Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Trashëgimia kombëtare e Adem Demaçit

Adem Demaçi është simbiozë e rrallë e atdhetarit e humanistit të angazhuar në njërën anë dhe e intelektualit e artistit të pasionuar pas fjalës së bukur në anën tjetër

Adem Demaçi është simbiozë e rrallë e atdhetarit e humanistit të angazhuar në njërën anë dhe e intelektualit e artistit të pasionuar pas fjalës së bukur në anën tjetër

Ai me kohë kishte vënë në peshojën historike parimet për të cilat angazhohej me tërë qenien dhe jetën e tij përballë mirëqenies dhe rehatisë që mund t’ia sillte ushtrimi i cilindo post në hierarkinë e pushteteve. Kishte fituar aspekti i parimësisë, por jeta e tij kishte pësuar tronditje të mëdha, e megjithatë nuk është ankuar dhe vuajtjet e pësimet nuk i ka bërë asnjëherë çështje diskutimi pavarësisht burgut politik gati të pashembullt në mbarë Evropën e kohës. Ndonëse me një të kaluar të patëdytë në historinë tonë kombëtare, ndonëse shqiptari i parë që e fitoi çmimin “Saharov”, as në Kosovë dhe as në Shqipëri, nuk u pa si një vlerë e trashëgimisë sonë historike...

Adem Demaçi është figurë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shek. XX me profilin e të cilit shqiptarët mund të dalin para botës dhe të krenohen me arritjet esenciale të cilave për shumëçka u parapriu si ideolog dhe si intelektual i angazhuar, me ato arritje që e ndryshuan rrënjësisht statusin e tyre në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, në një perceptim të përgjithshëm, kam bindjen se vepra e tij dhe sidomos veprimtaria e tij shumëplanëshe, nuk është prezantuar në nivelin e duhur dhe jo sidomos sa i përket ndikimit që e pati në rrjedhojat e përgjithshme të zhvillimit historik. Kjo, për bindjen time, ka ndodhur për shkak të një mendësie mbizotëruese në jetën tonë shoqërore që njëjtëson kontributin e personalitetit të shquar historik me autoritetin e veshur me pushtetin e ushtruar për një kohë të caktuar. Adem Demaçi nuk mori përgjegjësi sipërore të pushtetit, hiq faktin se për një kohë të shkurtër ishte drejtor i bordit të RTK, nga i cili post, ndonëse një përgjegjësi minore, shumë shpejt u tërhoq. Ndryshe nga disidentët e tjerë të sferës së bllokut socialist, të cilët qoftë edhe duke trilluar njëfarë disidence latente, shijuan ëmbëlsinë pushtetore, Adem Demaçi vendosi që të mbetej një përfaqësues sui generis i zërit të popullit, deshi dhe mbeti zëri politik e korrektues i shoqërisë dhe i kombit në disa raste, i cili për veprimet dhe për pikëpamjet e tij krejtësisht unike nuk i dha llogari asnjë lideri dhe asnjë tarafi politik. Për këtë, pra për qëndrimin e tij që nuk u nënshtrohej kompromiseve e aq më pak pazareve, edhe elitat tona politike kanë hezituar ta kenë afër. Fundja më shumë e kanë nderuar dhe vlerësuar të huajt, pra joshqiptarët, për angazhimin e tij politik si dalzotës dhe zëdhënës i aspiratave të një kombi të shtypur, i aspiratave të tij autentike për liri, si humanist e internacionacionalist që ishte gati t’ia njihte kujtdo qoftë po ato të drejtat që i kërkonte për kombin e vet, si një veprimtar që në idetë vetjake dhe në realizimin e tyre nuk zmbrapsej përballë vështirësive e kërcënimeve të hapura për jetën e tij. Ai me kohë kishte vënë në peshojën historike parimet për të cilat angazhohej me tërë qenien dhe jetën e tij përballë mirëqenies dhe rehatisë që mund t’ia sillte ushtrimi i cilindo post në hierarkinë e pushteteve. Kishte fituar aspekti i parimësisë, por jeta e tij kishte pësuar tronditje të mëdha, e megjithatë nuk është ankuar dhe vuajtjet e pësimet nuk i ka bërë asnjëherë çështje diskutimi pavarësisht burgut politik gati të pashembullt në mbarë Evropën e kohës. Ndonëse me një të kaluar të patëdytë në historinë tonë kombëtare, ndonëse shqiptari i parë që e fitoi çmimin “Saharov”, as në Kosovë dhe as në Shqipëri, nuk u pa si një vlerë e trashëgimisë sonë historike me të cilën do të mund të identifikoheshin arritjet tona kombëtare të një fushe të caktuar, ta zëmë nëpërmjet identitetit demaçian të akëcilit çmim presidencial, apo të ndonjë vlerësimi të ngjashëm me këtë. Përshëndes Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, që e themeloi një çmim letrar me emrin e Adem Demaçit, por a e mbulon ky nderim përnjëmend vlerën e përgjithshme të veprës shkrimore dhe të veprimtarisë së tij të përgjithshme kombëtare? Mbase shembullin më domethënës për këtë anashkalim e gjejmë në dy enciklopedi tona: Fjalorin enciklopedik shqiptar dhe Fjalorin enciklopedik të Kosovës. Ka një shpërputhje të plotë ndërmjet pranisë dhe rolit të Adem Demaçit në zhvillimet e rëndësishme historike dhe definimit të cilin e gjejmë aty. Zërat që mëtojnë të ofrojnë portretin e njërit ndër personalitetet më të shquara shqiptare shëmbëllejnë në një torzo së cilës i mungojnë pjesët esenciale të identitetit. A mund të jetë një lëshim rasti kjo qasje në të dyja rastet?! Fakti se as sot, vite pas vdekjes së tij, nuk e kemi një monografi të mirëfilltë shkencore që do t’i trajtonte në plotëni aspektet kryesore jetëshkrimore e botëkuptimore, në të cilën do të përfshihej trashëgimia e veprës dhe e veprimtarisë së tij, dëshmon për një perceptim të paplotë, për një mosnjohje e mosvlerësim të trashëgimisë që kanë lënë jeta, vepra dhe veprimtaria e tij.

Të dy enciklopeditë dhe numri më i madh i shkrimeve për Demaçin e karakterizojnë atë si një “veprimtar për çështjen kombëtare”, përkatësisht si “veprimtar politik”. Për të tillë e njeh edhe Fjalori enciklopedik i Kosovës, duke e cilësuar edhe si shkrimtar. Veprimtari rëndom njëjtësohet me një aktivist, ndërsa aktivist mund të jetë kushdo që vepron në një fushë të caktuar ose për një çështje të caktuar. Harrohet fakti se Adem Demaçi ishte në krye të herës një ideolog i çështjes kombëtare, i cili në programet e tij për lirinë kombëtare shpërfaqte idetë dhe pikëpamjet sistematike filozofike, politike, shoqërore, juridike, morale etj., duke argumentuar mbi të drejtën e ligjshme e parimore të një kombi për të qenë i lirë, i bashkuar, e njëkohshëm duke i qartësuar rrugët e realizimit të kësaj të drejte. Në këtë pikëpamje Demaçi, parimet dhe filozofia e tij politike, janë në vijën e një numri të vogël intelektualësh atdhetarë që në historinë tonë kombëtare zënë fill me Sami Frashërin dhe Pashko Vasën. Pra, para se të jetë veprimtar i angazhuar për çështjen kombëtare, Adem Demaçi është hartues i projektit të lirisë, ideolog i spikatur pikëpamjet sistematike të të cilit dalin në pah në programet e organizatave dhe të strukturave atdhetare që i krijoi, u priu dhe për këtë fakt edhe u dënua me dekada të burgut politik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përveçse ideolog, Adem Demaçi është edhe prijës shpirtëror, simbol dhe frymëzues i të gjitha strukturave të mëvonshme atdhetare, politike e ushtarake, të cilat vepruan në linjën e çlirimit kombëtar të pjesës së robëruar të Shqipërisë etnike. Kujtojmë se ishte ai që e solli Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, ishte ai që e faktorizoi ndjeshëm rezistencën shqiptare në planin politik e diplomatik, madje edhe me çmimin e jetës së tij. Kush tjetër do të mund të hapte një zyrë politike të UÇK-së, më 1998, në Prishtinë? Kush tjetër do ta kishte këtë guxim që haptas dhe fuqishëm të shndërrohej në krahun e saj politik?

Ndonjëherë portreti i tij goditet për gjoja mungesën e koherencës dhe të konsistencës sa i përket zgjidhjes së çështjes shqiptare. Dhe këtu i përmendet projekti i Ballkanisë si devijim nga synimi i tij për liri e për bashkim kombëtar. Marrë jashtë kontekstit historik dhe politik në të cilin u lansua kjo ide mund të krijohet një perceptim i gabuar mbi objektivat politikë e përfundimtarë të Demaçit, për të cilët emërues i përbashkët ishte liria dhe vetëm liria e plotë. Kjo nismë parakuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe vetëm pastaj mundësinë  e përfshirjes së saj në një format konfederal ballkanik, madje në një kohë kur shqiptarëve nuk u ofrohej asgjë më shumë se një autonomi substastanciale nën pushtuesin e saj. Gjë e vërtetuar kjo edhe në Marrëveshjen e Rambujesë, kundër së cilës ishte Adem Demaçi pikërisht për faktin se e linte Kosovën në një status autonom brenda një Serbie të gjerë, përkatësisht popullin e saj pa përmbushur aspiratën e lirisë.

Trashëgimia demaçiane është shumë më e plotë sesa është angazhimi i tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare si çështje e një kombi të ndarë padrejtësisht në disa shtete. Kjo trashëgimi përfshin edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për përparimin dhe emancipimin e kombit. Dimensioni letrar i kësaj trashëgimie, i shpalosur në disa gjini letrare, përbën një sferë të angazhimit permanent të tij. Letërsia e re shqipe në Kosovë, që bëri hapat e parë pas Luftës së Dytë Botërore, tek Adem Demaçi ka gjetur njërën ndër penat më premtuese të saj. Kontributi i tij nuk vjen vetëm në trajtë shkrimeve origjinale, ngase një rol me peshë e pati edhe si përkthyes i letërsive të tjera në gjuhën shqipe. Këto përkthime e plotësonin një zbrazëtirë të madhe të krijuar nga mungesa e komunikimit kulturor të shqiptarëve të robëruar me shtetin amë. Megjithatë, talenti i Demaçit doli në pah, që në fillimet e shkrimeve të tij – me tregimet brilante, por veçmas me botimin e romanit “Gjarpijt e gjakut”. Kështu, kritiku letrar Hasan Mekuli, me rastin e botimit të romanit “Gjarpijt e gjakut”, për këtë autor, atëbotë theksonte:  “Adem Demaçi asht tashma bukur moti i njohun në letërsin tonë dhe njëmend i gjallë dhe i spikatun. Ky asht i  spikatun, jo vetëm për shkak se asht prore aktiv, por ma tepër për shkak se proza e tij qëndron dhe përparon me kumbimin e saj origjinal, kërkon shtigje origjinale dhe me shumë guxim e mjaft sukses po lufton kundër një anmiku të rrezikshëm, i cili quhet konvencionalizëm. Kjo luftë relativisht e suksesshme ban që lexuesi të mundet me i përcjellë gjurmët e zhvillimit të tij artistik me buzëqeshje kënaqësie. Nganjiherë ka pasë sukses ma shum, nganjiherë ma pak, por vepra e tij ka qëndrue prore, ka qenë prore interesante me ngjyrën e vet humoristike dhe me të folmen e panjajtësueme, herë-herë dis-harmonike e natyraliste të katundit, ka ecë, ka pasë domethënie, ka ndikue në mënyrë shumë impresive në vëmendjen tonë, me observacione dhe kualitete të reja.”

Disa nga cilësimet e asokohshme të Hasan Mekulit e orientojnë vëmendjen në esencën e veprës letrare të Adem Demaçit, pra edhe në vendin e saj në rrjedhën e historisë së letërsisë shqipe. Së pari, duhet thënë se kontributi i tij si autor lidhet ngushtë me njëfarë negacioni të prurjeve letrare të kohës, pra si negacion i kontekstit kulturor. Prurjet letrare origjinale në gjuhën shqipe, përveçse të pakta, shfaqen më shumë si dëshmi të jetës kulturore paraletrare veçmas në fushën e prozës. Jeta letrare zhvillohej rreth një reviste modeste e me autorë fillestarë dhe as që mund të bëhej fjalë për ndonjë edicion botimesh të veçanta. Pra, në rrafshin e zhvillimeve kulturore shqiptare, në mesin e shqiptarëve jashtë shtetit amë, Demaçi po bënte përpjekje të mohonte një gjendje ekzistuese dhe të krijonte një letërsi, e cila pak vite pas botimit të romanit të tij, do të plotësohej me zhanret dhe llojet e rëndomta letrare. Suksesi i “Gjarpijve të gjakut” ishte një shtysë e fuqishme edhe për autorë të tjerë, të cilët, në mungesë të një tradite letrare, ngurronin të hidhnin hapat në fushën e publikimeve autoriale. Konvencionalizmin, si një armik të krijimtarisë, me ardhjen e tij në rrjedhat letrare shqipe, Demaçi e lufton edhe në një rrafsh tjetër. Përgjithësisht letërsia shqipe në vitet ‘50 kishte rënë në kthetrat e realizmit socialist si doktrinë ideologjike e politike, që e konceptonte artin si një mjet për edukimin e masave popullore në frymën socialiste e komuniste.

Pas lirimit nga burgu, Adem Demaçi iu rikthye shkrimeve letrare. Kontributi i tij shtrihet në shumë dimensione shprehëse letrare, si në tregim, roman, poezi, dramë, eseistikë etj. Trashëgimia e tij letrare është me interes për vlerat e saj artistike, veçmas kundruar në prizmin historiko-letrar të lindjes së një krahu të rëndësishëm të zhvillimit të letërsisë shqipe, të kritikës letrare dhe të mendimit mbi letërsinë, por gjithashtu është dëshmi e përpjekjeve për të shprehur konceptin shumëplanësh social, etnologjik, filozofik, kulturor të autorit të saj mbi jetën, të cilën e kishte kundruar përherë nga një prizëm i veçantë, nga prizmi i të burgosurit që e realizon lirinë e tij në krijimtari, si një formulë e gjetje vetjake për ta luftuar qoftë edhe në këtë kontekst robërinë kombëtare.

Ndonëse në romanin “Gjarpijt e gjakut” nuk mund të gjendet as edhe një shenjë e urrejtjes për kombet e tjera, vepra letrare –  të themi kushtimisht –  u burgos për shkak të burgosjes së autorit të saj. Ky diskontinuitet i zhvillimit të mëtejmë artistik, letrar e kulturor, prodhoi një realitet të ri në jetën e Adem Demaçit, i cili me kohë u shndërrua në të burgosurin më të famshëm të ndërgjegjes, për shumëkënd në një disident, e për mendimin tim në një oponent të përjetshëm ndaj strukturave shtetërore si cenuese të lirisë së kombit të tij. Me një fjalë, kur studioja e shkrimtarit Demaçi u zëvendësua me qelitë e ftohta të burgut, letërsia përfundimisht e humbi betejën që e nisi me veprimtarinë atdhetare së cilës do t’i përkushtohej gjithnjë e më shumë; dashuria dhe pasioni i tij për artin i bëri vend detyrës për atdheun dhe kombin; fjala e bukur letrare i bëri vend thirrjes kushtrimtare të lirisë që jehoi për dekada. Adem Demaçi është simbiozë e rrallë e atdhetarit e humanistit të angazhuar në njërën anë dhe e intelektualit e artistit të pasionuar pas fjalës së bukur në anën tjetër.

Pavarësisht përpjekjes për të thënë diçka, ky është vetëm një dimension i paplotë i trashëgimisë demaçiane në historinë tonë kulturore e të gjithmbarshme, trajtimi shumëplanësh i së cilës, pa asnjë dyshim, mbetet ndër objektivat e papërmbushur të studimeve tona.

Prishtinë, më 8 prill 2026