OpEd

Fundi i një legjislature të palavdishme

Forca e një partie nuk matet vetëm me numrat që ajo i ka. Kjo u pa nga impotenca e LVV-së, e cila megjithëqë i kishte plot 48 deputetë, dështoi për ta krijuar qeverinë, sepse nuk i përmbushi disa kushte të tjera që e bëjnë një parti politike të fortë. Janë disa elemente që e tregojnë forcën e një partie politike. Ndër to hyjnë potenciali qeverisës, forca për t’i penguar kundërshtarët t’i zbatojnë politikat e tyre dhe, çka është më e rëndësishmja në kontekstin e sistemit zgjedhor të Kosovës, potenciali për të hyrë në marrëveshje dhe për të krijuar partneritet qeverisës. Kjo e fundit do të jetë alfa dhe omega e politikës kosovare në vitin që po vjen

Ky shkrim ka mundur të titullohet edhe “Fundi i një legjislature të turpshme” dhe do të ishte i saktë, ngase në politikën kosovare nuk ka asgjë të lavdishme dhe, si rrjedhojë as të palavdishme, si kontrast, nuk mund të ketë. Sidoqoftë, fjala e palavdishme ngërthen në vete edhe turpin, edhe paaftësinë, edhe abuzimin, edhe budallallëkun që e kemi parë në legjislaturën e nëntë. E kësaj legjislature, sot, më në fund i erdhi fundi dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme që na e krijoi kjo legjislaturë u caktuan më 28 dhjetor. 

Për mua personalisht, data e zgjedhjeve - a është para, gjatë apo pas pushimeve të Krishtlindjes e të Vitit të Ri, kur një numër i madh i njerëzve nga diaspora vijnë për pushime në Kosovë - ka pak rëndësi, ani se në opinion qarkullon mendimi se presidentja Vjosa Osmani e caktoi pikërisht këtë datë, si kohë e pushimeve për diasporën, për t’i bërë shërbim të mirë liderit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili e pret shumicën e votave të diasporës. Paçka se zgjedhjet mbahen gjatë kohës kur në Evropën Perëndimore janë pushimet e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Diaspora është e mirëseardhur të votojë, ngase ka të drejtë vote dhe ka pak dallim nëse këtë do ta bëjë me postë apo personalisht. Ajo që është me rëndësi është që partitë politike t’i përvjelin mëngët dhe ta fillojnë fushatën një orë e më parë dhe të luftojnë për secilën votë. Një gjë e di me siguri - fushata do të jetë e ashpër, mbase edhe më e ashpër sesa ajo për zgjedhjet e 9 shkurtit. Me rëndësi është që pas zgjedhjeve, partitë politike të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, sepse asnjëri bllok – e në Kosovë tanimë janë formësuar dy blloqe me LVV-në në njërën anë kundër të gjithëve (PDK, LDK, AAK) në anën tjetër – nuk e ka shumicën e nevojshme për ta votuar qeverinë. E se çfarë fushate do të bëjë LVV-ja veçse e kam një parandjenjë. Ajo nuk do të ndryshojë shumë nga fushata e zgjedhjeve të fillimvitit. Nuk do të ketë ide për qeverisje, por akuza e polarizim shoqëror, e në të cilin LVV-ja dhe lidershipi i saj llogarisin si mënyra më të lehta për të ardhur deri te vota e votuesit mesatar të Kosovës që kjo parti nuk e di a e konsideron ende si analfabet funksional. Nëse po, gjuha polarizuese dhe armiqësore ndaj partive të tjera, me akuza për bashkëveprim me Listën Serbe, do të jenë lajtmotivi kryesor i fushatës së LVV-së. Kjo ishte edhe arsyeja përse lideri i kësaj partie, Kurti, nuk e pranoi propozimin e arsyeshëm të LDK-së për një qeveri teknike kalimtare, me të cilën Kosova do t’i kryente shumë punë të bllokuara, por parapëlqeu që ta provojë opsionin që e dinte qysh në fillim se është i dështuar – atë të qeverisë së pakicës, të cilën partitë e tjera nuk kishin kurrfarë arsye që t’ia votonin.

Në anën tjetër, i kemi partitë e tjera - PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. PDK-ja, në kontekstin e zgjedhjeve lokale kaloi nëpër një krizë të brendshme por që u menaxhua ende pa u përshkallëzuar me dorëheqjen e Memli Krasniqit dhe zgjedhjen e Bedri Hamzës në krye të saj. Hamza është personalitet unifikues që i ka ndjeshmërinë dhe aftësinë për t’i menaxhuar dallimet në këtë parti. Gjuha e tij civilizuese dhe përqendrimi në çështjet programatike e mbajnë premtimin e një fushate të koncentruar në program dhe të një qeverisje nga një personalitet që, me gjithë postet e shumta publike që i mbajti, nuk ka lënë prapa vetes asnjë aferë të vetme korruptive.

LDK-ja, në anën tjetër, ka lidership të ri që nuk jam i sigurt nëse ka arritur të vendosë autoritet të pakontestueshëm brenda partisë. Lidhja e marrëveshjes nga dega e LDK-së në Vushtrri me LVV-në ka ngritur shumë pikëpyetje rreth autoritetit të Lumir Abdixhikut në bazën e kësaj partie. Sidoqoftë, rezultati solid i zgjedhjeve lokale, me gjithë humbjen e dy komunave dhe rifitimin e një komune tjetër, nuk çoi shumë peshë ngase bëhet fjalë për komuna të vogla. Sfida kryesore e liderit të LDK-së do të jetë që ta mbajë kompaktësinë e partisë dhe rritjen në bazë të performancës së saj në Prishtinë, të cilën arriti ta mbajë edhe pse votuesit e partive të tjera ishin të shpërndarë në mes të Përparim Ramës së LDK-së dhe Hajrulla Çekos të LVV-së. LDK-ja, në zgjedhjet e radhës duhet të tregojë së është opsion real dhe se si parti e mban premtimin e ndryshimit, arsyes dhe qeverisjes së mirë. Vetëm në këtë mënyrë, LDK-ja mund t’i rikthejë votat e humbura te Guxo dhe te LVV-ja në vitin 2021.
Nga ana tjetër, AAK-ja ndodhet në një pozitë specifike dhe mjaft të pavolitshme, sepse në zgjedhjet e kaluara parlamentare, po të mos ishte koalicioni me NISMA-n, nuk do ta kalonte pragun zgjedhor. Marrëdhëniet me NISMA-n u prishën për shkak të qëndrimit të Limajt në raport me qeverinë e LVV-së dhe është ende e paqartë nëse do të mund të rivendoset edhe një herë një koalicion i tillë parazgjedhor. Një paradoks që e bën të paqartë pozicionin e AAK-së është rezultati i saj i mirë në zgjedhjet lokale. Ajo arriti t’i fitojë pesë komuna dhe mund të arrijë të hyjë në legjislaturën e ardhshme nëse rezultati i zgjedhjeve lokale përsëritet. Moskalimi eventual i pragut zgjedhor do të thoshte shkrirje të anëtarësisë së kësaj partie me PDK-në dhe LDK-në.

Për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të jashtëzakonshme mund vetëm të spekulohet. Ajo që është e sigurt është se rezultati i 2021-tës nuk do të përsëritet më dhe se LVV-ja do të pësojë rënie nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ajo edhe mund të dalë partia e parë, por do të dalë më e dobët në zgjedhjet e jashtëzakonshme sesa që ka qenë në legjislaturën e nëntë. Prandaj, për të pasur një zgjidhje pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme është me rëndësi që partitë ish-opozitare të dakordohen për një bashkëqeverisje me LVV-në në opozitë. Prandaj, po aq sa është e rëndësishme fushata zgjedhore, është e rëndësishme që të diskutohet për opsionet paszgjedhore që vendi të mos humbë kohë kot me parti politike e liderë që janë të paaftë të gjejnë zgjidhje për probleme të thjeshta. Nëse nuk mund të gjejnë zgjidhje për probleme të thjeshta, siç janë ajo se kush bëhet kryeministër, kush president e nga sa ministri i merr secila parti, si mund atëherë të gjejnë zgjidhje për problemet shumë më të ndërlikuara që i ka Kosova?

Konstelacioni aktual i forcave nuk premton se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit do të kemi një situatë më të mirë se ajo që e patëm gjatë muajve torturues të legjislaturës së nëntë të dështuar. Prandaj, partitë opozitare duhet të mobilizohen seriozisht, sepse, në rast se përsëritet ajo që e kemi pasur, përgjegjësia e tyre nuk është hiç më pak e vogël sesa ajo e partisë më të madhe. Ato duhet të dalin nga amullia në të cilën kanë rënë dhe të tregojnë se kanë potencial të japin më shumë se çka dhënë LVV-ja gjatë qeverisjes së saj të vaktë katërvjeçare. Ato duhet të dalin nga pozicioni pasiv në veprime aktive që shpërfaqin edhe dobësitë e qeverisjes së kaluar, edhe të tregojnë me programe konkrete potencialin e tyre qeverisës. 

Forca e një partie nuk matet vetëm me numrat që ajo i ka. Kjo u pa nga impotenca e LVV-së, e cila megjithëqë i kishte plot 48 deputetë, dështoi për ta krijuar qeverinë, sepse nuk i përmbushi disa kushte të tjera që e bëjnë një parti politike të fortë. Janë disa elemente që e tregojnë forcën e një partie politike. Ndër to hyjnë potenciali qeverisës, forca për t’i penguar kundërshtarët t’i zbatojnë politikat e tyre dhe, çka është më e rëndësishmja në kontekstin e sistemit zgjedhor të Kosovës, potenciali për të hyrë në marrëveshje dhe për të krijuar partneritet qeverisës. Kjo e fundit do të jetë alfa dhe omega e politikës kosovare në vitin që po vjen.

[email protected]