OpEd

“A mund të vdes, të lutem?”

Lufta e Izraelit në Gaza nuk ka të bëjë më me zhdukjen e terroristëve. Ajo është shndërruar në një fushatë për vrasje masive të civilëve palestinezë. Këtë e dëshmojnë edhe dy artikuj të gazetës izraelite “Haaretz”.

Ka ngjarje për të cilat nuk nevojitet as analizë, as interpretim, as komentim – mjafton renditja e fakteve. Lufta legjitime e Izraelit kundër bandës terroriste të Hamasit, pas masakrës së 7 tetorit 2023 ndaj rreth 1200 izraelitëve, ndërkohë ka dalë nga kontrolli, e ka humbur cakun dhe është shndërruar në betejë kundër civilëve palestinezë. Këtë e vërtetojnë raportet e organizatave dhe mediave të besueshme.

Shembulli i parë

Organizata “Mjekët pa kufij” i ka quajtur pikat e shpërndarjes së ndihmave të fondacionit të diskutueshëm “Gaza Humanitarian Foundation” si kurthe vdekjeje. Programi i shpërndarjes, i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, është “një masakër e maskuar si ndihmë humanitare”, deklaroi organizata.

“Mjekët pa kufij” e kërkuan:

– ndërprerjen e menjëhershme të programit,

– rikthimin e mekanizmave të shpërndarjes nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara,

– heqjen e bllokadës ndaj Rripit të Gazës.

Sipas tyre, që nga fillimi i programit në fund të majit janë vrarë të paktën 500 persona teksa kërkonin ushqim dhe janë plagosur rreth 4000 të tjerë.

Shembulli i dytë

Gazeta izraelite “Haaretz” në një artikull të gjatë njofton këtë javë se:

– Deri në qershor 2025, numri i vdekjeve të drejtpërdrejta dhe indirekte në Gazë i afrohet shifrës 100.000, duke e bërë këtë konfliktin më vdekjeprurës të shekullit XXI në raport me popullsinë.

– Lista e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës (e kontrolluar nga Hamasi) i numëron 17.121 fëmijë të vrarë, përfshirë foshnja që vdiqën ditën e lindjes ose brenda dy ditëve të para të jetës.

– Rreth 4 për qind e popullsisë së Gazës (me rreth 2 milionë banorë) është vrarë që nga fillimi i luftës

– një përqindje tronditëse, e krahasueshme vetëm me konfliktet më ekstreme të Afrikës.

– 56 për qind e viktimave janë gra dhe fëmijë – një përqindje më e lartë sesa në Siri, Irak apo Sudan.

– Në listën prej 1227 faqesh të viktimave, 381 faqe janë vetëm me emrat e fëmijëve nën 18 vjeç.

– Të paktën 8 foshnja vdiqën ditën e lindjes; 10 të tjera brenda dy ditëve.

– Studimi i profesorit Michael Spagat (Holloway College, University of London) tregon se ka një nënraportim prej 40 për qind, që do të thotë mbi 30.000 vdekje të paraportuara.

– Shumë viktima nuk raportohen, sepse trupat janë nën rrënoja, familjet janë vrarë ose nuk kanë mundësi të raportojnë.

– Një djalë 15-vjeçar, i paralizuar dhe pa familje, i lutej mjekëve: “A mund të vdes, të lutem?”

– Deri në fund të majit, mbi 5452 fëmijë ishin hospitalizuar për kequshqyerje të rëndë. Mjekët raportojnë se detyrohen ta refuzojnë ndihmën për fëmijët mbi 5 vjeç, duke i dërguar “në shtëpi për të vdekur”.

Shembulli i tretë

Në dallim nga vendet arabe dhe Irani – ku nuk ka shtyp të lirë – në Izrael drejtësia e ndjek kryeministrin edhe në kohë lufte, dhe mediat mund të botojnë fakte tronditëse. Artikulli i “Haaretz”, i botuar këtë javë, mbi eksceset e ushtrisë izraelite në Gazë, përmblodhi dëshmi tronditëse:

– Ushtarë dhe oficerë të armatës izraelite dëshmojnë se kanë marrë urdhër të qëllojnë mbi turma civilësh të paarmatosur, që prisnin ndihma humanitare, edhe pa kërcënim të qartë.

– Që nga fundi i majit: 549 palestinezë janë vrarë, mbi 4000 janë plagosur pranë pikave të ndihmave (sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë).

– Në vend të gazit lotsjellës, përdoren mitraloza, snajperë, tanke dhe mortaja për t’i “shpërndarë” turmat e uritura.

– Ushtarët thonë se çdo ditë vriten 1–5 persona në këto pika. Komunikimi bëhet me zjarr.

– Pikat e ndihmave përshkruhen si “fusha vrasjeje”, ku vdekja është bërë rutinë dhe pa ndjeshmëri morale.

– Publikimi i imazheve dhe dëshmive ndalohet nga autoritetet ushtarake për ta shmangur zemërimin ndërkombëtar.

– Komandantët pranojnë se ndihmat nuk janë për humanizëm, por për ruajtjen e legjitimitetit ndërkombëtar të luftës.

– Kompanitë private izraelite paguhen për çdo ndërtesë të shkatërruar dhe operojnë pranë zonave të ndihmës, duke shkaktuar përplasje me civilët.

– Gaza është kthyer në një “oborr të pasmë”, ku nuk vlejnë më rregullat minimale dhe jeta e njeriut nuk ka më vlerë.

– Gjenerali Yehuda Vach, përmendet si zyrtari që urdhëroi të qëllohej mbi civilët pranë ndihmave dhe të shkatërrohej një spital pa leje.