Po i merr hapat e parë nga instruktori për vozitjen me motoçikletë.
Megjithëse ende e re në moshë, Juna Konjusha vozitjen me motoçikletë e do shumë dhe një gjë të tillë thotë se e ka provuar shpesh së bashku edhe me babanë e saj.
Por tani, ajo po merr hapat fillestarë profesionalë për vozitjen e motorit nga instruktori.
E gjithë kjo në kuadër të një aktiviteti të organizuar nga Klubi i Motoçiklizmit “Çikat”, që u mbajt gjatë të premtes dhe të shtunës që lamë pas në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku të gjitha vajzat e interesuara patën mundësinë të mësojnë hapat e parë të vozitjes së motoçikletës.
“Kam ardhur të mësoj se si të vozis motorin. Shumë më pëlqen. Shpresoj që do e regjistroj patentën e vozitjes së motorit. Kam pas mundësi të vozis motorin e babit. Unë nuk është që e voziti shpesh se ende se kam moshën të marr lejen e motorit por me babin hipi ndonjëherë dhe e kam një ndjenjë shumë të mirë kur të hipi në motor. Mendoj që ka dëshirë shumë pasi edhe më ka mësuar t’i grahi motorit”, thekson Konjusha.
Drenica Spahiu, kryetare e Klubit të Motoçiklizmit “Çikat”, thotë se kjo ka ardhur si ide për t’u dhënë mundësi të gjitha vajzave që e duan motoçikletën të mësojnë hapat e parë të vozitjes në qendër të Prishtinës.
“Ideja e aktiviteti ka ardhur sepse kemi takuar shumë femra si klub që e kanë pasion motorin por nuk i është dhënë mundësia ta vozitin. Në bashkëpunim me auto shkollën kemi pasur ide të bëjmë dy ditë një trajnim ku bazat e motoçikletës mund t’i mësojnë të gjithë të interesuarit është plus 16 vjet”, deklaron Spahija.
Ajo thotë se interesimi është mjaft i madh.
“Sot është e premte ditë pune por interesimi është më i madh se që e kemi pritë por të shtunën presim më shumë interesim dhe aktiviteti do të jetë më i gjallë. Do të jepen edhe dhurata. Deri në orën 18-19 zgjatë kush është i interesuar bëhet regjistrimi dhe pastaj jepet trajnimi falas. Kush është i interesuar mund t’i japim një vozitje në qytet”, shton Spahija.
Ka një vit që janë themeluar, por Spahiu thotë se do të vazhdojnë me aktivitete të rëndësishme për vajzat.
“Klubi është themeluar vitin e kaluar dhe ky është aktiviteti ynë i parë. për këtë vit kemi edhe gara të cikave më 13 korrik ku secila cikë që dinë me vozitë dy rrotësh mund të bashkëngjitet në garë. Në tetor e kemi për vetëdijesim të kancerit të gjirit kemi bërë një organizim dhe ideja është që të vetëdijesojmë sa më shumë popullatën rreth kancerit të gjirit”, thotë Spahija.
E interesimi i vajzave të ngasin motor është rritur dukshëm, thotë Salih Behrami, instruktor.
“Ndër vite interesimi ka ardhur duke u shtuar. Më vjen mirë që edhe femrat kanë filluar ta duan motorin dhe ta shfrytëzojnë motorin shkaku i trafikut që është bërë në ditët tonë në përgjithësi. Është një ngritje e madhe e interesimit. Ne prej 2008 funksionojmë me kategorinë A dhe ndër vite e kemi pas ndryshimi. 4-5 femra ka pasur në fillim por tani është rritur numri shumë më i madh”, thotë ai.
Behrami thekson se femrat janë më të kujdesshme në ngasje të motoçikletës.
“Femrat janë më të kujdesshme në vozitje. Edhe për veturë po ashtu edhe për motor. Askush nuk hip në motor pa u përgatit në suazat më të mira të mundshme për shkak të rrezikut për aksident. Femrat janë të mira në vozitje”, thekson Behrami.
Megjithatë, ai thekson se komunikacioni nuk është edhe aq i sigurt për motoristët.
“Sa u përket kushteve duhet të vetëdijesohen më shumë shoferët e veturave. Disa motoristë e keqpërdorin mënyrën e vozitjes mirëpo kanë filluar shoferët e veturave të i ruajnë megjithatë ka kategori të njerëzve që i rrezikojnë motoristët. Vendi ynë nuk ka qenë i zhvilluar në atë nivel që të krijojmë kulturën se si të kujdesemi për motoristë në qytet. Por edhe motoristët po janë më të kujdesshëm se po i marrin helmetat e të gjitha pajisjet tjera”, shton Behrami.
Regjistrimi i vajzave vazhdoi deri në orët e mbrëmjes në sheshin “Zahir Pajaziti”.