Ndonëse çdo president amerikan ka filluar presidencën e tij me një numër prioritetesh të përzgjedhura, shumë shpejt vëmendja dhe koha e tij politike janë rrëmbyer dhe përcaktuar nga ngjarje dhe kriza të paparashikueshme. Ky është fati të cilit Trumpi nuk mund t’i shpëtojë
Javën e kaluar kam shkruar për Strategjinë e re Kombëtare të Sigurisë (NSS) të publikuar së fundi nga administrata Trump. Ndryshe nga cilido NSS i mëparshëm, ky NSS kishe në epiqendër reputacionin e Trumpit, jo interesat e SHBA-së. Fjala që përmendet më së shumti në dokument është “TRUMP”, plot 27 herë. Një personalizim i tillë i një dokumenti qeveritar amerikan është i paprecedentë. Si e tillë strategjia është e shkruar për, dhe në, imazhin e Trumpit. Si pasojë ajo është politikisht më partizane, ideologjikisht e militarizuar dhe tematikisht e varfëruar.
Por duke e lënë anash militarizimin politik që Trumpi ia ka bërë NSS-it është e dobishme të themi disa fjalë për akset kryesore të të menduarit të administratës Trump për politikën e jashtme, siç janë të paraqitura ato në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë.
E para, administrata Trump sheh botën nga një optikë më e ngushtë e interesit nacional amerikan. Historikisht, dhe veçanërisht pas Luftës së Ftohtë, politika e jashtme amerikane kishte tendencë të përqafonte një përkufizim të gjerë të interesit nacional, duke përfshirë stabilitetin global, çështjet humanitare, shtetndërtimin e vendeve të dobëta, të drejtat e njeriut dhe promovimin e demokracisë në mbarë botën. Nën këtë flamur të demokratizimit të botës Amerika shpesh gjente veten të stërngarkuar në rolin e engjëllit kujdestar të botës. Trumpi nga ana tjetër përmbys këtë traditë amerikane dhe insiston që Amerika të mos jetë më polic i mirë i botës, por të fokusohet shumë selektivisht në “interesat kyç nacionale”, mundësisht ekonomike. Ai dëshiron një Amerikë më pak të angazhuar në botë dhe më shumë të kthyer kah vetja. Aty ku Amerika do të angazhohet nuk duhet të jetë për arsye të promovimit të demokracisë, të drejtave të njeriut apo parandalimit të ngrohjes globale, por për interesat shumë të ngushta ekonomike dhe të sigurisë. Dhe në këtë drejtim Amerika nën Trumpin do të bashkëpunojë edhe me regjime, të cilat nuk ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike me SHBA-në. Thënë ndryshe, fakti që Xi, Putini dhe Kim Jong Un nuk tolerojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nuk do të thotë që nuk mund të bëhet biznes me ta.
Së dyti, Trumpi insiston që njësia bazë dhe e vetmja e marrëdhënieve ndërkombëtare janë shtetet sovrane dhe jo institucionet ndërkombëtarë. Që nga Lufta e Dytë Botërore politika e jashtme amerikane ndërtoi rendin perëndimor ndërkombëtar, i cili përfshinte themelimin e organizatave ndërkombëtare (si OKB-ja, OBT-ja, NATO-ja, BE-ja) dhe promovimin e vlerave universale. Ndërsa vlerësonte sovranitetin, politika tradicionale e jashtme amerikane gjithashtu krijoi një sistem të bazuar në rregulla ku institucionet dhe normat transnacionale luanin një rol të rëndësishëm në sigurinë dhe qeverisjen kolektive globale. Trumpi nga ana tjetër sheh institucionet transnacionale si kërcënim për sovranitetin e vendit dhe një “kalë trojan” i elitave liberale ndërkombëtare. Rrjedhimisht ai insiston se Amerika duhet të ndërtojë dhe të avancojë pozitën e saj në botë përmes diplomacisë bilaterale me secilin vend sovran individualisht.
Së treti, duke shikuar hartën e botës Trumpi ka dy prioritete: hemisferën perëndimore dhe Kinën. Nga pesëmbëdhjetë faqe brenda Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, që flasin për prioritete rajonale, dhjetë prej tyre i janë të dedikuara “oborrit” amerikan dhe Kinës. Edhe në simbolikën e renditjes së prioriteteve rajonale këto dy teatro janë të renditura të parat, ndërsa Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika janë më shumë dekor politik sesa prioritetet kuptimplota gjeostrategjike. Në këtë sfond Kina nuk është befasi, befasi është lartësimi i hemisferës perëndimore në prioritetin numër një të politikës së jashtme amerikane.
Në kuadër të hemisferës perëndimore apo “oborrit” amerikan, Trumpi ka dy prioritete. E para është që të sigurojë, në harmoni me doktrinën e Monrosë, që askush nuk mund të minojë lidershipin dhe interesat amerikane në këtë rajon. Ky prioritet është referencë e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të Kinës për të siguruar një hyrje në hemisferën perëndimore. Së dyti, Trumpi ka përshkallëzuar luftën kundër migrimit dhe trafikimit të narkotikëve në nivel të prioritetit të sigurisë nacionale. Kjo është arsyeja përse Strategjia Kombëtare e Sigurisë zotohet për “t’i dhënë fund epokës së migrimit masiv” dhe cilëson “sigurinë e kufijve si çështje kyç të sigurisë nacionale”. Këto nuk janë vetëm fjalë abstrakte, strategjia zotohet për “riorganizim të forcave ushtarake” për të jetësuar këto prioritete politike.
Kapitulli për Kinën ka më së paku befasi dhe ruan kursin bipartizan amerikan për rreziqet që sjell fuqizimi i Kinës. NSS njeh Paqësorin dhe Kinën si “fushëbetejë kyç ekonomike dhe gjeopolitike të shekullit të ardhshëm”. Njëkohësisht administrata e Trumpit e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë “pushtimin e Tajvanit apo krijimin e balancës së tillë të forcave që do të pengonin mbrojtjen e suksesshme të ishullit”.
Që nga publikimi i NSS-it ka pasur një avalansh të kritikës ndaj mënyrës së si administrata e Trumpit ka injoruar rëndësinë e promovimit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike në botë apo mënyrës se si janë trajtuar aleatët, dhe në veçanti Evropa. Njëkohësisht Trumpi është kritikuar për militarizimin e çështjeve të brendshme, siç janë migrimi dhe kufijtë; dhe përshkallëzimin e tyre në çështjet e sigurisë nacionale. Por ndoshta e gjithë kjo vëmendje ndaj NSS-it është e tepruar. Historia na ka mësuar se koha ka mënyrën e vet të vendosjes së prioriteteve reale për çdo presidencë amerikane. Ndonëse çdo president amerikan ka filluar presidencën e tij me një numër prioritetesh të përzgjedhura, shumë shpejt vëmendja dhe koha e tij politike janë rrëmbyer dhe përcaktuar nga ngjarje dhe kriza të paparashikueshme. Nga 11 shtatori Pranvera Arabe, pushtimi i Ukrainës në 2014 dhe 2022, lufta civile siriane, pandemia COVID-19 e deri tek konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme – të gjitha këto ngjarje kanë përmbysur agjendat e planifikuara të presidentëve Bush, Obama, Trump dhe Biden. Kësisoj mund të themi me siguri të lartë se ajo që do të diktojë agjendën e administratës Trump nuk janë prioritetet e përcaktuara brenda NSS-it, por kriza të paparashikueshme të cilat do t’i sjellë vetë koha.