Albert Krasniqi, drejtor i programeve në organizatën Demokraci Plus, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nevojiten ndryshime kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Duhet kurdo që zhbllokohet kjo situatë t’i hyjmë ndryshimeve kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit. Nuk mund ta lënë në dorën e një subjekti politik që ta bllokojë, mundet me qenë edhe me një votë më shumë dhe ta ketë të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit si partia që ka dalë e para, të merren modelet e vendeve të rajonit- Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, ku ta zëmë me 1/3 e nënshkrimeve mund të propozohet një kandidat për kryetar të Kuvendit dhe ai që merr shumicën e votave të deputetëve zgjedhet kryetar. Nëse asnjë prej kandidatëve në raund të parë nuk i merr, dy më të votuarit shkojnë në raundin e dytë. Një lloj balotazhi që e kemi te kryetarët e Komunave që është një mënyrë që nuk bllokon”, tha Krasniqi. /BetimipërDrejtësi
Hoxha: Problemi në thelb nuk është juridik, ka mungesë të vullnetit politik nga Kurti
Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke diskutuar për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, tha se nuk është problemi në thelb juridik, por që ka mungesë të vullnetit politik nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Hoxha tha në “Tempus” se në momentin kur Kurti ka dhënë betimin e deputetit, nuk mund t’i mbajë dy pozita njëkohësisht.
“Problemi në thelb nuk është juridik pa çka që kanë përdorur levat juridike për të krijuar ngërçin, problemi është puro politik ka mungesë të vullnetit politik për ta zhbllokuar situatë dhe për të ecur përpara dhe unë nuk kam ide pse dhe si i konvenon kjo zotërit Kurti. Mund të ketë dëshirë të jetë në detyrë ende, pa çka që është ilegalisht, sepse e ka uzurpuar Qeverinë sepse në momentin që ka dhënë betimin e deputetit nuk mund t’i bëjë të dyat është absurde, e thotë Ligji për qeverinë dhe neni 72 i Kushtetutës në raport me papajtueshmërinë”, tha Hoxha. /BetimipërDrejtësi
Miftaraj: Kosova po humb mjete nga BE-ja si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Kosova po humb mjete nga Bashkimi Evropian si pasojë e moskonsitutimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Miftaraj tha se nesër është një takim i rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut, ku takohen të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, në prani të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ku të gjitha shtetet do të tregojnë për planin e rritjes dhe ratifikimit të marrëveshjeve, e ku Kosova jo vetëm që nuk ka plan të rritjes, por as nuk e ka bërë ratifikimin e marrëveshjes- e ku bëhet fjalë për mbi 800 milionë euro për vitet 2024-2027.
“Nuk e di se cili do të jetë arsyetimi i Kurtit nesër para përfaqësuesve të Komisionit Evropian apo shakaja që do ta flet në këtë takim, dhe nuk e di se çka do të prezantojë nesër në atë takim”, tha Miftaraj në “Tempus“.
Ai tha se sot Komisioni Evropian ka lëshuar komunikatë duke i bërë thirrje Kosovës për konstituim të Kuvendit në mënyrë që ta ratifikojë marrëveshjen dhe të përfitojë Kosova nga plani i rritjes./BetimipërDrejtësi
Krasniqi: Dehari po bën kalkulim politik me bllokimin e Kuvendit

Albert Krasniqi, drejtor i programeve në organizatën Demokraci Plus, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, deputeti Avni Dehari po bën kalkulim politik me bllokimin e Kuvendit.
“Në këtë situatë po përdoret zotëri Dehari fatkeqësishtt, kjo pozitë është menduar me shkas për personin më të vjetër në moshë sepse konsiderohet si person që ka një bagazh politik, është në fund të karrierës politike dhe se nuk dëshiron të njolloset në fund dhe të vihet në kompromise apo agjenda të subjekteve politike, por të veprojë mbi palët. Por që fatkeqësisht, zotëri Dehari nuk është duke e luajtur këtë rol, ai është vënë në një instrumentalizim të subjektit të tij politik dhe ka insistu në një procedurë me një arsyetim të palogjikshëm. Tha që dështimi për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, zonjën Albulena Haxhiu nuk po jep rezultat votimi i hapur dhe po kaloj në votim të fshehtë, domethanë në mënyrë arbitrare pa pyetur Kuvendin për një mënyrë të tillë të votimit, por drejtpërdrejt në propozimin për anëtarë të komisionit”, tha Krasniqi.
Hoxha: Dehari ka bërë shkelje kushtetuese me devijimet e rendit të ditës

Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë shkelje të Kushtetutës me devijimet e rendit të ditës.
E ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Hoxha tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i pakuptueshëm.
“Nuk i ka vizatuar pikë e presje se çfarë duhet bërë, por ka treguar se çfarë nuk është bërë mirë dhe çfarë mund të bëhet si duhet bazuar në praktikat e kaluara”, tha Hoxha.
Sipas saj, në mbledhjen e fundit të kryesisë së vjetër caktohet se a do të jetë votimi i hapur apo i mbyllur.
“Zotëri Dehari e ka devijuar rendin e ditës, që përbën shkelje kushtetuese në fakt sepse është e qartësuar edhe në Rregulloren e Kuvendit se në mbledhjen e fundit të kryesisë së vjetër përcaktohet rendi i ditës”, tha Hoxha.
Deputetja shtoi se edhe në Rregulloren e Kuvendit, theksohet se tek seanca konstituive praktikat e deritanishme tregojnë për votim të hapur.
“Dhe aty, njëra nga pikat tregon si zgjidhet kryetari i Kuvendit”, tha Hoxha.
Deputetja Hoxha tha se votimi i fshehtë lejohet në seancat e rregullta plenare dhe se këtë e kanë bërë disa herë.
“Por, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë brenda një procesi konstituiv. Pse duhet të ketë një votim të fshehtë për një kryetar që duhet të na përfaqësojë të gjithëve në Kuvend, pavarësisht se vjen prej një grupi parlamentar?”, shtoi ajo.
Andaj, ajo thotë se ideja që të interpretohet aktgjykimi i Kushtetueses është fyerje, sepse duhet respekuar si njerëz të thirrur në instituconin më të lartë i cili është i thirrur për ta mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Ndërkaq, Albert Krasniqi, drejtor i programeve në organizatën Demokraci Plus, tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është përshkrim i vendimit të vitit 2014.
“Nuk i takon një partie politike vetëm se ka dalë e para në zgjedhje, të bllokojë funksionimin dhe konstituimin e institucioneve”, tha Krasniqi.
Kjo sipas tij, duke më shumë si refuzim për dorëzim paqësor të pushtetit sesa komplikim i procedurave ligjore dhe kushtetuese. /BetimipërDrejtësi
Kush po e shkel Kushtetutën në emër të saj?
Në prill të vitit 2025, Republika e Kosovës priste një kapitull të ri parlamentar. Presidentja caktoi datën. Agjenda u dakordua. Deputetët u mblodhën. Por, Kuvendi ende nuk është konstituuar.
Kush po e ndal funksionimin e Kuvendit? Dhe kush po e përdor Kushtetutën – për ta shkelur atë?
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vetëm një detyrë: ta udhëheqë teknikisht seancën. As më shumë. As më pak. Por, ai zgjodhi të veprojë përtej çdo kufiri kushtetues.
Kur deputetët nuk votuan raportin e një komisioni, Dehari e quante “akt të paprecedentë”. Por sipas Kushtetutës, votimi është e drejtë – jo detyrim. Asnjë deputet nuk i jep llogari Kryesuesit.
Një nga seancat e prillit u ndërpre pa votim edhe pse ishin 100 deputetë prezentë. Asnjë arsye. Asnjë vendim. Vetëm vullnet personal.
Në vend se të drejtonte seancën, Dehari organizoi mbledhje jashtë saj. Konsultime që nuk sollën zgjidhje – veç zvarritje.
Më 19 prill, pas një rundi të dështuar, Dehari shpalli pauzë prej 15 minutash. Por, as pauza nuk kishte arsyetim – e as fund.
Lejoi diskutime jashtë agjendës, kohë shtesë për partinë nga e cila vjen vetë – Lëvizjen Vetëvendosje. Pa dakordim, pa barazi, në shkelje të qartë të rregullores. Por, i njëjti standard nuk u zbatua me partitë tjera.
Më 1 maj. Dehari propozoi votim të fshehtë. Pa miratim. Pa komision të përfaqësuar drejt. Pa asnjë bazë në Rregullore.
Edhe pasi Gjykata Kushtetuese, në rastin KO124/25, e përcaktoi qartë që seanca konstituive duhet të përfundojë sipas Kushtetutës, Rregullores dhe praktikës së deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dehari, sërish vazhdoi me shkelje: Kërkoi emrat për një komision votimi të fshehtë që vetë nuk kishte të drejtë ta propozonte.
Për 29 herë me radhë, Avni Dehari ka refuzuar votimin për Kryetar të Kuvendit. Ka ndërprerë seanca. Ka shmangur rendin. Ka penguar Kuvendin të rilindë.
Një pozitë teknike u kthye në armë politike. Kuvendi nuk mund të mbahet peng. Kushtetuta nuk mund të përdoret si pretekst për shkelje. Roli i Kryesuesit është teknik – jo politik.
Zvarritja nuk është zgjidhje – është shkelje. /BetimipërDrejtësi