OpEd

Gabimet që nuk zhbëhen e as nuk i shkrin bora

Për të gjitha këto pasoja është dashur të ishte menduar më herët, sepse kushdo që të jetë në pushtet në Kosovë do ta ketë për detyrë që të zbatojë atë që në emër të Kosovës të tjerët kanë marrë obligime dhe përgjegjësi. Dëmi Kosovës më nuk mund t’i parandalohet, por duhet bërë përpjekje që ai të jetë sa më i vogël që të jetë e mundur

Në prag të festave të fundvitit, në kalimin prej vitit 2017 në atë 2018, Kosova po përballet me një kaos të vërtetë politikë, i cili është pasojë e paqartësive shumëvjeçare që kanë qenë mënyrë e veprimit të lidershipit të saj politik, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Ky kaos po ndodh në një moment jashtëzakonisht të pakëndshëm për qytetarët e Kosovës. Të izoluar dhe pa mundësi që të ndryshojnë situatën, e cila do t’u sjellë liberalizim vizash. Të pafuqishëm që të bëjnë diçka konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pazarllëqeve politike që mundësojnë vetëm ndryshimin e roleve, por jo edhe të shfaqjes në skenën politike.

Tash qytetarët e Kosovës, të mësuar që çfarëdo veprimi e vendimi t’u shitet në emër të “bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë” nuk e kanë të lehtë të dëgjojnë përsëri nga miqtë kryesorë se si prapë Kosova ka ardhur në “momentin më të vështirë që nga paslufta” dhe se “Kosova mund të ketë pasoja të rënda”. Krejt kjo për shkak të tentimeve që në kohën kur në botën perëndimore, nga Washingtoni e deri tek Berlini, Londra e Brukseli, janë pushimet e Kërshëndellave të ndryshojnë me shpejtësi, apo ta zhbëjnë Ligjin për Gjykatën Speciale. E kjo, nëse deri tash është bërë vërtet në koordinim të plotë me miqtë ndërkombëtarë, nuk mund të zhbëhet pa bashkëpunimin e tyre, e nëse bëhet pa një bashkëpunim dhe koordinim me ta, atëherë edhe mund të quhet si një “tradhti” apo “thikë prapa shpine”.

Kanë dalë në Kosovë spekulime të ndryshme se pse treshja në pushtet: Thaçi, Haradinaj, Veseli, duan ta ndryshojnë Ligjin për Gjykatën Speciale. Dhe që kur ka nisur ideja për krijimin e Gjykatës Speciale spekulimet se kush do të pësojë nga ajo nuk janë ndalur. Duket se në Kosovë e dinë shumë më mirë sesa në Hagë, Bruksel, Londër e Berlin se kënd do ta akuzojnë nga kjo gjykatë. Shpesh përmenden edhe afate, jo para, jo pas Kërshëndellave, jo në fillim të vitit të ri, jo në pranverë.

Mund të ndodhë që tentimi i treshes udhëheqëse në Kosovë të ketë qenë jo për shkak të frikës që kanë, por për të qetësuar ish-bashkëluftëtarët të cilët tash e dinë se pikërisht ata që sot duan zhbërjen e saj kanë qenë mbështetës kryesorë të krijimit të Gjykatës Speciale, të cilët e kanë pagëzuar me një emër të çuditshëm si Dhomat e Specializuara të Kosovës”, sikur të ishte fjala për ndonjë banjë shërimi apo kompleksi turistik. Nëse nuk na mashtron kujtesa, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate. Ndoshta për të lënë përshtypje në të ardhmen se kanë bërë çmos për të mos e lejuar funksionimin e saj, tash dalin në sipërfaqe tentimet për zhbërjen e saj. PDK-ja e ka mbështetur pa rezervë krijimin e gjykatës, sepse lideri i saj i atëhershëm thoshte se “Kosova nuk ka çfarë të fshehë” dhe se “kjo do të largojë një barrë nga Kosova”. LDK-ja e ka mbështetur duke besuar, gabimisht, se kjo gjykatë do të sqarojë rastet e vrasjeve politike të disa aktivistëve të saj, gjë që nuk e kanë bërë për vite gjykatat vendore. Kjo nuk do të ndodhë, pos nëse duke hetuar rastet e përmendura në raportin e Dik Martyt do të hasin në ndonjë dëshmi të ndonjë vrasjeje, që të ketë ndodhur e që lidhet me këto hetime.

Gjykata Speciale, pa marrë parasysh se cili ka qenë qëllimi i atyre që kanë kërkuar krijimin e saj dhe i atyre që kanë votuar për të, është një njollë për Kosovën dhe të ardhmen e saj, pa marrë parasysh se si do të përfundojë puna e kësaj gjykate. Të enjten e shkuar, në një ceremoni të madhe dhe me pjesëmarrje të politikanëve prominentë botërorë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe Mbretin e Holandës, në Hagë solemnisht është përmbyllur puna e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Pra, nga kjo ditë më asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk do të mundë të ngritë asnjë aktakuzë ndaj dikujt për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Të gjitha rastet e reja, nëse duan, dhe nëse kanë vullnet politik, do t’i kenë përsipër gjykatat vendore në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Maqedoni. Por pikërisht në kohën kur mbyllet Gjykata e Hagës në të njëjtin qytet hapet një “dhomë e specializuar” ku do të gjykohen rastet ku të dyshuarit si kryes të veprave të krimeve të luftës dhe të pasluftës janë shqiptarët e Kosovës. Madje, ka të tillë që kanë punuar në Gjykatën e Hagës dhe do të gjejnë punë, po ashtu të paguar mirë, edhe në këto “Dhoma të Specializuara”. Nuk ka si të kuptohet ndryshe, pos si njollë dhe mbi të gjitha dështim për Kosovën, dhe të gjithë miqtë ndërkombëtarë e misionet që kanë vepruar dhe veprojnë në Kosovë, nevoja për të pasur një gjykatë të tillë. Nuk është e vërtetë që Gjykata e Hagës nuk ka mundur të merret me ato raste.

Nuk është e vërtetë as se EULEX-i nuk ka pasur mandat të merret me to. Arsyetimi se disa nga veprat e dyshuara kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë, ku EULEX-i nuk ka mandat, janë naive. Si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria gjithsesi do të pranonte të bashkëpunojë, dhe një bashkëpunim të tillë ta mundësojë edhe me ligj. Por pakkush ka besim edhe në EULEX-in. Besimi në këtë mision nuk është fare më i madh sesa në gjykatat e Kosovës, e kjo do të thotë se nuk ka fare besim as nga ata që e kanë dërguar EULEX-in në Kosovë. Ky mision po përballet me mbrojtjen e imazhit të vet e jo me sjelljen e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe depolitizimin e gjyqësorit në Kosovë.

Gabimet që ka sjellë deri tek krijimi i Gjykatës Speciale nuk kanë nisur me votimin e saj në Kuvend. Gabimet kanë ndodhur shumë më herët. Gabim ka qenë ndërhyrja politike në gjykata, Prokurori dhe politizimi i plotë i tyre. Gabimet kanë ndodhur kur politikanët kanë bërë llogari se kur cili prokuror apo gjykatës i duhet në cilën pozitë. Gabimet janë bërë kur nuk është siguruar mbrojtja e duhur e dëshmitarëve që tash e përdorin si një prej arsyeve kryesore pse për kosovarë duhet të ketë procese në Hagë. Gabimet janë bërë kur janë bërë llogari se kush do të shpëtojë e kush jo nëse një gjykatë e tillë nis të veprojë. Gabimet janë bërë kur ka munguar vullneti që në mënyrë të parezervë të procedohen të gjitha rastet e krimeve, pa marrë parasysh se kush është kryerësi e kush viktima. Dhe gabimet janë bërë kur nuk është analizuar si duhet asnjë veprim, sepse kanë mjaftuar kërkesat e miqve ndërkombëtarë. Krijimi i kësaj gjykate është vetëm një prej gabimeve të bëra, të cilat nuk mund të zhbëhen e as të shkrihen.

Kosova në dialog me Serbinë ka pranuar fusnotën në emrin e saj që në një mënyrë, qoftë edhe simbolike, mund të shihej si heqje dorë nga shtetësia dhe pranim që të trajtohet ndryshe nga shtetet sovrane. U tha se ajo me kalimin e dimrit do të shkrihet, por ja që as pas gjashtë verave dhe dimrave nuk u shkri, por u forcua.

Ka pranuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it, ashtu siç ka kërkuar BE-ja, pa mundësi që ky mision të japë llogari për veprimet e veta, jo vetëm Kosovës, por askujt tjetër. Ka pranuar krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të disa prej ish-liderëve të UÇK-së. Është fituar përshtypja sikur Kosova duhet të marrë vendime për t’iu përshtatur nevojave të BE-së e jo anasjelltas. Pra, është shndërruar në një hapësirë ku BE-ja bën eksperimente të tipit EULEX. Gjykata Speciale e të tjera. Dhe kjo Gjykatë Speciale, me emrin e çuditshëm “Dhomat e Specializuara të Kosovës” thuhet gjithmonë se është krejtësisht e Kosovës, edhe pse vetë përfaqësuesit e Kosovës e kritikojnë atë se po bashkëpunon me Serbinë, por jo me Kosovën. Pra, kemi edhe një paradoks; një gjykatë të Kosovës, e cila nuk po bashkëpunon me Kosovën e po bashkëpunon me Serbinë!.

Mund të besojmë se qëllimi i krijimit të kësaj gjykate nuk është që të njolloset as lufta e UÇK-së e as Kosova. Por me gjithë këtë, Kosovës kjo gjykatë që tash i ka bërë dëm historik, pa marrë parasysh se kë dhe kur do ta akuzojë dhe çfarë verdikte do të nxjerrë në fund. Qëkur është krijuar “Task forca” Speciale kemi mbetur në pozicionet e kohës kur Dick Marty kishte nxjerrë raportin e tij me akuza për nxjerrje të dhunshme dhe shitje organesh. E ato pozicione janë se “nuk ka dëshmi, por besohet se ka ndodhur”. Në këso rrethanash kemi njollosjen e Kosovës, shantazhimin e disa liderëve politikë të Kosovës që si pasojë mund të kenë bërë kompromise në dëm të shtetit, dhe kemi një krijim të hapësirës së lidershipit politik të Serbisë që të ketë ofensiva propagandistike kundër Kosovës.

Pa marrë parasysh qëllimin e krijimit të gjykatës, ajo në histori do të përdoret si dëshmi se Kosova ka qenë i vetmi shtet në territorin e ish-Jugosllavisë për të cilin nuk ka mjaftuar Gjykata e Hagës për krime lufte, as gjykatat vendore të Kosovës, e as ato të EULEX-it me mandat ekzekutiv, që të procedohen krimet e rënda, por është dashur edhe një ekstra, Gjykatë e Specializuar. Pra, vetë krijimi i kësaj Gjykate Speciale është pranim i dështimit të sistemit të drejtësisë së Kosovës, dhe me të edhe të EULEX-it. Pranimi se në Kosovë nuk ka gjykata të pavarura dhe profesionale për t’u marrë me krime të tilla serioze, se në Kosovë nuk mund të mbrohen dëshmitarët dhe pranim i shumë dështimeve të tjera të përbashkëta evropiano-kosovare.

Nuk e dimë se çfarë personalisht mund t’i kenë “garantuar” presidentit Thaçi kur ai e quante veten në fjalime në Bruksel “Kampion i krijimit të Gjykatës Speciale”, duke thënë se “Kosova nuk ka çfarë të fshehë”. Por duket se tash Thaçi, ndoshta duke u besuar premtimeve ka dalë i dëshpëruar. Sepse sa më shumë që besohet në premtime aq më i madh edhe bëhet dëshpërimi kur ato nuk realizohen.

Kosova ka bërë gabim edhe kur në mënyrë të nxituar ka nënshkruar Marrëveshjen me Malin e Zi për kufirin, dhe me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Asnjë nga këto gabime më nuk mund të zhbëhen pa pasoja të rënda për Kosovën. Me gjithë këto gabime në dëm të Kosovës, qytetarët e saj nuk kanë përfituar asgjë. Kosova ende është i vetmi vend në rajon i cili nuk ka liberalizim vizash, dhe i cili nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.

Për të gjitha këto pasoja është dashur të ishte menduar më herët, sepse kushdo që të jetë në pushtet në Kosovë do ta ketë për detyrë që të zbatojë atë që në emër të Kosovës të tjerët kanë marrë obligime dhe përgjegjësi. Dëmi Kosovës më nuk mund t’i parandalohet, por duhet bërë përpjekje që ai të jetë sa më i vogël që të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të përgatitet që në të ardhmen e afërt, kur mund të bëhen gabime të reja të mëdha, të jetë më e aftë dhe më e qëndrueshme sesa në gjashtë-shtatë vjetët e fundit, dhe të mbrojë interesat e saj. Përvoja ka dëshmuar se këtë e ka bërë më së miri në bashkëpunim me miqtë e jashtëm dhe vetëm me sinqeritet të plotë, e jo me lojëra prapa shpine. Hyrja në fazën e re në dialogun me Serbinë është sfida e radhës, ku gabimet më nuk mund të përsëriten.