Sport

Messi mban peshën e Argjentinës në finalen e Botërorit

Përderisa Lionel Messi po i afrohet finales së tij të dytë dhe të fundit të Kupës së Botës, emocionet vështirë se mund të jenë më të mëdha. E njëjta gjë vlen edhe për Argjentinën, pas më shumë se 30 vjetësh zhgënjim që kur fitoi për herë të fundit çmimin më të madh të futbollit. Për Messin, fitorja kundër Francës në stadiumin “Lusail”, të dielën, është një shans për të marrë më në fund trofeun e madh që i ka shpëtuar në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Me sukses të dielën, ai do të shtynte anash Cristiano Ronaldon - i cili gjithashtu nuk ka fituar Kupën e Botës - në rivalitetin e gjatë mes dy lojtarëve më të mëdhenj të brezit të tyre.

Ronaldo 37-vjeçar u largua nga turneu në fazën çerekfinale, i ulur në stol te Portugalia dhe i përlotur duke kuptuar se shansi i tij i fundit kishte kaluar. Ndërkohë, Messi po shfaq disa nga momentet më të bukura me fanellën e Argjentinës, për të frymëzuar vendin e tij drejt fundit të lumtur.

“Sa herë që e shohim Messin duke luajtur, ai na bën neve dhe lojtarët të ndiejmë diçka të veçantë”, tha trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni. “Ka diçka tek ai që njerëzit e pëlqejnë, jo vetëm argjentinasit. Ndihemi me fat dhe të privilegjuar që e kemi atë me fanellën tonë”.

Vendi i Messit përkrah Diego Maradonas si një nga dy yjet më ikonike të futbollit të Argjentinës ka qenë i sigurt tashmë disa kohë. Por ai ende nuk ka arritjen më të madhe të Maradonas, përkatësisht nuk ka udhëhequr Argjentinën drejt titullit në Kupë të Botës.

Maradona e bëri këtë në Meksikë në vitin 1986 dhe Messi ka jetuar me shpresën për të përsëritur arritjen që kur u shfaq si një mrekulli te Barcelona gati 20 vjet më parë. Ka pasur shumë shpresa të rreme gjatë kësaj kohe. Ishte “skuadra e ëndrrave” e mundshme e Maradonës si trajner dhe Messit si yll në Afrikën e Jugut në vitin 2010. Por Argjentina u ndal në çerekfinale pasi u mund 4:0 nga Gjermania. Në vitin 2014, me Messin që po u afrohej viteve të kulmit, Argjentina arriti në finale në Brazil. Përsëri u përball me Gjermaninë. Përsëri Messi ishte në ekipin humbës. Në moshën 35-vjeçare, ai e dinte se ky ishte ndoshta tentimi i fundit në Kupën e Botës. Dhe Messi u ngrit në Katar si shënuesi kryesor i turneut së bashku me sulmuesin francez Kylian Mbappe me nga pesë gola. Ndoshta më të dukshme kanë qenë asistimet e tij, si pasimi fantastik për golin e Nahuel Molinas ndaj Holandës në çerekfinale. Më pas ishte ecuria e tij magjepsëse duke e thyer mbrojtësin kroat Joshko Gvardiol, përpara se të asistonte për Julian Alvarez që shënoi golin e tretë për Argjentinën në gjysmëfinale.

“Është të paktën diçka për të cilën mund të flas për Messin me fëmijët e mi dhe t’u tregoj atyre një ditë që e ruajta këtë lojtar të mrekullueshëm,” tha Gvardiol.

Ato asistime kanë qenë tregues se Messi nuk mund ta bëjë më vetë. Dalja e Alvarezit në skenë, me katër gola, ka qenë jetike për përparimin e Argjentinës. Messi nuk dominon më për 90 minuta të tëra. Në vend të kësaj ai vendos ndeshjet me momente kyçe. Ai nuk është aq dinamik sa ishte në vitet e mëhershme, por ka qenë më me ndikim se në cilindo nga katër Botërorët e mëparshëm.

Derisa Messi synon të kompletojë koleksionin personal të trofeve, pasi ka fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe shtatë çmime “Topi të Artë” për lojtarin më të mirë në botë, Argjentina po kërkon t'i japë fund pritjes së gjatë për një Botëror të tretë. Ajo fitoi turneun për herë të parë kur e organizoi në vitin 1978 dhe pastaj përsëri tetë vjet më vonë, falë Maradonës.

Messi duhej ta siguronte atë arritje shumë kohë më parë. Nëse ai tërhiqet pa fituar Kupën e Botës, atëherë sa do të duhet të presë Argjentina? Nuk është çudi që çdo moment i magjisë së Messit dhe çdo fitore të përshëndetet me një vërshim të tillë emocionesh. Ndjenja e pritjes po rritet te tifozët argjentinas, të cilët kanë ndezur turneun me fanellat tradicionale, duke marshuar nëpër rrugët e Katarit. Messi po ushqen besimin se kjo mund të jetë përsëri koha e tyre. Nëse ky është turneu i tij i lamtumirës, ​​ai u ka dhënë tifozëve të tij një udhëtim të egër. Dhe me ose pa një Kupë Bote, Scaloni nuk ka asnjë dyshim për statusin e Messit si më i madhi i të gjitha kohëve.

“Duket sikur ne e themi këtë vetëm, sepse jemi argjentinas dhe biem në grackën e të qenit egoist, sepse është shumë argjentinase ta thuash këtë”, tha ai. “Por unë mendoj se nuk ka dyshime për këtë”.