Shtojca për Kulturë

Shtetndërtimi dhe eposi shqiptar

Detaj nga piktura “Lahutari” e Haxhi Gashit

Detaj nga piktura “Lahutari” e Haxhi Gashit

Nëse e marrim për krahasim eposin serb, shohim edhe aty ndikim të eposit në nacionalizëm. Roli i “Ciklit të Kosovës”, në Serbi u forcua pas vendimit të Serbisë për t’u zgjeruar drejt Kosovës në fund të shekullit XIX. Që nga ajo kohë nacionalizmi serb e ka shndërruar Kosovën si shtyllë të tij, dhe pasojat e këtyre vendimeve vërehen edhe sot. Krahasimisht, ajo që vërejmë është se lidhja mes eposit dhe nacionalizmit te shqiptarët është në funksion të mbrojtjes nga zgjerimi i shteteve të reja sllave, kurse te serbët, por edhe te malazezët, ajo është në funksion të zgjerimit të këtyre shteteve në toka të banuara me shqiptarë

Nga etnicizmi në nacionalizmin modern: eposi shqiptar

Eposi shqiptar (Eposi i Kreshnikëve) nuk i takon vetëm studimeve akademike dhe historisë. Ai është ende i gjallë dhe dinamik dhe i përfshirë në politikë. Ka një “betejë epike” për gjëra të tilla si njohja nga UNESCO-ja e instrumentit Lahuta që përdoret në këndimin e epikës. Dhe kjo shihet si pjesë e ruajtjes kulturore/kombëtare por edhe e njohjes politike për Kosovën. Këngët në stilin epik/heroik janë ende të kompozuara dhe këtu përfshihen këngë për liderë apo ngjarje të rëndësishme politike. Në rajone të tjera, epikat përdoren edhe për ndërtimin e nacionalizmit, si në Indi. Por gjithashtu, epikat dhe mitet përdoren për të kuptuar ndryshimet klimatike të së kaluarës dhe ngjarjet katastrofike (të tilla si cunami në Paqësorin në SHBA, ose zjarret në Australi). Në Europë kënga e Beowulfit, është studiuar në raport me ngjarjet e vitit 536 të erë sonë dhe periudhën e ftohjes së antikës së vonë, e cila lidhet edhe me epikën shqiptare.

Eposi, kultura dhe pop-kultura përdoren për qëllime politike. Kosova synon që përmes njohjes së Eposit në UNESCO ta afirmojë veten ndërkombëtarisht. Kënga ukrainase në “Eurovizion” është shumë e krahasueshme me përpjekjet e Kosovës për të përdorur epikat për njohje. Dhe vetë këngëtaret me famë ndërkombëtare janë përdorur për njohje kombëtare.

Nga ana tjetër lidhja mes turbofolkut dhe nacionalizmit toksik është e njohur, veçanërisht në Serbi (ku këngëtarja më e njohur e turbofolkut ishte e martuar me kriminelin famëkeq serb të luftës, Arkanin). Një video e këngës turbofolk nga militantët serbë është bërë një mem (meme) famëkeq në qarqet e djathta ekstreme, madje duke u referuar nga vrasësi i Christchurch (“hiq qebapin”). Ajo meme përdoret për të lavdëruar gjenocidin dhe mizoritë ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe. Kurse vetë eposi serb është përdorur për të orientuar nacionalizmin kundër Kosovës.

Këtu, unë do të fokusohem në Ciklin Mujovian dhe marrëdhënien e tij me shtetndërtimin kombëtar modern në Shqipëri dhe Kosovë. Gjithashtu do ta eksploroj marrëdhënien e tij me etnogjenezën shqiptare, mbijetesën etnike, ku do ta paraqes konceptin e etnicizmit. Po ashtu do të hedh pak dritë mbi origjinën e eposit dhe ngjarjet e personat që kanë shërbyer si frymëzim për të.

Eposi, kultura dhe pop-kultura përdoren për qëllime politike. Kosova synon që përmes njohjes së Eposit në UNESCO ta afirmojë veten ndërkombëtarisht

Eposi, etnogjeneza dhe etnicizmi

Para se të flas për nacionalizmin dhe shtetndërtimin, do të bëj një paraqitje të shqyrtimit të literaturës mbi disa çështje relevante mbi eposin si dhe do të flas për ndërlidhjen e tij me etnogjenezën shqiptare, dhe do ta paraqes konceptin etnicizmit. Ka disa argumente për të dëshmuar lashtësinë e eposit shqiptar. Trumza thekson se hyjnitë që veprojnë si personazhe në epos janë matriarkale (2016, p156). Kurse, Sinani (2016, p174) konkludon se natyra matriarkale dhe ktonike e hyjnive tregon pleqërinë e eposit. Haxhihasani (2016, p17) thotë se eposi është i bazuar në ngjarje të periudhës nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Sipas tij, ka shumë shtresa në epos, por ajo para-monoteistike është më e madhja; por ka një shtresë ungjillore indirekte, dhe ajo është laike dhe jo kanonike. Zoto (2016, p115) propozon se lindja e eposit është bërë në fazën e fundit të krishterimit të hershëm me shumë ndërveprime të politeizmit dhe monoteizmit të lashtë.

Sinani (2016, p284) ndalet te titulatura në epos duke konsideruar vjetërsinë dhe origjinën e tij, sidomos te titulli çeto bash dhe folja “me çetue”. Ai thekson se vetë emërtimet e protagonistëve si “30 agtë e jutbinës”, trima,  kreshnikë, kapidana bazohet në epitete. Duke rikujtuar thënien “Shpia pa lahutë, shpi e lanun”, ai konkludon se kënga shërben si kujtesë etnike.

Eposi konsiderohet se kishte mbajtur gjallë frymën e kombit deri në kohët moderne (Haxhihasani, 1967, p156). Këngëtarët mësuan këngët nga familja ose mjedisi, pra rapsodë më të vjetër (p315). Këngëtarët nuk pranuan pagesë ose kompensim tjetër material (p318). Haxhihasani konsideron se motivi kryesor i këngëtarëve ishte “vetëdija e qartë dhe frymëzimi kombëtar”. Ai thotë se publiku i preferuar ishin njerëzit e zakonshëm kurse vendet e këndimit ishin dhomat e miqve në kohët e dimrit, kullotat në kohën e verës, festat tradicionale, këshillat, tubimet, dasmat, në shtëpi për të argëtuar mysafirët dhe familjen ose kënaqësinë personale (ndonjëherë për të zbutur dëshpërimin) (p319). Sipas tij, këngëtarët e lashtë ishin njerëz të thjeshtë që këndonin për kënaqësinë estetike të publikut dhe jo këngëtarë shëtitës që këndonin në oborre aristokratike apo në kafene apo rrugë si lypës, por në ambiente familjare dhe malësore në gosti (p321).

Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e eposit kanë këngëtarët dygjuhësh (shqiptarët janë të vetmit këngëtarë të tillë në Evropë). Ka indikacione se ata kujdeseshin që të mos përziejnë motive nga njëri mjedis në tjetrin. Kolsti (2016) thotë se këngëtari dygjuhësh nuk bën thjesht përkthim të formulave/këngëve nga një gjuhë në tjetrën. Reichl (2016, p447) thotë se këngëtari dygjuhësh ka rolin e bartësit të traditës; komod në dy ose më shumë tradita dhe botë kulturore, ai performon në secilën traditë duke e lënë atë të paprekur. Por në të njëjtën kohë, kjo mund të nënkuptojë se ai sjell ndryshime për shkak të njohurive të tij për një traditë të dytë gjuhësore dhe poetike. Kjo shton një aspekt krijues, inovativ në të kënduarit e këngëve tradicionale, sipas tij.

Kurse hulumtuesi kryesor mbi eposin në Kosovë, Zymer Ujkan Neziri (2016, p310) bën një kritikë të studiuesve të eposit Parry dhe Lord, duke konkluduar se te ta vërehet paraqitja e gabuar e këngëtarëve dygjuhësh si sllavo-shqiptarë në vend të paraqitjes si shqiptaro-sllavë.

Problemet e identitetit nuk kufizohen vetëm te këngëtarët. Çështja e identitetit trajtohet nga Andrej Fajgelj (2016, p393), i cili vëren se edhe në vetë këngët e eposit identiteti i personazheve del si temë, duke theksuar fillimisht keqkuptimin, pastaj njohjen reciproke. Ai shton se epika është e varur nga konteksti, dhe thotë se ka referenca të fisit arkaik në shembullin shqiptar. Sipas tij, shoqëritë e krijimit epik shpesh kanë organizim fisnor.

(Keq)kuptimet etnike në epos mund të ndërlidhen edhe me fenomene tjera. Konflikti qendër-periferi me të drejtë pikaset nga Dibra-Ramadani (2016, p408) si temë në epos. Këtu theksohet ndikimi bizantin në epos, ku p.sh. kërkesat e Balozit te “Gjergj Elez Alija” janë të ndikuara nga ligjet administrative të perandorisë bizantine (“tim për tim”). Kurse Doda (2016, p370) sjell një variant të së njëjtës këngë ku heroi kërkon lirimin nga taksat pas vrasjes së përbindëshit. Kjo temë paraqitet edhe te një motërzim tjetër “Gjergj Elez Alija kundër Smiliq Alisë” (“Albanian Epics”, n.d.).

Edhe te performuesit e traditës çështja e identitetit nuk lihet anash. Bellushi (Bellusci, 2016, p334) vë në pah traditën e diferencimit etnik te arbëreshët e Frasnitës. Aty gjatë “Valles”, ripërtëritjes/inskenimit të ngjarjeve të këngëve, italianët që marrin pjesë në audiencë diferencohen. Ata shënjohen me njolla të zeza për t’u diferencuar nga arbëreshët.

Konflikti etnik shfaqet edhe hapur në epos. Këtu e kam fjalën jo vetëm në ndarjen e njohur mes heronjve dhe “shkijeve”/të huajve, por për identifikimin e heronjve me identitet të qartë etnik, apo edhe kombëtar, shqiptar. Për shembull, Osmani dhe Selimi-Osmani (2016, p356) sjellin një gjetje domethënëse nga Maqedonia e Veriut, ku në një këngë  “shkijet” duan ta vrasin shqiptarin Tali. Përveç çështjeve prezente të (keq)kuptimit apo konfliktit etnik, dhe konfliktit qendër-periferi, si dhe konfliktit etnik, ka indikacione se eposi shfaq edhe konfliktin kombëtar, në sensin modern të fjalës. Nëse supozojmë se distanca gjeografike e gjetjes së kësaj kënge përputhet me distancën kohore të përhapjes së supozuar të eposit nga vatra në Shqipëri veriore, kjo këngë mund të tregojë forcimin gradual të identifikimit etnik dhe kombëtar të heronjve.

 Lidhja mes turbofolkut dhe nacionalizmit toksik është e njohur, veçanërisht në Serbi. Në foto: “Serbi këndon me gusle”, gravurë e vitit 1823

Etnogjeneza

Duke u nisur nga përmbajtja e këngëve të eposit si dhe faktorët e tjerë kontekstual mund të propozohet se eposi shqiptar është i ndërlidhur me etnogjenezën shqiptare nga popullsia e Ilirisë pjesërisht e romanizuar. Të njëjtët faktorë që kanë çuar në formësimin e eposit, po ashtu kanë ndikuar edhe në etnogjenezën shqiptare. Bëhet fjalë për zhvillime të antikitetit të vonë si, jostabiliteti i shkaktuar nga luftërat dhe inkursionet barbare, kolapsi i Perandorisë Romake Perëndimore, dhe në shekullin e 6-të, ndryshimet klimatike, murtaja, uria dhe tatimi i rëndë.

Sa i përket çështjes gjuhësore nuk do të ndalem në këtë temë. Vetëm dua të vë në pah një fakt mjaft të injoruar që lidhet me kolapsin e perandorisë romake perëndimore dhe migrimet barbare. E kam fjalën për emërtimet e disa vendeve në Ilirikumin veriperëndimor, ku emrat latinë nuk janë ruajtur, por emrat e mëvonshëm nuk janë as të fondit të gjuhëve barbare (p.sh. sllave ose gjermanike). Kjo mund të nënkuptojë ridaljen në skenë të ilirishtes/shqipes së vjetër para arritjes së sllavëve, pra në periudhën nga fundi i shekullit V, deri në fund të shekullit VI – fillim të shekullit VII kur vendosen sllavët në Ilirikum (shih Lubjana në vend të Emona, Agram-Zagreb). Lubjana, për shembull mund të propozohet që ka lidhje me fjalën shqipe lubia, që ishte emri i vjetër i lumit që e përshkon atë (Torkar, 2007), dhe kjo do t’i jepte kuptim faktit se lubia (kuçedra) është simbol i atij qyteti. Kurse vetë fjala lubi mund të thuhet se ka lidhje etimologjike me fjalën lum.

Ndryshimet klimatike janë një faktor tjetër. Bëhet fjalë për shpërthimin vullkanik të vitit 536 që kishte rezultuar në “re vullkanike” dhe zbehje të diellit (shih më poshtë) me pasoja të rënda për natyrën dhe bujqësinë. Këto fenomene janë referuar në epos. Ky kolaps ekologjik mund të ketë ndikuar te fuqizimi i konceptit apokaliptik të “Namit” në mitologji (shih Ragnarok) (Nordas and Gleditsch, 2019). Faktor tjetër është murtaja dhe kolapsi bujqësor/uria, po ashtu e referuar në epos (nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, plagët e Mujit, për krahasim shih Beowulfin). Po ashtu një faktor është tatimi i rëndë i Perandorisë Romake Lindore. Kjo mund të jetë reflektuar në epos te përbindëshi Baloz. Gjergji Elez Alia liron vendin nga tatimi pasi që e vret përbindëshin për mbretin (shih Beowulfin që vret përbindëshin për mbretin) (Tolkien, 1936). Për më tepër, studimet gjenetike tregojnë një diferencim etnogjenik të mundshëm të shqiptarëve modernë rreth vitit 500 (Ralph and Coop, 2013), nga një brumësi stabile e përbërë nga popullsia autoktone që nga Epoka e Mesme e Bronzit (Lazaridis et al. 2022).

Etnicizmi

Duke konsideruar ato që u thanë më lart, propozoj konceptin e etnicizmit për të shpjeguar një formë të proto-nacionalizmit në një ambient etnik pa shtet vetjak. Proto-nacionalizmi është një koncept i propozuar nga disa autorë për të shpjeguar fenomene “nacionaliste” (Shih : Xydis, 1968; Weeda, 2014; Gat and Yakobson, 2013). Eposi shqiptar mund të ketë shërbyer si mythomoteur – mit themelues dhe qëllimdhënës (Smith, 1986). Këtu mund të ketë kontribuar edhe izolimi relativ në rajonin malor të Ilirikumit. Një ngjarje e hershme që vlen të theksohet e që lidhet edhe me eposin, është kthimi i ushtarëve ilirë nga ekspedita kundër gotëve në Itali, për t’i mbrojtur familjet e tyre nga sulmet barbare. Këtë kthim ata e kishin bërë pa leje, dhe ishin dënuar për të më vonë, duke dëshmuar ndjenja të paktën parokiale e potencialisht edhe etniciste. Etnicizmi shqiptar mund të jetë kultivuar edhe nga konflikti etnik, i cili reflektohet edhe në epos ku “shkijet” duan ta vrasin “shqiptarin” Tali (Osmani and Selimi-Osmani, 2016, p356). Evidencë tjetër për këtë mund të jetë tradita e diferencimit etnik në Frasnita, ku te Vallja, aktrimi i luftës anti-osmane italianët (si “të jashtëm”) shënjohen me shenjë të zezë (Bellusci, 2016, p334).

Ndikimi i eposit në nacionalizëm

Poezia epike ka ndikuar në krijimin e poezive romantike kombëtare të sllavëve të jugut dhe të shqiptarëve. Kurse, historia e krijimit të shtetit kombëtar bëri që shqiptarët, në raport me fqinjët sllavë të jugut, të vuanin të njëjtat padrejtësi për të cilat autorët sllavo-jugorë kishin akuzuar në veprat e tyre pushtuesit turq (Suta 2016, p402). “Lahuta e Malsisë”, nga Fishta, është e shkruar në frymën e këngëve të eposit, dhe mund të quhet një epos i dytë. Dhe Fishta njihet për qëndrime të tij kritike ndaj korrupsionit dhe parokializmit në shtetin shqiptar. Përmes “Lahutës...”  qëllimi i tij ishte të promovojë nacionalizmin për shtetndërtim. Më vonë, shtypja e veprës së Fishtës nga regjimi komunist për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, ishte bërë me akuzën e nacionalizmit.

Këngët e eposit mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e ndjenjës së nacionalizmit. Për shembull, kemi paraqitjen e konfliktit etnik ku “shkijet” duan ta vrasin “shqiptarin” Tali (op. cit.). Ky konflikt mund të ketë ngjyrime nacionaliste. Ngjashëm, këngët për Gjergj Elez Alinë dhe lirimin nga tatimi në një territor të caktuar (op. cit.), mund të kenë ndikuar në ndjenjat autonomiste dhe nacionaliste. Po ashtu, duhet të konsiderohet edhe rruga e kundërt e ndikimit. Ku përhapja e nacionalizmit ka ndikuar në formësim të eposit, duke i dhënë ngjyrime më nacionaliste.

Nëse e marrim për krahasim eposin serb, shohim edhe aty ndikim të eposit në nacionalizëm. Roli i “Ciklit të Kosovës”, në Serbi u forcua pas vendimit të Serbisë për t’u zgjeruar drejt Kosovës në fund të shekullit XIX (Pavloviq, 2019). Që nga ajo kohë nacionalizmi serb e ka shndërruar Kosovën si shtyllë të tij, dhe pasojat e këtyre vendimeve vërehen edhe sot. Krahasimisht, ajo që vërejmë është se lidhja mes eposit dhe nacionalizmit te shqiptarët është në funksion të mbrojtjes nga zgjerimi i shteteve të reja sllave, kurse te serbët ,por edhe te malazezët (shih “Kurora e Maleve”), ajo është në funksion të zgjerimit të këtyre shteteve në toka të banuara me shqiptarë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Dr. Seb Bytyçi është politolog që shkruan për çështjet e shtetndërtimit, konfliktit dhe paqes, transformimit, normave kulturore dhe politikave publike. Ai është i angazhuar në AAB dhe është bashkëpunëtor i jashtëm (vizitor) në Universitetin e Uinçesterit. Ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Jorkut, masterin në Universitetin e Indianës dhe masterin në Universitetin e Gracit, kurse baçelorin në Universitetin e Prishtinës.