Kanë kaluar shumë vjet prej se lëvizja e një lojtari nga një përfaqësuese në tjetrën nuk ka bërë më shumë bujë në Zvicër.
Leon Avdullahu të hënën vendosi të luajë për Kosovën e jo për Zvicrën, ndonëse është rritur në futbollin zviceran dhe falë karrierës te Baseli tashmë po paraqitet për Hoffenheimin në Bundesligë.
Avdullahu është 21-vjeçar dhe mesfushor cilësor. Për Kosovën ardhja e tij është fitore e madhe. Për Zvicrën, largimi i tij është humbje e madhe.
“Ne jemi të dëshpëruar që ai tani dëshiron të shkojë në një rrugë tjetër”, ka thënë drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami.
Avdullahu ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës dhe ishte kapiten i ekipit U21 së fundi. Por nuk u ftua asnjëherë nga përfaqësuesja A e Zvicrës. “Blick” ka lënë të kuptohet se sikur të ftohej më herët, vendimi i Avdullahut mund të ishte ndryshe.
Tami nuk ka kërkuar kontakt me mesfushorin e ekipit gjerman. Por kur lojtari u kontaktua nga Kosova, presidenti i Federatës zvicerane, Peter Knabel dhe selektori Murat Yakin kanë bërë përpjekje maksimale për ta ndalur 21-vjeçarin.
I lindur në Solothurn të Zvicrës, Avdullahu është zhvilluar te Baseli nga viti 2018. Në ekipin e parë ka luajtur nga viti 2023, me sukses të plotë. Këtë verë bëri hap të madh duke u transferuar te Hoffenheimi në Bundesligë, ku po ashtu nisi fuqishëm.
Javë më parë kryetari i FFK-së, Agim Ademi e takoi Avdullahun në Gjermani. Dhe kështu u paralajmërua ardhja e tij te Kosova. Zviceranët reaguan, por ishte vonë. Avdullahu do të ftohet nga Franco Foda për ndeshjet e shtatorit. Dhe mund të debutojë për Kosovën pikërisht ndaj Zvicrës, më 5 shtator. Dhe pikërisht në stadiumin e Baselit, të cilin Avdullahu e njeh shumë mirë.
“Është e kuptueshme që ky vendim mund të sjellë dëshpërim në sportin zviceran”, ka thënë këshilltari i Avdullahut, Sascha Fischer. Ai ka thënë se është vendim pro Kosovës e jo vendim kundër Zvicrës.
Sipas Fischerit, Avdullahu është shumë mirënjohës ndaj Zvicrës dhe i lidhur me të.
“Por ai gjithashtu bartë historinë dhe identitetin e familjes së tij brenda vetes. Është një hap që ka rëndësi jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe shoqëror”, ka thënë Fischer.
Avdullahu te Kosova pritet të jetë lider. Te Zvicra do të ishte njëri prej mesfushorëve. Dhe ka vendosur për përfaqësuesen ku gjasat që të jetë i rëndësishëm i ka më të mëdha.
Zvicrës edhe në të kaluarën i janë larguar lojtarë të rëndësishëm. Por te kjo përfaqësuese mbetën Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e së fundi edhe Ardon Jashari, që parashikohet të jetë lider i ri i mesfushës helvetike.
“E bëj të qartë që ne i duam vetëm lojtarët që identifikohen 100 për qind me vendin tonë dhe përfaqësuesen tonë”, ka thënë Tami.
Ndërkohë, te Kosova ka entuziazëm për ardhjen e Avdullahut, sidomos te tifozët. Ai pritet ta udhëheqë mesfushën së bashku me Elvis Rexhbeçajn. Për shumë vjet Kosova ka pasur telashe në mesin e fushës. Tani opsionet duken të bollshme.
“Leoni me këtë vendim dëshmoi edhe një herë fuqishëm që Kosova mbetet zgjedhje zemre dhe se identiteti e prejardhja nuk mohohen”, ka shkruar kryetari i FFK-së, Agim Ademi.