Fadil Maloku
Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare tashmë duket që është futur në një fazë kritike të tranzicionit politik dhe të funksionimit demokratik të shtetit. Themi kështu edhe për arsye se procesi i stërzgjatjes së konstituimit të Parlamentit, përveç krizës institucionale, është duke na ngritur një mal pyetjesh e dilemash edhe mbi shkaqet strukturore, ato politike e sidomos ato të procesit të shtetndërtimit dhe të interesave strategjike gjithëkombëtare. Shikuar me këtë dioptri sociologjike, kujtoj që mund t'i identifikojmë deri diku si shkaqet ashtu edhe ndikimet e mundshme që kjo krizë institucionale mund të "prodhojë" ca efekte negative posaçërisht në "infrastrukturën" demokratike dhe funksionalitetin institucional të Republikës sonë.
Ne këtë kontekst zhvillimet e kësaj odiseje krizologjike, sociologjikisht mund të këndvështrohen përveç si pasojë e mungesës së vullneteve racionale politike, edhe si “produkt” i mangësive evidente juridike e etike.
Mungesa e shumicës absolute parlamentare dhe "dora" e Dragodanit
1. Një nga faktorët kryesorë të stërzgjatjes dhe bllokimit të procesit mund të merret edhe rezultati i (pa)pritur zgjedhor i 9 shkurtit 2025. Rezultat që nuk arriti ta "prodhojë" dot atë epërsinë apo atë nuancën e duhur zgjedhore, sikurse ndodhi në zgjedhjet e 2021-tës, kur VV mori mandate absolute për ta krijuar shumicën e qëndrueshme parlamentare. Në një sistem parlamentar si ky i Kosovës, pamundësia për të formuar një koalicion të qëndrueshëm qeverisës do të sjellë gjithnjë bllokim institucional dhe prolongim absurd të afateve kushtetuese. Kur është fjala te "dora" e Dragodanit, shumica e naivëve mendojnë se kjo “dorë” shkaku i “shumë shkaqeve të tjera...” është indiferente dhe e tërhequr nga zhvillimet e “trilerit” parlamentar që po lozet në “teatrin” e Kuvendit kosovar. Ndërkohë është më se e qartë se kjo “dorë” është e pranishme, aktive dhe mjaft e informuar për gjitha “episodet” e luajtura në aulën e Parlamentit. Sepse, interesat janë mekanizmat qe e maksimalizojnë si vigjilencën ashtu edhe angazhimin e interesimin për proceset dhe zhvillimet që ndodhin kudo në rajon, sidomos pas ardhjes së Donald Trumpit në pushtet. Të gjithë e dimë se në këto dy dekada roli i "Dorës së Dragodanit” ka pasur tradicionalisht efekte pozitive gjatë transicionit politik në Kosovë dhe nuk e përjashtoj as tani. Veç me një formë dhe përmbajte tjetër fare. Në shumë raste presioni (soft power) i tyre për stabilitet institucional ka rezultuar edhe me "muaj mjalti" imponues. Por, ka pasur edhe raste të tjera kur "dora" e tyre ka ndikuar edhe në frenim të vendimmarrjeve të brendshme...
Politizimi i panevojshëm i procedurave parlamentare
2. Procesi i konstituimit të Kuvendit, që në fakt është ekskluzivisht një procedurë formale juridike, pa asnjë arsye është shndërruar “arenë për beteja" të ashpra e absurde për "jetë a vdekje" midis partive parlamentare, e ka qëllimin. Ky proces, që do duhej të ishte një formalitet ligjor, po bëhet një aulë edhe për vënien e kontrollit të hekurt mbi komisionet parlamentare dhe legjislativin në tërësi. Është interesant! Asnjë subjekt parlamentar nuk ka guxim ta bëjë publik (në prononcimet) këtë element të rëndësishëm që në kalkulimet e tyre meskine ka marrë tashmë edhe një “peshë specifike" fetishiste në narrativet e tyre formale!? Që të gjitha partitë tona politike, në vend të kalkulimeve rreth karakterit të utilitarizmit institucional dhe sfidave që e presin Kosovën si në sfondin e brendshëm (kriza ekonomike po troket pa ndalur) ashtu edhe atë të jashtëm (Zajednica e mallkuar, Gjykata Speciale, dialogu, integrimet etj.), merren ekskluzivisht me interesat dhe përfitimet e tyre afatshkurtra personale, klanore e partiake! Kjo gjendje e mjerueshme nënkupton se kjo kastë politike e ka kohën për pensionim....
"Këmisha" e ngushtë kushtetuese
3. Meqenëse Kushtetuta dhe ligjet aktuale në fuqi nuk parashikojnë mekanizma të qartë ndëshkues ose zgjidhës në rast të vonesave të stërzgjatura, partitë politike e kanë krijuar tashmë "komoditetin" që ta zvarrisin procesin deri në pafundësi pa pasoja konkrete ligjore. Së këndejmi, stërzgjatja e konstituimit të Parlamentit nuk është vetëm një çështje formale teknike, por edhe një simptomë e një krize më të thellë politike, ideologjike e institucionale. Për ta tejkaluar këtë situatë kërkohet ndoshta një reformë kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të krijohen kushtet për një thellim të ri të kulturës demokratike në mënyre që të avancojë shkalla e përgjegjësisë politike, nga ana e partive politike. Duket që "këmisha" kushtetuese martiahtisariane për kohën e inteligjencës artificiale është bërë tejet e ngushtë dhe joproduktive...