OpEd

Bishtërimi i së drejtës lidhur me konstituimin e Kuvendit

Autor: Blerim Sallahu

Bishtërimi i së drejtës,  në rastin konkret,  nënkupton keqpërdorimin në interpretim të së drejtës me qëllim që të servohen konkluzione për publikun e gjerë, e të cilat  janë inekzistente në sistemin juridik të Kosovës. Në këtë kuptim, nuk mund të gjesh një normë në Ligjin për Qeverinë i cili përafërsisht jep një sinjal që dërgon te interpretimi, se në rast dorëheqjes së Kryeministrit dhe ministrave, deri në zgjedhjen e qeverisë së re, zëvendësohen nga zëvendëskryeministri i parë dhe zëvendësministrat që nuk kanë dhënë dorëheqje. Shikuar nga aspekti i ndërlidhjes së dispozitave të Kushtetutës, Ligjit për Qeverinë dhe akteve nënligjore të funksionimit të Qeverisë është e pamundur të vijmë në konkluzionin se zëvendëskryeministri dhe zëvendësministrat mund të ushtrojnë kompetencat ligjore kur kryeministri i asaj qeverie ka dhënë dorëheqje. Kjo për shkak se, funksionimi i tyre në organin ekzekutiv duke përfshi edhe marrjen e vendimeve validohet vetëm pse janë emëruar nga kryeministri. Pra, nëse bie kryeministri bien edhe vartësit e tij. Në këtë kontekst, mund të shtrohet një pyetje se a mund t’i ushtrojë kompetencat ligjore të autorizuesit  i autorizuari, kur autorizuesi ka dhënë dorëheqje, e të cilat kompetenca i njihen ekskluzivisht vetëm atij me Kushtetutë? Për këtë arsye, Ligji për Qeverinë ka shtruar një rrugë normuese se çka mund të bëjë qeveria në dorëheqje, e drejtuar nga kryeministri në detyrë, derisa të zgjidhet qeveria e re. Ndaj, logjika e keqinterpretuesit të së drejtës se “ky nen i Ligjit të Qeverisë e bën dallimin në mes shtetit dhe pushtetit” është tërësisht i pasaktë. Pikërisht ky nen i ndërlidhur me nene të tjera të Ligjit për Qeverinë, ta krijon shtratin ligjor të vazhdimit të kryerjes punëve të limituara ekzekutive në dorëheqje dhe ndërrimit të pushtetit aktual vetëm me konstituimin e pushtetit të ri ekzekutiv.

Për më tepër, bishtëruesi e së drejtës i referohet Luigjit XIV kur do të na identifikojë me të, duke cituar thënien “se shteti jam unë” dhe njëkohësisht duke na quajtur “qeveri uzurpuese”. Përmendja e Luigjit XIV, është bërë jo pa shkak, por ai emër më shumë flet për të, përkatësisht sjellja që ai e ka provuar personalisht sa ka qenë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në mesin atyre gjyqtarëve të asaj kohe dhe krijimit të jurisprudencës (me urdhra politik) të Gjykatës Kushtetuese, Ligji i XIV ka qenë pikërisht bishtëruesi i së drejtës. Prandaj, kjo është veç një simptomë psikologjike që sjelljen  e vet ia dedikon dikujt tjetër, që as nuk e ka provuar ndonjëherë. Theksimi e bishtëruesit të së drejtës lidhur me perëndimin e  logjikës së mbretit, Luigjit XIV ka edhe një konotacion tjetër të cilin me patjetër duhet ta themi. Meqë bishtëruesi i së drejtës e identifikon  kryeministrin dhe qeverinë me shtetin si pohim negativ, ai gjithashtu thekson  edhe perëndimin e kësaj logjike, ndërkaq në librin e tij,  “E Drejta Kushtetuese” Studim kritikë mbi librin  “E drejta kushtetuese” të autorëve A. Bajrami e F. Muqaj, thekson se sot në sistemet kushtetuese ka “monark që paraqitet në fytyrën e një organi pasiv, nuk absorbon pushtetet të tjera dhe paraqitet në piramidën e institucioneve shtetërore të cilat i përfaqësojnë tri pushtetet e ndara si një garantues dhe balancues i stabilitetit të tyre {…}”.  Pra, me këtë botëkuptim ai dëshiron që kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk duhet të veprojë me logjikën e mbretit, Luigjit XIV, por me logjikën e monarkut ceremonial. E vërteta është se ne nuk i përkasim asnjërën prej këtyre linjave dëshirë të bishtëruesit të së drejtës. Por, ne e kemi ndjekur një frymë tjetër siç përshkruhet te Kodi i ligjor i Platonit  “The Laws”, “ligji është padroni i qeverisë dhe qeveria është skllav i tij” . Pikërisht gjatë qeverisjes dhe konstituimit të Kuvendit kemi vepruar brenda vetëm kornizës së rendi juridik të Republikës së Kosovës.  

Sa i përket, konsituimit të Kuvendit, si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi duke zbatuar në secilën seancë plenare nenin 67 të Kushtetutës ku kemi propozuar kandidaten për kryetare të Kuvendit, e cila nuk është votuar nga opozita si kusht për të kapërcyer numrin e nevojshëm kushtetues për zgjedhjen e saj. Si rrjedhojë e mosvotimit të opozitës në disa seanca plenare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryesuesi ka propozuar një votim të fshehtë siç përshkruhet në arsyetimin e aktgjykimit të vitit 2014. Krejt kjo që të ofrojmë hapa ligjor alternativë  për të konstituuar Kuvendin. Kësisoj, ne kemi ofruar tre hapa, ndërsa opozita asnjë. Kemi ofruar kandidatin, votimin e hapur dhe votimin e fshehtë. Ne lëvizim, kurse ata janë të palëvizshëm. Tutje, kur ata lëvizin, ne veç jemi në lëvizje, andaj, kuvendi konstituohet! Kësisoj, nga opozita duhet veprim progresiv që të ketë zhbllokim të Kuvendit.

Secili veprim i yni ka bazë kushtetuese meqë situata juridiko –kushtetuese është e ngjashme. Ne iu kemi referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht arsyetimit të tij për sa i përket interpretimit të nenit 67 të Kushtetutës, dhe paragrafit 124 dhe 127 lidhur me mënyrën e votimit  dhe angazhimin e deputetëve  si obligim për të konstituuar kuvendin. Në asnjë pikë tjetër nuk iu kemi referuar atij aktgjykimi siç pandeh bishtëruesi i së drejtës.

 I njëjti person thekson se “Arsyetimi i aktgjykimeve të Kushtetueses shënohet me paragrafë, të cilët asnjëherë nuk mund të përdoren, siç po ndodh në Kosovë, të izoluar nga pjesa operative dhe nga vetë objekti i kërkesës kryesore të vendosur me aktgjykim”. Meqë nuk është nevoja për të shkuar më larg, ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Sokol Sadushi  në librin e tij “Drejtësia Kushtetuese në Zhvillim” thekson se “Pjesa arsyetuese përbën pjesën me të rëndësishme të vendimit”. “Gjatë analizës për t’u përgjigjur pretendimeve për kushtetutshmërinë e normës ose çështjes së shtruar për zgjidhje, Gjykata nëpërmjet interpretimit shpjegon qëllimin, përmbajtjen e vërtetë, shtrirjen si dhe efektet që kanë dispozitat konkrete kushtetuese”. “Pjesa zgjidhëse ose, siç quhet ndryshe dispozitivi (pjesa operative sipas bishtëruesit të ligjit) shfaq qëndrimin përfundimtar në të cilin ka arritur Gjykata Kushtetuese për rastin në shqyrtim”. Kësisoj, konkludimi i saktë është se pjesa operative ka të bëjë me zgjidhjen përfundimtare të rastit konkret e cila është e ndërlidhur me arsyetimin i cili ka të bëjë me interpretimin e normave kushtetuese të cilat njëkohësisht mund të vlejnë edhe për raste të tjera identike. Andaj referimi në një pjesë të arsyetimit të aktgjykimit i cili i përgjigjet një situate konkrete kushtetuese aktuale është ekuivalent me referimin në ligj sipas Kushtetutës. Kësisoj, ky argumentim  provon qartazi  se kemi ecur dhe do të ecim vetëm  rrugës ligjore dhe kushtetuese.

Prandaj, bishtëruesi i së drejtës i cili ka qenë edhe nënshkrues i atij aktgjykimit  pretendon se në parim nuk është e saktë mënyra se si po i referohet Lëvizja VETËVENDOSJE! arsyetimit të aktgjykimit të vitit 2014. Kjo nënkupton se tashmë nuk pajtohet as me përmbajtjen e atij aktgjykimi, që ka forcën e ligjit, sepse po  shërben deri diku në zgjidhjen e një situate konkrete kushtetuese.  Në lidhje me këtë, Tomas Akuini në veprën e tij të famshme të shek. XIII “Summa Theologia” thekson se  “çdo ligj që dikush bën për dikë tjetër duhet t’i bindet edhe vetë”.