Ajo refuzonte të jepte intervista, të fliste për veten dhe kontributin e saj. Nuk donte që as të tjerët të flisnin për të me gjithë kontributin që dha në kulturë e në jetën shoqërore, kur të hapje shtigje nuk ishte punë e lehtë. Dhe një dëshmi për këtë qe edhe vullneti i saj që lamtumira t’i jepej pa bujë. Nahire Kabashi-Surroi, etnologia e parë shqiptare në këto anë, është shembull i atyre që punonin heshtas. Vetë figura e saj u bë shembull për shumë gra të tjera, e trashëgimia që la pas është udhërrëfyes gjeneratash
Në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore shkollimi i të rinjve ishte një prej fronteve të mëdha. Madje edhe për djemtë. Vajzat ishin tejet të rralla. Edukimi i të rinjve kishte peshë të jashtëzakonshme. Nuk bëhej fjalë vetëm që nëpërmjet këtij procesi vendi përfitonte kuadro profesionale, por ato shërbenin edhe si model për të tjerët. Shndërroheshin në shembull të emancipimit.
Në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, njëri prej shembujve do të ishte Nahire Kabashi. Nga Prizreni në Prishtinë e më pas në Beograd ajo do të bëhej etnologia e parë shqiptare në Kosovë. Brenda konceptit familjar, ajo thjesht po ndiqte një rrugë që familja e kishte marrë edhe më herët sa i përket arsimimit. Por për rrethanat shoqërore do të bëhej shembull e frymëzim. Kontributi i saj profesional bashkë me atë si drejtuese e një institucioni identitar, sipas bashkëpunëtorëve të saj, është i papërshkrueshëm.
E vdekja e Nahire Surroit është konsideruar si humbje e madhe për kulturën e këtyre anëve. Aso humbjeje që kur gërmohet në fillet e zhvillimit të Kosovës, del të prekë rrënjët. Ajo vdiq të enjten. Ishte 88-vjeçare. Lamtumira e fundit iu dha një ditë më pas, në Varrezat e Prizrenit nga rrethi i ngushtë familjar.
Promotorja e autenticitetit
E lindur në Prizren në vitin 1935, Nahire Kabashi-Surroi shkollimin fillor do ta përfundonte në vendlindje. Si fëmijë i një familjeje qytetare të arsimuar, më 1948 do të shpërngulej në Prishtinë. Në kryeqytetin e Kosovës, që ishte shpallur i tillë veç një vit më herët, ajo do të përfundonte gjimnazin klasik. Më pas kishte marrë rrugën për në Beograd. Më 1956 do të bëhej shqiptarja e parë në ish-Jugosllavi që mbante në xhep indeksin e studentes së etnologjisë në Fakultetin Filozofik të kryeqytetit të atëhershëm të Jugosllavisë. Pas katër vjetësh do të diplomonte për t’u bërë etnologia e parë shqiptare e ish-Federatës. Kuadrot e tilla asokohe ishin të pakta. Pas diplomimit do të punësohej në atë që ishte Muzeu Krahinor i Kosovës, sot Muzeu Kombëtar i Kosovës. Ndërkohë ajo qe bërë bashkëshortja e gazetarit, shkrimtarit e diplomatit Rexhai Surroi. Sipas biografisë, në Muze punoi deri më 1971. Bashkë me familjen ishin zhvendosur në Bolivi, për t’u kthyer më pas në Kosovë dhe më 1974 do të bëhej drejtoreshë e ansamblit profesionist të këngëve dhe valleve “Shota”, tash ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”. Këtë institucion në mandatin e parë do ta udhëhiqte deri më 1977, kur për shkak të angazhimit të ri diplomatik të bashkëshortit do të zhvendoseshin në Meksikë, prej nga do të ktheheshin më 1981.
Nahire Surroi fillimisht do të angazhohej në Bashkësinë e Kulturës të Kosovës, kurse një vit më vonë më 1982 u emërua prapë drejtoreshë e ansamblit “Shota”, mandat të cilin e përfundoi para kohe më 1985, kur shkoi në Spanjë, sërish në përcjellje të bashkëshortit. Më 1989 do të pensionohej, pas vdekjes tragjike të bashkëshortit. Pensionimi i parakohshëm mori trajtën e një proteste të heshtur.
Në “Shotë” kishte një filozofi, që ishte gati si maksimë jetësore: “Pa të kaluar, s’ka as të ardhme”.
“Uroj që vallet t’u kthehen trajtave origjinale dhe në mënyrë sa më autentike ta paraqesin thesarin e kulturës sonë, për shkak se nuk është klishe të thuhet se ‘pa të kaluarën, s’ka as të ardhme’”, do të thoshte Nahire Surroi, siç citohet edhe në librin “Vepra” ideuar prej Alketa Xhafa-Mripës, botuar më 2021.
“Një grua me cilësitë më klasike e më moderne”
Vitet e saj si drejtuese në ansamblin “Shota” nuk qenë të lehta. Rrethanat politike ishin ashpërsuar sidomos pas pranverës së vitit 1981, kur studentët ishin ngritur në protesta e demonstrata. E “Shota” merrej me identitetin e kulturës shpirtërore të Kosovës.
Koreografi Xhemajli Berisha, i diplomuar në Bullgari, asokohe shërbente në këtë institucion edhe si udhëheqës artistik. Nahire Surroin e përshkruan si drejtoreshë jashtëzakonisht parimore.
“Një grua me cilësitë më klasike e më moderne. Derisa Nahiri ishte drejtoreshë, ishte edhe periudhe e ndjeshme politike. Ajo me qëndrimin e saj shumë serioz dhe duke qenë edhe etnologe, në shumë kahe i ka ndihmuar Ansamblit. Në atë periudhë politika ishte shumë e egër ndaj të gjitha institucioneve. Ka rezistuar shumë dhe na ka orientuar shumë që të zhvillojmë aktivitetin”, ka kujtuar Berisha. Ka thënë të jetë tejet mirënjohës, pasi nga afër ka parë përkushtimin e saj për institucionin.
“Kam kujtime shumë të mira në bisedat e në realizimet programore. Vazhdimisht e kam konsultuar për aspektin etnologjik. Ajo ka pasur njohuri të jashtëzakonshme për profilin e dokeve e të kostumeve. Ishte shumë racionale. Më mbetet ta falënderoj edhe si personalitet dhe jo vetëm si drejtuese. Ishte një figurë me virtytet më profesionale të mundshme”, ka thënë ai.
Në vitin 2015, kur edhe është shënuar 50-vjetori i ansamblit “Shota”, ky institucion kishte ndarë Mirënjohje për Nahire Surroin. Por kontributi i saj në angazhimet institucionale shkon përtej Muzeut dhe “Shotës”.
Historiani i artit, Fejaz Drançolli, e ka kujtuar Nahire Surroin si bashkëpunëtore në këshilla të ndryshme institucionale. Midis tyre edhe në atë që ishte Akademia e Arteve, tash Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Drançolli e ka përshkruar etnologen si një grua të mirë në profesion dhe si organizatore të zonjën.
“Në Akademinë e Arteve kemi qenë në Këshill bashkë. I kishte të gjitha të mirat që mund t’i ketë një person. Ishte shumë parimore”, ka thënë Drançolli. Sipas tij, në Këshillin e Akademisë kishin të bënin “me artistë që ishin më shumë artistë sesa udhëheqës, e duhej kthyer në binarë për të mirën e institucionit”.
Kontributi profesional dhe ai si udhëheqëse i Nahire Surroit do ta bënte atë emër të veçantë në zhvillimin e vendit. Por fryma që ka përcjellë ajo bashkë me koleget e saj do ta bënte po ashtu pikë reference për emancipimin e grave. Por për këtë, ajo kishte një bazë familjare si nga i ati ashtu edhe për nga bashkëshorti.

Figura avangarde që dallohej
Si shembull të emancipimit, Nahire Surroin e ka kujtuar mikja e saj, Meliha Jaka. Veterania e arsimit ka thënë se ato ishin njohur si të reja. Derisa ka gërmuar në kujtesë ka thënë se për herë të parë do ta shihte si gjimnaziste në një ditëlindje.
“Dallonte prej nesh. Ishte më avangarde, dallonte edhe në veshje. Të them të drejtën e adhuroja”, ka thënë ajo. E ka përshkruar si një mike shumë të shtrenjtë, që kishte energji të madhe përparimtare.
“Kultura e vendit ka humbur një grua që ka dalluar. Ishte grua avangarde. Jam shumë krenare që kemi pasur shumë shoqëri me të”, ka thënë ajo.
Pas Luftës së Dytë Botërore shumë familje prishtinase kishin ikur për në Turqi. Sipas Meliha Jakës, familja Kabashi nga Prizreni do të sillte shembull për edukimin e vajzave.
“Janë praktikisht gjeneratë që kanë filluar studimet si shqiptare të Kosovës. Mandej pasi u hap Universiteti i Prishtinës ishte më lehtë për ne. Por vajzat e familjes Kabashi kanë qenë më të vërtetë avangarde”, ka thënë ajo derisa ka kujtuar miken e saj me motra dhe kushërirën e tyre, kompozitoren Sevime Gjinali.
“Nahiri ishte grua shumë sociale. Kisha përshtypjen që donte që të gjitha të përparojnë. Nuk mendonte vetëm për veten, por për të gjithë shoqërinë. Donte që të gjithë të ishim më modernë e bashkëkohorë dhe të përparojë ky vend”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për virtytet e saj ka thënë se qe shumë modeste dhe nuk donte të ekspozohej.
“Modestia është parë edhe nga amaneti i saj për varrimin”, ka thënë ajo. Varrimi i Nahire Kabashi-Surroit është bërë të premten në Prizren, në një ceremoni familjare duke respektuar vullnetin e saj.
Por angazhimi i saj shoqëror kaherë kishte kaluar formatin familjar. Kishte marrë përmasat e një gruaje që hapte shtigje të pashkelura më parë në Kosovë. Aso që i hapin emancipueset.