Nëse ka një vend ku mikpritja nuk është thjesht shërbim, por art më vete, ai është Katari. Doha, ky metropol që shkëlqen nën dritat e Gjirit Persik, u bë nikoqir i një ngjarjeje që do të mbetet gjatë në kujtesën e “expats” dhe diasporës sonë. Por këtë herë, shkëlqimi nuk erdhi nga kullat e qelqit, por nga zëri i Rona Nishliut. Këtë kronikë po jua sjelli direkt nga zemra e Dohës
Zëri dhe performanca e “Rona Nishliu Quartet” janë me të vërtetë një mrekulli, një që vetëm arti mund ta krijojë në mes të shkretëtirës. Mora guximin me i shkru dhe me i nda me ju këta rreshta vetëm pasi që, pas koncertit, ndihesha sikur kur dëshiron t’ia japësh një vrapi pasi e merr ndonjë lajm të mirë. Pra ky është frymëzimi kryesor për të ndarë me ju këtë rrugëtim emocional. Këtë kronikë po jua sjelli direkt nga zemra e Dohës, aty ku muzika jonë e lashtë, por edhe moderne, u takua me mikpritjen dhe shkëlqimin e Katarit.
Nëse ka një vend ku mikpritja nuk është thjesht shërbim, por art më vete, ai është Katari. Doha, ky metropol që shkëlqen nën dritat e Gjirit Persik, u bë nikoqir i një ngjarjeje që do të mbetet gjatë në kujtesën e “expats” dhe diasporës sonë. Por këtë herë, shkëlqimi nuk erdhi nga kullat e qelqit, por nga zëri i Rona Nishliut.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEpisodi i Parë: Një “teaser” diplomatik
Gjithçka nisi me një pritje elitare e organizuar nga Ambasada e Kosovës. Ishte pothuajse si një “teaser” për koncertin kryesor që na priste. Klientela? Kryesisht diplomatë, ambasadorë dhe një grusht i vogël i diasporës sonë. Pas një fjalimi paksa të gjatë por mjaft dinjitoz nga ambasadori Fuad Morina, i cili duhet thënë se po e përfaqëson Kosovën shkëlqyeshëm (ndonëse po na mungon sekretari i mëparshëm, Rexhep Ismajli), zëri i Ronës pushtoi ajrin. Ishte diçka hyjnore.
Kur erdhi kënga e fundit, “Baresha”, tensioni emocional ishte aq i lartë sa jam 100 për qind i sigurt se po të kishte vazhduar edhe me një këngë tjetër, shqiptarët brenda në sallë do t’ia nisnin një valle – një asi valleje që nuk do me ditë për të nesërmen.
Për fat të mirë, apo të keq, kuarteti ndaloi në kohën e duhur.
Derisa mysafirët iu vërsulën bufesë, ne shqiptarët u “shkrimë” duke bërë selfie e foto me Ronën. “U kall Instagrami e Facebooku”, murmurita vetë me vete.

Episodi i dytë: Trafiku dhe metroja
Nata e dytë ishte ajo që thjesht mundem me quajt natë hesap-larjesh. Edhe gjatë Kampionatit Botëror, trafiku nuk kishte qenë kaq i rëndë sa atë mbrëmje. Policia kishte mbyllur të gjitha rrugët drejt qendrës kulturore “Katara”. Kontaktuam bashkatdhetarët dhe të gjithë thoshin të njëjtën gjë – askush s’po mundet me hy brenda në “Katara”.
Dardani, një shok i imi nga Gjakova, bënte shaka duke thënë se “i tanë Katari e ka marrë vesh që Rona është këtu, prandaj janë blloku rrugët”. Na u desh të bënim atë që e bëjmë shpesh në Londër, por pothuajse kurrë në Katar, i parkuam makinat në downtown dhe morëm metronë. Edhe kur Katari kishte miliona vizitorë gjatë Kampionatit Botëror, rrugët nuk ishin bllokuar në këtë mënyrë. Ishte një sakrificë që Rona e meritonte plotësisht.
Nën akullin, freezing cold, në sarajin numër 16
Kur më në fund arritëm në ndërtesën numër 16 në teatrin në “Katara”, koncerti nisi me vonesë. Sërish, një fjalim nga ambasadori i Kosovës, këtë herë më konciz dhe më i ngrohtë.
Ndoshta e vetmja vërejtje për stafin e Ambasadës ishte zgjedhja e sallës. Stili i “Rona Nishliu Quartet” kërkon një ambient më intim, si një klub jazzi apo një sallë koncerti më intime, e jo një sallë kinemaje apo teatri. Ndoshta e ndieja veten kështu sepse për një moment m’u kujtua filmi tragjik dhe shumë zemërthyes, “The Voice of Hind”, që kisha parë para do jave po aty. Nuk zgjati shumë dhe nisi magjia.
Edhe pse salla ishte freezing cold nga AC-ja, muzika nisi ta thyente akullin.
Grupi filloi me një instrumental të lehtë dhe pas pak u shfaq Rona.
Elegante. E ngrohtë. E qetë. Pothuajse si qetësia para stuhisë.

Performanca: Si një “Ferrari” i ri në rrugët e Dohës
Dhe ashtu shpërtheu. Rona nisi me ato thyerjet e saj operistike. Ishte një nisje paksa e ngadaltë, pasuar nga një këngë origjinale për të cilën fliste me aq shumë krenari.
Vazhduan më pastaj me adaptime të këngëve nga Shqipëria e mesme, këngë çame, arvanitase e të tjera.
Në gjysmë të koncertit, kur salla u ftoh akoma më shumë dhe disa shqiptarëve iu nisën me iu ftohë këmbët, apo kur kriza e nikotinës për disa u bë e papërballueshme dhe filluan të lëviznin poshtë e lart, prapë se prapë aty u nxeh veni – falë repertoarit dhe zërit të Ronës.
Mënyra se si ajo thyen tempin është e jashtëzakonshme. Kalon nga një ritëm i ngadaltë dhe melankolik në një tingull të lartë me shpejtësi marramendëse, si një “Ferrari” apo “Lamborghini” i sapoblerë që shpërthen në rrugët e saposhtruara të Dohës.
Kalimet nga notat e ulëta dhe të thella në ato super të larta ishin thjesht spektakolare.
Ka zëra që të përqafojnë dhe ka zëra që thjesht depërtojnë. Zëri i Ronës nuk të përqafon. Ai kalon përmes teje, të shpon si plumb përmes trupit tënd, deri sa arrin në qendër të sistemit nervor. Nuk është çështje volumi më. Është çështje fokusi.
Gjatë jetës sime kam pasur fat dhe e kam ndier këtë cilësi vetëm te disa artistë të rrallë.
Eva Yerbabuena, për shembull, e arrin këtë me flamenco. Drama nuk krijohet nga lëvizja, por nga frenimi i saj. Rona e bën të njëjtën gjë, veçse me zë. Më kujton Nusrat Fateh Ali Khan. Ai fillonte në tone të ulëta dhe pastaj shpërthente në nota të larta me një kontroll absolut të frymës. Rona përdor të njëjtin parim. Kur arrin notat e larta, nuk tingëllon dekorative. Është tingull i domosdoshëm. Në ato momente, performanca bëhet ekspozim.
Kuarteti – një organizëm që merr frymë me të
Edon Ramadani në piano, Kiril Tufekcievski në kontrabas dhe Viktor Filipovski në bateri, nuk e shoqërojnë atë në mënyrë tradicionale. Ata krijojnë hapësirë për të. Kuarteti funksionon si një organizëm i gjallë. Kur Rona ul zërin, ata tërhiqen. Kur ajo rrit intensitetin, ata mund të zhduken plotësisht. Dhe në atë moment, gjithçka zhvishet. Bëhet e vërtetë.
Trashëgimia dhe krenaria
Rona notonte në lavdi – duke u thurur lavdi autorëve që me vite të tëra përpara kishin shkruar dhe performuar këto këngë. Kjo e bënte programin shumë të pasur. Pak para fundit, ajo shpërtheu me adaptimin tim të preferuar, atë të një kënge të arbëreshëve, “Vare, Vare...” Për mua ishte hyjnore. Ishte sikur po dëgjoja një version femëror të Nusrat Fateh Ali Khan.
Një përfundim shqiptarçe
Në fund, ashtu siç ndodh nganjëherë me ne shqiptarët që çohemi të marrim bagazhin kur avioni ende nuk e ka prekur pistën dhe pa u ndalur mirë, disa njerëz u çuan nga ulëset e tyre ende pa mbaruar kënga e fundit. Qeshëm të gjithë.

Katari përmes syve të Ronës
Pas koncertit u dëgjuam me Ronën dhe ajo ndau disa komente me ne, që në një mënyrë plotësonin atë që ne kishim ndier si publik. “Për mua ishte hera e parë në Katar, një vend i rregullt, i sigurt dhe tejet atraktiv, që të magjeps me fuqinë e lashtësisë së shkretëtirës madhështore dhe me dimensionin e tij krejtësisht modern. Një vend i vogël në hartë, por që ofron aq shumë përjetime saqë ndihem tejet e frymëzuar dhe padyshim kjo përvojë do të jetojë në memorie gjatë gjithë jetës sime”.
Ajo theksoi edhe rëndësinë institucionale dhe kulturore të kësaj vizite:
“E veçanta e kësaj vizite është se ky ishte aktivitet i organizuar nga Ambasada jonë në Doha. Për mua është privilegj dhe nder të jem pjesë e një shërbimi për kauza kaq të rëndësishme – forcimin e lidhjeve mes dy vendeve përmes kulturës dhe muzikës sonë”.
Dhe ndoshta momenti më domethënës ishte vetë vendi ku kjo ndodhi.
“Më erdhi shumë mirë që Ambasada jonë, në bashkëpunim të plotë me institucionet vendore në Katar, arriti që koncerti ynë të prezantohej në një nga sallat më prestigjioze kulturore – Katara Cultural Village, në Katara Theatre”.
Ishte një natë fantastike
“Rona Nishliu Quartet” ishin aq spektakulare saqë ky koncert shumë lehtë mund të kishte qenë në “Ronnie Scott’s” apo “Jazz Cafe” në Londër. Bijat e tua, Kosovë, po na bëjnë krenarë kudo. Kësaj here, në Doha, në mes të luksit të Katarit, u ndiem më afër shtëpisë se kurrë.
Urime Pavarësinë, Kosovë!
Long live our beloved Kosovo.
Doha
Shkurt, 2026