OpEd

Dialog pa busull: pavendosmëria e BE-së, SHBA-ja në horizont

Sylë Ukshini

Vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, në Kosovë dhe Serbi, nuk solli as pritje dhe as përparim. Mungesa e një busulle në dialogun Kosovë–Serbi e dëshmon jo vetëm dobësinë dhe shterpësinë e vazhdueshme të këtij procesi, por edhe fragmentimin dhe mungesën e vullnetit të Bashkimit Evropian për ta ndërmjetësuar për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative, edhe atëherë kur kanë kaluar më shumë se 14 vjet nga nisja e këtij dialogu, që thuhej se ishte teknik dhe për normalizim. Si rrjedhojë, nuk ka ndodhur as normalizimi i marrëdhënieve, as njohja nga pesë vendet e BE-së dhe as evropianizimi i Serbisë. Është një status qo, i cili, duhet pranuar, se më shumë i përgjigjet interesave të Serbisë, e cila operon mes Brukselit dhe Moskës në përpjekje për ta kapur maksimumin e bonueseve nga këto dy qendra: nga Rusia veton ruse kundër Kosovës, ndërsa nga Brukseli integrimin evropian. Ndërkohë, rikthimi i Kosovës në diskursin e presidentit amerikan Donald Trump, nxjerr në pah një realitet të njohur: mundësinë e rikthimit amerikan në Ballkan, përkatësisht në çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, duke konfirmuar edhe një herë se zgjidhja e qëndrueshme mbetet e paimagjinueshme pa një rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BE-ja e pavendosur dhe me standarde të dyfishta

Qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës karakterizohet nga paqartësi dhe nga viti i kaluar ka kulmuar edhe me masa ndëshkuese, të cilat ndodhin në kundërshtim me standardet e zbatuara ndaj Serbisë. Në këtë mënyrë, Kosova bëhet vendi i vetëm që po ndëshkohet nga Kosova për veprimet në veri të vendit, aty ku prej qershorit 1999 kemi koncentrimin e strukturave ilegale të sigurisë nga Serbia. Nëse Kosova ndëshkohet për vendime brenda territorit të saj, Serbia gëzon tolerancë dhe miklim të habitshëm për bashkëpunimin e saj të hapur me Federatën Ruse, shteti që askund më shumë se në Kosovë e lufton konsolidimin e suksesit të Perëndimit në Ballkan. Pabarazia në trajtim, e kombinuar me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, e ka krijuar një ambient mosbesimi, duke e vështirësuar ndjeshëm një progres të qëndrueshëm në dialog dhe njëkohësisht i ka ulur pritjet e dikurshme të mëdha për integrim të shpejtë të rajonit në BE. 

Si duket një gjë e tillë është kuptuar edhe në Serbi, e cila duke e ndjekur rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila edhe pas ndryshimit të emrit  nuk pati ndonjë mbështetje të veçantë nga Brukseli, prandaj lidershipit serb nuk i nxitohet për asgjë në dialogun e Brukselit, madje sa herë që ndihet ndonjë trysni evropiane, Vuçiqi i rikthehet “flirtit me lidershipin rus në Moskë.” Mesazhi është i qartë, unë kam zgjidhje edhe nëse ju nuk jeni të kënaqur me mua. Në vend që zyrtarët evropianë të artikulojnë në mënyrë të qartë dhe të prerë se strategjia e “dy ulëseve” që ndjek Serbia – pra, bashkëpunimi paralel me Bashkimin Evropian dhe Federatën Ruse – nuk mund të mbetet pa pasoja afatgjata, ata vazhdojnë ta mbajnë një qasje të paqartë dhe shpeshherë kontradiktore. Takimet dhe gjestet simbolike të mirëkuptimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, shpesh ndodhin paralelisht me qëndrime kritike, të cilat në praktikë nuk pasohen nga veprime konkrete. Kjo sjellje i mundëson Beogradit që të vazhdojë ta manipulojë situatën dhe ta zhvillojë një politikë të jashtme të paangazhuar realisht ndaj BE-së.

Shembulli më i fundit që e ilustron këtë ambiguitet është vizita e Vuçiqit në Moskë. Kjo vizitë, ndonëse e konsideruar brenda vetë Serbisë si potencialisht e dëmshme për pozitën gjeopolitike të vendit dhe për kredibilitetin e saj si një shtet kandidat për anëtarësim në BE, nuk hasi në ndonjë reagim të qartë apo të koordinuar nga ana e Brukselit, përveç disa deklaratave të përgjithshme dhe paralajmërimeve pa efekt praktik.

Për pasojë, Serbia vazhdon të ruajë marrëdhënie të afërta me Federatën Ruse dhe refuzon të bashkohet me paketat sanksionuese të BE-së ndaj Moskës, të vendosura për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës. Madje, në këtë kontekst, nuk përjashtohet as mundësia e afrimit taktik të Beogradit me Kievin, siç u reflektua në Samitin e Odesës, ku për mosftesën e Kosovës u vërejt një përputhje pozicionesh ndërmjet Ukrainës, Serbisë. Vuçiqi me ekzaltim e falënderoi Zelenskin për këtë veprim. Kjo qasje e Ukrainës, sado kontradiktore të duket në kontekstin e agresionit rus, mund të interpretohet si pjesë e një strategjie realpolitike të diktuar nga interesat momentale dhe marrëdhëniet me shtetet e treta, por njëkohësisht i tregon limitet e ndikimit të aleatëve të Kosovës, që janë edhe të Ukrainës, për të influencuar në pozicionin e diplomacisë ukrainase. 

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian shfaqet jo vetëm në raport me aktorët jashtë tij, por edhe brenda vetë strukturës së tij institucionale, ku pesë shtete anëtare vazhdojnë ta trajtojnë statusin e Kosovës si një çështje “neutrale”. Kjo qasje ka reflektuar negativisht në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, duke sjellë një trajtim jo të barabartë të palëve, si dhe një tolerancë të papranueshme ndaj veprimeve të njëanshme dhe provokuese të Beogradit — përfshirë edhe agresionin e dhunshëm serb në Banjskë, që e përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave të sigurisë së shtetit serb në brendësi të territorit të Kosovës. Një sjellje tipike e shtetit serb si një shekull më parë, kur banda  dhe cubat e financuar nga Beogradi operonin dhe bënin turbullira në territorin e Vilajetit të Kosovës dhe Maqedonisë, me qëllim që ta provokonin ndërhyrjen ruse.

Mosreagimi i qartë dhe proporcional i BE-së ndaj këtij akti e ka krijuar një klimë të thellë mosbesimi dhe frustrim real në opinionin publik kosovar, aq më tepër kur masat ndëshkuese ndaj Kosovës ndërlidhen me mënyrën e normalizimit të gjendjes në veri, e për të cilën nuk mund të amnistohet edhe faktori ndërkombëtar, i cili as nuk deshi dhe as nuk pati vullnet të ballafaqohej me mbetjet e regjimit të Millosheviqit. Në një situatë të tillë, kur problem bëhet gati çdo gjë e palës kosovare, përjashto këtu reshjet atmosferike, pozicioni i BE-së, EULEX-i, Gjykata Speciale, kanë filluar të shihen si një lloj "outpost” evropian ndaj shtetësisë së Kosovës.

Një tjetër dobësi e dukshme lidhet me mungesën e një qartësie strategjike lidhur me integrimin evropian të rajonit të Evropës Juglindore, edhe pas më shumë se tri dekadash nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe rrëzimi i Murit të Berlinit. Procesi i evropianizimit dhe i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian vazhdon të ecën me ritme të ngadalta dhe të pasigurta. Duket sikur Bashkimi Evropian ka humbur jo vetëm vullnetin politik dhe guximin, por edhe vizionin strategjik për ta përmbyllur projektin e zgjerimit si një mjet për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në kontinent.

Nga ana tjetër, shtetet e rajonit mbeten të bllokuara në cikle të pafundme tranzicioni dhe të kapura nga trashëgimia e së kaluarës konfliktuoze. Reformat demokratike dhe institucionale janë zbehur, ndërsa klasat politike shpeshherë karakterizohen nga mungesa e një vizioni afatgjatë për zhvillim dhe integrim. Krahas kësaj, emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore të kualifikuar drejt vendeve të zhvilluara evropiane paraqet një sfidë serioze, duke e minuar potencialin demografik dhe kapacitetin e korpusit të profesionistëve të brendshëm të rajonit.

Ky zhvillim rrezikon ta krijojë një vakum të thellë strukturor, ku mungesa e një mase kritike të aktorëve transformues e pengon përparimin e reformave substanciale dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Si rezultat, rajoni mbetet në një gjendje stagnimi, ku mungesa e qartësisë nga BE-ja dhe dobësitë e brendshme ndërveprojnë, duke e prodhuar një cikël të qëndrueshëm të mosndryshimit.

Së fundi, lufta në Ukrainë dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, përfshirë përplasjen midis Izraelit dhe Iranit, dëshmojnë përfundimisht se ka perënduar epoka e iluzionit mbi stabilitetin e përhershëm ndërkombëtar. Sot jemi dëshmitarë të transformimit të rendit global të ndërtuar në periudhën pas Luftës së Ftohtë, ndërsa një rend i ri po merr formë, në të cilin rajoni i Ballkanit duket gjithnjë e më i margjinalizuar — pa zë, pa garanci sigurie dhe pa orientim strategjik.

Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor ndodhet përballë një pasigurie të thellë, pa një vizion të qartë për të ardhmen, ndërkohë që aktorët më të fuqishëm rajonalë, të mësuar me përfitime gjeopolitike nga situatat e mëparshme ndërkombëtare, shpresojnë për krijimin e një momentumi të ri të favorshëm. Ky moment mund të përdoret për të avancuar projekte të vjetra hegjemoniste, që në thelb i përkujtojnë aspiratat e papërfunduara të regjimit të Millosheviqit nga fillimi i viteve 1990.

Serbia maksimalizon pavendosmërinë evropiane

Strategjia e Beogradit në dialogun me Kosovën mbetet në thelb obstruksioniste. Aleksandar Vuçiq, si ish-ministër i informimit gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit, e njeh mirë pavendosmërinë dhe mungesën e koherencës strategjike nga ana e Bashkimit Evropian. Duke e shfrytëzuar këtë boshllëk, Serbia ka ndjekur që nga fillimi një strategji të tërheqjes së koncesioneve të njëanshme, duke refuzuar njëkohësisht çdo formë detyrimi apo obligimi që do ta poziciononte si palë të barabartë në raport me shtetin e Kosovës. Për Beogradin, njohja e Kosovës përfaqëson një dështim të projektit të Serbisë së Madhe dhe një pengesë për ambiciet territoriale serbe në drejtim të jugut të Ballkanit.

Në këtë kontekst, Serbia, duke refuzuar ta pranojë ndonjë obligim konkret ndaj shtetit të Kosovës, ka ndjekur paralelisht një strategji graduale të çmontimit të elementeve themelore të Planit të Ahtisaarit, dokument i cili shërben si bazament normativ dhe institucional i shtetësisë së Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, nisi një cikël koncesionesh ndaj Beogradit dhe Moskës, të cilat e kishin refuzuar Planin e Ahtisaarit, duke filluar me vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS-OKB-së dhe jo sipas Planit të Ahtisaarit. Ky devijim vijoi me propozimin e ashtuquajtur "plani në gjashtë pika" i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili parashihte të drejta shtesë për komunitetin serb në fushat e policisë, gjyqësisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe – kompetenca që në fakt ishin adresuar mënyrë gjeneroze dhe të favorshme brenda kornizës së Ahtisaarit. Menjëherë pas fitores spektakulare të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (korrik 2010), faktori ndërkombëtar u kujdes për ta krijuar një lloj ekuilibri rajonal, duke dashur ta kënaqte Serbinë për humbjen e saj në GJND, një çështje që e kishte nisur Carla Del Ponte e vazhdoi me Dick Marty-in, pastaj erdhi Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila ishte sponsorizuar nga Serbia dhe 27 vende të BE-së, e më pas edhe Rezoluta e Këshillit të Evropës (janar 2011), e që vazhdoi me dialogun Kosovë-Serbi në mars 2011, për të kulmuar me formimin e Gjykatës Speciale (gusht 2015), një projekt i çuditshëm njëetnik dhe i padëgjuar në analet e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo sjellje mikluese ndaj Beogradit u kuptua si dobësi e faktorit ndërkombëtar, prandaj Serbia insistoi që të hapet kapitulli i pushtetit lokal dhe statusi i Kishës Ortodokse, me qëllim të dobësimit të pushtetit qendror të Qeverisë së Kosovës, një  qasje e cila ishte aplikuar nga Beogradi edhe në Konferencën e Dejtonit, ku në çdo variant ndiqej synimi në rregullimin e brendshëm kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës roli i qeverisë qendrore boshnjake të ishte sa më i dobët dhe kështu shteti i Bosnjë dhe Hercegovinës të bëhej sa më jofunksional. Kjo qasje asimetrike gradualisht e futi dialogun e Brukselit në një qorrsokak, nga i cili nuk arriti ta gjente exit-in as përmes nismës së zhurmshme gjermano-franceze, e cila u tha se mbështetej mbi shembullin e Traktatit Bazë të vitit 1972 midis dy shteteve gjermane.

Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian dhe adoptimit të një qasjeje më izolacioniste nga Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trumpit, rajoni i Ballkanit Perëndimor u përball me një boshllëk në kontekstin gjeopolitik, të cilin e shfrytëzuan aktorë të tjerë ndërkombëtarë si Rusia dhe Kina. Këta aktorë i intensifikuan përpjekjet për ta forcuar ndikimin e tyre në rajon, duke synuar njëkohësisht ta minojnë suksesin dhe kredibilitetin e Perëndimit në këtë pjesë të kontinentit evropian. Në këndvështrimin e sigurisë nga konteksti gjeopolitik, BE-ja nuk e ka demonstruar një qasje të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, e ka pasur një vetëmjaftueshmëri në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u provua të amortizohet përmes nismës “Ballkanit të hapur,” e cila synonte të përdorej më shumë për ta shpërfaqur Serbinë, si një fuqi e rëndësishme rajonale.

Në këtë kontekst, dobësia e Bashkimit Evropian u manifestua përmes mungesës së një qëndrimi konsekuent dhe zbatimit të kushteve thelbësore ndaj Serbisë, ndonëse këto kushte ishin artikuluar qartë në një dokument të përbashkët (non-paper) të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, të hartuar në vitin 2013. Ky dokument përmbante dhjetë pika dhe ishte prezantuar në gusht të po atij viti, gjatë takimit të fundit të grupit punues të Këshillit për Zgjerimin dhe Vendet Negociatore (COELA – EU Enlargement and Negotiation Countries). Synimi i tij ishte ta sqaronte më tej pozicionin e këtyre dy shteteve sa i përket kornizës negociuese për Serbinë, me fokus të veçantë mbi procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Pika qendrore e këtij dokumenti ishte kërkesa për "normalizim të plotë" (full normalisation) të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – një formulim ky që ishte propozuar më herët nga Komisioni Evropian, me nxitjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë. Sipas këtij pozicioni, procesi i normalizimit duhej të përmbyllej me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dyja palët, e cila do ta garantonte përparimin e tyre të mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE dhe do t’i siguronte të dyja shtetet me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë që burojnë nga ky proces. Marrëveshja do ta përfaqësonte një kusht themelor për hapjen dhe zbatimin e Kapitullit 35 në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Serbisë. 

Megjithatë, ky pozicion tashmë i përket së kaluarës. Evoluimet e mëvonshme e kanë dëshmuar një tërheqje nga ky standard fillestar, duke e thelluar ambiguitetin strategjik të BE-së në raport me dialogun Kosovë–Serbi dhe duke e minuar potencialin për një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Dialogu si alibi, jo si zgjidhje dhe gjuha armiqësore e Serbisë 

Takimet në Bruksel tashmë duken më shumë si ritual teknik e diplomatik sesa negociata serioze, shpesh bëhen sa për ta bërë radhën. Rrjedhimisht, dialogu i Brukselit gjithnjë e më shumë duket si një mjet për legjitimimin e status quo-së sesa si një instrument i duhur për arritjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, që Brukseli me zell të papërmbajtur kujdeset t’i referohet si “dialog mes Prishtinës dhe Beogradit”.  BE-ja e përsërit në refren Marrëveshjen e Ohrit si argument, ndërkohë që shpërfaqet pafuqia e saj për t’i detyruar palët që ta implemntojnë marrëveshjen. Për më tepër, ishin ndërmjetësit e BE-së ata që e dëmtuan thelbin e marrëveshjes pak momente para se të takoheshin palët në Ohër. Kjo qasje e trimëroi Beogradin, i cili krijoi menjëherë një terren të favorshëm për devalvimin e marrëveshjes, madje goditjen vendimtare ia dha me rastin e Banjskës dhe me letrën e ish-kryeministres Bërnabiq, e cili synonte ta ndiqet shembullin e letrës së unitetit gjerman, përmes së cilës Boni nuk hiqte dorë nga ideja e bashkimit të dy shteteve gjermane. 

Përveç kësaj, pika 7 e kësaj marrëveshje: për vetmenaxhimin dhe zotimin për ta diskutuar çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe janë elementet më problematike, të cilat synojnë ta pengojnë ndërtimin e sovranitetit funksional të Kosovës. BE-ja duket më e interesuar ta kënaqë "narrativën" serbe, për hapjen edhe një herë të Ankesit V të Planit të Ahtisaarit për Trashëgiminë Kulturore dhe Fetare, sipas së cilës Kisha Ortodokse Serbe, e cila historikisht e ka ndjekur strategjinë e vetviktimizimit, si trampolinë për realizimin e idesë nacionaliste të Serbisë së Madhe, respektivisht të intencës për ta realizuar statusin e veçantë (extraterritorialeteti) për manastiret dhe kishat serbe në Kosovë. Kisha Ortodokse Serbe (KOS), e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në jetën fetare të serbëve, por edhe në ndërtimin e identitetit kombëtar dhe në artikulimin e projekteve politike me natyrë ekspansioniste, e përfaqëson një instrument të "Bota Serbe" (Srpski svet), i cili përfaqëson një platformë ideologjike që e synon bashkimin kulturor, politik dhe shpirtëror të të gjithë serbëve në një hapësirë të përbashkët gjeopolitike, pavarësisht kufijve shtetërorë aktualë. Pra, ajo paraqet një ndërthurje ndërmjet religjionit dhe politikës eskpansioniste. Prandaj, nuk është e rastit që patriku serb Porfirije nga Patrikana e Pejës, ku qëndroi për Pashkë, shkoi edhe në Moskë, u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin. Gjatë takimit të zhvilluar në Kremlin, Porfirije i kishte cituar fjalët e patriarkut të mëhershëm serb, Irinej, i cili kishte thënë se “varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse”. “Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Sërpska [entitet në Bosnje e Hercegovinë] dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, deklaroi Porfirije, duke treguar se Kisha Ortodokse Serbe, jo vetëm se nuk ka qëndrim kritik për të kaluarën e vet dhe mbështetjen që i kishte dhënë luftërave agresive të Millosheviqit, por vazhdon ta ndjekë me këmbëngulësi projektin e bashkim të të gjithë serbëve në një shtet. Në fakt, projektimet territoriale të Serbisë së Madhe përfshijnë në mënyrë të qëllimshme ato hapësira ku janë të pranishme strukturat institucionale të Kishës Ortodokse Serbe, madje edhe në rastet kur komuniteti ortodoks serb përbën pakicë numerike në ato territore. Në një ligjëratë në Univesritetin e Sarajevës, ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vuri në dukje se Kisha Ortodokse Serbe ka funksionuar si instrument politik dhe ideologjik në shërbim të Beogradit, duke ndihmuar në ndezjen e atmosferës nacionaliste dhe duke vepruar si përfaqësues i ndikimit rus në rajon. Ai theksoi se në Mal të Zi gjatë vitit 2020, KOS-i kishte luajtur rol të ngjashëm me atë të strukturave të MUP-it ose shërbimeve sekrete në përpjekjet për ndryshim të pushtetit.

Në kontekst, KOS-i, që e ka gojën plot viktimizim, vazhdon t’i ndjekë qëndrimet politike të Beogradit dhe Moskës në sfidimin e shtetësisë së Kosovës, duke e kërkuar ndihmën e Putinit për ta minuar suksesin e Perëndimit në Kosovë dhe në Ballkan, duke sugjeruar që edhe qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozita globale e Rusisë. Vizita e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në Federatën Ruse dhe takimi i tij me Presidentin Vladimir Putin, e zbardh në mënyrë të qartë dimensionin ideologjik dhe politik të rolit të Kishës Ortodokse Serbe, e cila në raport me Kosovën dhe shqiptarët shfaq një orientim destruktiv, nacionalist dhe ekskluzivist, duke e pozicionuar veten jo si faktor pajtimi dhe paqeje, por si aktor që legjitimon narrativa historike shoviniste dhe mohuese ndaj të drejtave kolektive të shqiptarëve. Shikuar nga kjo perspektivë, është krejt e pakuptimtë përse BE-ja insiston që krahas Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Marrëveshjen e Ohrit të shkohet përtej statusit dhe garancioneve që i ka dizajnuar Plani i Ahtisaarit.

Paralelisht me këtë zhvillim, një surprizë e pakëndshme ishte angazhimi i disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), me arsyetimin se Qeveria e Kosovës, pas zgjidhjes së kontestit pronësor lidhur me Manastirin e Deçanit, duhet ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe — një projekt njëetnik, i cili ngërthen paralele problematike me modelin e imponuar të Gjykatës Speciale. Një qëndrim i tillë ka krijuar hapësirë për Serbinë që të ushtrojë ndikim politik dhe të paraqitet si faktor vendimtar në pengimin e avancimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Si rrjedhojë, dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit, të cilat në parim e synonin normalizimin e marrëdhënieve, janë transformuar në mekanizma bllokues për proceset integruese të Kosovës.
Përtej parimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet palëve, Kosovës i janë imponuar kritere shtesë për anëtarësim në KiE, të cilat nuk kanë qenë të artikuluara më parë. Në të kaluarën, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës u ishte komunikuar se anëtarësimi në këtë organizatë do të ishte i mundur vetëm pas mbylljes së mandatit të Gjykatës Speciale. Një anëtarësim eventual i Kosovës në Këshillin e Evropës do ta mundësonte, përmes mekanizmave të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), shqyrtimin e vendimeve të Gjykatës Speciale në raport me standardet evropiane të të drejtave të njeriut — një perspektivë që nuk përkon me interesat e segmenteve të caktuara të sistemit të drejtësisë evropiane.

Pavarësisht insistimit të Bashkimit Evropian, është gjithnjë e më e qartë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk e përbën një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa kjo nismë mbetet pjesë e një marrëveshjeje kalimtare dhe e hapur për interpretim politik. Siç e dëshmon edhe dinamika e zhvillimeve në kuadër të dialogut të Brukselit, ekziston një rrezik real që, në fazat e ardhshme të këtij procesi, autoritetet e Beogradit ta kërkojnë zgjerimin e kompetencave të këtij Asociacioni, si në aspektin horizontal (në raport me fushat e kompetencës), ashtu edhe në aspektin vertikal (në raport me shkallën e autonomisë nga pushteti qendror).

Në këtë kuadër, dhe duke e pasur parasysh përvojën e deritanishme me Gjykatën Speciale në Hagë, çështja e Asociacionit nuk mund të trajtohet me logjikën e mirëbesimit diplomatik apo premtimeve individuale të diplomatëve, përfshirë edhe rastin e fundit me ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde dhe Olivier Guerot. Këta të fundit deklaruan se e dëshirojnë anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës, por theksuan se kjo varet nga hapat konkretë që duhet të ndërmerren nga Kosova, të përshkruar në letrën e përbashkët të vitit të kaluar nga presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni. Sipas tyre, “topi është në fushën e Kosovës”, duke aluduar në nevojën që Qeveria e Kosovës ta dorëzojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, një veprim i tillë, pasi të jetë kryer, nuk do të mbështetet më nga ndonjë garanci ndërkombëtare reale, pasi diplomatët aktualë do t’i kenë përfunduar mandatet e tyre, dhe deklaratat e tyre premtojnë se do ta humbasin relevancën. Do të përsëritet narrativi tashmë i njohur: "vetë e keni nënshkruar, vetë e keni pranuar, s’keni arsye të ankoheni" – ashtu siç ndodhi me Gjykatën Speciale.

Ka zëra që pretendojnë se çështja e Asociacionit nuk paraqet problem, përderisa ai themelohet në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës. Megjithatë, kjo e përfaqëson vetëm njërën anë të çështjes. Në anën tjetër mbetet çështja thelbësore e garancive institucionale dhe ndërkombëtare për ta parandaluar keqpërdorimin e këtij mekanizmi nga Beogradi. Për ilustrim, pas Luftës së Dytë Botërore, më 1 shtator 1945, në kuadër të Ligjit për ndarjen territoriale të Serbisë, u formua Rajoni Autonom i Kosovës (Oblast), me nenin 3 që parashihte se pushteti lokal do të funksiononte sipas legjislacionit të Serbisë. Në kontekstin evropian, struktura të tilla njihen si “asociacione”, ndërsa në konstitucionalizmin jugosllav, këto njësi identifikoheshin me terma si “autonomi”, “krahinë” apo “oblast”.

Duke e njohur qëndrimin historikisht armiqësor të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës, i cili është transformuar sot përmes projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe” (Srpski svet) – një analogji rajonale e strategjisë neo-imperiale të “Botës Ruse” – del qartë se përmes këtij koncepti Beogradi synon ta rivendosë hegjemoninë e saj në Ballkan, duke përfshirë territore, si Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë kuptim, është e pritshme që projekti i “Botës Serbe” ta përdorë Asociacionin dhe KOS-in si mekanizma për ta dobësuar funksionalitetin e brendshëm të shtetit të Kosovës, si dhe për të shkaktuar tensione të qëllimshme sa herë që Kosova përpiqet të avancojë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik dhe në sistemin ndërkombëtar. Për fakt të keq, Beogradi as ka qenë dhe as nuk është i interesuar për normalizim të raporteve. “Bisedimet e deritanishme mes Serbisë dhe shqiptarëve në Bruksel nuk e japin pamjen sikur bisedojnë dy partnerë të barabartë, të cilët duhet të shpien deri te zgjidhja e problemit të përbashkët. Ftesa e Serbisë për dialog me shqiptarët përgjatë shek. XX, por edhe më vonë, kurrë nuk kanë qenë të sinqerta dhe së këndejmi edhe gjuha e shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve edhe më tej mbetet gjuhë armiqësore...”, thoshte vite më parë historiania serbe Latinka Peroviq.

Mesazhi i Trumpit dhe sfidat për Kosovën

Në sfondin e një stagnimi të dukshëm të procesit të integrimit evropian, deklarata e fundit publike e ish-presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën ai e shpreh gatishmërinë për t’u angazhuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka rikthyer në vëmendje debatin mbi mundësinë e një riangazhimi të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, përkatësisht në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Duke u paraqitur si lider që e kishte parandaluar shpërthimin e një konflikti të ri në rajon gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi përcolli mesazhin se roli amerikan në Ballkan kishte qenë vendimtar. Kjo deklaratë, përveç vlerës së saj politike, dëshmon për ekzistencën e një kujtese institucionale të qëndrueshme brenda administratës aktuale amerikane lidhur me zhvillimet në Kosovë.

Deklarata e Trumpit është e mirëpritur dhe e përbën një sinjal domethënës se, pavarësisht sfidave të shumta globale, administrata amerikane ruan një konsideratë të veçantë për kontekstin politik dhe historik të çështjes së Kosovës. Duke e pasur parasysh faktin se procesi i normalizimit është ende i papërmbyllur dhe Marrëveshja e Ohrit paraqet një akt të përkohshëm dhe jo një marrëveshje përfundimtare e gjithëpërfshirëse, një riangazhim i mundshëm amerikan do të ishte me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe për stabilitetin rajonal. Nëse marrëveshja e parë e nënshkruar në Uashington më 2020 kishte një karakter ekonomik, faza e ardhshme duhet të fokusohet në aspektin politik dhe juridik të njohjes së ndërsjellë.

Historia e përfshirjes amerikane në Ballkan në tri dekadat e fundit tregon qartë se sa herë Bashkimi Evropian ka treguar paaftësi për ta menaxhuar krizën dhe për të finalizuar marrëveshje paqeje, Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë si faktor vendimtar. Arkitektura aktuale e paqes në rajon – Marrëveshja e Dejtonit (1995), Marrëveshja e Kumanovës (1999) dhe Marrëveshja e Ohrit për Maqedoninë e Veriut (2001) – bartin vulën e padiskutueshme të ndërmjetësimit amerikan.

Megjithatë, deklarata e Trumpit vjen në një moment kur skena politike në Kosovë karakterizohet nga fragmentarizimi i thellë dhe mungesa e vizionit të qartë për ta përballuar një proces të ri e kompleks negociator. Nëse sinjalizohet një fazë e re në dialog, atëherë është e domosdoshme që Kosova të zhvillojë një komunikim të ngushtë dhe të koordinuar me Washingtonin, për t’i kuptuar premisat e qasjes amerikane dhe mbi këtë bazë ta ndërtojë një strategji të re, proaktive, të guximshme dhe me vizion afatgjatë.

Raste si ky, të cilat krijojnë hapësirë reale për marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe zgjidhje afatgjata të konflikteve, janë të rralla — veçanërisht kur nisma të tilla mund të burojnë nga nivelet më të larta të vendimmarrjes globale, përfshirë Shtëpinë e Bardhë. Për rrjedhojë, klasa politike e Kosovës duhet të veprojë me mençuri dhe të lëvizë me shpejtësi, duke i lexuar me qartësinë e duhur sinjalet që vijnë nga Washingtoni.

Natyrisht, ende është herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare, por është e pritshme që një rikthim i çështjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi në qendër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara nuk do të mund të realizohet brenda kontureve të platformës aktuale franko-gjermane, e cila për më shumë se dy vjet nuk ka shënuar ndonjë përparim thelbësor përtej kornizës fillestare. Po ashtu, nuk duhet përjashtuar mundësia që një riangazhim i Shteteve të Bashkuara të vijë si rezultat i një faze të re të afrimit në raportet midis Uashingtonit dhe Moskës, çka potencialisht do të krijonte rrethana më të favorshme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, bëhet edhe më emergjente nevoja për tejkalimin e boshllëkut institucional —konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re dhe fill pas kësaj edhe zgjedhja e një Presidenti të ri, i cili më shumë se në pelegrinazhe, do të duhej të përqendrohej në adresimin e çështjeve të interesit shtetëror e publik.

KOS-i dhe përsëritja e skenarëve të së kaluarës

Serbia nuk e ka braktisur kurrë doktrinën e instrumentalizimit të serbëve lokalë në Kosovë, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe (KOS), e cila – si në të kaluarën, ashtu edhe sot – nuk paraqitet thjesht si një aktor fetar, por edhe si një subjekt politik aktiv, që vepron në përputhje me interesat dhe agjendën shtetërore të Beogradit. Ky rol u shfaq qartë edhe në veprimet e fundit të Patriarkut serb Porfirije, i cili, pas një vizite të shpallur si “fetar” në Kosovë, udhëtoi menjëherë drejt Moskës, ku gjatë takimit me Presidentin rus Vladimir Putin – i cilësuar shpesh si një version modern i hegjemonit lindor – riafirmoi pozicionin strategjik dhe politik të Kishës në funksion të interesave shtetërore serbe. Në atë takim, patriarku deklaroi se “pa Kosovën dhe pa Republikën Srpska, populli serb nuk ka perspektivë”, duke e theksuar nevojën jetike të mbështetjes ruse për çështjet kombëtare dhe fetare të Serbisë.

Ky rol i Kishës Ortodokse Serbe është i inkorporuar në mënyrë eksplicite në platformën politike të të ashtuquajturës “Botë Serbe” (Srpski svet) – një emërtim më i zbutur për projektin tradicional të “Serbisë së Madhe”. Brenda kësaj platforme, përkrahja institucionale dhe financiare që shteti serb i ofron KOS-it shihet si një mjet për shtrirjen e ndikimit politik, kulturor dhe religjioz në hapësirat ku jetojnë komunitete serbe jashtë territorit të Serbisë, përkatësisht në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci.

Ish-presidenti malazez Milo Gjukanoviq, e ka përshkruar këtë rol të KOS-it si një formë të re të zgjerimit shtetëror, duke e konsideruar Kishën si një instrument të fuqishëm të politikës shtetërore serbe në rajon, që i ka zëvendësuar institucionet federale të ish-Jugosllavisë. Ai ka deklaruar, gjithashtu, se “Kisha Ortodokse Serbe është një instrument efektiv i imperializmit rus në Ballkan”.

Roli i KOS-it është, pra, i pozicionuar qartë brenda strukturës strategjike të “Botës Serbe”, një koncept që e mbështet destabilizimin e shteteve fqinje përmes instrumentalizimit të pakicave etnike dhe trashëgimisë kulturore të politizuar. Në këtë kontekst, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa garanci të fuqishme kushtetuese, institucionale dhe ndërkombëtare, e bart rrezikun të shndërrohet në një “kalë troje” në brendësi të shtetit të Kosovës. Asociacioni, në formën e propozuar, nuk ofron asgjë përtej asaj që është parashikuar tashmë në Planin e Ahtisaarit, por në realitet synon të funksionojë si një instrument për dobësimin gradual të sovranitetit dhe integritetit të brendshëm të shtetit të Kosovës.

Koha për kthesë strategjike

Pavarësisht se cili do të jetë epilogu konkret i deklaratës së fundit të dhënë nga Shtëpia e Bardhë, ajo së paku dëshmon një gjë thelbësore: procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, vazhdon të zhvillohet pa një drejtim të qartë strategjik. Në këtë kuadër, vërehet një hezitim i vazhdueshëm i BE-së për të marrë rol udhëheqës të besueshëm, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shfaqen sërish në horizont si një aktor potencial për rikalibrimin e procesit.

Deklarata e ish-presidentit Trump sugjeron se ndërmjetësimi evropian, i nisur në vitin 2011, ka devijuar nga orientimi fillestar dhe po karakterizohet nga mungesa e koherencës dhe e vendosmërisë politike, çka ka ndikuar në erozionin e besueshmërisë së BE-së, si lehtësuese e dialogut në sytë e të dyja palëve. Kjo dinamikë u konfirmua edhe gjatë vizitës së fundit të Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Kallas, vizitë e cila, në vend se të sinjalizonte një riaktivizim të besueshëm të angazhimit evropian, e përforcoi perceptimin e një qëndrimi të pavendosur të Brukselit, veçanërisht në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe ruajtjen e një qasjeje të balancuar ndaj palëve.

Nga ana tjetër, deklarata e Trumpit, pavarësisht kontekstit të saj politik të brendshëm dhe sfidave globale me të cilat përballet SHBA-ja, krijon pritshmëri të qarta, sidomos në Kosovë, për një rikthim më aktiv të Uashingtonit në procesin e dialogut. Kjo rikthesë shihet jo vetëm si një mundësi për t’i adresuar mangësitë e ndërmjetësimit evropian, por edhe si një alternativë që mund të ofrojë më shumë qartësi politike, presion të efektshëm diplomatik dhe një qasje më të drejtpërdrejtë ndaj kompleksitetit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

Është gjë që dihet, vetëm SHBA-të e kanë bërë diferencën në Kosovë dhe në Ballkan: më 1992, 1996, 1999, 2007, derisa evropianët janë detyruar ta ndjekin nga prapa, natyrisht edhe për shkak të ballkanizimit të politikës evropiane. Nëse mosnjohja e Kosovës nga Serbia e përbën rrezikun më të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, ngjashëm si kërcënimi i Iranit ndaj Izraelit për paqen dhe qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme, atëherë është e pritshme se vetëm SHBA-të mund ta bëjnë diferencën dhe, shikuar në këtë këndvështrim,  klasa jonë politike duhet të jetë e përgatitur për një lojë vendimtare, ku rregullat i bën Amerika. Nëse amerikanët rikthehen në Ballkan, ata e bëjnë këtë se janë të detyruar dhe e shohin këtë angazhim si një mjet të ligjshëm, madje thelbësor të politikës së jashtme.