Shtojca për Kulturë

Simfonia e zërave të Kosovës në Vjenë

Ngjitja në skenën e Vjenës, do të ishte një ëndërr për secilin artist. E tillë qe edhe për koristët e “Siparantumit”. Deri në fundvit. U realizua me katër koncerte, tre prej të cilëve me “Simfoninë e nëntë” të Beethovenit. Përtej magjisë së një koncerti, ngjarjet si këto shndërrohen në simfoni të zërave të Kosovës në njërën prej kryeqendrave botërore të muzikës

Është njëra prej qendrave botërore të muzikës klasike. Festat ia japin këtë ndjesi edhe më. Vjena në ditët e fundit të dhjetorit frymon me koncerte të muzikës klasike. Sheshet janë të mbushura gjithandej me dekorime e mundësi për të blerë bileta për dhjetëra koncerte. Kryeqyteti austriak lidhet me emrat më të shquar të historisë së muzikës. Ka shumë ngjarje në nderim të tyre. Emra rrugësh, sheshe e muze ruajnë kujtimet për ta.

Por, mbi të gjitha, është muzika e tyre.

I njohuri Koncert i Vitit të Ri nga Filarmonia e Vjenës merr vëmendje botërore. E krahas tij, Orkestra Simfonike e Vjenës për tri net radhazi mban “Silvester Concerts”. Më 30 e 31 dhjetor dhe 1 janar, Salla e Koncerteve në kryeqytetin austriak ka qenë nikoqire e “Simfonisë së nëntë” të Ludwig van Beethovenit. Por, nikoqirllëku i kësaj salle në fund të 2023-s e në fillim të 2024-s nuk ka përfunduar me kaq. Në skenën e Sallës së Madhe, siç edhe e mban emrin, sivjet janë ngjitur edhe 21 anëtarë të korit “Siparantum” nga Kosova. Kanë interpretuar njërën prej veprave më të njohura vokalo-instrumentale të muzikës klasike. Për koristët nga Kosova kjo ishte një ëndërr. E kanë përsëritur shpesh si fjalë, pasi qe vërtet e tillë. Me kulmimin në “Silverster Concerts”, rrugëtimi i korit “Siparantum” në Vjenë ka qenë më i gjatë.

Formacioni koral, i themeluar në vitin 2017, nën dirigjimin e Memli Kelmendit, viteve të fundit ka shënuar goxha suksese. Muzikën shqipe e dërgoi në Filarmoninë e Berlinit. Më pas triumfoi në Korenë e Jugut në Lojërat Botërore të Koreve, për të vazhduar me Medalje të Artë në Lojërat Evropiane të Koreve në Suedi. Në Vjenë, para se të ngjiten në skenë përballë mbi 1 mijë shikuesve, kanë shpalosur edhe vepra shqiptare.

Image
Stacioni i parë ishte Kisha Votive. E inauguruar më 1878, monumenti neogotik është një prej shenjave të Vjenës (Foto: Arben Llapashtica)

Shqip në monumentin neogotik dhe kapërcimi i kufijve

Stacioni i parë ishte Kisha Votive. E inauguruar më 1878, monumenti neogotik është një prej shenjave të Vjenës. Familja perandorake e Franz Josephit do ta ndërtonte Kishën për të falënderuar Zotin dhe në shenjë besimi, pasi perandori i kishte shpëtuar një fatkeqësie të madhe. Aty zë vend edhe organoja e inauguruar me lojën e kompozitorit të njohur Anton Bruckner. Për dallim prej koncerteve me Orkestrën Simfonike të Vjenës, kësaj radhe interpretojnë krejt anëtarët e Korit. Target janë kryesisht shqiptarët që jetojnë në kryeqytetin austriak. Por udhëtimet e tilla nuk janë të lehta. Veç pritja në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë është muhabet më vete. Për gati dy orë, aty kufitarët hungarezë as që duan të shohin se para tyre qëndron një autobus me mbi 40 veta dhe askush para tyre nuk është në radhë. Por koristët janë pajtuar me raste të tilla. Arti do sakrificë, qoftë edhe aso administrative. Qëllimi ua mban moralin. Në rastin e koncertit në Kishën Votive, para se të nisë koncerti mbahen provat. Aty ushtrohen disa vepra. Ndërtesa që gjendet në “Rooseveltplatz” përgatitet për të qenë skenë interpretimi.

Veprat e repertorit botëror të ndërthurura me ato shqiptare kanë bërë që ambienti të ngjajë edhe me ndonjë skenë drame.

“Mirëmbrëma” e Lorenc Antonin është njëfarë letërnjoftimi që dëshmon se me këtë kompozitor edhe ka nisur muzika korale në Kosovë. E me “Ater Umbra” të Memli Kelmendit, me solist Shaban Behramajn, tregohet vazhdimësia deri te gjenerata e re e kompozitorëve. Me të njëjtin solist, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është interpretuar si dramë. Me vargjet e poezisë së Din Mehmetit, kompozimin e Baki Jasharit, vepra e ka futur publikun në një tjetër dimension. Në atë siç e ka edhe titullin. Momenti kur të gjithë anëtarët e Korit janë shtrirë për t’u ngritur baritoni, është dukur sikur ai ecën mbi kufoma. E ambienti kishtar me sarkofagë brenda i ka dhënë hov kësaj ndjesie. Realisht vendi prej nga vijnë koristët, kufomat kolektive i ka pamje të freskëta. Ende nuk janë bërë as çerek shekulli prej kur Kosova përjetoi luftë të përmasave gjenocidale.

Image
Salla e Koncerteve në kryeqytetit austriak ka qenë nikoqire e “Simfonisë së nëntë” të Ludwig van Beethovenit. Por, nikoqirllëku i kësaj salle në fund të 2023-s e në fillim të 2024-s nuk ka përfunduar me kaq. Në skenën e Sallës së Madhe, siç edhe e mban emrin, sivjet janë ngjitur edhe 21 anëtarë të korit “Siparantum” nga Kosova (Foto: Arben Llapashtica)

Por ngritja e koristëve në këmbë vjen si shenjë triumfi. Interpretimi si ai i veprës “Media Vita” me solist Mal Sopin, ka qenë dëshmi se repertori i korit “Siparantum” prek horizonte të ndryshme të muzikës klasike. Përderisa “Pax” e Memli Kelmendit ka ardhur si kombinim i klasikes me modernen që bashkë me lëvizjet koreografike e bëjnë atë një lloj akti të skenave teatrore. Nën dirigjimin e Kelmendit, e shoqëruar në piano nga Denita Dedushaj, Kori ka folur në gjuhën që di më së miri – atë të muzikës. Nën organizimin e Ermal Vejsës, të pranishmit, kryesisht shqiptarë, kanë parë kapacitetet e formacionit koral nga Peja.

Një skenë ideale për çdo artist, aty ku jetuan ikonat e muzikës

Vjena është qendra ku jetojnë edhe disa artistë të shquar shqiptarë. Ndër ta, Eno Peçi. Njëri prej balerinëve shqiptarë më në zë, ka vite që jeton në qytetin e kompozitorëve të mëdhenj. Angazhimet e tij shkojnë deri te pjesët koreografike të Koncertit të Vitit të Ri. Aty ishte edhe sivjet. Nuk kishte dëgjuar më herët për “Siparantumin”.

“Nuk e dija që në Kosovë ka një kor si ‘Siparantum’ dhe u gëzova të them të vërtetën”, thotë ai pas koncertit.

Për dallim prej tij, sopranoja Gesu Zefi ka treguar se ka kohë që ka dëgjuar për famën e “Siparantumit”. E ka prekur kombinimi i tradicionales sa i me modernen në muzikën korale, një thurje që i jep tisin atraktiv.

“Pata fatin të dëgjoja sjelljen e traditës në ditët e sotme”, thotë ajo.

Për anëtarët e Korit ky koncert është i veçantë. Dhe ka disa arsye.

“Nuk kam pritur numër kaq të madh të njerëzve që vijnë në koncert. Për ne është kënaqësi. Nuk ka më mirë sesa të mbyllim vitin me koncerte në Vjenë”, thotë baritoni Shaban Behramaj. Historia e Vjenës e bën atë qendër që e ka në qejf secili që merret me muzikë klasike.

“Vjena me trashëgiminë e pasur që ka për muzikën është një skenë ideale për çdo artist”, thotë pianistja Denita Dedushaj.

Dirigjenti Memli Kelmendi ka dirigjuar me Korin në disa vende evropiane e përtej. Por, Vjenën e sheh si diçka të veçantë.

“Prezenca jonë këtu është shumë domethënëse, pasi vijmë në qytetin e artit botëror, e aq më tepër që këtu kanë jetuar njerëzit më të mëdhenj të muzikës. Aq më tepër që sonte ndodhemi në Kishën ikonike me një atmosferë e arkitekturë të jashtëzakonshme. Por, me punë të madhe bashkë me krejt anëtarët, mund të themi se ëndrrat tona po bëhen realitet”, thotë ai.

Prej inaugurimit, ndërtesa kishtare qe nikoqire e shumë ngjarjeve të kulturës. Por një kor nga Kosova ka interpretuar për herë të parë aty. Mbi 200 veta në publik kanë parë se muzika korale në Kosovës është duke shkuar në një tjetër dimension. Nuk bëhet fjalë veç për interpretim të muzikës klasike. Por historia e re e Kosovës, veprat moderne që kombinohen me ato tradicionale e koreografia e përfshirë, janë elemente që ia shtojnë veçantinë. E Kisha Votive e ka provuar atë. Pos besimtarëve që frekuentojnë ambientet, është treguar se një grup me kryesisht të rinj nga Kosova, kanë besim në art.

Image
Në mbrëmjen e 30 dhjetorit, nja një orë para koncertit koristët mblidhen për prova përfundimtare para se të ngjiten në skenë (Foto: Arben Llapashtica)

Akordimi për triptik, ëndrra e Beethovenit dhe “Siparantumit”

Pas koncertit të ditës së 29-të të dhjetorit, të rinjtë e Kosovës ia kanë mësyrë një prej sallave që është shtëpi e muzikës botërore. Interpretojnë krahas koristëve të “Singakademie”, formacion i themeluar më 1858. Në skenë i pret edhe Orkestra Simfonike e Vjenës. Veç provat paraprake me korin vjenez janë moment i veçantë. Dirigjenti i “Singakademie”, Heinz Ferlesch , është ai që bashkon anëtarët e dy koreve dhe gjen harmoninë e zërave. Instruksionet e tij janë tejet domethënëse. Një ditë para se të nisë trinomi i koncerteve, kori bashkë me Orkestrën mbajnë provën e përgjithshme. Duket tamam koncert. Mungojnë vetëm kostumet. Prova e përgjithshme është e qasshme edhe për publik me bileta pak më të lira në çmim. Aty 21 koristë kosovarë përjetojnë interpretimin me ansamble që janë vulë e muzikës klasike dhe në një ambient të tillë. Madhështia e koncertit në ardhje është e dukshme. Në mbrëmjen e 30 dhjetorit, nja një orë para koncertit koristët mblidhen për prova përfundimtare para se të ngjiten në skenë. Maestro Ferlesch jep instruksionet e fundit. Kush me ndonjë lojë të vogël në piano e kush me ecje nëpër sallën e provave qetësojnë veten.

Image
“Siparantumi” ka lënë kryeqytetin austriak duke realizuar një ëndërr. Përderisa në skenë ëndrra e Beethovenit tregonte se kompozitori po bredhte për të gjetur civilizim, Kori nga Kosova ka treguar imazhin e shtetit më të ri në Evropë (Foto: Arben Llapashtica)

Kur marrin sinjalin, ia mësyjnë skenës. Krejt pak para se orkestra të dalë në skenë, stafi u uron mirëseardhje mbi një mijë vetave duke i lutur që të ndalin telefonat. “Simfonia e nëntë” e Beethovenit – e konsideruar si një prej veprave më me peshë në muzikën klasike – ishte luajtur në këtë sallë për herë të parë në tetor të vitit 1913, në koncertin inaugurues të sallës në praninë e perandorit Francis Joseph të Parë. Në sallën e larë me ngjyrë ari që ka tri nivele për publik, fiks 113 vjet më vonë, në ditët festive, të rinjtë nga Kosova i janë bashkuar një prej spektakleve më të mëdha të muzikës klasike që ndodh në Evropë gjatë festave të fundvitit. Për dallim prej herëve të tjera, tash dirigjenti izraelit, Omer Meir Wellber ka vendosur që “Simfonia e nëntë” – e cila te pjesa vokale ka poemën “Ode gëzimit” të Friedrich Schillerit – të shtojë edhe diçka. Këtë e ka treguar pak para se të nisë koncerti. Ka treguar se Beethoveni dikur kishte shkruar një letër për një mik të tij duke i treguar se ka parë një ëndërr ku ishte nisur nga Vjena për të gjetur civilizim në vendet e lindjes. Por ai e ka përmbysur ëndrrën e gjigantit të kompozimit.

“Ne kemi vendosur ta shtjellojmë këtë, por do ta bëjmë që ai të vijë nga Siria në Vjenë ku do të zbulojë një kulturë të re. Por, se a do të jetë ëndërr apo realitet mbetet që të përzgjidhni ju”, ka thënë ai. Kjo edhe ia ka dhënë njëfarë kundërefekti.

Në lojën madhështore të Orkestrës dhe me dirigjimin brilant, duke bërë që energjia të kaplojë tri nivelet e sallës së artë, publiku është futur në rrugëtimin e veprës së shkruar në vitet ’20 të shekullit XIX. Është ambient ku e magjishmja dhe realja ecin paralelisht dhe nuk dihet kush kujt ia merr anën. Por, muzika e ka këtë fuqi: e bën publikun që të prekë horizonte të ndryshme. Këtë fuqi e kanë edhe koristët nga Kosova. Për herë të parë në jetën e tyre kanë qenë me një numër të tillë të publikut para. Me aso që zgjedhin që për netët festive të dëgjojnë Beethovenin dhe madje nga një orkestër që nëse bën diçka përkryer luan “Simfoninë e nëntë”.

Solist i veçantë qe aktori Eli Dankeri, i cili sjell ëndrrën e Beethovenit në skenë. Interpretimi i tij përfshirë edhe koreografinë ku një formë ironizohet pak me traditën fetare të lindjes, ka ngjallur reagim. Një grup nga publiku edhe ka fishkëllyer pasi është ndier i provokuar. Në këtë rast ka dhënë kundërefekt koncepti i dirigjentit. Kjo pjesë nuk është parë në dy koncertet e radhës. Atmosfera shkon deri në masën sa, edhe pse gjithçka është statike, duket sikur aty është duke u zhvilluar një teatër i madh.

“Kur kam filluar të merresha me muzikë korale, kam menduar që ndonjë ditë do të mund të vija këtu e të dëgjoja një koncert të tillë e jo të jem pjesë e interpretuesve. Pra, është një ëndërr e bërë realitet”, thotë koristja Fllanza Taraku. Kolegu i saj, baritoni Shaban Behramaj thotë se me të vërtetë momente si këto janë ëndërr për profesionistë e muzikës klasike.

“Kjo na u bë realitet. S’ka se si të mbyllet më mirë ky vit. Është një moment që do ta mbaj në mend gjatë gjithë jetës”, ka thënë ai.

Realisht krejt anëtarët e “Siparantumit” që kanë interpretuar në këtë skenë kanë qenë në gjendje emocionale thuajse të njëjtë. Vijnë nga një vend që ka përjetuar luftën para më pak se çerekshekulli. Qenë të izoluar deri në ditën e parë të këtij viti. Madje tre anëtarë të Korit është dashur të pajiseshin me viza vetëm sa për të hyrë në zonën Shengen, pasi janë kthyer me liberalizim.

Momentet e fundit të veprës janë kulmore. Ambienti me ngjyrat e abazhurët që ka u jep forcë shpërthimeve emocionale.

Dollia e triumfit dhe një imazh tjetër

Koristët nga Kosova sivjet kanë pasur shumë suksese. Por të njohurit “Silverter Concert”, që mbahen në Vjenë paralelisht me “Koncertin e Vitit të Ri” të mëngjesit të ditës së parë të vitit, kanë tjetër peshë. Bëhet fjalë për një qytet që ia ka dhënë botës veprat më ikonike që mund të ketë muzika klasike.

“Vetëm sikur turistë apo publik të ishim sonte, kjo do të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ishte një mbrëmje historike dhe një ndjesi që nuk e kam pasur kurrë në jetë. Sonte jam më i emocionuar sesa kur dirigjoj vetë. Është një ndjenjë që do ta mbaj në mend përjetë. Është një histori se po i japim një tjetër imazh vendit tonë”, thotë dirigjenti Memli Kelmendi. Sipas tij, është dashur shumë punë për të ardhur në nivele të tilla. Ka përmendur shumë sfida. Por mbi të gjitha, thotë se momentet si ky i Vjenës tregojnë se ia ka vlejtur.

“Të them të drejtën sukseset si këto do të mund t’i paramendoja pas nja 30 vjetëve e jo tash. Por kemi punuar shumë dhe vërtet ëndrrat tona po bëhen realitet”, ka thënë ai.

Për Korin që ai udhëheq ka marrë shumë lëvdata. Dirigjenti i “Singakademie”, Heinz Ferlesch , ka mbi 30 vjet që punon me kore. I bën gati për skena prestigjioze e programe të vështira. Prej më të vështirave për interpretim është “Simfonia e nëntë”, pasi kërkon potencial të madh shkaku i notave të larta. Në natën e fundit ai ka mbledhur anëtarët e të dyja koreve për nga një pije si doli e triumfit. Aty ka falënderuar anëtarët nga Kosova për bashkëpunimin.

“Mendoj se kombinimi i dy koreve ishte gati i përkryer. ‘Siparantum” ishte trajnuar shumë mirë dhe kualiteti i zërave bashkë me stilin e tyre është shumë unik dhe e pëlqej shumë. ‘Siparantum’ ka zëra të fokusuar, por jo shumë të fortë, siç ka një kor opere. Për synimet e mia estetike zëri i dy koreve ishte shumë i mirë”, thotë ai për KOHË-n.

“Siparantum” ka lënë kryeqytetin austriak duke realizuar një ëndërr. Përderisa në skenë ëndrra e Beethovenit tregonte se kompozitori po bredhte për të gjetur civilizim, Kori nga Kosova ka shkuar në Austri për diçka tjetër. Për të treguar imazhin e shtetit më të ri në Evropë. Me simfoninë e Beethovenit ka çuar në Vjenë simfoninë e zërave të Kosovës.