Në mëngjesin pas mbërritjes sonë (1 nëntor), pamë gjithçka të mbuluar me të bardhë, sepse gjatë natës kishte rënë dëborë deri në lartësinë e këmbës. Dimri, pra, kishte mbërritur në këtë pllajë të lartë. Dhe sipas deklarimeve të vendasve, dimri, që në paraqitjen e tij të parë, shfaqet zakonisht këmbëngulës, ndaj ishte më e arsyeshme të prisnim që të përkeqësohej më tej sesa të zbutej. Prandaj, na u desh të hiqnim dorë nga plani ynë për të hyrë në Dardaninë malore nga këtu, dhe të shqetësoheshim për të zbritur sa më shpejt në vise më jugore dhe më të ulëta. Qëndruam dy ditë në shtëpinë e kryetarit të qytetit, dhomat e errëta të të cilit nuk ishin aspak të përshtatshme për të ngritur humorin tonë, por qëndrimi ynë atje u bë interesant në një aspekt
Nga Manastiri udhëtuam drejt qytetit të Prishtinës, që ndodhet rreth një orë e gjysmë në drejtim veriperëndim-verilindor, duke kaluar sërish disa lugina dhe degë kodrash, sepse qyteti nuk ndodhet as në fushë e as në buzë të saj, por është ngulitur në një nënluginë, pikërisht në vendin ku kjo e fundit degëzohet dhe përshkohet nga përroskat që vijnë nga të dy degët, të cilat bashkohen pak më poshtë.
Sipas matjeve tona, qyteti ndodhet 1776 këmbë mbi nivelin e detit. Dymbëdhjetë minare dhe një kullë me sahat ngrihen mbi masën e shtëpive. Prishtina (Prisht, sllavisht: gungë, kodrinë) është, pas Manastirit, qendra kryesore ushtarake e gjysmës perëndimore të gadishullit, dhe me shumë gjasë, vendndodhja e saj mes shqiptarëve të trazuar të Dardanisë dhe Gegërisë, si dhe afërsia me rrethinën e Novi Pazarit – i cili përbën lidhjen e vetme mes Bosnjës dhe pjesës tjetër të Perandorisë dhe përmes të cilit serbët kanë tentuar disa herë të lidhen me malazezët — ka qenë përcaktuese për zgjedhjen e saj si pikë qendrore ushtarake. Prandaj qyteti është i mbushur me ushtarë nga të gjitha armët, por nuk përbën një qendër administrative. Ai i nënshtrohet pashait të Prizrenit dhe është selia e një mydyri të thjeshtë. Funksionari aktual, një burrë i vogël dhe i moshuar, na mirëpriti me vëmendje, por me autoritetet ushtarake nuk patëm ndonjë kontakt të afërt.
“Në mëngjesin pas mbërritjes sonë pamë gjithçka të mbuluar me të bardhë...”
Në mëngjesin pas mbërritjes sonë (1 nëntor), pamë gjithçka të mbuluar me të bardhë, sepse gjatë natës kishte rënë dëborë deri në lartësinë e këmbës. Dimri, pra, kishte mbërritur në këtë pllajë të lartë. Dhe sipas deklarimeve të vendasve, dimri, që në paraqitjen e tij të parë, shfaqet zakonisht këmbëngulës, ndaj ishte më e arsyeshme të prisnim që të përkeqësohej më tej sesa të zbutej.
Prandaj, na u desh të hiqnim dorë nga plani ynë për të hyrë në Dardaninë malore nga këtu, dhe të shqetësoheshim për të zbritur sa më shpejt në vise më jugore dhe më të ulëta. Qëndruam dy ditë në shtëpinë e kryetarit të qytetit, dhomat e errëta të të cilit nuk ishin aspak të përshtatshme për të ngritur humorin tonë, por qëndrimi ynë atje u bë interesant në një aspekt: nëna e moshuar e kryetarit na tregoi se këtu rrallëherë vinin udhëtarë evropianë; të fundit që ajo mbante mend, ishin dy francezë të rinj, që kishin ardhur rreth tetëmbëdhjetë vjet më parë, në kohën kur burri i saj – që gjithashtu kishte qenë kryetar – ishte ende gjallë. Kur ia përmenda emrat Boué dhe Viquesnel, ajo tha se kujtonte vetëm të parin, dhe përshkrimi i saj fizik përputhej me të. Kjo është e vetmja gjurmë që gjetëm për këta burra, të cilëve shkenca u detyrohet për njohjen e parë më të afërt të këtyre vendeve, sepse në çfarë shkalle këto troje kanë qenë dhe ende janë të panjohura para tyre, këtë e tregon vetë ajo që ata lanë pas për t’u mbledhur — dhe sa pak përmbajtëse është ajo që ata mblodhën! Sa shumë u desh të linim edhe ne për pasardhësit tanë!
Në krahinën veriore Llap dhe në atë jugore Gollak
Pasi dimri na kishte mbyllur rrugën drejt krahinave malore dardane, u përpoqëm në Prishtinë të paktën të merrnim sa më shumë informacion për ta. Pikërisht aty dëgjuam për herë të parë një ndarje gjeografike kryesore të vendit që ndodhet në lindje të Fushë-Dardanisë: në krahinën veriore Llap dhe në atë jugore Gollak. Megjithatë, nuk na dukej e besueshme që nga këto elemente të ketë lindur emërtimi Llap Gollak, me të cilin shqiptarët dardanë quhen nga vëllezërit e tyre në Shqipërinë e vjetër, sepse – siç kemi vënë në dukje më parë – kjo formë e fundit duket se lidhet me Gollubinjë, emrin e vjetër të Vranjës.
Gol në gjuhën sllave do të thotë “i zhveshur”; dhe Gollak, ashtu si Golesh, do të thotë një mal i zhveshur, ose më saktë një kompleks malesh pa pyje. Është e mundur që karakteri shkëmbor i malit Mërkonjë dhe i dy fqinjëve të tij të ketë sjellë këtë emërtim të krahinës, por nuk arritëm të marrim ndonjë informacion të sigurt për këtë, po ashtu si edhe për shtrirjen gjeografike të saj, ndonëse jemi të bindur se kufijtë e saj mund të përcaktohen me një saktësi të madhe në terren.

Shqiptarët dardanë, ndahen në fis
Krahina e Llapit, nga ana tjetër, ka marrë emrin nga lumi me të njëjtin emër, një degë e lumit Sitnicë, dhe përfshin kështu territorin përgjatë tij, për të cilin u përpoqëm në Prishtinë të merrnim sa më shumë informacion që të mundnim, pasi është plotësisht i panjohur. Çdonjëra nga këto krahina ndahet në dy nënndarje, siç e kuptojmë nga ky shënim: Në Gollakun e sipërm përfshihen 19 fshatra, të cilët mbajnë mbledhjet e tyre popullore pranë xhamisë së Prapashicës, ndërsa 21 fshatra të Gollakut të poshtëm mblidhen në fshatin Sfircë. Ndërkaq, 20 fshatra të Prishtinës mblidhen në Orllan, dhe 22 fshatra të Llapit në Podujevë. Nga ky shënim del gjithashtu se shqiptarët dardanë bëjnë po ashtu marrëveshje (dinge), siç veprojnë edhe malësorët në vendin amë, por për fat të keq në Prishtinë nuk gjetëm ndonjë françeskan si Fratër Gabrieli për të na përshkruar natyrën e këtyre mbledhjeve popullore dardane në mënyrë të qartë dhe të plotë, siç ka bërë ai për mbledhjet në rajonin alpin të
Shqipërisë prandaj nuk morëm më shumë informacion mbi to.
Shqiptarët dardanë, ashtu si dhe malësorët dhe mirditorët në vendin amë, ndahen në fis, por dobësimi i lidhjes fisnore duket qartë nga fakti se hakmarrja këtu nuk është çështje fisnore, por familjare; detyra për hakmarrje i përket vetëm të afërmit më të ngushtë të të vrarit, dhe po ashtu përgjegjësia për gjakun i kalon vetëm trashëgimtarit më të afërt të vrasësit. Por nëse parimi “ai që trashëgon, merr hak” është me të vërtetë kaq i shenjtë sipas zakoneve, siç na u tha, mbetet të shihet.
“Trashëgimtarja femër në të vërtetë trashëgon edhe pronën e tokës së babait”
Na bëri përshtypje edhe një pohim tjetër në Dediq, i cili u konfirmua nga shqiptarë në Prishtinë, që trashëgimtarja femër në të vërtetë trashëgon edhe pronën e tokës së babait. Kjo pronë kalon përmes martesës së saj te një fis tjetër, sepse pavarësisht shpërndarjes së madhe të fiseve, zakoni nuk lejon martesë brenda të njëjtit fis — megjithatë kjo rregull u mohua në Prishtinë.
Nëse pra trashëgimtarja femër ka të drejtë pronësore dhe duhet të martohet jashtë fisit të saj, atëherë në ndërgjegjen ligjore mungon një nga atributet kryesore të fisit, pra ideja e territorit të mbyllur fisnor.
Fisi këtu quhet, po ashtu si në vendin amë, Fis, dhe kjo fjalë duket se ka lidhje me fjalën greke
phyta. Kreu i trashëgueshëm i fisit quhet Naser, një term që nuk e gjetëm në vendin amë;
ndoshta ka origjinë turke. Stërgjyshërit kryesorë janë të shpërndarë në këtë mënyrë nëpër vend: Nga 22 fshatrat e Llapit, 20 i përkasin fisit Kelmend (dy të tjerët janë të fisit Batushë). Kelmendët shtrihen nga Podujeva deri në Kurshumli dhe banojnë shumicën e fshatrave rreth Dediqit, ndërsa në rrethinat e Vranjës dhe Gjilanit nuk ka Kelmendë. Ata i konsiderojnë të gjithë Kelmendët që jetojnë në rajonin alpin shqiptar dhe që janë katolikë, si fisin e tyre të origjinës, nga i cili në periudha të ndryshme kanë migruar familje të veçanta në Dardani.
Fisi Krasniqë përbën pothuajse gjithë popullsinë myslimane të qytetit
Fisi Krasniqë banon kryesisht në dhe rreth Prishtinës dhe përbën pothuajse gjithë popullsinë myslimane të qytetit, sepse përveç tyre aty ka vetëm 14 shtëpi Emire, të cilat e konsiderojnë veten si degë të fisit kryesor në Novobërdë. Këta Emire janë myslimanët e vetëm në këtë vend që vijnë nga Azia, ose sipas përdorimit lokal, janë të vetmit Osmanlli në vend. Fshatrat kryesore të Krasniqëve janë në Gollakun e Sipërm dhe të Poshtëm në rrethin e Prishtinës, ku ata përballen gati të barabartë me Kelmendët. Ata janë të pranishëm edhe në Leskovc dhe Mitrovicë, si dhe në rrethin e Vranjës.
Në rrethin e Leskovcit banojnë së bashku me Krasniqët edhe degë të fiseve Sopi, Berishë dhe Gashi. Sopët mbizotërojnë në Luginën e Moravës, ndërsa pothuajse të gjithë banorët e Karadakut janë Berishë. Gashët janë gjithashtu në rajonin e Masuricës, pjesa më e madhe e së cilës i përket Krasniqëve. Në rrethin e Leskovcit, Gashët banojnë në gjashtë fshatra, por nuk kanë lidhje me fisin e tyre në Prishtinë dhe Vranjë. Kryetari i tyre më parë ishte Latif Aga, i njohur për trimërinë e tij, ndërsa tani është i biri i tij më i madh, Reshid Aga, dhe vëllai i këtij të fundit, Emini, që komandonte garnizonin prej pesë burrash në postën e rojeve të Lebanës. Një pjesë të këtyre informacioneve na i dhanë Emini dhe një prej nënpunësve të tij, Hajdari, i cili na ra në sy sepse ishte i vetmi shqiptar që me lëvizjet e tij na tregonte se u siguronte strehë qenieve të tjera.

Gashët e shpërndarë kudo
Si fise kryesore ata na i përmendën, edhe Gashët — të cilët janë të shpërndarë kudo — dhe Shaljanët, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë në rrethin e Vushtrrisë dhe i njohin Shaljanët katolikë të vendosur në nyjën alpine shqiptare si fisin e tyre amë. Këto duket të jenë fiset më të mëdha që, përveç një duzine fisesh më të vogla, e ndajnë Dardaninë shqiptare. Ato ndahen në më shumë ose më pak nëndegë; për shembull, fisi Berisha ka shtatë degë, përkatësisht: 1. Askuri, 2. Ali Shiça, 3. Doda, 4. Mërturi, 5. Livoshi, 6. Kuçi, 7. Gjeci, dhe këto degë ndahen më tej në ndarje edhe më të vogla. Meqenëse nuk arritëm të marrim informacione të reja për këto marrëdhënie në Dardani, kufizohemi të tregojmë për ato që janë thënë në Studimet Shqiptare. Për përcaktimin e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve dardanë ofrohet vetëm një pikëmbështetje, që gjendet në një njoftim të marrë nga Komanda e Përgjithshme e Trupës Ushtarake të Rumelisë, lidhur me numrin e rekrutëve që popullsia myslimane e rretheve që përbëjnë Dardaninë shqiptare jep në kohë paqeje, në një rekrutim të klasit të parë, sipas përpjesëtimit 5 : 100 të popullsisë së detyruar për shërbim ushtarak. Kjo përputhet edhe me të dhënat që na janë dhënë në terren nëpërmjet pyetjeve të bëra në vend: Kurshumli: 39, Leskovc: 84, Vranjë: 80, Prokuple: 45, Prishtina dhe Llapi-Gollaku: 82, Gjilani: 83, Gjithsej: 413.
Kjo do të thotë gjithsej 8.260 shqiptarë të detyruar për shërbim ushtarak, pasi në këto rrethe popullsia myslimane përbëhet vetëm nga shqiptarë dhe nuk ka shqiptarë të krishterë. Megjithatë, kjo nuk na shërben për qëllimin tonë, sepse kudo kemi pyetur më kot për raportin e përgjithshëm të popullsisë ndaj numrit të të detyruarve për shërbim ushtarak (pra për të nxjerrë popullsinë e përgjithshme nga ky numër).
Për fat të mirë, në Gjilan morëm një informacion se numri i shtëpive në rrethin e quajtur sipas këtij qyteti është gjithsej 3.800, prej të cilave 2.300 janë shqiptare-myslimane dhe 1.500 bullgare-të krishtera. Kjo e dhënë na ofron kështu një bazë të përafërt për llogaritjet tona.

“...për Dardaninë shqiptare mund të vlerësojmë një popullsi prej rreth 70 mijë banorë”
Duke pasur parasysh zakonin e përmendur më parë që familja të mbahet e bashkuar sa më gjatë të jetë e mundur — zakon ky që shqiptari e ruan edhe më fort sesa serbi apo bullgari për shkak të ekzistencës së gjakmarrjes dhe prirjes për të marrë të drejtën në dorë — ne mendojmë se numri mesatar i anëtarëve të një shtëpie shqiptare duhet të jetë të paktën gjashtë persona.
Sipas kësaj llogaritjeje, për Dardaninë shqiptare mund të vlerësojmë një popullsi prej rreth 70 mijë banorë. Nëse sipërfaqja e këtij rajoni llogaritet rreth 80 milje katrore, kjo do të jepte afërsisht 900 banorë për milje katrore. Në rrethet e përmendura më sipër përfshihen natyrisht disa krahina që shtrihen jashtë Llapit,
Gollakut dhe rajoneve përreth në lindje, si Lugina e Moravicës, pellgu burimor i Moravës, dhe pjesë të Fushës së Kosovës. Nga ana tjetër, mund të supozohet me siguri se listat mbi të cilat janë bazuar regjistrimet ushtarake, në këtë vend ende gjysmë të nënshtruar, kanë mbetur shumë larg nga pasqyrimi i saktë i numrit të vërtetë të popullsisë.
Për këtë arsye, mendojmë se edhe llogaritja jonë është më tepër e nënvlerësuar sesa e tepruar.
Marrë nga “Udhëtimi nga Beogradi në Selanik”, Vjenë, 1868 (Titulli origjinal “Reise von Belgrad nach Salonik”. Përkthyer nga Enver Latifi, përgatitur nga Skënder Latifi. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë.
Udhëpërshkrimi “Udhëtimi nga Beogradi në Selanik” (Reise von Belgrad nach Salonik, Wien 1868), i albanologut dhe diplomatit të njohur gjerman, Johan Georg von Hahn (1811–1869), është vepra e tij ndoshta më e pasur me të dhëna për vendet, që i vizitoi, madje edhe me informacione shumë të detajuara. E themi këtë, duke e marrë parasysh kohën kur udhëpërshkrimi e pa dritën e botimit. Duke u bazuar në figurën dhe personalitetin e Johan Georg von Hahn, i cili është i mirënjohur ndër qarqet shkencore shqiptare, por edhe më gjerë, lexuesit do t’ia afrojmë një pasqyrim të rrugëtimit të tij, duke u përqendruar më shumë në viset, prej nga, njëzet vjet më vonë u dëbua popullsia shqiptare. Sipas dëshmisë së vetë autorit, ai e nisi rrugëtimin më 11 shtator 1858. Pjesë e ekipit të tij ishin “zotëri Gotshhild, filozof nga Jena, Franjo Zach , Komandant i Akademisë Ushtarake të Beogradit”. 2 Padyshim se njeriu më i besueshëm i ekipit të Johan Georg von Hahn ishte karrocieri, Jovani, një shqiptar nga Prizreni, që sipas autorit e kishte përshkuar pothuajse të gjithë Turqinë me karrocë dhe e mbante lart hundën e tij të harkuar si shqiponjë me aq krenari, sa të gjithë mendonin se ishte turk” (Skënder Latifi)