SOT

Kisha e Gllogjanit, strehë për 20 mijë besimtarë gjatë luftës në kosovë

Zëri i kambanës u dëgjua edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

Në atë kohë, në fshatin Gllogjan të Pejës, pikërisht në këtë kishë, u strehuan rreth 20 mijë refugjatë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, të besimit katolik dhe mysliman.

Prifti i asaj kohe nuk iu bind urdhrave të forcave serbe, të cilat kërkonin ndarjen e shqiptarëve myslimanë nga ata katolikë. Për të, e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte shpëtimi i shqiptarëve nga forcat serbe.

Dom Samuell Ramaj rrëfen se famullia, që nga viti 1920, ka kontribuar vazhdimisht për atdheun, duke ruajtur me përkushtim tolerancën fetare mes shqiptarëve.

“Kjo kishë është e veçantë për binomin e atdhedashurisë, pra për fenë dhe atdhe. Një nga karakteristikat më të veçanta të kësaj kishe është pa dyshim gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, pra gjatë pushtimit serb në këtë vend. Në këtë kishë, në vitin 1999, prifti i asaj kohe dom Kelmend Spaqi ka bërë një vepër bamirësie dhe atdhedashurie për shqiptarët e kësaj zone. Në Pashkët e vitit 1999 gjerë sa ishte kremtimi liturgjik i meshës së shenjtë, forcat serbe kanë hyrë në objektin e vjetër të kishës. Dhe kanë kërkuar pikërisht nga Dom Kelmendi që të bëhet një ndarje në mes shqiptarëve mysliman dhe shqiptarëve katolik. Si çdo kishtar të cilët kanë dhënë kontribut gjatë historisë edhe Dom Kelmendi e ka bërë këtë akt dashurie duke dalë para trupave serbe dhe duke thënë se, ‘së para të më vrisni mua pastaj t’i prekni shqiptarët myslimanë, sepse ne këtu jemi vëllezër. Në këtë fshat ekziston vëllazëria e përbashkët. Ekziston një bashkëjetesë, një tolerancë në këto troje që duhet të na kenë lakminë edhe ndërkombëtarët. Si çdo vend tjetër, përveç fesë katolike, ekzistojnë edhe fetë e tjera. E bukura është se pavarësisht pikëpamjeve dhe bindjeve fetare, një familje me dy fe, katolik dhe mysliman, janë të një gjaku. Pra ne e duam njëri-tjetrin”, thekson ai. 

Fshati Gllogjan i Pejës numëron sot 97 familje me rreth 700 shtëpi. Rreth 1,470 banorë të këtij fshati jetojnë në mërgatë – në Zvicër, Gjermani, Austri dhe SHBA.

Palush Desku, një 64-vjeçar që jeton në fshat bashkë me bashkëshorten, kujton me mall të kaluarën, kur bujqësia, blegtoria dhe bletaria ishin më të zhvilluara se sot.

“Jetojmë këtu prej të parëve tanë. I kam tre fëmijë, dy i kam në Zvicër dhe tjetrin e kam në Prishtinë, i cili punon atje. Për momentin në fshat jetoj bashkë me gruan. Merrem nga pak me bujqësi e bletari. Mungon fuqia punëtore, për këtë arsye merrem pak me bujqësi. Deri në 100 koshere me bletë i kam pasur, me mungesën e fuqisë punëtore më është dashur t’i zvogëloj edhe bletët, por edhe për shkak ndryshimeve klimatike. Për momentin i kam vetëm 5 koshere me bletë. Me bujqësi merrem kryesisht me perime qepë, hudhër, misër. Përpara kemi qenë bashkësi më e madhe familjare dhe kem arritë me i marrë deri në 1500-kilogram pasul. Kemi mbajtë lopë, bujqësia në përgjithësi ka qenë më ndryshe në fshatin tonë”, deklaron ai.

Fshati ka edhe një shkollë fillore, "Migjeni", me mbi 200 nxënës në 11 paralele. Nga kjo shkollë kanë dalë shumë kuadro të njohura – profesorë, mjekë, inxhinierë, artistë e profesionistë të tjerë.

Drejtori i shkollës, Anton Antoni, vlerëson lart kontributin e mësimdhënësve dhe ish-mësimdhënësve që kanë dhënë për arsimimin e brezave.

“Mire se erdhe arsimtari i dalluar! Si udhëheqës i kësaj  shkolle është një privilegj i jashtëzakonshëm që në shenjë simbolike po jua dorëzoj këtë mirënjohje, e cila është më e vogël për kontributin e jashtëzakonshëm që ke dhënë në gjuhën shqipe mbi 45 vjet. Nder dhe respekt për ju dhe për brezat të cilët i ke mësuar, arsimtar im i nderuar”, thotë ai.

Pas 10 vjetësh pensionim, Pashk Desku, që punoi për 45 vjet si arsimtar i informatikës, u nderua me një mirënjohje simbolike nga shkolla.

“Faleminderit shumë drejtor, është një privilegj që më ndahet kjo mirënjohje mua, pas 10 vjetësh pensionim. Nxënës ju dëshirojë suksese dhe unë po ndihem i ri me këtë vullnet që ma keni dhënë. Mund t’ia nis punës nga fillimi, pra edhe 40 vjet të tjerë ndihem për të kontribuar në arsim”, deklaron Desku. 

Përveç tolerancës fetare dhe trashëgimisë arsimore, Gllogjani dallohet edhe për natyrën e tij të bukur dhe për mikpritjen tradicionale.