SOT

Familja nga Deçani hoqi dorë nga Zvicra për t’u kthyer në Kosovë

Në një kohë kur shumë të rinj largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, Shani Kadrijaj zgjodhi rrugën e kthimit. Pas 13 vjetësh jete dhe pune në Zvicër, ai la pas gjithçka për të nisur nga e para në vendlindje, në fshatin Rastavicë të Deçanit. Sot, falë punës së palodhshme në bujqësi dhe blegtori, jo vetëm që ka siguruar një jetë të qëndrueshme, por ka rritur dhe shkolluar me sukses gjashtë fëmijë.

Shani Kadrijaj, që në moshë të re kishte marrë rrugën e mërgimit drejt Zvicrës. Megjithëse ai dhe familja ishin pajisur me dokumente qëndrimi, pas 13 vjetësh qëndrimi atje, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të prindërve dhe mallit për atdheun, vendosi të rikthehej në fshatin e tij të lindjes, Rastavicë.

Sot, ai shprehet se, edhe nëse do t’i jepej mundësia për t’u kthyer në Zvicër, nuk do ta bënte një gjë të tillë.

6 fëmijët e tij i ka rritur e shkolluar falë punës në blegtori dhe bujqësi. 

“Shkollën fillore e kam përfunduar këtu në fshat, ndërsa gjimnazin e kam përfunduar në shkollën ‘Vëllezërit Frashëri’, në Deçan. Pasi e kam përfunduar gjimnazin kemi ikur për në Zvicër, si gjithë të tjerët. Pak për shkaqe sigurisë dhe pak për nevojë familjare. Në Zvicër kam qëndruar 13 vjet, kam punuar atje dhe i kemi pasur letrat e fituara, por për shkak që prindërit i kam pasur të sëmurë. Më është dashur ta lë Zvicrën dhe të vijë në Kosovë. Pra jam kthyer vullnetar”, thekson Kadrijaj. 

“Unë momentin kur e kam marr vendimin për kthimin në Kosovë, kam qenë dhe jam shumë i kënaqur. Edhe në Kosovë e gjej vetën mirë. Kam të ardhura të mira, një jetë të mirë, një rrogë mesatare. Me bujqësi dhe blegtori i kemi shkolluar dhe fëmijët. Vajza e madhe i ka përfunduar dy fakultete, infermieri dhe kriminalistikë, e dyta po ashtu ka përfunduar fakultetin e infermierisë, djali ka përfunduar dy vjet fakultet të mjekësisë në drejtimin mjekësi e përgjithshme në Prishtinë, dhe tani është duke studiuar në Berlin, djalin tjetër e kam hendbollist, luan për kombëtaren e Kosovës, edhe binekët i kam në shkollë fillore, janë 12-vjeçarë. Për momentin jam shumë i kënaqur me jetën në Kosovë nuk me mbetet merak Zvicra aspak. Edhe nëse më epet mundësia që sot të kthehem në Zvicër nuk do ta pranoj, pra nuk do të kthehem. E kam gjetur vetën këtu, unë jam i kënaqur me Kosovën”, shton ai.    

Kadrijaj kujdeset për 22 krerë lopë, nga të cilat merr rreth 200 litra qumësht në ditë.

“Prej që jam kthyer në Kosovë kam filluar të punoj tokën, të merrem me bujqësi, ndërsa 5 vitet e fundit e kemi rritur numrin e krerëve më lopë. Qumështin e dorëzojmë te pika grumbulluese në Isniq, dhe me të ardhura nga kjo jemi shumë mirë. Jem në rritje të krerëve të lopëve dhe parcelave me tokë bujqësore. Krerë të lopëve për momentin i kem 22 të mëdha dhe të vogla 8 i kemi lopë të qumështit, edhe disa mështjerra jemi duke i rritur. 7 hektarë tokë bujqësore i punoj, misër mbjelli më shumë, pasul dhe pjesën tjetër livadhe. Jeta në fshat është e mirë ata që duan me punuar, duhet me mbajt lopë me punuar tokën etj.”, deklaron Kadrijaj.

Në punët e fshatit, Shaniu ndihmohet nga bashkëshortja dhe fëmijët. Ai thekson se asgjë nuk do të mund të realizohej pa ndihmën e familjes.

“Pa ndihmën e gruas dhe të fëmijëve asgjë vetëm nuk mundem të bëj. Bashkë me gruan zgjohemi herët së pari e prijmë kafen e mëngjesit pastaj dalin në stallë të lopëve dhe fillojmë me punën. Rreth ore 7:00 të mëngjesit jemi në stallë deri 9:15 i përfundojmë disa punë. Deri ora 17:00 i kryejmë të gjitha punët sa i përket blegtorisë, ndërsa pjesa tjetër e ditës na mbetet me punu në bujqësi apo diçka tjetër”, deklaron Kadrijaj. 

Shani Kadrijaj është përfitues i një lope të dhuruar nga organizata humanitare “Mështjerra”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit.

“Organizata jonë kryesisht merret me dhurimin e mështjerrave për bujqit, donator kryesor e ka Irlandën. Është organizatë humanitare dhe lopët janë dhuruar nga bujqit Irlandez për bujqit në Kosovë. Këto dy vite kem bashkëpunimi me drejtorinë e bujqësisë së Deçanit. Rreth 250 fermerë kanë aplikuar për të marrë donacion një lopë, por për këto dy vite i kemi ndihmuar 100 familje me nga një krerë me lopë, mështjerra. Përveç kësaj fermerët janë ndihmuar edhe nga ana e bujqësisë”, deklaron Florentina Kida – Gërguri, nga kjo organizatë. 

Edhe Komuna e Deçanit luan rol të rëndësishëm në mbështetjen e fermerëve.

“Ky projekt është realizuar përmes organizatës joqeveritare “Mështjerra”, një pjesë ka qenë donatore Komune e Deçanit, një pjesë organizata dhe një pjesë bujqit. Jemi shumë të kënaqur, sipas statistikave nga Agjencia e Kosovës, Deçani e zë vendin e parë për prodhimtari të qumështit dhe po ashtu edhe cilësisë së qumështit”, thotë drejtori i Bujqësisë në Deçan Rifat Stojkaj. 

Aktualisht, në Komunën e Deçanit janë rreth 300 fermerë që merren aktivisht me blegtori, ndërsa Ministria e Bujqësisë ofron mbështetje financiare prej 90 euro për çdo krerë lope për blegtorët.