OpEd

Gjykata Speciale dhe distanca nga juridiksioni kosovar

Rrethanat e krijimit të Gjykatës Speciale

Pas publikimit të raportit të Dick Martyt, i cili përfshinte gjetje sensacionale të bazuara pjesërisht në librin e ish-prokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës insistuan që vetëm një hetim i pavarur ndërkombëtar dhe krijimi i një gjykate të themeluar nga institucionet e Kosovës mund të hiqnin “renë e zezë” mbi vendin.

Ndryshe, ekzistonte rreziku që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të ndërhynte për të formuar një gjykatë ndërkombëtare, duke interpretuar se Kosova mund të përpiqej të fshihte elemente të raportit.

Në këtë kuadër, Kosova nuk kishte alternativë tjetër përveçse të pranonte themelimin e Gjykatës Speciale, e njohur me një emër sui generis Dhomat e Specializuara të Kosovës, një institucion që sot rezulton të ketë ngarkuar rëndë kapacitetet e shtetit të ri dhe të ketë sjellë pasoja të pallogaritshme për imazhin dhe funksionimin institucional të tij.

Duhet pranuar se themelimi i kësaj gjykate është ndërtuar edhe mbi një pritshmëri – në thelb iluzore – se ajo do të trajtonte çështjen e trafikimit të organeve, një akuzë jashtëzakonisht e rëndë, si dhe do të hetonte vrasjet politike të periudhës së pasluftës. Këto ngjarje, edhe sot, mbeten objekt interpretimesh kontradiktore në diskursin publik dhe jo rrallë shërbejnë si katalizatorë për thellimin e ndarjeve të brendshme shoqërore. Një element tjetër përcaktues në procesin e themelimit ishte presioni me karakter të qartë shantazhi diplomatik, sipas të cilit Perëndimi do të mbështeste një gjykatë të themeluar nën ombrellën e OKB-së, me praninë e pashmangshme të ndikimit rus dhe kinez. Megjithatë, objektivat e përmendura jo vetëm që nuk janë adresuar, por as nuk figurojnë në agjendën aktuale të gjykatës. Në këtë kontekst, dhe duke iu referuar raporteve të saj periodike, bëhet e qartë se Gjykata Speciale është, në thelb, më shumë një institucion me karakter të OKB-së sesa një gjykatë e Kosovës.

Raportet periodike të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi misionin e UNMIK-ut, të paraqitura në kuadër të zbatimit të Rezolutës 1244 (1999), përfshijnë Gjykatën Speciale në kuadrin e institucioneve që raportojnë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo ndodh pavarësisht faktit se, në diskursin zyrtar, Gjykata Speciale paraqitet si institucion juridik i Republikës së Kosovës, duke krijuar kështu një mospërputhje ndërmjet statusit të saj formal dhe mekanizmave të saj realë të llogaridhënies.

Për më tepër, pranimi dhe përdorimi i materialeve arkivore të ish-UDB-së serbe si prova në proceset gjyqësore kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë një skandal të veçantë juridik e politik, me implikime serioze për besueshmërinë dhe legjitimitetin e procedurave.

Kërkesa fillestare e bashkësisë ndërkombëtare ishte që “më mirë të formohet një gjykatë vendore sesa të kërkohet ndërhyrja e Këshillit të Sigurimit, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtë vetoje”. Megjithatë, misionet ndërkombëtare si KFOR-i, EULEX-i dhe UNMIK-u funksionojnë mbi bazën e së njëjtës Rezolutë 1244, e cila është miratuar me votën e Rusisë dhe Kinës.

Precedenti i Gjykatës Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY) tregon se ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përfshirë në procedura gjyqësore ndërkombëtare më parë, shpalleshin të pafajshëm (Limaj, Haradinaj), dhe trajtimi i tyre gjatë paraburgimit përputhej në masë të madhe me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kjo është në kontrast të dukshëm me procesin aktual kundër ish-liderëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për një periudhë prej pesë vjetësh, duke ngritur shqetësime mbi respektimin e të drejtave procedurale dhe standardeve ndërkombëtare gjatë qëndrimit në paraburgim.

Anomalia kryesore është se, edhe pse Gjykata Speciale prezantohet si institucion i Kosovës, nuk mbikëqyret nga institucionet vendore, nuk i raporton Kuvendit dhe nuk kontrollohet nga gjyqësia kosovare. Raportimi i saj përfshihet në dokumentet e UNMIK-ut për KS të OKB-së, duke krijuar një neutralitet institucional ndaj statusit të Kosovës dhe duke legjitimuar bypass-in e sovranitetit.

Ky format raportimi ka pasoja të drejtpërdrejta:

Neutralitet institucional – Gjykata trajtohet si strukturë ndërkombëtare neutrale, pavarësisht se formalisht konsiderohet e Kosovës.

Legjitimim ndërkombëtar – Përjashtimi i kontrollit vendor tregon një pranim të heshtur të një modeli që BE dhe OKB mund ta ripërdorin.

Në raportet e UNMIK-ut (31 janar 2018; 5 tetor 2023; 14 tetor 2024) Gjykata Speciale paraqitet si mision ndërkombëtar, në të njëjtin nivel me EULEX-in, duke raportuar arrestime dhe veprime në të njëjtën gjuhë zyrtare. Kjo qasje kontradiktore nga BE-ja e rrit pasigurinë mbi legjitimitetin dhe dialogun ndërkombëtar.

Analiza e trajtimit të krimeve të luftës tregon një zbrazëti institucionale dhe juridike, jo nga paaftësia e gjyqësisë vendore, por nga kompetencat e UNMIK-ut dhe më pas EULEX-it.

Proceset ndërkombëtare prodhuan një bilanc disproporcional ku shqiptarët u dënuan më shpesh se serbët, duke sfiduar parimin e universalitetit dhe duke krijuar perceptimin e një standardi selektiv.

Krijimi i Gjykatës Speciale, i fokusuar ekskluzivisht në hetimin e një etnie, ngre pyetje për legjitimitetin e drejtësisë tranzicionale dhe për aftësinë e saj për të siguruar drejtësi të paanshme dhe pajtim, në vend që të riprodhojë ndarje dhe të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Sipas intervistave të tij, John Clint Williamson, udhëheqësi i task-forcës speciale të hetimit (TFHS), e cila u krijua për të trajtuar akuzat për krime të pretenduara nga ish-UÇK-ja, do të konfirmonte se presioni kryesor për krijimin e Gjykatës Speciale erdhi nga Rusia dhe Serbia, të cilat kërkonin themelimin e një gjykate të re të OKB-së.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja u angazhuan për të mbikëqyrur procesin hetues dhe gjyqësor, duke krijuar task-forcën speciale të hetimit (TFHS), e cila u drejtua nga Williamson. Ky proces u përdor gjithashtu si instrument politik për të ushtruar presion mbi udhëheqësit kosovarë në dialogun Kosovë–Serbi, veçanërisht për çështje të ndërlikuara si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Reagimi i ngadalshëm i Kosovës ndaj akuzave të Dick Martyt

Në hapësirën shqiptare, dhe veçanërisht në Kosovë, reagimi ndaj akuzave të paraqitura nga Dick Marty u karakterizua nga një pasivitet i dukshëm dhe mungesë vendosmërie institucionale.

Në vend që të ndërmerreshin hapa proaktivë, përmes lobimit të strukturuar apo përfshirjes së agjencive ndërkombëtare të komunikimit strategjik, institucionet e Kosovës adoptuan një qëndrim mbrojtës dhe pritës. Ky qëndrim pasiv u shfaq në një moment kritik, kur Serbia ndërmori një kundërfushatë të koordinuar dhe të gjerë, me qëllim të sfidonte dhe të përmbyste narrativën ekzistuese mbi ngjarjet e luftës.

Siç ka vënë në dukje Ismail Kadare, për këtë situatë të heshtjes dhe të mungesës së reagimit nuk mund të lihet jashtë përgjegjësisë klasa politike, si në Shqipëri ashtu edhe, në mënyrë të veçantë, në Kosovë. Përgjegjësia shtrihet gjithashtu mbi historianët, akademikët, publicistët dhe institucionet përkatëse, të cilët në masë të madhe mbajtën një qëndrim të heshtur.

Kosova u përball me këtë situatë në mënyrë të papritur dhe pa një strategji të parapërgatitur. Një element i rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar është edhe ekzistenca e zërave mohues brenda radhëve shqiptare, të cilët shfaqeshin të gatshëm të akuzonin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në disa raste, qytetarë të Kosovës ofruan informacione që më pas u referuan në organizata ndërkombëtare, duke kontribuar kështu në pikënisjen e procesit akuzues.

Në këtë kontekst, udhëheqja politike e Kosovës nuk kishte alternativë tjetër përveçse të lejonte nisjen e hetimeve të menjëhershme. Megjithatë, mënyra e publikimit të raportit të Dick Martyt, e karakterizuar nga sensacionalizmi, paragjykimi dhe një përqasje selektive, ngre pyetje serioze mbi objektivitetin dhe motivet e tij. Akuzat e paraqitura ishin të rënda, duke nxitur kërkesa për krijimin e një gjykate ndërkombëtare. Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës ushtruan presion mbi elitën politike vendore, duke deklaruar se nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të formonte Gjykatën Speciale, atëherë kjo do të bëhej nga OKB-ja, me pasoja juridike dhe politike ndërkombëtare më të rënda për Kosovën.

Roli politik i Gjykatës Speciale në dialogun Kosovë–Serbi

Gjykata Speciale, edhe pse e formalizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, u themelua në një kontekst të fortë presioni ndërkombëtar, pas publikimit të raportit të diskutueshëm të Dick Martyt.

Ky raport, i bazuar kryesisht në burime të dyshimta dhe pa prova konkrete, nuk është konfirmuar nga ndonjë trup ndërkombëtar i pavarur. Evidencat më të vonshme sugjerojnë se ai kishte karakter politik, duke ndjekur linjën e promovuar fillimisht nga Carla Del Ponte dhe më pas nga figura të lidhura me shërbimin inteligjent rus, si Konstantin Kosachev, ndërsa u riaktualizua nga Dick Marty pas njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Rindërtimi kronologjik i ngjarjeve tregon se akuza për “trafikim organesh” u artikulua për të krijuar një balancë politike pas fitoreve të Kosovës në vitet 2008 dhe 2010 dhe për të kontrolluar afrimin e Serbisë me Perëndimin, një strategji e ngjashme me praktikat evropiane ndaj Serbisë në vitet 1990.

Miratimi i shpejtë i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbi raportin e Martyt, pa një verifikim të hollësishëm të fakteve, reflekton një qëndrim të njëanshëm dhe një disponim të dukshëm antishqiptar dhe anti-Kosovë nga disa vende kyç evropiane.

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ishte e gatshme të bashkëpunonte me partnerët ndërkombëtarë, duke respektuar juridiksionin vendor dhe duke ruajtur imazhin e luftës së drejtë të Kosovës. Megjithatë, ngjarjet e mëvonshme treguan një rrjedhë të ndryshme, pasi hetimet dhe presioni ndërkombëtar u intensifikuan.

John Clint Williamson, i emëruar kryeprokuror i ekipit hetues të EULEX-it në gusht 2011, kryesoi hetimet mbi akuzat për trafikim organesh dhe konstatoi se gjetjet nuk ishin të mjaftueshme për përdorim në gjykatë, duke vënë në dukje se hetimet duhej të vazhdonin.

Raporti i tij i publikuar në korrik të vitit 2014 konstatoi ekzistencën e provave të mjaftueshme vetëm për krime të tjera të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera nga disa ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, raporti theksonte se pikënisja e procesit që çoi në krijimin e kësaj gjykate mbështetej kryesisht në informacione të siguruara nga qytetarë shqiptarë të Kosovës.

Në thelb, Gjykata Speciale u imponua si një mjet balancimi politik pas suksesit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik 2010. Ajo u përdor si levë presioni mbi udhëheqësit politikë të Kosovës për të bërë koncesione në procesin e dialogut me Serbinë, duke reflektuar jo vetëm dimensionin juridik, por edhe atë politik të funksionimit të saj.

Një ilustrim domethënës i ndërthurjes së dinamikave politike me zhvillimet gjyqësore është ngritja dhe konfirmimi i aktakuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, në një periudhë kur ai kishte sinjalizuar heqjen dorë nga ideja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe po kundërshtonte rifillimin e diskutimeve mbi këtë çështje, të cilën e konsideronte si një kërcënim serioz ndaj sovranitetit të Kosovës. Kjo ndodhi gjithashtu në një kohë kur në diskursin politik po shfaqej, ende e paqartë në përmbajtje dhe implikime, ideja e ashtuquajtur e “korrigjimit të kufijve”.

Raportimi në OKB dhe bypassi i sovranitetit

Edhe pse në mënyrë zyrtare Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës u prezantua si një institucion i sistemit të drejtësisë së Kosovës, shpesh e cilësuar si një gjykatë “hibride” kosovaro-evropiane, shumë shpejt u bë e qartë se veprimtaria e saj kishte lidhje të kufizuar ose minimale me institucionet vendore, përveç faktit që të paraburgosurit ishin shtetas të Kosovës. Kjo situatë, e favorizuar nga një besim naiv ndaj institucioneve ndërkombëtare, mungesa e përvojës institucionale dhe rivalitetet politike të brendshme, krijoi një terren të përshtatshëm për funksionimin e Gjykatës pa asnjë mekanizëm efektiv mbikëqyrës nga autoritetet kosovare. Siç vë në dukje ish-presidenti Hashim Thaçi në një intervistë për TV Klan Kosova, “hendikepi i kësaj gjykate është mungesa e një mekanizmi kujdestarie legjislativ, që do të orientonte procesin drejt fakteve reale dhe jo pretendimeve apo spekulimeve”.

Nëse Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës, një status i pa marrë deri më sot, trupi i avokatëve do të kishte mundësinë të adresonte shkeljet dhe vendimet e Gjykatës Speciale përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Në mungesë të kësaj, Gjykata filloi të konsolidojë fuqinë e saj, ndërkohë që EULEX-i, i shndërruar de facto në një degë ekzekutive të saj, adoptuan një qasje të ashpër dhe frikësuese gjatë bastisjeve dhe intervistimeve të individëve të lidhur me të paraburgosurit, përfshirë familjarë, si ndalimi prej gati një vit i vizitave të të birit të Fazli Fazliut dhe ish-bashkëpunëtorëve. Transmetimi publik i seancave shpesh e paraqiste në mënyrë të deformuar realitetin, duke e reduktuar kompleksitetin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë në një “karikaturë” të ngjarjeve reale. Alarmues është fakti se disa dëshmitarë të prokurorisë ishin pjesëtarë ose bashkëpunëtorë të strukturave të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, institucioni përgjegjës për krime të rënda kundër civilëve, të cilat nga studiues dhe organizata ndërkombëtare janë vlerësuar si ndër më të rëndat në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo gjendje shton dyshime mbi objektivat reale të gjykimit, duke lënë hapësirë për politizim të procedurave dhe rekrutimin e dëshmitarëve të diskutueshëm.

Një tjetër element i rëndësishëm është mungesa e transparencës dhe shmangia e raportimit të Gjykatës ndaj institucioneve vendore. Edhe pse themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale ua raporton aktivitetet e saj Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përmes sekretarit të përgjithshëm, António Guterres, dhe Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë edhe shtete si Serbia. Çdo raport përfshin aneksin e përbashkët të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, zakonisht për një periudhë gjashtëmujore. Raportet shqyrtohen në kuadër të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit, ku Kosova përfaqësohet në nivel ministri të Jashtëm, kryeministri ose presidenti. Praktika e raportimit përmes OKB-së vendos Gjykatën Speciale jashtë kontrollit të sovranitetit të Kosovës, duke krijuar një paradoks institucional: një organ që zyrtarisht është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës i raporton një institucioni ndërkombëtar që nuk e njeh shtetin kosovar, për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës, dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe aleatë të Serbisë.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të konsultuar rezulton se raportet lidhur me veprimtarinë e Gjykatës Speciale i paraqiten Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në formë aneksi, si pjesë përbërëse e raporteve periodike të sekretarit të përgjithshëm për Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1244 (1999).

Në këto raporte:

Aneksi përfshin raportin e përbashkët të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për një periudhë të caktuar gjashtëmujore.

Raporti përshkruan zhvillimet në procedurat gjyqësore, përfshirë çështjet ndaj të pandehurve specifikë, aktivitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vizitat zyrtare, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Përmban informacion mbi komunikimet me palët e interesit (shoqëria civile, mediat, institucionet e Kosovës, përfaqësues të BE-së dhe shteteve sponsore).

Nuk ka detyrim për raportim ndaj institucioneve të Kosovës; raportimi bëhet drejtpërdrejt në OKB përmes kanaleve të UNMIK-ut.

Analiza e dokumenteve tregon se raportet periodike për Gjykatën Speciale dorëzohen si aneks i raporteve për UNMIK-un, sipas Rezolutës 1244 (1999), duke përfshirë informacion mbi aktivitetet gjyqësore, bashkëpunimin ndërkombëtar, vizitat zyrtare dhe komunikimet me palët e interesit, pa detyrim për raportim ndaj institucioneve të Kosovës. Raporti i datës 5 prill 2023, për shembull, dokumenton periudhën 16 shtator 2022 – 18 mars 2023, duke evidentuar akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-liderëve politikë të UÇK-së, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, si dhe vendimin e parë penal ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa. Raporti përfshin gjithashtu informacion mbi ecurinë e çështjeve gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, vizitat dhe takimet me përfaqësues të BE-së dhe shteteve sponsore, si dhe situatën e sigurisë dhe bisedimet në Kosovën veriore.

Ky mekanizëm raportimi, i cili vendos Gjykatën Speciale në një pozicion të jashtëm ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, shfaq një anomalitet të dukshëm në të drejtën ndërkombëtare. Në raportet zyrtare mungon çdo simbol apo referencë ndaj shtetit të Kosovës, ndërkohë që zyrtarët më të lartë të institucioneve vendore nuk përmenden fare. Një trajtim i tillë jo vetëm që cenon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, por tregon edhe nevojën e një reagimi të vendosur nga elitat politike dhe institucionet vendore për të kërkuar llogari nga Gjykata Speciale dhe për të mbrojtur tërësinë e sovranitetit dhe kredibilitetit ndërkombëtar të shtetit kosovar.

Përdorimi i dosjeve të UDB-së

Një nga devijimet më të rëndësishme të Gjykatës Speciale në procesin gjyqësor kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është përdorimi i materialeve arkivore dhe dosjeve të ish-Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB). Ky institucion, në proceset kundër liderëve serbë të zhvilluara në Tribunalin e Hagës për krime lufte në Ish-Jugosllavi, është identifikuar si strukturë përgjegjëse për krime të luftës dhe spastrime etnike në Kosovë. Në vendimet gjyqësore të Tribunalit, UDB-ja është konsideruar pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, e cila synonte ndryshimin me forcë të strukturës etnike të Kosovës.

Sipas dëshmive të shumta të protagonistëve ndërkombëtarë të kohës, vetë Slobodan Milosheviqi e kishte artikuluar hapur synimin për një “zgjidhje përfundimtare” në Kosovë, duke iu referuar modelit të përdorur nga autoritetet komuniste jugosllave në vitin 1945, kur dhjetëra mijëra shqiptarë u ekzekutuan pa proces gjyqësor.

Fakti që një gjykatë e themeluar në emër të drejtësisë së Kosovës po përdor dokumente të siguruara nga UDB-ja — një aparat shtetëror i cili gjatë gjithë shekullit XX ka ushtruar represion sistematik dhe politikë armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës — përbën një paradoks të thellë juridik dhe moral. Ky veprim është i krahasueshëm me hipotetizimin absurd të gjykimit të kundërshtarëve të Adolf Hitlerit në Nuremberg duke u bazuar në dokumentacionin e Gestapos.

Për shqiptarët e Kosovës, UDB-ja ka një ngarkesë simbolike dhe historike të krahasueshme me atë që kishte Gestapoja për popullin hebre dhe shtetet aleate pas Luftës së Dytë Botërore. Ashtu si Gestapoja u shpall organizatë kriminale nga Gjykata e Nurembergut për rolin e saj në krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj hebrenjve, edhe UDB-ja dhe strukturat e policisë serbe u shpallën përgjegjëse nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës, përfshirë spastrimin etnik në Kosovë dhe mizoritë e kryera gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi.

Përgjegjësia institucionale dhe rruga përpara

Duke qenë se Gjykata Speciale është themeluar nga institucionet e Republikës së Kosovës, mbetet e paqartë nga buron e drejta e saj për t’i raportuar Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një organ ku Kosova nuk është anëtare dhe i cili, për shkak të kundërshtimit të disa shteteve, nuk e njeh shtetësinë e saj. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në ushtrim të përgjegjësive të tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duhet të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme ligjore që do të përcaktonin Gjykatën Speciale si një subjekt raportues para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në cilësinë e organit kompetent kombëtar për mbikëqyrjen e gjyqësorit. Njëkohësisht, është e domosdoshme që me anë të dispozitave të posaçme ligjore të vendoset kufizimi i përdorimit të provave të siguruara nga organet e Beogradit, duke marrë parasysh historikun e tyre të komprometuar dhe lidhjet e dokumentuara me struktura të cilat janë shpallur përgjegjëse për kryerjen e krimeve të luftës.

Gjithashtu, mandati i Gjykatës duhet të zgjerohet për të përfshirë hetimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë, për të garantuar një qasje të paanshme dhe gjithëpërfshirëse ndaj drejtësisë tranzicionale. Në të njëjtën kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni themelues i Gjykatës Speciale, ka përgjegjësinë të përcaktojë një afat të qartë kohor brenda të cilit kjo gjykatë duhet të ngrejë aktakuzat dhe të përmbyllë veprimtarinë e saj. Gjithashtu duhet ta detyrojë këtë institucion që të dorëzojë një raport zyrtar mbi gjetjet lidhur me pretendimet për trafikim të organeve - çështje e cila nuk mund të mbetet pa epilog. Nëse Gjykata Speciale dështon të ndërmarrë këta hapa, ajo dëshmon se nuk e ka zbatuar në mënyrë të plotë mandatin për të cilin është themeluar.

Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë pa dallime partiake, në të cilën evidentohen qartë shkeljet faktike të parimeve bazë demokratike dhe të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës. Në këtë dokument duhet të theksohet se të drejtat e ish-liderëve të UÇK-së, të izoluar për një periudhë të gjatë, janë cenuar në mënyrë serioze, duke krijuar një precedent shqetësues për respektimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Pohimi se epilogu i proceseve gjyqësore në Gjykatën e Hagës nuk ka ndikim mbi shtetin e Kosovës është i dyzuar dhe duhet analizuar me kujdes. Një deklaratë e tillë mund të interpretohet ose si shprehje e një naiviteti të thellë, ose si një formë e vetëdijshme e tendencës për të minimizuar ose relativizuar rëndësinë e një momenti kyç historik. Çdo individ që pretendon se rezultatet e proceseve në Hagë nuk kanë implikime për shtetin e Kosovës ose nuk ndikojnë në perceptimin dhe legjitimitetin e tij ndërkombëtar, bie në një prej dy kategorive: ose mungon plotësisht sensi kritik dhe kuptimi i realitetit institucional dhe historik, ose ka një mendim të qëllimshëm për të zhbërë dhe relativizuar një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në këtë kontekst, proceset gjyqësore ndërkombëtare nuk mund të konsiderohen të izoluara nga shteti; ato, përkundrazi, reflektojnë dhe ndikojnë në narrativat politike, juridike dhe historike që lidhen me ndërtimin e subjektivitetit dhe legjitimitetit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.