Shtojca për Kulturë

Konsulli i ardhur në Prishtinë me armët e bashkudhëtarit çetnik

Prishtinë, 1912

Prishtinë, 1912

“Me mua udhëtoi edhe Dragisha Stojadinoviq. Ai më tha në besim se po shkonte në jug për t’iu bashkuar një grupi të çetnikëve, që tanimë po vepronte në terren. Me vete i kishte dy valixhe të mbushura plot me municione. Valixhet e tij i vendosa bashkë me të miat, prandaj ato nuk iu nënshtruan kontrollit në doganën turke. Valixhet ishin të rënda, ndërsa shqiptarët që i bartnin pëshpëritnin se ‘konsull beu’ ka vendosur në to ari që më pastaj t’ia ndajë popullit!”, shkruante konsulli i fundit serb në Prishtinë, Millan Gj. Millojeviq

“Serbia si një territor udhëtimi është një vend me interes për publikun vetëm për sa kohë që vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes si një prishëse e paqes ballkanike. Serbia është vegla e Rusisë, armiku i Austrisë, përbuzja e Bullgarisë dhe urrejtja ndaj Turqisë. Në të vërtetë, miku i vetëm i vërtetë i saj mund të thuhet se është i afërmi i saj – Mali i Zi në miniaturë”, ka shkruar Jeakel Brair në librin “The Lands of the Tamed Turk - Or the Balkan States of Today” botuar në vitin 1910.

Mendimi i mësipërm mund të vërtetohet edhe nga arritja dhe vendosja e konsullit të fundit serb Millan Gj. Millojeviq (1874 – 1969) në Prishtinë, në vjeshtën e vitit 1911. Para se të dërgohej në Prishtinë, Millojeviq ishte bërë i njohur për uzurpimet e pronave të shqiptarëve në krahinën e Toplicës. Edhe pse Millojeviq e mori postin në janar të vitit 1912 ai mbërriti në kryeqendrën e Kosovës në nëntor të vitit 1911. Lidhur me marrjen rrugë drejt Prishtinës ai ka shkruar: “Me mua udhëtoi edhe Dragisha Stojadinoviq. Ai më tha në besim se po shkonte në jug për t’iu bashkuar një grupi të çetnikëve, që tanimë po vepronte në terren. Me vete i kishte dy valixhe të mbushura plot me municione. Valixhet e tij i vendosa bashkë me të miat, prandaj ato nuk iu nënshtruan kontrollit në doganën turke. Valixhet ishin të rënda, ndërsa shqiptarët që i bartnin pëshpëritnin se ‘konsull beu’ ka vendosur në to ari që më pastaj t’ia ndajë popullit! Sa më kujtohet çetniku Stojadinoviq e kishte pasaportën, në të i shkruante se ishte mullixhi. Kur i sollëm këto valixhe në konsullatën e Shkupit, u ndjeva i lumtur që punën time e fillova në këtë mënyrë pra të ‘shërbimit si korrier’. Para nisjes për në Prishtinë disa herë bisedova me kryeministrin Milovanoviq. Ai ma tërhoqi vërejtjen që propagandën austriake ta përcillja në mënyrën më të mirë dhe më të saktë, por edhe disponimin dhe lëvizjet politike midis shqiptarëve. Milan Rakiqi, të cilin e zëvendësova, m’i afroi disa të dhëna shumë të rëndësishme për punën në terren. Kur mbërrita në Prishtinë, si zëvendëskonsull atje e gjeta Ljubomir Neshiqin. Më herët ai kishte punuar një kohë të gjatë me Rakiqin dhe tashmë kishte përparuar mjaft në punë”.

Infiltrimi i priftërinjve dhe mësuesve

Ndërsa njëri prej raporteve të para që konsullit Millojeviq e nisi nga Prishtinë, kishte të bënte me personalitet me ndikim të pakicës serbe në Vilajetin e Kosovës.

“Ne e kemi pasur një numër të konsiderueshëm midis priftërinjve dhe mësuesve vendorë, që me plot shkathtësi e zotësi ia kanë dalë të mbajnë gjallë frymën luftarake midis serbëve, por njëkohësisht ata kanë arritur me sukses që t’ua bëjnë me dije shqiptarëve se janë miq të sinqertë të tyre, se si serbët nuk janë të vetmuar dhe se Serbia dhe Mali i Zi për serbët janë më afër sesa Stambolli. Midis këtyre heronjve, si shembull është protoprezvoteri Angjellko Neshiqi nga Mitrovica. Ai i ka pasur lidhjet e forta me shqiptarët gjithandej. Si njeri me autoritet në hierarkinë kishtare dhe i vlerësuar nga drejtuesit e eparkisë, protoprezvoteri Angjellko, njëkohësisht edhe midis shqiptarëve vlerësohej si figurë e rëndësishme politike. Krahas kësaj, Angjellkoja mbante kontakte të shëndosha me konsullin rus në Mitrovicë. E gjithë kjo ka ndikuar që pushteti vendor të mos e nënvlerësojë protoprezvoterin Angjellko. Ai është njëri prej udhëheqësve serbë në Kosovë, që në mënyrë demonstrative apo shumë lirshëm ka ardhur në konsullatë. Ndikimi i tij ishte i tillë saqë ka ndodhur shpeshherë që edhe shqiptarët kanë kërkuar ndihmë prej tij. Si ruajtës besnik i traditës dhe i interesit të popullit të vet në Lipjan ka qenë protoprezvoteri Debelkoviq. Edhe në kohë të vështira Debelkoviq, me plot guxim e ka ngritur zërin në mbrojtje të kishës dhe grigjës së besimtarëve që ai vetë u ka prirë... Në Prishtinë ka pasur personalitete kishtare me autoritet. Veçmas janë dalluar protoprezvoteri Ariton Popoviqi dhe Josif Popoviqi. Të gjithë këta aktivistë dhe punëtorë publikë, kanë qenë shpirtërisht të lidhur mes vete dhe kanë punuar në bazë të direktivave që i kanë marrë drejtpërdrejt nga strukturat e larta të pushtetit të dioqezës së Rashkës – Prizren. Selia e dioqezës ka qenë në Prizren, por sipas nevojës, administrimi bëhej nga Prishtina. Të gjitha shkollat në territorin e dioqezës kanë qëndruar nën administrimin e saj. Ndërsa në Prizren, me sukses të madh funksiononte Seminari Teologjik dhe mësimdhënësit e këtij institucioni shpeshherë ishin bartës të misioneve të besueshme. Rektori i Seminarit Teologjik, protoprezvoteri Steva Dimitrijeviq si teolog i shkëlqyeshëm, pedagog por edhe si aktivist kombëtar i ka bërë nder emrit serb... Më vonë në jetën politike nisën të përfshiheshin intelektualët e rinj vendas. Midis tyre veçohej Grigorije Bozhoviq, i biri i protoprezvoterit të njohur arsimtarit Vukashin pranë Seminarin Teologjik të Prizrenit, më pastaj Millan Çemerkiqi, korrespondenti i gazetave ruse nga Prizreni e të tjerë”.

Millan Gj. Millojeviq (1874 – 1969) ishte konsulli i fundit serb në Prishtinë. Para se të dërgohej në Vilajetin e Kosovës, ishte bërë i njohur për uzurpimet e pronave të shqiptarëve në krahinën e Toplicës. Edhe pse Millojeviq e mori postin në janar të vitit 1912 ai mbërriti në kryeqendrën e Kosovës në nëntor të vitit 1911

Aktivitete sekrete të konsullatës serbe në Prishtinë

Konsulli Millojeviq shkruan: “Aktiviteti konsullor në kuptimin e ngushtë as që ka ekzistuar. Për gati një vit pune në Prishtinë në rolin e konsullit, konsullata nuk e ka pasur rastin që ta lëshojë asnjë vizë për Serbi. Kjo nuk do të thotë se kufiri nuk kalohej. Përkundrazi, për aq sa kuptohej se ngjarjet e mëdha po afroheshin, aq më tepër i shtonim aktivitetet tona, në radhë të parë në ngritjen dhe përforcimin e shërbimit të korrierëve, ndërsa kontaktet e drejtpërdrejta me vendin amë i mbanim nëpërmjet serbëve të besueshëm vendorë. Njëri prej këtyre njerëzve besnikë, ishte Spasa prej Çagallavice. Në bashkëpunim me disa të tjerë, kuptohet që ishin njerëz të besueshëm, Spasa e bartte postën gjatë netëve duke kaluar nëpër malin e Gërmisë dhe më pastaj matanë kufiri posta u dorëzohej oficerëve tanë në kufi. Prej kujtimeve më të prekshme që i ruaj nga Kosova, është kalimi i kufirit nga vojvoda Vojisllav Tankosiq bashkë me njëzet çetnikë të përzgjedhur, me detyrën që sa më mirë të njiheshin me terrenin në Kosovë me qëllim të zhvillimit të operacioneve luftarake. Për ardhjen e tij në Kosovë u bënë përgatitje paraprake. Përcjellësit e tij u radhitën në grupe nga dy apo tre veta. Secili grup i tyre i kishte në dispozicion banorët serbë që e kishin për detyrë t’i dërgonin çetnikët në zona të caktuara. Konsullata e Serbisë në Prishtinë me Tankosiqin vendosi kontakte të shifruara... Që misioni i tij të kryhej me sukses, ka kontribuuar shumë togeri Popoviq që në prag të Luftës së Parë Ballkanike u dërgua si ndihmë në Prishtinë. Ai ishte i përkushtuar në punën e tij. Me kohë u kthye në Serbi, por si njohës i terrenit qysh në formimin e njësiteve të para çetnike ai iu bashkëngjit atyre dhe ishte ndër të parët që e kaloi kufirin. Më pastaj Bozhin Simiq, që në Prishtinë erdhi nëpërmjet maleve të Gërmisë në verën e vitit 1912 dhe i cili u maskua duke u paraqitur si blerës i gurëve të mullirit. Pas marrjes së informacioneve të nevojshme, nëpërmjet Mitrovicës me të njëjtin qëllim ai u dërgua në Sanxhak. Pak kohë më herët në Mitrovicë u angazhua Dragutin Dimitrijeviq – Apis (njëri prej ideatorëve kryesorë të organizatës famëkeqe “Dora e zezë”). Apisit rrugën ia siguroi Bogdan Radenkoviqi nëpërmjet vëllait Ognjenit dhe njerëzve të besueshëm. Me sa më kujtohet gjatë këtij udhëtimi Apisi i kishte edhe dy–tre oficerë të përgatitur. U zhvilluan edhe shumë aktivitete tjera të natyrës konspirative, kështu që kur Komanda Supreme i filloi aksionet, ajo ishte e informuar hollësisht rreth gjendjes së ushtrisë së armikut, përgatitjeve por edhe për disponimin e popullatës vendore”.  

Prishtina në ditët e fundit para okupimit

Në raport konsulli serb shkruante se “thuajse për çdo ditë në Prishtinë vëreheshin duke lëvizur shqiptarë të armatosur”.

“Nëpër xhamitë e Prishtinës çdo ditë mbaheshin tubime, madje edhe rrugëve prishtinase, bejlerët dhe hoxhallarët mbanin fjalime të zjarrta patriotike. Konsullata jonë ishte e shkëputur plotësisht nga realiteti i krijuar, bile edhe lidhjet telegrafike me Beogradin ishin ndërprerë. Megjithatë ne vazhdonim ta informonim qeverinë dhe qarqet ushtarake për situatën dhe gjendjen faktike në terren. Sipas udhëzimeve të mëhershme, njerëzit tanë të besueshëm prej zonave rreth e përqark Kosovës, por edhe të një pjese të mirë të Sanxhakut, vinin në Prishtinë dhe na sillnin të dhëna për lëvizjen e ushtrisë. Këto të dhëna thuajse çdo natë nëpërmjet njerëzve të besueshëm, nëpërmes malit të Gërmisë ua kemi përcjellë oficerëve të ushtrisë sonë që tashmë ndodheshin në vazhdimësi pranë kufirit. Aq sa ushtria jonë i afrohej kufirit apo vazhdonin përgatitjet, për aq më tepër shqiptarët ishin më luftëdashës. Ndërsa ne tashmë kishim arritur që ta krijonim rrjetin tonë të bashkëpunëtorëve midis vetë turqve të Prishtinës! Ata në fshehtësi e informonin gavazin tonë, plakun Stojanin se çfarë ishin planet e oficerëve turq, madje një herë na e sollën informacionin se ishte duke u planifikuar sulmi ndaj konsullatës sonë me qëllim të vrasjes së konsullit. Këtë informacion e pranova me gjakftohtësi dhe iu dhashë udhëzime gavazëve që midis myslimanëve të përhapin lajme por edhe të mbajnë qëndrim se nuk do të ketë luftë dhe qeveria turke në mënyrë paqësore do të negociojë për problemet ekzistuese. Njëkohësisht i porosita gavazët që për çdo ditë ta blinin nga një qerre dru dhe ato të sharroheshin para konsullatës sonë tërë ditën. Kjo u shfrytëzua si maskim se luftë nuk do të ketë, pasi dëshmohej se konsulli i siguronte drutë e dimrit. Në anën tjetër vetë qëndrimi im në Prishtinë, ishte sinjal se midis dy vendeve nuk do të ketë luftë! Situatë e rëndë u krijua kur u përhap lajmi se në Shkup u mbyll konsullata jonë, dhe se konsulli ynë ishte nisur drejt Selanikut, ndërsa çdo qarkullim midis Serbisë dhe Turqisë kishte kohë që ishte ndërprerë. Ky informacion e ngushtoi fushëveprimin tim, pasi në Prishtinë flitej se edhe konsullata serbe në Manastir ishte mbyllur, më pastaj bashkë me të edhe shumë konsullata tjera të vendeve të huaja. Megjithatë unë këmbëngulja se nuk do të ketë luftë dhe vazhdoja ta mbaja në terren rrjetin e ngritur me njerëzit që në vazhdimësi bartnin informacione deri në kufi. Në ato momente të rënda në vizitë me erdhi konsulli rus në Mitrovicë, Llobaçevi. Lajmi për ardhjen e tij në Prishtinë u përhap si rrufeja, madje edhe nëpër fshatrat përreth. Tani ishte e qartë se lufta vetëm sa nuk kishte filluar. Llobaçevi kishte ardhur të më informonte se kishte marrë telegram prej ambasadorit rus në Beograd që të më lajmërojë se a kisha urdhër prej qeverisë sime që menjëherë ta braktis Prishtinën. Më duhet të them se gjatë gjithë punës sime në Prishtinë, kam mbajtur kontakte të përhershme me konsullin rus Llobaçev në Mitrovicë. Ai gjithnjë më jepte informacione të rëndësishme por ishte edhe i gatshëm që të afronte siguri dhe të vihej në mbrojtje të bashkëkombësve tanë. Prishtinën e lëshova vetëm pak ditë para se ushtria jonë të hynte në të... Kur pas lufte për herë të parë e takova vojvodën Mishiq (më duket në Shkup) më tha se kishte qenë shumë i kënaqur me informacionet që nëpërmes maleve të Gërmisë ia kishim dërguar me rrjetin tonë të zhvilluar të njerëzve”, ka shkruar në kujtimet e tij konsulli i fundit serb në Vilajetin e Kosovës.    

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë