OpEd

Dronët: lajm i mirë, i keq apo jo-lajm?

Serbia me alarmin për dronët po zhvishet kundër vetes: po i pengon aftësimi i Kosovës për mbrojtje e me teknologji moderne të konsolidimit brenda NATO-s. Por edhe mund të ndihmojë që të mos blihen më dronët

1.

Pse janë një mijë dronë të blerë nga Kosova prej Turqisë lajm i mirë? Dhe pse janë lajm i keq? Dhe: pse nuk janë lajm?

Të nisemi nga pyetja e fundit. Blerja e armatimit në Evropë ka shpërthyer që nga hyrja e Rusisë në luftë frontale me Ukrainën më 2022. Ky mesazh ka mbërritur edhe në Ballkanin Perëndimor, qoftë me vendet që janë anëtare të NATO-s, qoftë edhe ato si Serbia e Kosova që nuk janë. Për vendet evropiane të NATO-s, prodhimi dhe blerja e armatimit tashmë është pjesë e obligimeve për të ngritur përgjegjësinë për mbrojtjen e kontinentit, një kërkesë e të gjithë presidentëve amerikanë në këtë shekull, por e aprovuar së fundmi vetëm pas insistimit të presidentit Trump. Pra, shkurt, të gjithë po armatosen dhe nuk duhej të ishte fare lajm që këtë e bën edhe Kosova.

Për më tepër, ekzistojnë edhe dy arsye të tjera pse një gjë e tillë nuk duhet të përbëjë lajm. E para është se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (përfshirë këtu edhe Kroacinë) shpenzojnë më pak të gjitha së bashku në armatim sesa Serbia, e cila tashmë duhet ta ketë kaluar shifrën prej 2.5 miliardë dollarësh (sipas hulumtimeve të organizatave serioze, si SIPRI). E dyta, Kosova e ka të përcaktuar trajektoren e vet të ngritjes së ushtrisë brenda standardeve të NATO-s dhe ky plan dhjetëvjeçar ecën me përpikëri.

Pra, një Kosovë që aspiron të jetë në NATO, po blen armë prej vendit të dytë më të fortë të NATO-s në një regjion në të cilin vendi që nuk dëshiron të jetë në NATO blen armatim (nga vende të NATO-s, por edhe nga Rusia e Kina) më shumë se të gjithë fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor së bashku.

2.

Në fakt është lajm dhe ka dy arsye që ky lajm ka një lidhmëri me Ukrainën. 

Së pari, ngase lufta në Ukrainë që filloi si një model i luftës së transheve të Luftës së Parë Botërore bëri revolucion teknologjik taktik që do të zhvillojnë doktrina të reja ushtarake. Këtu hyn droni i cili në tre vjetët e zhvillimit të luftës në Ukrainë ka arritur të jetë një lloj zëvëndësimi i lirë i një kombinimi të artilerisë dhe aviacionit. Ukraina, e ballafaquar me deficit ushtarak njerëzor e material përballë Rusisë (në front 1:3 në raport ushtarësh ukrainas kundër rusëve), e ka shndërruar dronin në “force multiplier” (shumëzues force) që shërben për të goditur forca ushtarake, linja furnizimi e depo pa nevojë avancimi me njerëz tej vijave të frontit. Droni, i prodhuar lirë dhe i shpenzueshëm pa dhimbje kosto njerëzore e materiale, është shndërruar në një doktrinë të re të mbrojtjes, të prodhuar nga përvoja ukrainase. 

Së dyti, ky përbën lajm të mirë, sepse inkuadrohet në një doktrinë mbrojtje në ndërtim e sipër në Kosovë. Për doktrinën mbrojtëse të forcave të armatosura të Kosovës, Serbia, ndonëse me dallimet e veta evidente gjeografike e përmasash dhe peshe gjeopolitike me Rusinë, ka indikatorë të kuq sigurie të cilat janë identifikuar në Ukrainë. Serbia është vend i cili nuk e ka njohur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Kosovës, ka kapacitet ofensiv ushtarak kundër Kosovës me një mbisundim force njerëzore e pajisje ushtarake dhe tashmë ka zbatuar një operacion hibrid paraushtarak në Banjskë më 2023. Një vështruesi ushtarak ukrainas këtu do t’i ndizeshin sinjalet nga e kaluara: Rusia i filloi operacionet e veta me formacione paraushtarake, kishte avantazh të dukshëm ofensiv ushtarak dhe këtë në fund e përdori kundër një shteti ekzistencën e të cilit nuk e njeh.

Në këso konteksti analize importi i dronit është gjithsesi lajm, ai i shtrirjes së njohurive të reja taktike dhe analizës strategjike ukrainase.

3.

Por, konteksti është shumë më ndryshe: Kosova është nën mbrojtje të NATO-s dhe disa prej vendeve të spikatura të saj janë të përfshira në aftësimin e ushtrisë kosovare për të qenë një ushtri e NATO-s. Në këtë kontekst blerja e dronëve do të thotë adoptim i ndryshimeve teknologjike në armatim; në vend të trajnimit me artileri në vijat mbrojtëse të vendit do të bëhet me këto fluturake të kontrolluara nga distanca. Pra lajm i mirë.

Por, jo lajm i mirë për gjithkënd. Në Serbi ka pasur dhe ka reagime tërësisht negative, filluar nga presidenti i vendit Vuçiq dhe tërë kori i mëtejmë i zyrtarëve e analistëve të cilët blerjen e dronëve në Kosovë e shohin si një akt agresioni, madje një akt agresioni të politikës “neotomane” të presidentit Erdogan.

Dhe, një këndvështrim i këtillë, kur të zbërthehet në përbërësit racionalë, i bëjnë dëm vetë Serbisë. Për këtë shtet është problematike që fqinji i vet të pajiset me armë të dëshmuara si pjesë të doktrinës së re mbrojtëse (madje një ministër i Qeverisë serbe tregoi publikisht edhe performancat e dronit që qartazi ilustrojnë natyrën defensive: kapacitet fluturimi prej 36 minutash në distancë maksimale prej 136 kilometrash). Dhe për këtë shtet është problematike që këto armë shiten nga fuqia e dytë e NATO-s. Pra, kështu del që Serbisë, shtet me kapacitet të dëshmuar ofensiv kundër Kosovës, i pengon aftësimi i Kosovës për t’u mbrojtur dhe për më tepër aftësimi i saj si pjesë e konsolidimit të NATO-s në regjion.

Ky pastaj duhet të jetë lajm i keq edhe për Bashkimin Evropian. Blerja e dronëve në Kosovë për t’u mbrojtur nga Serbia nuk është ndonjë dëshmi shembullore e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve e as e përpjekjeve të BE-së drejt këtij caku.

4.

Pra blerja e dronëve është lajm i mirë, është lajm i keq dhe është jo-lajm.

Por, mbase ekziston edhe një kategori tjetër: dronët nuk duhej të bëheshin shkas për lajm. Kosova dhe Serbia duhej të kishin marrëdhënie të mira ndërshtetërore, i tërë regjioni i Ballkanit Perëndimor do të ishte një zonë e përbashkët sigurie që do të korrespondonte me Evropën si një zonë e përbashkët sigurie e ndërtuar prej NATO-s, BE-së dhe shteteve të kontinentit. Atëherë, lajm do të ishte se vendet e Ballkanit Perëndimorë kanë blerë helikopterë për operacione të përbashkëta sigurie, kanë vendosur rrjetin e informatave që mbledhin dronët për rreziqet nga zjarret, kalimet ilegale të kufijve dhe kërcënimet e tjera të kësaj natyre për sigurinë e përbashkët të krejt regjionit e kështu me radhë...
Deri sa të mos arrihet këtu, lajm do të bëhen dronët.