Rrëfimi për Landin, dashurinë e tij Mercedes dhe një telefonatë vendimtare Vetonit
1.
Landi zë krokodilë.
E ka një shkop të gjatë me litar e lak dhe kur krokodili e fut kokën në të Landi e tërheq fortë litarin, pastaj shkopin dhe litarët e tjerë ndihmës i lidh për një shtyllë. Krokodili lufton për jetë të tijën e Landi për të veten, ritualisht fiton Landi. Krokodili e lëviz bishtin e tij të gjatë në përpjekje, mbase të pavetëdijshme, për të treguar jetë. Pastaj nuk e lëviz më. Kur nuk e lëviz më, Landi është i sigurt ta nxjerrë nga varka, prej moçali në tokë, ta varrë për çengele te një pemë dhe ta rrjepë.
Lëkura e krokodilit mund të jetë e vlefshme gjetiu – mund të bëhen këpucë e çanta e rrip për blerës luksi – por Landi e hedh anash, përqendrohet te vlera e vetme e krokodilit për të dhe familjen e tij, mishin dhe rropullitë.
Gruaja e tij, Mercedes, rri te pragu i shtëpisë duke vëzhguar momentin kur përafërsisht e zakonisht pritet që Landi të vijë me biçikletën e ngarkuar me mish krokodili. Ajo ka dy detyra. Një, që të vëzhgojë hapësirën e vërejë që Landi në çastin e arritjes pranë fshatit të mos hetohet nga kush; gjahu i krokodilëve është i ndaluar, siç është e ndaluar çdo gjë që nuk është e lejuar nga shteti e lista e gjërave të lejuara zë ndoshta vetëm një faqe në librin e gjërave të ndaluara. Detyra e dytë është që të ndajë më shpejt copët e mishit që do të mbeten në shtëpi dhe copët e mishit që do këmbyer me fqinjët: për qumësht, djathë, cigare dhe barna… Nëse ka, edhe për ndonjë kilogram mielli a litër vaji…
Barna ka nevojë i biri i tyre, i lindur me të meta zhvillimi. Ka nevojë edhe Landi, i rritur me të metat e zhvillimit të shtetit.
2.
Davidi vendosi ta kuptojë Landin.
Ndenji me të pesë vjet. Kur shkonte Landi te krokodilët aty qe dhe Davidi. Kur Landi kthehej te dashuria e tij, bashkëshortja Mercedes, aty do të ishte edhe Davidi.
Duke qenë me dy të dashuruarit – Landin që kur zinte krokodilë binte në gjumë me fotografinë e saj dhe të birit e Mercedesin që i lutej Zotit që edhe këso here të kthehet gjallë në shtëpi – Davidi humbi dashurinë e tij. Ajo, që e kishte inkurajuar Davidin ta kuptonte historinë e Landit, Mercedesit, të birit të vonuar dhe krokodilëve të zënë për ta ushqyer trupin dhe zemrën e familjes, një ditë i tha që ajo kishte plane të tjera, se do të largohej nga ky vend i nëmur dhe e la Davidin para dilemës të përzgjedhjes së njërës prej ëndrrave: të arrijë ta kuptojë Landin apo dashurinë e tij ndaj të fejuarës.
Në krye të pesë vjetëve të të kërkuarit të kuptimit të jetës së Landit, Davidi mori kamerën, një Sony të blerë të përdorur, disa thjerrëza sovjetike të prodhuara si imitim i atyre “Carl Zeiss”, një çadër, dorëzën e së cilës e mbante në gojë gjatë incizimit në mënyrë që të pengonte pikat e shiut nga objektivi dhe u nis prapa Landit në zënien e krokodilit të radhës.
Landi i tha se nuk mund ta mbronte po ta sulmojë ndonjë krokodil, çdonjëri e mbron veten në moçalishten e Zapatës, aty, në perëndim, në Kubë.
3.
Shtatë vjet iu deshën Davidit që të kuptojë e të shprehë atë që kishte kuptuar në moçalishten e Zapatës. Njëri prej atyre shtatë ishte viti i pandemisë. Në radio e TV-në kubane ndërroheshin lajmet; disa ishin për statistikat e infektimit e të vdekjes, disa për triumfin e revolucionit kuban dhe pathyeshmërinë e tij.
Davidi i tha në telefon Veton Nurkollarit që filmi i tij “Në Perëndim, në Zapata” duhej të shfaqej në festival. Në çdo përgjigje që vinte në dyshim ardhjen e tij për në “Dokufest” ai kishte kundërpërgjigje. Njëra prej tyre ishte se do të merrte hua prej motrës, por do të vinte me film në festival; kishte dëgjuar se ky ishte ndër festivalet më të rëndësishme në botë.
Pengesa e vërtetë – fakti se ky ishte shtetas kubanez dhe do të ishte vështirë të hynte në Kosovë me pasaportë të këtij vendi në fund u tejkalua lehtë. David Bim kishte lindur në Spanjë, nga prindër kubanezë, të bijtë e spanjollëve të emigruar. Ai kishte përfunduar tre vjet studimi në Akademinë e filmit në Barcelonë dhe kur shumë kubanezë zbulonin se mund të bëheshin qytetarë spanjollë e të emigronin në Spanjë, Davidi si qytetar spanjoll e kubanez u kthye në Kubë, në Akademinë e filmit të Havanës, aty ku me vite ligjërues i lëndës së skenarit dikur ishte Gabriel Garcia Marquez.
I kthyer tashmë në Havana, Davidi u nis në kërkim të të kuptuarit të Landit, dashurisë me Mercedes dhe ballafaqimit me të metat e të birit e të metat e shtetit duke zbuluar bukurinë në një ditë të thjeshtë që pasohet nga një tjetër e ngjashme – një luftë e fituar për mbijetesë dhe të bukurën e saj.
Si kameraman, skenarist, tonist, regjisor dhe montazher, David Bim kishte krijuar njërin prej filmave që do të mbahet mend si një simbol shprehje të veçantë poetike.
4.
Arriti në Prizren në orën gjashtë të mëngjesit të ditës kur do të shfaqej filmi i tij.
Në mbrëmje, në tarracën e një hoteli në Prizren biseduam gjatë për filmin, Havanën, letërsinë dhe dilemën në të cilën gjendet, mes dashurisë së humbur të së fejuarës dhe nisjes së filmit të dytë.
Rrugëtimi i tij i gushtit ishin festivali i Guanajuatos (Meksikë), Lima (Peru) dhe prej aty Koreja e jugut.
“Dokufesti” – një institucion me peshë globale të cilin e ngritën dhe po e udhëheqin Veton Nurkollari e Eroll Bilibani me një numër impresiv entuziastësh – qe për Davidin në kuptimin filmik Mesdheu, Mesi i Dheut, tashmë një qendër botërore që i jep vulë cilësie filmit dokumentar.
Gjuetari i krokodilit e gjeti veten në Prizren. Natyrisht.