Sporte të tjera

Fitore bindëse e Kosovës ndaj Izraelit

ks

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll e ka fituar me rezultat bindës ndeshjen e parë për plasman në Kampionatin Evropian të Divizionit B në Gjeorgji.

Të premten hendbollistet e Kosovës triumfuan me rezultatin 35:26 ndaj Izraelit.

Ndeshja ishte e vlefshme për plasman nga pozitat pesë deri në tetë.

Që në fillim të ndeshjes lojtaret e Kosovës krijuan epërsi bindëse prej 5:0 e 11:1. Më pas e kontrolluan rezultatin deri në fund. 

Martina Bibaj udhëhoqi Kosovën në fitore me dhjetë gola nga 12 tentime. Diona Dresh i kishte shtatë gola nga nëntë tentime, ndërsa Arjeta Imeraj i realizoi gjashtë gola nga shtatë tentime. 

Me nga tri gola njdeshjen e përfunduan Sara Gjergjaj e Zoja Kameraj, nga dy i shënuan Orgesa Gola e Elona Zeneli, kurse nga një Klaudia Ukaj e Arona Krasniqi. Portierja Donjeta Shabani u dallua me 13 pritje dhe u shpall më e mira e ndeshjes.

Tani Kosova U19 luan për vendin e pestë në Evropianin B në Gjeorgji. Ndeshja për vend të pestë është të dielën.

Në fazën grupore, Kosova kishte dy fitore e dy humbje.