Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) tha se Qeveria ndan miliona euro për organizata fitimprurëse, por jo edhe për mësimdhënësit.
Situata e krijuar me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetueses lidhur me Ligjin për pagat në sektorin publik, Shala tha se ndikon në familjet e zyrtarëve publikë, duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve të produkteve elementare.
“Nëse këtyre punëtorëve të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilëve iu mohohet një e drejtë kushtetuese, pra kjo 0.5% në krahasim me 0.25% që thamë është diku rreth një pagë që janë dëmtuar secili, natyrisht që ajo ndikon edhe në gjendjen e tyre sociale dhe ekonomike”, tha Shala.
Nënkryetarja e SBASHK-ut tha se problem tjetër është se Qeveria në dorëheqje ndan miliona për organizata fitimprurëse derisa kemi mësimdhënës që me muaj të tërë nuk janë në listën e pagave.
Shembull tha se është Komuna Vushtrrisë, ku ka numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve që po punojnë nga 7-8 muaj dhe nuk janë në listën e pagave.
“Si ka mundësi që Qeveria të bëjë një veprim të çuditshëm të tillë që të japë miliona për organizata profitabile siç është Posta dhe Telekomi i Kosovës e mos të ketë mjete për t’i paguar punëtorët të cilët mbajnë mësim çdo ditë. Kjo është shumë e çuditshme dhe e habitshme, do të thotë ku gjen mjete për një organizatë profitabile e nuk gjen mjete për të njëjtën kohë për t’i paguar punëtorët e tij. Ngase në fakt, punëtorët e arsimit janë punëtorë të Qeverisë”, tha Shala. /BetimipërDrejtësi
Shala: As vendimet e gjykatave s’po ekzekutohen, shtetit po i bllokohen llogaritë për realizimin e ekzekutimeve
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ka situata kur vendimet e gjykatave nuk po ekzekutohen dhe se për të ndodhur kjo, po nevojitet të bllokohen llogaritë e shtetit.
I ftuar në emisionin “Tempus“, Shala tha se papërgjegjshmëria e administratës është në nivelet më të larta.
Sipas tij, kur një institucion paditet që nuk i ka dhënë pagat jubilare apo shujtat, në momentin e pranimit të padisë dihet epilogu. Dhe se kështu krijohen edhe shpenzime procedurale.
“Paramendojeni deri ku shkon paradoksi, as aktgjykimet e gjykatave nuk po ekzekutohen, çka po duhet e ba palët, me shku në përmbarim dhe shtetit me ju blloku llogaritë për me u ekzekutu një aktgjykim. Ne e dimë që ka procedura dhe përmbaruesit funksionojnë, mirëpo është një hije e keqe për sundimin e ligjit që merret një vendim dhe një institucion publik me obligu me përmbarues”, tha Shala.
Sipas Shalës, përfaqësuesit e institucioneve publike po ushtrojnë ankesë kur dihet qartë se ekziston e drejta e duke krijuar kështu shpenzime shtesë.
“Në momentin pranimit të padisë e dinë se si është epilogu dhe të krijohen shpenzime procedurale dhe se çudia është se apelohen, çka je tu apelu sepse pagën jubilare e ka të garantune sepse me ankesë veç bën shpenzime tjera”, shtoi Shala.
Kur ngufatet puna e gjyqësorit përmes veprimeve apo mosveprimeve të Qeverisë dhe Kuvendit, Shala tha se duhet kuptuar se kjo ndikon tek qytetarët.
“Nëse ngufatet gjyqësori dhe ngufatet puna e gjyqësorit dhe Qeveria dhe Kuvendi përmes veprime e mosveprimeve e bën këtë, kjo nuk duhet me u pa si Qeveria dhe Kuvendi po i bën diçka gjyqësorit, po na bën neve qytetarëve për shkak se ne po duhet pastaj me prit më shumë në gjykatë, ne po duhet që me taksat tona me i pagu ato shpenzime procedurale, neve po na vështirësohet qasja në drejtësi, e të tjera. Gjyqësori nuk është subjekt në vetvete që Qeveria mundet me thanë mirë ja bën e krejt këto, mirëpo ideja është që krejt kjo po reflektohet te secili qytetar”, tha Shala.
Ai tha se duhen plotësuar resurset, por nëse vazhdon me këtë mënyrë të sjelljes administrata e Kuvendit dhe institucioneve tjera, numri i gjyqtarëve nuk do të mjaftojë kurrë.
“Kjo sellje e administratës, e Kuvendit, e institucioneve tjera, e ka humb sensin e çdo planifikimi strategjik për ulje të rasteve”, tha Shala.
Sipas tij, në vitin 2019 kanë qenë rreth 44 mijë lëndë civile, kurse në fund të vitit 2024 janë rreth 121 mijë lëndë.
“Pra, kemi pothuajse kemi trefishim të lëndëve civile në gjyqësor. Në anën tjetër, prej vitit 2019 e tutje kapacitetet janë rritë, është miratu Rregullorja për normat orientuese, janë marrë një sërë veprimesh dhe është rritë edhe numri i lëndëve të zgjidhura nga ana e gjyqësorit”, tha Shala.
Hulumtuesi tha se gjyqësori e ka katërfishuar performancën në kuptim të numrit të lëndëve të zgjidhura, por është trefishuar numri i lëndëve të pazgjidhura. Përballë mosreflektimit, Shala thotë se edhe po të shtohen 100 gjyqtarë nuk është zgjidhje. /BetimipërDrejtësi
Zekaj: Pritet t’i kemi 90 mijë padi nga ndryshimi i Ligjit për Pagat e nëpunësve publikë
Avokati Yll Zekaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se priten rreth 90 mijë padi si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat e nëpunësve publikë.
Ai tha se është instaluar një kulturë që qytetari i Republikës së Kosovës, nuk ka mundësi që të realizojë të drejtën e vet, pa iu drejtuar gjykatës.
“Domethënë, asnjëherë nuk e marrin barrën e përgjegjësisë, të gjithë ata të cilët aprovojnë një ligj, të cilët aprovojnë një kontratë kolektive, të cilët e nënshkruajnë një kontratë kolektive, nuk e marrin përgjegjësinë e zbatimit të së njëjtës”, shtoi Zekaj.
Sipas tij, kjo është shqetësuese për shkak se tanimë po kemi ngufatje të sistemit gjyqësor pasi qytetarët i drejtohen gjykatës për realizimin e të drejtës së tyre.
“Kjo ngufatje e sistemit gjyqësor po vjen pikërisht nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Në vend që të njëjtit të jenë lehtësues të sistemit gjyqësor, këto po e ngufasin të njëjtën”, tha tutje avokati Zekaj.
I njëjti theksoi se kanë qenë rreth 40-50 mijë padi për kontratën kolektive dhe se tani priten të jenë rreth 90 mijë padi për ndryshimin e Ligjit për pagat e nëpunësve publikë, i cili ka përgjysmuar shtesat të cilat kanë qenë të përcaktuara me Ligjin për nëpunësit civilë.
“Në momentin që kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, kjo duhet të jetë abc-ja e legjislativit, përkatësisht ekzekutivit për të zbatuar të njëjtën”, shtoi avokati Zekaj.
Sipas tij, në këtë rast, Kuvendi i Kosovës nuk e ka marrë as mundin ta diskutojë zbatimin e këtij aktgjykimi në kohën kur ka qenë funksional.
“Lëre më tani kur nuk e kemi funksional Kuvendin tjetër, nuk e dimë edhe sa do të zgjatë. Kurse, të drejtat e qytetarëve, të drejtat e nëpunësve publikë do të vazhdojnë të cenohen”, theksoi ai.
Sipas tij, nëse zyrtarët publikë është dashur t’i marrin 12 paga gjatë vitit, do t’i marrn 11-të për shkak të përgjysmimit të këtyre shtesave.
Zekaj tha se Kushtetuesja me të drejtë ka konstatuar në aktgjykim se Kuvendi kur e ka nxjerrë Ligjin nuk e ka arsyetuar qëllimin legjitim, pra arsyen e përgjysmimit të shtesës.
“Derisa të gjithë nëpunësit civilë i kanë pasur pritjet e tyre legjitime se një shtesë prej 0.5% do të vazhdojë, ta marrin në pagat e tyre”, tha Zekaj.
Ai shtoi se nuk mund të mos zbatohet kontrata kolektive që është nënshkruar, dhe se realizimi i tyre është pritje legjitime e qytetarëve. Tha se shteti ka dështuar në realizimin e këtyre shtesave dhe se ka mbetur të kërkohen përmes gjykatës, gjë që ka bërë të vërshohet gjyqësori me lëndë. /BetimipërDrejtësi
Avokati Zekaj: Qeveria po ndikon në sistem gjyqësor duke mos ia plotësuar kërkesat
Avokati Yll Zekaj, tha se Qeveria po ndikon në sistemin gjyqësor, për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tij.
“Ne, si qytetarë të Republikës së Kosovës, mund të jemi kritikë ndaj sistemit gjyqësor, por asnjëherë ekzekutivi dhe legjislativi”, tha Zekaj në “Tempus“.
Ai tha se ekzekutivi dhe legjislativi, duhet të krijojnë kushte për sistemin gjyqësor, të aprovojnë buxhet më adekuat.
“Ne shohim që çdo vit përsëriten kërkesat e njëjta të Këshillit Gjyqësor dhe asnjëherë nuk arrihen që të plotësohen nevojat e Këshillit Gjyqësor në buxhetin e kërkuar, nga ana e Qeverisë”, theksoi avokati Zekaj.
E sipas tij, është ndikim i drejtpërdrejtë në sistemin gjyqësor nëse Qeveria nuk i plotëson kushtet e sistemit gjyqësor.
“Absolutisht nuk mund të administron drejtësi nëse ti si ekzekutiv nuk e lejon hapjen e vendeve të punës për gjyqtarë, plotësimin e numrit adekuat të gjyqtarëve dhe e ngufat sistemin gjyqësor me lëndë, atëherë ti po ndikon drejtpërdrejt në uljen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, pastaj nuk mund ta kritikosh të njëjtin për shkak të mosefikasitetit të tij për shkak se nuk je korrekt me kërkesat që drejtohesh në drejtim të sistemit gjyqësor”, shtoi tutje ai.
Mes tjerash, avokati theksoi se ekzekutivi nuk është aspak përkrahës për gjyqësorin, por që çdo ditë kërkon që të krijojë probleme e që pastaj i vihen në barrë sistemit gjyqësor. Tha se gjyqësori ka probleme të shumta me të cilat ballafaqohet, por asnjëherë nuk mund të kritikohet lidhur me numrin e lëndëve.
“…ne e kemi pa që nuk është hera e parë që ky ekzekutiv që ka kriju probleme e të cilat e ka ditur paraprakisht që nuk funksionojnë, kemi pasur uljen e pagave të gjyqtarëve, tendencën për t’i ulur pagat e njëjta dhe pastaj ka dalë që të njëjtat nuk mund të realizohen”, shtoi Zekaj. /BetimipërDrejtësi
Gjykatësi Muçaj: Brenda ditës 2 mijë padi, lëndët për pagat në sektorin publik ngarkuan gjyqësorin
Argzon Muçaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, bëri të ditur se rreth 2 mijë padi janë dorëzuar brenda një dite në këtë Gjykatë, për shkak se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e zbatoi aktgjykimin e Gjykatës Kushttuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Gjyqtari Muçaj tha në “Tempus” se gjyqësori viteve të fundit është përballur me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve që derivojnë nga kontratat kolektive apo udhëzimet administrative, e që kryesisht kanë të bëjnë me konteste të punës.
Sipas tij, këto konteste, Gjykata i trajton me prioritet sipas një strategjie të nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për faktin se kontestet e punës janë kategori kushtetuese dhe hyjnë në të drejtat themelore.
Ai tha se përkundër faktit se gjyqësori është përballur me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve, pas mobilizimit tek KGJK-ja, gjykatat dhe gjyqtarët më 2014 është kryer një numër i madh i lëndëve civile.
“Synimet kanë qenë që viti 2024 të arrihet të përmbyllen në tërësi të gjitha ato lëndë që dervojnë sikurse nga kontratat kolektive, po ashtu edhe udhëzimet administrative. Këshilli Gjyqësor, po ashtu edhe gjykatat janë kujdesur dhe kanë tentuar të ruajnë njëfarë balanci në mes të ekonomizimit dhe efikasitetit të procedurës, ku të gjitha këto lëndë janë trajtuar jashtë seancës, ndërsa në anën tjetër është kujdesur që të respektohen të drejtat themelore të punëtorëve”, tha gjykatësi.
Mirëpo, thotë se të gjitha këto lëndë kanë një kosto shumë të madhe, ngase përveç që ndikojnë në shpenzimin e madh të kohës, të njëjtat kanë edhe kosto financiare që drejtpërdrejt afektojnë edhe buxhetin e Kosovës.
“Në këtë rast, do të thotë se nuk janë lëndë komplekse për gjyqësorin, realisht nuk do duhej të ishin fare lëndë. Për arsye se në të gjitha këto raste të paditur janë institucione publike, pavarësisht se a mund të jenë komuna apo insitucione qendrore, agjenci qeveritare apo edhe ministria, tash së fundmi Kuvendi i Kosovës”, thekson gjyqtari Muçaj.
Për ato raste, Muçaj tha se ka vendimmarrje deri në Gjykatën Supreme, përjashtimisht këtyre që derivojnë nga 0.5%.
“Dhe në qoftë se e analizojmë dhe e shohim se nëse një vendim i kalon të gjitha instancat gjyqësore, konfirmohet nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, është shumë e pakuptimtë se si ato prap vazhdojnë të vinë në gjykatë, prap kanë vazhduar të vinë në gjykatë dhe të krijojnë shpenzime që në tërësi janë të pakuptimta dhe të panevojshme”, shtoi gjyqtari.
Kjo pasi, sipas tij, pothuajse derivojnë nga e njëjta bazë juridike dhe janë të konfirmuara edhe nga Gjykata Supreme. Tha se angazhimi ka qenë maksimal në trajtimin e këtyre lëndëve, pa i lënë anash edhe lëndët tjera. Megjithatë, kjo situatë, sipas tij, e ka cenuar efikasitetin në trajtimin e lëndëve të tjera.
Ndërkaq, tha se së fundi, kanë filluar që të dorëzohen edhe paditë që derivojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Së fundmi, ne si Gjykatë Themelore në Prishtinë, vetëm kanë filluar të dorëzohen këto paditë që derivojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Brenda një dite janë pranu rreth dy mijë padi. Mund ta imagjinoni, nëse brenda një dite janë pranu dy mijë padi, sa apo si do të jetë fluksi në të ardhmen”, thekson gjyqtari Muçaj.
Sipas tij, kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në efikasitetin e trajtimit të lëndëve tjera, sepse përveç që kërkon angazhim maksimal të gjyqtarit, kërkon edhe angazhim të stafit administrativ.
“…edhe në këtë rast është një goditje e jashtëzakonshme për gjyqësorin, që në rrethana normale, në një vend, nuk do duhej të kishte ndodhur kjo, sepse janë pothuajse të gjithë zyrtarët publikë, apo nëpunësit publikë, që në këtë rast, nëse të gjithë paraqesin padi, numri i tyre mund të jetë mbi 80 mijë”, shton tutje ai.
Andaj, Muçaj thotë se në vend që sot të diskutohej për cilësinë e vendimmarrjes, diskutohet për një çështje e cila do të jetë e papërballueshme për sistemin gjyqësor.
“Në qoftë se ne pranojmë brenda një kohe shumë të shkurtër 80 mijë lëndë, atëherë edhe epilogu i tyre domosdoshmërisht do të ndikojë në efikasitetin e vet sistemit”, u shpreh gjykatësi.
Në anën tjetër, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, thekson se si IKD vazhdimisht i kanë bërë thirrje dhe kanë avokuar te Kuvendi për t’iu përmbajtur procedurave drejt realizimit të këtij obligimi kushtetues, e që sipas tij, fatkeqësisht nuk ka pasur reflektim.
Ai thekson se përgjegjësia ekskluzive për këtë mosveprim bie mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës tani në detyrë, e cila sipas tij ka pasur edhe shumicën parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Tash është e vërtetë që juridikisht Kuvendi shihet si institucion dhe i cili në këto situata paditet për shkak të mosveprimit të saj. Mirëpo, kur e dimë tash se si funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe përgjatë asaj kohe kush e ka pasur shumicën parlamentare brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, i bie që përgjegjësia ekskluzive për këtë mosveprim, bie mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës tani në detyrë, e cila ka pasur edhe shumicën parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thotë Shala.
Përndryshe, më 20 mars 2025, IKD kishte organizuar takim diskutues me përfaqësues të partive politike të zgjedhur në Legjislaturën e IX-të, me përfaqësues të sindikatave të sektorit publik dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Në këtë takim ishte diskutuar për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe është publikuar raporti me titull: “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”.
Në raport thuhet se nëse Kuvendi nuk vepron dhe zyrtarët publikë detyrohen t’i drejtohen gjykatës, potenciali në këtë rast është se gjykatat do të vërshohen me rreth 90 mijë lëndë të reja, të cilat do të duhet t’i trajtojnë një për një.
“Kjo situatë do të rëndonte tejmase gjyqësorin me lëndë. Përpos gjyqësorit, kjo situatë do të dëmtonte edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, për shkak të obligimit të pagesës së shpenzimeve procedurale. Në bazë të një kalkulimi të përgjithshëm, nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen 35,770,502 euro për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet e mundshme përmbarimore”, ishte theksuar nga IKD. /BetimipërDrejtësi
Shala: Mosveprimi i Kuvendit për Ligjin për Pagat në sektorin publik përbën shkelje të Kushtetutës
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se me mosveprimin e Kuvendit të Kosovës për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në sektorin publik, është shkelur Kushtetuta.
Fillimisht, Shala sqaroi se Ligji për pagat në sektorin publik e kishte ulur përqindjen e shtesës mbi përvojën e punës për 15 vitet e para nga 0.5% në 0.25%. Tha se ai Ligj kishte edhe një sërë shkeljesh të tjera.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se IKD-ja ngjashëm edhe me 104 organizata e punëtorë, ishin ankuar tek Avokati i Popullit, e më pas rasti kishte shkuar në Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.
“Gjykata Kushtetuese kishte anuluar një sërë dispozitash, të cilat cenonin të drejtat e fituara të zyrtarëve publikë. Mirëpo, njëra prej këtyre çështjeve ishte çështja e pagesës së përvojës së punës- që Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si kundërkushtetuese uljen e përqindjes nga 0.5 sa kishte qenë para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në sektorin publik, në 0.25%”, tha Shala.
Hulumtuesi i IKD-së tha se Kushtetuesja nuk e kishte anuluar dispozitën për 0.25% ngase kishte thënë se nëse anulohet kjo dispozitë deri në adresimin e kësaj çështjeje nga Kuvendi, krijohet një vakum ligjor, për shkak se nuk kanë mundësi që zyrtarët publikë të paguhen me 0.25%.
Ai tha se deri më 1 gusht 2024, Kuvendi obligohej që të marrë të gjitha veprimet për ta kthyer nivelin e pagesës së punës në të paktën 0.5%.
“Për shkak se qysh ka theksuar Gjykata Kushtetuese edhe në të kaluarën, nuk është çështje kushtetuese ngritja e pagave, mirëpo është çështje kushtetuese ulja e pagave, për shkak se nuk mund të ulet paga që konsiston në cenimin e një të drejte tanimë të fituar- në të cilën zyrtarët publikë kanë pritje legjitime se do ta fitojnë”, tha Shala
Shala theksoi se pas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është obliguar që deri më 1 gusht 2024 ta bëjë këtë rregullim ligjor- që ta kthejë në 0.5%, duke filluar shtrirja kohore nga 1 shkurti 2024, që është koha kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi i Kushtetueses.
“Fatkeqësisisht, kjo nuk është bërë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mosveprimi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, fillimisht duhet me theksu qartazi se përbën shkelje kushtetuese. Kushtetuta është ajo se çfarë Gjykata Kushtetuese thotë për të. Dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Dështimi i Kuvendit për ta bërë këtë, thjesht paraqet shkelje të Kushtetutës”, tha Shala.
Ky mosrregullim nga ana e Kuvendit, Shala thotë se prek të drejtat e mbi 90 mijë zyrtarëve publikë.
“Në këtë situatë në të cilën jemi, edhe si IKD e kemi përmend vazhdimisht që është e rrugës që Kuvendi ta adresojë obligimin e tij kushtetues, asgjë më pak e asgjë më shumë sesa zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mos t’i detyrojë zyrtarët publikë që të shkojnë dhe të drejtën e tyre ta kërkojnë në Gjykatë”, u shpreh hulumtuesi.
Sipas tij, nëse Kuvendi nuk vepron, zyrtarët publikë nuk kanë mundësi tjetër dhe kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre, duke kërkuar të drejtën e tyre në gjykatë. Por, tha se kjo do të bëjë të ketë vërshim të gjyqësorit me lëndë.
“Për shkak se nëse i kemi mbi 90 mijë zyrtarë, potenciali është se do t’i kemi mbi 90 mijë padi, për shkak se secili prej tyre do ta kërkojë të drejtën e vet. Kjo më pastaj do a mbingarkojë gjyqësorin edhe do ta vendos gjyqësorin në një gjendje kushtimisht them të paaftësisë së mjaftueshme për t’iu përgjigjur kontesteve të tjera, për shkak se nëse mbingarkohet gjyqësori me edhe mbi 90 mijë lëndë normalisht që nuk do të ketë kohë mjaftueshëm për t’i trajtuar rastet e punës, pronësore, e të tjera, që duhet të trajtohen”, tha Shala.
Po ashtu, tha se kjo ka edhe kosto, pasi shteti obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës.
“Shpenzimet minimale në raport me këto lëndë nëse vërshtohet gjyqësori do të jenë mbi 35 milionë euro”, tha Shala, duke shtuar se po avokojnë që të zbatohet vendimi i Kushtetueses nga Kuvendi./BetimipërDrejtësi