Ngjarjet sportive nxisin më shumë emocione sesa shumë zhvillime politike. Kur ngjarjet sportive keqpërdoren për qëllime politike, atëherë ato shndërrohen në fitil për nxitje të tensioneve. Bllokimi i pjesëmarrjes së ekipit kosovar në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd dhe paralajmërimi se Kosova nuk do të lejojë më zhvillimin e garave ilegale në territorin e vet për ekipet nga komuniteti serb, janë hyrje në një betejë të re, kësaj radhe sportive, por që do të pengojë edhe më shumë normalizimin
Fitorja e medaljeve në ndonjë ngjarje të madhe sportive është ëndrra kryesore e sportistëve në karrierat e tyre që nuk mund të zgjasin shumë. Që nga fëmijëria nisin të ëndërrojnë. Për këto qëllime bëjnë shumë sakrifica. Bëjnë stërvitje në kohën kur shokët e tyre luajnë videolojëra. Mësojnë gjatë natës, sepse ditën duhet të shkojnë në stërvitje. Pa vetëmohim të madh nuk mund të ketë rezultate të mëdha. Këtë e dëshmon edhe fakti se më pak se 1 për qind e sportistëve në botë mund të fitojnë mjaft sa për të jetuar nga sporti. Por kur vjen çështja tek pjesëmarrja në garat e mëdha, atëherë vlen filozofia e famshme e Pierre de Coubertinit, babait të lojërave moderne olimpike, se më e rëndësishme sesa fitorja janë pjesëmarrja dhe përpjekja. Duke ndjekur filozofinë e këtij aristokrati francez, bota sportive ka insistuar në inkluzivitet, në barazi mes sportistëve, në luftë kundër çfarëdo diskriminimi. Që qasje në sport të kenë të gjithë, edhe të pasurit, edhe të varfrit.
A ka gjë më të rëndë për sportistët e rinj sesa dikush, me arsye politike, t’ua mohojë realizimin e ëndrrës, pjesëmarrjen në garat e mëdha botërore. Një fat i tillë i gjeti boksierët e Kosovës, të cilëve nuk iu lejua hyrja në territorin e Serbisë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit. Ata tash duhet ta presin kampionatin e ardhshëm. Kush e di se çfarë do të ndodhë deri atëherë e ku do të jenë ata. Mund të presin edhe Lojërat Olimpike. Por komplikimet që mund t’i sjellë ky skandal për boksin mund të jetë edhe mospërfshirja e Asociacionit botëror të boksit në garat olimpike.
Për këta të rinj nuk ka shumë rëndësi pse Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit ka thënë se “ka bërë gjithçka që ata të marrin pjesë”. Nuk ka rëndësi as reagimi i BE-së, apo thënë më mirë përgjigjja e vonuar, se “mbështesin Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit” për t’ia siguruar Kosovës pjesëmarrjen e barabartë në gara. Për ta ky është një rast i humbur, një ëndërr e shuar.
Kështu ndodh kur asociacionet botërore ua lënë në duar ruajtjen e nderit të sportit dhe filozofisë së De Coubertinit njerëzve siç është kryetari i Federatës së Boksit të Serbisë që, në vend të përgjegjësisë, tallet duke thënë se “Kosova nuk është paraqitur fare në kampionat” dhe e fajëson Kosovën për politizim. Edhe më qesharak duket presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur thotë se ai “nuk e ka ditur” për këtë.
Gazetari i “Jutarnji Listit” të Zagrebit që shkruan për sport ka raportuar se ky kampionat, sipas rregullave, duhej të shpallej i pavlefshëm dhe menjëherë të ndërpritej, sepse nëse një garuesi, një ekipi, nuk i lejohet pjesëmarrja, atëherë sipas rregullave kampionati nuk është i rregullt. Por ai ka shkruar se zhvillimi i kampionatit është bërë sikur të jetë “një festë serbe” e jo një garë e madhe ndërkombëtare.
Arsyet e moslejimit të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë gare janë krejtësisht politike. Edhe pse sportin nuk duhet përzier me politikë, kjo ngjarje do të ketë reperkusione të mëdha edhe politike. Bile mund të ketë pasoja serioze edhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dialogun që po zhvillohet në Bruksel.
Ngjarjet sportive nxisin më shumë emocione sesa shumë zhvillime politike. Kur ngjarjet sportive keqpërdoren për qëllime politike, atëherë ato shndërrohen në fitil për nxitje të tensioneve. Bllokimi i pjesëmarrjes së ekipit kosovar në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd dhe paralajmërimi se Kosova nuk do të lejojë më zhvillimin e garave ilegale në territorin e vet për ekipet nga komuniteti serb, janë hyrje në një betejë të re, kësaj radhe sportive, por që do të pengojë edhe më shumë normalizimin.
BE-ja duket se nuk e ka kuptuar si duhet peshën që ka ky skandal. Një reagim i përgjithshëm ku thuhet se “normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike” dhe se “shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin” e “autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet të kursejnë përpjekjet për të siguruar që një shkëmbim i tillë të ndodhë rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim” është domethënës. Por këtu nuk ishte fjala për “shkëmbim të sportistëve mes Kosovës dhe Serbisë”. Ishte për një ngjarje botërore, organizimi i së cilës i ishte besuar Serbisë. E ajo nuk i përmbushi obligimet. Pjesëmarrja e boksierëve të Kosovës në gara do të ishte në përputhje me rregullat e caktuara nga Asociacioni sportiv e jo nga ndonjë organizatë politike apo ndonjë shtet.
Nuk mund të krahasohet organizimi i garave të federatave të Serbisë në territorin e Kosovës me mospjesëmarrjen e boksierëve të Kosovës në Kampionatin Botëror. Sepse me anëtarësimin e Kosovës në asociacionet dhe në federatat sportive vetëm federatat e Kosovës mund të organizojnë gara në territorin e Kosovës. Por, edhe pse do të kenë të drejtë të mos i lejojnë garat e strukturave paralele sportive në territorin e Kosovës, do të jetë shumë sfiduese të pengohen aktivitetet sportive të serbëve të Kosovës. Ata janë edhe ashtu viktimë e trysnive nga strukturat paralele, shpesh edhe kriminale, që nuk u lejojnë të integrohen në asociacionet dhe në federatat e vetme legale, e ato janë të Kosovës.
Sa për politikën dhe sportin e Kosovës duhet thënë vetëm se diplomacia sportive në këto vite ka qenë shumë më e mirë dhe më e suksesshme sesa ajo politike. Nga sportistët, politikanët kosovarë mund të marrin vetëm mësime.