersonale politike: Nëse presidentja shfrytëzon aftësitë dhe sensin e saj të ndërmjetësimit dhe arrin të krijojë klimë, frymë dhe "germë" mirëbesimi të ndërsjellë me liderët politikë, ajo përmes autoritetit institucional do të mund të ndikojë shumë, për ta kthyer dialogun në binarët e një procesi të strukturuar dhe të dobishëm për interesat e shtetit.